E premte, 26.04.2024, 03:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Vdekja e bukur

E shtune, 14.06.2008, 12:18 PM


Alma Mile

EKSKLUZIVE/ Për herë të parë botohet fotografia e muzikantit Palok Kurti në shtratin e vdekjes. Krahas fotos së rrallë, të ofruar nga familja Kurti në Shkodër, muzikologu Sokol Shupo gjen në arkivat e Ministrisë së Jashtme edhe një rekomandim të Nolit për Lec Kurtin, zv/konsull në Bari

Është një nga ato raste që tregon se si edhe vdekja mund të kthehet në art. Se si momenti i dëshpëruar i ndarjes përjetë me njeriun e dashur, mund të kurohet e të vijë estetikisht i bukur. Teksa qëmtonte ndër dorëshkrime të ofruara me shumë dashamirësi nga familja e Albert Kurtit në Shkodër, mes veprave të Palokës e Lecit, dy themeluesve të muzikës serioze shqiptare, muzikologut Sokol Shupo i bie në dorë një fotografi e rrallë. E pabotuar më parë. Një vepër e vërtetë arti, e realizuar në vigjilje të vitit 1921. Megjithë kushtet e këqija ku është ruajtur fotografia, për shkak të persekutimit të familjes Kurti, ajo ruan vlera të mëdha, për kohën kur është realizuar, për njeriun që është fotografuar në shtratin e vdekjes dhe për kompozimin autentik. Mban datën 31 dhjetor 1920 dhe nënshkrimin “Atelier Photographique Kel Manza, Scutari, Albanie”.

Kemi dëgjuar e parë të tjera raste, ku i vdekuri, në shumicën e rasteve, burrë i fortë malësie fotografohej i ulur në fron, si të ishte i gjallë, me cingare në vesh dhe pushkë mbështetur në gju, por këtë herë nuk bëhet fjalë për një ritual të tillë. Paloka qëndron i shtrirë në shtratin e vdekjes, i veshur në kostum të zi dhe i rrethuar nga të afërmit.

Arti i kësaj fotoje nuk qëndron thjesht në fiksimin e momentit solemn, por në kompozimin e fotografisë. Mjeshtri Manza është kujdesur që sekush prej të afërmve që bën rojë pranë trupit të pajetë, të marrë një pozë, apo të ketë një shprehje të veçantë në portret. Të ulura pranë Palokës gjenden tri gra, të mbuluara me shami. Ato rrinë të heshtura, me duar të mbledhura. Nuk vajtojnë me të madhe. Nuk i ka kapur ndonjë histeri ulërimash dhe nuk “ndërsejnë” flokët. Ato respektojnë burrin e shtëpisë në heshtje. Nga burimi kryesor, që është Albert Kurti, nipi që trashëgon gjithë pasurinë dorëshkrimore të Kurtajve, muzikologu Shupo “zbulon” identitetin e grave që qëndrojnë të ulura. Ato janë Nana Line, Luçia, gruaja e Zef Kurtit dhe Age Kosmaçi. Kurse në këmbë, të vendosur pas grave, janë pikërisht e shoqja e inxhinier Briotit, i biri, Zefi, që ka marrë një pamje të menduar, Salvatori, Ndoc Kurti dhe e bija e inxhinier Briotit. Mësohet se inxhinier Brioti ishte mik i familjes. Prof. Shupo sjell një tjetër fakt në lidhje me inxhinierin francez. Brioti, ndodhej në Shkodër i ftuar nga Filip Parruca, një prej tregtarëve më të pasur shkodranë, për të projektuar hekurudhën Shkodër–Shkup. Ai gjithashtu ka ndërtuar Pallatin e Kulturës në Shkodër (në ballin e kësaj shtëpie janë në basorelief kokat e inxh. Briotit dhe F. Parrucës) dhe ka ndërtuar Prefekturën e Shkodrës. Një tjetër projekt që kishte ndër duar Brioti mësohet të ketë qenë dhe bashkimi i Drinit me Bunën dhe ngritja e një dige. Projekt ky që nuk u realizua kurrë.

Familja Kurti ishte një nga më të njohurat në Shkodër. Derë e pasur, gjë që dëshmohet edhe nga veshjet e “figurantëve” në fotografi. Burrat të veshur në kostum, gratë e shtëpisë me veshje tradicionale të qytetit, ndërsa dy gratë e huaja shquajnë me veshjen “alla frënga”. Shupo thotë se Paloka rridhte nga një familje e varfër, por fati i buzëqeshi ndërsa martohet me vajzën e Anastas Papanikut, njërit prej pasanikëve më të mëdhenj të Shkodrës, suljotë të ardhur nga Arta e Greqisë. Paloka mësoi nga profesori Italian Gianni Canale, të njihte notat muzikore, po edhe të kompozonte. Madje Paloka, tre vjet më vonë do të merrte në duar drejtimin e Bandës së famshme të Shkodrës të ngritur nga Canale. Merita e Palokës si muzikant nuk qëndron vetëm në drejtimin e bandës, repertorin e së cilës e pasuroi me këngë patriotike, edhe me muzikë popullore qytetare shkodrane, shumë prej të cilave i përpunoi, për t’i mbajtur larg orientalizmave, ndërkohë që shkroi edhe vetë. Nga martesa me Angjelinën, Paloka pati pesë fëmijë, katër djem dhe një vajzë, Lecin, Zefin, Salvatorin, Ndocin dhe Tushën. Shtëpia e Kurtëve ndodhej në qendër të qytetit të Shkodrës, ku sot gjendet posta. Të gjithë pasurinë Palok Kurti e vuri në shkëmbim të shkollimit të fëmijëve. Leci do të studionte në Pesaro, deri në vitin 1916 për diplomaci dhe muzikë. Vetëm pak kohë më parë, më 14 maj, prof. Shupo organizoi një koncert dhe një konferencë shkencore kushtuar Lec Kurtit muzikant, duke ofruar për herë të parë për publikun një pjesë të krijimtarisë së tij, që rezulton të jetë i pari kompozitor në shumë gjini të muzikës serioze. Lec Kurti ka qenë gjithashtu një diplomat i shquar pranë Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues i Shqipërisë në Bari. Gjatë punës për plotësimin e skedës së Lec Kurtit, muzikologu Shupo gjeti në arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashme një rekomandim të Fan Nolit për Kurtin, që daton 10 shkurt 1922, letër që gazeta po e boton po sot. Në rekomandim, Noli, në pozicionin e ministrit të Jashtëm, riafirmon pozicionin e Lec Kurtit si zëvendëskonsull i Shqipërisë në Bari, duke besuar në “mençurinë, përkushtimin dhe ndershmërinë” e Kurtit. Ky është vetën një prej dokumenteve të mbajtura të fshehta gjatë viteve të diktaturës dhe që po dalin tashmë në dritë, duke treguar përmasat e vërteta të Kurtajve si muzikantë e diplomatë.

Të ulura pranë Palokës gjenden tri gra, të mbuluara me shami. Ato rrinë të heshtura, me duar të mbledhura. Nuk vajtojnë me të madhe. Nuk i ka kapur ndonjë histeri ulërimash dhe nuk “ndërsejnë” flokët. Ato respektojnë burrin e shtëpisë në heshtje

Paloka rridhte nga një familje e varfër, por fati i buzëqeshi ndërsa martohet me vajzën e Anastas Papanikut, njërit prej pasanikëve më të mëdhenj të Shkodrës, suljotë të ardhur nga Arta e Greqisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora