E diele, 03.07.2022, 10:11 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: ''Pak dritë! - Mehr licht!''

E enjte, 13.03.2014, 09:04 PM


“PAK  DRITË ! – MEHR LICHT !”

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

“Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut!” Imz.V.Prennushi, 1946.

Nga Fritz RADOVANI

Imz. Vinçenc Prennushi ka lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit Françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M. Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por zen vend ndër letrarët ma në za të periudhës së Pavarësisë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”  sidhe në gazetën “Ora e Maleve”. Me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914, plot 100 vjet perpara mban fjalimin kryesor ku spikati oratoria e Tij. Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë” jep mendime për një shtet demokratik. At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve Shqiptar në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue se Ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçeza e Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezës së Durrësit, atëherë kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana përfshihej në Dioçezen e Tij. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur asht edhe administrator i Tiranës, Ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasëve.

Keqsimi i gjendjes shëndetësore të Imz. Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Ky, jo vetëm e kreu me  ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurrgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë sonë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk pajtohet asnjëherë me pushtimin komunist.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi.

Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë....ashtusi duhet ta kujtojnë mirë edhe shumë shkodranë moshatarë të mij, ndonse “skleroza komuniste” nuk po i len me folë.

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër me 16 Shtator 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur të tij” Tuk Jakova, kujtoj si tashti se, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, i cili kishte vdekë që në Mars 1949. Ai shprehi “konsideratën” për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty dihej se i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa...

Imz. Prennushi arrestohet me 19 maj 1947, dhe hetimet i bahen në hetuesinë e Durrësit. (Dosja 1245). Me 18 dhjetor 1947, para gjykatës ushtarake të Durrësit, Imzot Prennushi  deklaron pa frikë: “Lufta ime ishte kundër komunistave e partisë komuniste, që ajo të mos egzistonte”...“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta dhe ndershmënia. Imzot Prennushi pyetët në hetuesi për shkuemjen e Tij në Misionin amerikan, Ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin...Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe, ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopje ua kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.”

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku, më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.

...Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.

Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përbame nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:

1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg...

***

“...E ngarkuan me bajtë trungje  prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’ Udhën e Kalvarit  u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa  shprehë ankim...” Tregon bashkvuejtësi Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këta rreshta të deponuem në hetuesi prej Tij me datën 4 shtator 1947: “Vinçenc Prennushi  deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Në revistën “Zani i Shna Ndout”, Janar 1930, në kujtimet e Prennushit, “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, në takimin që kishte pasë me Teresa Neumann në Bavari të Gjermanisë, Ajo i ka thanë: “Do të keshë nji aksident rrugor. Do të bahesh Ipeshkëv dhe mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh Martir i Fesë”.

Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, kur lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saj në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za dëgjohej në atë errësinë.., në të mekun: “Pak dritë! – Mehr Licht !”... Ishte MARTIRI  I  FESË  Imz. V. Prennushi...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora