Mendime
Ndue Dedaj: Nga kush kërcënohet Qosja?
E merkure, 05.03.2014, 07:55 PM
NGA
NGA NDUE DEDAJ
Nga
rrethe akademike? Nga politika? Nga e djeshmja? E sotmja?
Një grup intelektualësh nga Shqipëria marrin në mbrojtje Rexhep Qosen, 37 vetë të këtushëm, pa asnjë nga Kosova. Ndërkohë që askush nuk e merr në “mbrojtje” Rugovën, dhe pse ai tashmë nuk mund të përgjigjet për akuzat që i bën Qosja për së vdekuri. E habitshme është se asnjë grup intelektualësh nuk është mbledhur për të bërë qoftë dhe një promemorie për Ukshin Hotin, le pastaj ndonjë manifestim proteste për filozofin e çështjes shqiptare, ndërkohë që Ismail Kadare i ka kushtuar një libër të tërë.
Qosja
sulmon dhe ata që ai i godet pa mëshirë nuk paskan nevojë për mbrojtje, kurse
ai e paska të nevojshme të mbrohet! Historia e memorieve të tilla është e
vjetër, ajo zakonisht i drejtohet një strukture shtetërore represive, për të
mos ndëshkuar dikë të famshëm, por ja që
Qosja mbrohet as më pak e as më shumë se sa nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, njeriu i “shtëpisë”. Lexuesi me të drejtë pyet, po pse e drejta nuk qenka në anën e këtij të fundit, në kuptimin që ai mund t’i drejtojë jo 55 pyetje, por dhe dhjetëfishin e tyre një kolegut të tij akademik, qoftë ky dhe zoti Qosja? Po sikur të ngrihet një grup tjetër profesorësh dhe të rreshtohet në mbrojtje të kryetarit Islami? Pastaj si nuk qëlloi ndonjë akademik i Kosovës në këtë rreshtimin e profesorëve nga Tirana? Kjo puna e rreshtimeve kësodore, që ka ndodhur jo pak këto vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, ngjan si fort e tejkaluar. Në mos të shëmbëllen me ato përcjelljet me një duzinë nënshkrimesh, kur shuhej ndonjë nga anëtarët e Byrosë Politike në vendet e Lindjes. Praktika kur dikush shkruan një letër dhe nxiton për ta firmosur nxitimthi te një grup mbështetësish e ka origjinën nga politika, kur një grup deputetësh merr një iniciativë parlamentare etj., dhe deri te lobimet private të dikujt për ta shpallur tatën “Qytetar Nderi”, çka në qasjen akademike na duket e pavlefshme. Thua me vete si është e mundur që kaq shumë intelektualë të njohur të vendit të kenë një mendim të tillë “njëshkolonë” për një çështje (?), për më tepër me një shikim bardhezi, një tipar i shkollës së vjetër? Po ashtu gjykon si ka mundësi kaq shumë firma për një asgjësend dhe nuk janë bërë as gjysma e tyre për t’u shprehur për atë çka ndodh me Mitrovicën, për shtrembërimet në Enciklopedinë maqedonase të para disa viteve, le pastaj për lumin e Radikës? Për gjëra të tilla do të kishim dëshirë të mbanin qëndrime akademikët tanë dhe akademitë tona dhe jo se kështu i tha Qoses Islami dhe Qosja Islamit.
Nuk e fsheh që, në një anë, nuk ndihem mirë me këto radhë, pasi jo pak nga ata që kanë nënshkruar në mbrojtjen e panevojshme të Qoses janë pedagogët e mi të studimeve pasuniversitare në Tiranë, e të tjerë miq të nderuar krijues prej vitesh, por gjykoj se jam në të drejtën time ta them ashtu si e mendoj këtë punë, që është “ngatërruar” në Prishtinë e nuk ka arsye të “shkatërrohet” në Tiranë. Nuk është se bëhet fjalë për veprën studimore letrare të historianit skrupuloz të letërsisë, Rexhep Qosja, por për qëndrime të tijat individuale, për të cilat akademiku është vetë i zoti për t’u mbrojtur, siç dhe ka bërë përmes ndonjë deklarate, duke sqaruar pozicionin e tij për anë që kanë të bëjnë me jetën kulturore, akademike dhe etiko-morale në ish-Jugosllavi. Po të kishte qenë një rreshtim i tillë njëzet vite më parë kundër persekutimit të intelektualëve të Kosovës, përfshi dhe zotin Qose, nga regjimi çnjerëzor i Millosheviçit, nuk do të mjaftonin njëqind mijë fletë për të nënshkruar, por kjo mbrojtja e fundit “akademike” e Qoses nga Tirana nuk besoj se i hyn në punë as atij vetë, as atyre që e kanë firmosur në vrap.
Së fundi, akademikëve tanë të vyer, kudo që të jenë, shëndet e vepra të shquara për këtë komb, sa më pak zemërim energjibjerrës me njëri-tjetrin.
Dhe sidomos as-pak promemorie të tilla, për një flakë kashte…