E premte, 26.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Sport

Besnik Dizdari: Shkatërrimi përfundimtar i Jugosllavisë, fati i madh i Danimarkës dhe mbyllja e epokës së 17 humbjeve

E marte, 03.06.2008, 12:10 AM


Shkatërrimi përfundimtar i Jugosllavisë, fati i madh i Danimarkës dhe mbyllja e epokës së 17 humbjeve

Nga Besnik Dizdari

17 vjet më parë ka qenë viti 1992, e na duket sikur e kemi aty pari, teksa kujton se çka qe ai vit sidomos për ne. Qe viti i shkatërrimit të një epoke, të një epoke tragjike, siç qe ajo e komunizmit, pjesë e të cilit ishim. Ai ka qenë një vit pamshirshëm politik që po e çonte tashmâ Evropën drejt lirisë së plotë të tanësisë së së saj. Për fat, viti 1992 qe po aq dhe një vit tejet sportiv. Ishte viti i Edicionit të 9-të të asaj që deri para pak qe quajtur Kupa e Kombeve të Evropës…

Më 1990 ishte rifomuar Gjermania e bashkuar (RFGJ + RDGJ) dhe qe shpallë e pavarun Estonia. Më 1991 ishin pavarësuar Armenia, Azerbaixhani, Biellorusia, Kroacia, Gjeorgjia, Kazakistani, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Rusia, Sllovenia, Ukraina. Por edhe në këte Edicion të 9-të të Kampionatit Evropian do të shkonte po Evropa “e vjetër”, ose ajo e përbërjes së para rënies së Murit të Berlinit. Do të ishte hera e fundit e saj. Kësisoji edhe kësaj here kapitulli i fundit do të ishte megjithate po ai, i mëparshmi. Sepse ato që quheshin ndeshjet kualifikuese kishin nisur më 1990. Kjo do të thoshte se ky EURO 1992 i përkiste ende Evropës kapitaliste dhe komuniste, në çastin e fundit të Luftës së Ftohtë. Ndonëse ishte shpërbërë Bashkimi Sovjetik dhe ishin krijuar gjithë shtetet e sipërpërmendur, edhe kësaj here UEFA nuk mund të lëvizte asgjë në gjeopolitikën e Kupës së Kombeve 1992. Ndryshimet do të mund të bëheshin vetëm mbas dy vjetëve në startin e Edicionit të 10-të, atë të 1994-96 ku në vend të 33 shteteve pjesëmarrëse do të ishin 47 shtete, 47 Kombëtare!

Megjithate, edicioni vitit 1992 nuk mund t’i shpëtonte krejtësish situatës politike. Dy do të ishin vendimet. Bashkimi Sovjetik i cili kishte fituar të drejtën për të marrë pjesë në fundoret e Suedisë, qe shndërruar në Komuniteti i Shteteve të Pavaruna (KSHP) me shpresë se do të shpëtonte nga shpërbërja krejtësinë e republikave të tij ish sovjetike. Por vendimi politik i përmasave të mëdha ishte përjashtimi prej fundoreve i Jugosllavisë, e cila në kualifikimet kishte zënë vendin e parë në Grupin 4, duke lënë në vend të dytë Danimarkën.

32 vjet më parë në Edicionin e 1-rë të saj, Kupa e Kombeve kishte përjashtuar favoriten e titullit Spanjën, ndonëse kjo në të vërtetë qe vetpërjashtuar, përderisa nuk kishte pranuar të luante me Bashkimin Sovjetik. Dhe do të vinte Bashkimi Sovjetik e po ai do të shpallej Kampioni i parë i Evropës, edhe pse kishte kaluar përtej ngaqë Spanja nuk kishte pranuar të ndeshej me gjigandin komunist. Një histori e treguar të martën e shkuar në “TemA”.

Pak a shumë kështu do të ndodhte edhe në këte 1992, kur politika do të përjashtonte Jugosllavinë, shteti i së cilës kishte kaluar në genocid lufte, dhe do të sillte përmes një vendimi zyrash të UEFA-s, Danimarkën; e kjo jashtë çdo parashikimi do të shpallej Kampione e Evropës.

Në të vërtetë, asnjëherë politika nuk kish ndërhyrë më fort në një veprimtari sportive sa në këte 1992 të Kampionatit Evropian të Futbollit. Ose e thënë më qartë: asnjëherë politika nuk kishte patur forcë më shumë se në këte 1992 për të ndërhyrë në përcaktimin e fatit të një ngjarjeje sportive. Do të ngjiste kjo në Edicionin e 9-të të Kupës "Henri Delaunay".

XXX

Historia kishte paksa edhe pjesëzën shqiptare. Në Grupin 1 të ndeshjeve kualifikuese kishte bërë pjesë edhe Shqipëria, Shqipëria 1990-1991. Ose Kombëtarja e Shqipërisë, e cila merrte avionin për në Paris në një klimë të ndezur zgjedhjesh kur për herë të parë në vendin e ashtuquajtur të Shqiponjave, një parti opozitare do të merrte pjesë në zgjedhje demokratike. Ishte një kohë kur futbolli dukej tepër i largët. Në mëngjezin e 29 marsit '91, këte Shqipëri e priste aventura e rrallë në vetë historinë e futbollit botëror madje. Për fat jam gazetari i Kombëtares së saj dhe qetë qetë, pasi na lë avioni në Gjenevë, tre futbollistë, Kaçaçi, Ibro, Leskaj i thonë lamtumirë Kombëtares dhe Shqipërisë duke u "arratisur" pikërisht në aeroportin e Gjenevës! Kjo është Kombëtarja e cila së bashku edhe me drejtuesit e saj dhe me autorin e këtyre rradhëve, e jep votën e saj historike të pluralizmit për përmbysjen përfundimtare të një Regjimi mu në Paris, në Ambasadën Shqiptare. Historia e futbollit evropian nuk kishte njohur kurrnjiherë një Kombëtare që e jep votën e saj të parë të lirë jashtë vendit të saj, në këte rast në Paris të Francës, për të vendosur gurin e parë në themelin e Demokracisë së Atdheut të vet! Edhe kjo ngjarje shqiptare pa precedent çuditërisht hynte në gjeopolitikën e rrallë të EURO 1992.

Dhe… Franca e cila me Papën-in në krye shkon në 5-0!

Në Shqipëri ka fituar sistemi demokratik! Ndërkaq, katër lojtarë të tjerë të Kombëtares së saj "arratisjen" e kishin lënë për mbas ndeshjes. Janë Kepa, Vata, Sukaj, Gjergji të cilët parapëlqejnë zhdukjen e tyre për në Paris në atë mbrëmje të paharrueshme kur ne silleshim tashmâ thuajse indiferentë për gjithçka para Concord La Fayette Hotel, jo larg nga Champs Elysées, duke medituar përfundimisht për një Shqipëri tjetër që po mbrrinte. Trajneri Bejkush Birçe kthehet në Shqipëri pa 7 titullarë të tij, me një humbje "dinjitoze" 5-0, po tashmâ pa ankthin e një viti më parë…

Vetëm 30 ditë mbas 5-0 të Francës, kur ai kishte lënë në tokën transalpine gati gjysmën e skuadrës, ndeshja e rradhës në Shqipëri për KE, ishte ajo me Çekosllovakinë dhe vetëm 0-2

Siç kam shkruar në “Libri i Kombëtares”, në mbrëmbje kam pasë rastin të rri me nënkampionin e botës Vladislav Novak dhe me nënpresidentin e UEFA-s Vaclav Jira, i pari i dorëzuari i Partizanit në Lajpcig me gjithë Duklën e tij më 1958, i dyti po ashtu ndaj Kombëtares së Myslym Allës në dy të paharrueshmet Shqipëri - Çekosllovaki më 1952. Nuk mund të them se i kishin komplimente gjithë ato fjalë të mira për këte Shqipëri e cila prap se prap, simbas tyre, ishte e papërgatitur fizikisht.

Ajo ishte humbja e 17-të rradhazi e Shqipërisë për Kupën e Botës dhe ate të Evropës.

Mirë apo keq, më 26 maj 1991 vjen fitorja e vogël, por historike: 1-0 Islandës në Tiranë mbas 17 humbjeve rresht. Ishte një premierë e pangjashme: si gazetar më ndodhte që për herë të parë pranë emrave të lojtarëve të Kombëtares të shënoja një klub të huaj: Lekbello - "Aris" e Selanikut, Millo - "Larisa" e Larisës, Kushta - "Iraklis" i Selanikut, Abazi - "Hajduk" i Splitit, Josa - "Aris" i Selanikut...

Kjo ishte liria e madhe që kishin fituar shqiptarët, në rastin tonë e shprehur në futboll. 45 vjet më parë Shqipëria për pak kishte qenë duke përjetuar një përvojë të ngjashme, kur trajneri i parë i Kombëtares, Bik Jakova, kishte marrë rrugën e Italisë për të bindur Riza Lushtën e Napolit, Naim Kryeziun e Romës dhe Haki Korçën i cili luante me skuadrat e emigrantëve në Itali, për të ardhur për të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik që zhvillohej në Tiranë. Ata nuk pranuan natyrisht, kur tashmâ po kuptonin se çfarë Shqipërie e diktaturës po ngrihej. Do të kishte qenë përvoja e parë e Kombëtares shqiptare me emigrantë. Qe lënë kështu për mbas 45 vjetëve nën hijen e fatit të Kombëtares shqiptare të EURO 1992….

Dhe 1-0 Shqipëria ndaj Islandës.

Një fitore mbas plot shtatë vjetëve. Qysh nga ai çasti i rrallë “fatlum” Shqipëri - Belgjikë 2-0 i 22 dhjetorit 1984. Pritje e gjatë vërtet, e pafund madje. Kishin qenë plot 2345 ditë pa një fitore,

Ishte 26 maj 1991. Në këte ditë po ndërpritej vazhdimësia e humbjeve, e plot 17 humbjeve rradhazi. Përmes EURO 1992, Shqipëria do të ndahej edhe ajo me një epokë, me epokën e humbjeve të saj të vazhdueshme. Kurr më nuk do të ndodhte që Shqipëria të ishte kësisoji një skuadër e epokave të humbjeve në vzhdimësi. Ndonëse ajo humb ndeshjen e rradhës për Kampionatin Evropian në një qytet dikur të Perandorisë Austrohungareze, Olomouc të Moravisë ku Çekosllovakia e fortë do të vuante tejet për të fituar vetëm 2-1, edhe ajo në një ndeshje lamtumire të këtyre eliminatoreve, e vërteta është se Shqipëria zhvillon një ndeshje të paharrueshme edhe pse humbje. Ishte një humbje në këte Olomouc të largët përmes rrugëve më të çuditëshme, ikje dhe ecejake të papërshkrueshme trenash, avionësh dhe më në fund një bashkim me të gjithë në mesnatën e panjohur të Moravisë së një civilizim të vjetër në thellësitë e Evropës plakë. Edhe këto episode që nuk do të ndodhnin më kurr për Kombëtaren e Shqipërisë, hynin me nxitim në bllokun tim të shënimeve teksa si gazetar isha pjesë e kësaj aventure…

Për çudi ishte 16 tetor, 16 tetor 1991, humbje 2-1 me Çekosllovakinë dhe Shqipëria që kishte mbyllur kështu me një humbje arkivore të saj jetën evropiane futbollistike të Çekosllovakisë prej së cilës menjëherë do të lindnin Republikën Çeke dhe Republikën Sllovake. Shqipëria është e fundit në grup me vetëm 2 pikë. Kurr më nuk do të merrte kaq pak. Përkundrazi!...

Për Shqipërinë ka gjithsesi një episod pa precedent në rastin e ndeshjes së fundit, atë të 18 dhjetorit 1991. Pikërisht në aeroportin e Madridit, ndërsa Spanja po bëhej gati të nisej për në Tiranë për ndeshjene fundit të Grupit 1 kualifikues të EURO 1992, UEFA njofton për shtyrjen e ndeshjes sepse Shqipëria nuk plotësonte kushtet normale të zhvillimit të saj! Spanja lë aeroportin dhe kthehet mbas për të mos u zhvilluar kurrë kjo ndeshje ndonëse nuk ndikonte kurrsesi në renditjen e grupit. Ishte viti 1991. Shqipëria e kishte mendjen tjetërkund. E kishte mendjen te ndarja përfundimtare me ate që ia kishte marrë shpirtin për 46-47 vjet me rradhë: me Regjimin e pamshirshëm komunist. Nga fanelat e Kombëtares hiqet stema e Republikës me yllin komunist mbas vendimit të Parlamentit Shqiptar.

Do të fillonte epoka tjetër, epoka e re e futbollit evropian, pjesë e së cilës qysh këte ditë do të ishte edhe Shqipëria, kurr më e 17 humbjeve rresht, por Shqipëria e një Kombëtareje në rritje të vazhdueshme, edhe pse përmes mpleksjeve po të çuditshme midis fitoreve, humbjeve dhe ndeshjeve të paharrueshme. Niste edhe për te periudha e modernizimit të saj që vazhdon ende…

XXX

Ndërkaq, grupet e tjera të ndeshjeve kualifikuese i kishte përshkuar qetësia politike.

Franca e Grupit “tonë” e trajnerit Mishel Platini, presidentit të sotëm të UEFA-s, i cili të shtunën në mbrëmbje me ndeshjen e Bazelit, Zvicra – Republika Çeke, do të çelë EURO 2008, ka rimbëkëmbjen e vet tek zë vendin e parë duke lënë tejet mbrapa rivalët Çekosllovaki dhe Spanjë dhe duke i fituar të 8 ndeshjet, thuajse një rekord në gjithë historinë e Evropianit.

Në Grupin 2 gara ka ashpërsinë e rrallë të 4 mëtuesve. Renditja do të jetë kjo: Skocia 11 pikë, Zvicra 10, Rumania 10, Bullgaria 9! Barazime e humbje për të gjithë dhe turet e fundit janë krejt të pakomanduar prej askujt. Më 20 nëntor 1991 barazimi Bullgari-Rumani 1-1, lehtëson gjendjen shpirtërore të Skocisë sepse ballkanasit mbeten jashtë finaleve në sajë të paqes çarmatosëse midis tyre...

Grupi 3 krijon eliminimin e Italisë ngaqë BS është i sigurtë qysh nga ndeshja e parë deri tek e fundit, ndonëse me Italinë barazon dy herë 0-0. Në grupin 5 Gjermania e zakonshme ka një dualitet me Uellsin të cilit i jep fund me fitoren e 16 tetorit 1991. 4-1 duke marrë revanshin e humbjes së Kardifit 0-1 të 5 qershorit 1990. Grupi 6 ka kualifikimin relativisht të lehtë të Holandës së Van Bastenit e të Gulitit përballë Portugalisë, ndërsa Grupi 7 rezervon një rivalitet të mprehtë ku me përjashtim të Turqisë e cila nuk fiton asnjë pikë, Anglia, Irlanda dhe Polonia kanë vetëm nga 1 pikë të vetme larg njëra-tjetrës. Barazimi i 13 nëntorit 1991, 1-1 me Irlandën, i lë Anglisë vendin e parë në grup dhe drejt e në 8 më të mirat e Evropës.

Futbolli evropian i fillimit të viteve ‘90 në të vërtetë ishte në një çast ndryshimesh të pazakonta. Tronditjet politike kishin shkaktuar një tronditje sportive në gjithë vendet e Lindjes prej të cilave ende rezistonte vetëm Bashkimi Sovjetik tashmâ mbas goditjes së parë edhe ai nën emrin Komuniteti i Shteteve të Pavarura. Kishte dy vjet që kishte përfunduar Kampionati i 15-të Botëror i Futbollit që i kishte sjellë Evropës përmes RFGJ-së titullin botëror mbas një pushimi 4 vjeçar të tij në Amerikën Latine. Gjermania mbas gati 50 vjetëve, kishte fshirë emërtimin RFGJ dhe ishte bashkuar nën emrin e saj autentik. Kishte rënë përtokë Muri i Berlinit dhe Gjermania ishte e vetme edhe në futboll. Gjatë dy vjetëve ajo kishte humbur disa nga kampionët më të spikatur të botës po nën fanelën e bardhë gjermanike tashmë ishin rreshtuar edhe yje të ish RDGJ-së të tillë si Sammer, Thom dhe Doll.

E gjithë Evropa e futbollit ishte në një ndryshim të plotë, në një përtëritje që ndërsa shihte larg, ajo kishte tronditur thuajse të gjithë formacionet më tradicionale. Dukej se rezistonte ende Holanda e treshes së shkëlqyer Gullit, Van Basten, Rijkard, po Evropiani i Suedisë do të vërtetojë shumë gjëra të tjera...

Në stadiumet e Suedisë: Stokholm, Malmoe, Goteborg, Norçeping, fundoret e Kampionatit Evropian do të rrëzonin ditë pas dite gjithë parashikimet, gjithë planet e të mëdhenjve dhe në fund do të shkaktonin surprizën më të madhe në gjithë historinë e Kupës "Henri Delaunay".

Në grupin A të fundoreve janë Suedia vendase, Danimarka fatmadhe, Franca dhe Anglia. Në grupin B Gjermania e bashkuar, Holanda kampione në fuqi, Komuniteti i Shteteve të Pavarura dhe Skocia.

Më 10 qershor 1992 në Stokholm, Suedia e Franca barazojnë 1-1 ndeshjen përururese mbasi kryeson Erikson (24') dhe barazon Papën në të 59', më i miri në fushë, i sapoardhur nga kampionati italian nën fanelën e Milanit. Një ndeshje që nuk tregonte as forcën e Suedisë e as mëtimet e sigurta të Francës.

XXX

Fjala do të ishte për Danimarkën, atë që qysh më 1984 e kishin quajtur "Danish Dynamite" - "Dinamiti Danez". Mu në çastin kur cikli i saj ishte mbyllë, krejt papritmas, falë ndërhyrjes së politikës në sport do të lindte Danimarka - Kampione e Evropës. Historia ishte kjo:

Danimarka bën pjesë në grupin e 4-t eliminator, një grup me pesë skuadra, po në të vërtetë dueli ishte midis Jugosllavisë dhe Danimarkës. Më 14 nëntor 1990 Jugosllavia fiton 2-0 në Kopenhagen falë golave të kroatit Jarni dhe të boshnjakut Bazhdareviç. Por ndeshja e kthimit më 1 maj 1991, për çudi është 2-1 për danezët. Ata ecin kështu hap mbas hapi pranë njëri-tjetrit me një ndryshim të vetëm: ndërsa Jugosllavia i fiton të 7 ndeshjet e tjera, Danimarka ka vetëm edhe një barazim në Belfast me Irlandën e Veriut. Kaq mjafton, vetëm 1 pikë e humbur që Jugosllavia të zejë vendin e parë në grupin 4 me 14 pikë përballë 13 të Danimarkës. Gjithçka duket në rregull, por më 30 maj 1992 vetëm 11 ditë para se të fillonin finalet e Suedisë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së përjashton Jugosllavinë nga të gjithë aktivitetet sportive ndërkombëtare e kësisoj edhe nga finalet e Kampionatit Evropian! Ajo çka tashmâ po ngjiste në Bosnje e Kroaci ku qeveria serbe nuk po kursente aspak jetë njerëzish, madje edhe mbas apelit të OKB-së dhe ndërhyrjes së kaskave blu të Kombeve të Bashkuara, nxjerr jashtë jetës së marrëdhënieve normale ndërkombëtare Jugosllavinë, përfshirë këtu edhe sportin. Kështu UEFA dërgon në fundore të dytin e Grupit 4, Danimarkën. Dhe as asaj, as opinionit futbollistik evropian nuk i shkonte kurrsesi nëpërmend se me këtë veprim ishte "përcaktuar" me një vendim tryezash kampionia e ardhshme e Evropës. Aq më tepër që përveç të tjerave, nuk ekzistonte më Danimarka e madhe "Danish Dynamite". Kishin mbetur vetëm një Michael Laudrup dhe një Fleming Povlsen. Ishin shumë pak për të ndërtuar një Danimarkë si të shkëlqimit të viteve '80...

Dhe Danimarkë-Angli 0-0, Francë-Angli po 0-0. Do të përcaktonin 3 ndeshjet e fundit. Më 14 qershor Suedia fiton 1-0 me Danimarkën me golin e Brolin në të 58'. Jo një bukuri e madhe futbolli, po një shfaqje e këndshme gjithsesi. Limpar është njeriu që bën gjithçka: frymëzuesi dhe pasuesi i çmuar për të tjerët. Danimarka meriton humbjen. Qysh nga kjo ndeshje askush nuk mendon më për të. Vëmendja është tek Suedia, vendasi. Eshtë kjo që, si të thuash, i jep jetë një Kampionati i cili kishte pasur një fillim gati të qetë. Më 17 qershor ndeshja me Anglinë ka një fillim ndezës kur shënon që në nisje Platt (3'). Suedia është si në një nokaut. Nuk dijnë ta shfrytëzojnë psikologjikisht anglezët të cilët mendojnë se për 87 minuta të mbetura do të mund të ruajnë rezultatin para spektatorëve të Stokholmit. Në të 52' arrin goli Eriksonit, i cili në të vërtetë është një mbrojtës dhe shënon për herë të dytë mbas golit ndaj francezëve. Në 1-1 Brolin rifillon sulmin e tij krejt personal. Loja e tij ka një rritje të vazhdueshme deri në minutën e 90-të. Dhe është pikërisht ai që i fundos anglezët në minutën e 83-të me golin e vetëm midis 3 anglezëve të çbarazpeshuar: 2-1! Suedia duket si mëtuesja numër 1 e Kampionatit.

E ndërsa Anglia del jashtë çdo mëtimi me këtë humbje, ajo çka ngjet në Francë-Danimarkë në Malmoe po në këtë ditë të 17 qershorit, është dështimi si trajner i Mishel Platinisë. Ka diçka të ngjashme midis këtyre dy ndeshjeve. "Një njeri nuk mjafton kurrë, - vëzhgon një gazetar, - edhe nëqoftë se ai quhet Papën". Ndërsa Danimarka ka e pakta 6 futbollistë të cilët janë në kërkesat e larta të një Evropiani. Larsen ka shënuar qysh në fillim (8') e Papën vërtet ia arrin të barazojë në të 61', por u tha që vetëm ai nuk mjafton. Larsen natyrisht mendon më fort se të tjerët për t'i dhënë ndeshjes kthesën përfundimtare përballë një France thuajse mediokre, ndonëse ka Papën, Cantona, Amoros, Blanc, mjeshtra të vërtetë futbolli. Dhe në të 77' mbasi ka fituar duelin me Boli, Elstrup, firmos 2-1! Mishel Platini bindet se më vështirë është të drejtosh të tjerët nga stoli se sa të luash vetë së bashku me ta në fushën e blertë. Franca do të kujtohej sepse kishte patur të sajin kryeshënuesin e EURO 1992, Papën-in me 13 gola për ndeshjet kualifikuese dhe ato fundore të mara së bashku. Ndoshta qysh atë dit Michel Platini ka nisur të ëndërrojë për t’u bërë president i UEFA-s, detyrë tejet “më e lehtë” se sa trajner i Francës…

XXX

Tjetër punë Grupi B. Këtu ka më tepër hapësirë dhe shtërngimi i rezultateve të ndeshjeve të para, vjen e bie gradualisht deri në fund me shkatërrimin e plotë të KSHP (ish BS) - një emërtim krejt artificial të paktën për historinë e Kupës "Henri Delaunay". Në aspektin tjetër, në atë të atyre që dijnë të fitojnë, Holanda e nis me 1-0 ndaj Skocisë, falë golit të Bergkamp në të 76', përmes një zgjatjeje e thuajse shtrirje për tokë në duelin e vetëm me portierin Goram. Janë tre vetë që punojnë për te, treshja e famshme e Milanit, Gulit, Van Basten, Rijkard. Tre ditë më vonë, në duelin me KSHP gjithçka është 0-0 edhe për meritë të pertierit Kharin "ku pritja sidomos e topit të goditur me kokë prej Van Bastenit është për muze", siç përcakton një komentator. Ndonëse ylli i Milanit shënon po me kokë një gol spektakolar të cilin e anulon vetëm nxitimi i një vijërojtësi. Dhe 0-0, një barazim ashtu si dhe 1-1 tri ditë më parë midis Gjermanisë dhe KSHP në Norçeping, ku për çudi kryesojnë ish sovjetikët me golin e Dobrovolskit qysh në minutën e 62-të. Mund të kishte qenë qysh këtu eliminimi zhurmëmadh gjerman! Vëzhguesit thanë se "ish rusët rreshtohen në fushë sikur të donin të mbronin Stalingradin". Kur u duk se po mbaronte gjithçka, në minutën 90, mendon Hasler për nderin e Gjermanisë: gjuajtja është e rreptë, e fortë në të majtë të Kharinit kur përpara ka 4 gjermanë dhe vetëm një të tijin, Kuznjecovin.

Kështu siç po shkonin punët, ndeshjet e 18 qershorit mënjanojnë krejtësisht nga ecuria graduale e të parave. Ato janë duele dramatikë që rrëzojnë dy perandori të mëdha futbolli. Madje njërën, atë të KSHP, e rrëzojnë përjetë.

Dhe Holandë-Gjermani 3-1!

Eshtë përsëritja e sfidës së katër vjetëve më parë. Gjermanët janë të kënaqur edhe me një barazim. Rijkard ka ndeshjen e vitit, është kudo, bllokon, ndërton ose e thënë më qartë, loja është gjithnjë nën kontrollin e plotë të këmbëve të tij. Ai ka një fillim të shkëlqyer kur tund rrjetën e Ilgnerit në të 3', por shpejt mbetet vetëm e mandej i duhet të sakrifikojë shumë për të mos lejuar asnjë çast kthese të gjermanëve gjithsesi të shkatërruar. Brenda katër vjetëve Holanda sundon Gjermaninë në dy ndeshje të rangut më të lartë duke thërmuar çdo synim të saj...

Mandej është KSHP-Skoci 0-3!

Kjo është shuarja përfundimtare e KSHP e cila nuk do të ekzistojë më kurrë. "Dushi skocez mbi ish BS-në e perënduar". Ky titull i një reviste i thotë të gjitha. Ndonëse ecuria e rezultatit është deri diku krejt aventureske. Autogol i portierit Kharin në të 7', autogol i mbrojtësit Tchakadze në të 17'. Këtu merr fund historia e KSHP ose e CIS shkruar për herë të parë dhe të fundit në gjokset e lojtarëve ish sovjetikë si për të marrë diçka nga sigla e frikshme CCCP që kish tronditur gjithnjë kampionatet evropiane.

Kampionatit i kishin mbetur edhe 3 ndeshjet vendimtare dhe pikërisht këtu ai shpalos dramat e futbollit.

Gjysmëfundoret janë Suedi-Gjermani dhe Holandë-Danimarkë.

Puna e parë që "duhej" bërë ishte eliminimi i të mëdhenjve. Kështu bëhet pjesërisht. Kryevepra e parë realizohet në Stokholm kur Suedia humbet 3-2 me Gjermaninë e cila kryeson 2-0, 3-1 dhe përfundimisht 3-2. Gjermania siguron kësisoj fundoren e saj të 10-të në histori (4 evropiane dhe 6 botërore). Absolute në historinë e futbollit! Hasler shënon dhe organizon gjithë lojën. Riedl mendon për golat kur shënon dy herë të tjera. Suedia para spektatorëve të saj zhvillon ndeshjen më të dobët.

Në Holandë-Danimarkë shfaqet çudia e parë e finaleve 1992. Një çudi që e ka emrin Danimarkë. Dikush Holandës i dha notën 4 për këtë ndeshje dhe Danimarkës 10. Dikush tjetër e quajti "zbarkimi në Normandi". Larsen është i papërmbajtshëm. Shënon dy herë dhe në të dy herët e kalon në epërsi ai Danimarkën. Madje në rastin e dytë, goli i tij reziston deri 4 minuta para mbarimit. Van Basten ka ndeshjen e tij më të dobët në jetë mbase. I vetëm Rijkard i duhet sërish t'i thërrasë "krijimtarisë" së tij. Goli i tij i minutës 86 duket si shpërthim përfundimtar i Holandës: 2-2 që nuk prishet as mbas 120 minutave! Tek 11-metërshat vendos fati. Koeman 3-2, Larsen 3-3, dështon Van Basten, Povlsen 3-4, Bergkamp 4-4, Elstrup 4-5, Rijkard 5-5, Vilfort 5-6, Witschge 6-6! Dhe fati i madh që ndodhet në këmbën e Christofte. Ai gjuan deri në saktësinë më matematike: 7-6 për Danimarkën!

XXX

Mrekullia kishte ndodhë. Danimarka kishte mbërritur fundoren!

Do të ishte me Gjermaninë e bashkuar mbas 47 vjetëve edhe në futboll.

E nëse ky Kampionat kishte patur një skuadër të cilën e kishte rritur vetë turneu, kjo kishte qenë mu Danimarka. E ardhur në fundoret prej një vendimi politik, pra jashtësportiv, e improvizuar mbrenda javës, e qetë qysh nga dita e parë jo thjesht për temperamentin e saj nordik, por sepse s'kishte çka të humbiste, ky formacion i rritur nga ndeshja në ndeshje, pasi kishte eliminuar Holandën e Van Bastenit, kishte vendosur t'i dilte Gjermanisë si i barabarti me të barabartin.

U tha se ishte një duel trajnerësh dhe në fund "lojtari" më i dobët i fundores u cilësua trajneri gjerman Vogts!

Ka qenë 26 qershor 1992 në "Nya Ullevi Stadion" të Goteborgut para 37.800 shikuesve. Danimarka befas është një skuadër taktike dhe falë kësaj taktike tund rrjetën dy herë: Jensen në të 18' dhe Vilfort në të 79'. Për të tjerat mendon portieri Schmeichel i cili e ndalon plot siguri Gjermaninë të shënojë e të ndërrojë këtë histori daneze. Ndonëse mungon një Laudrup i madh i Barcelonës, Michael, i pamarrun vesht me trajnerin e tij Nielsen, por me një Laudrup të ri, Brian, vetëm 23 vjeç, i rritur deri në skajshmëri nga ndeshja në ndeshje, duke u bërë në fund protagonisti i Kampionatit. Në të vërtetë ai ishte maja e vetë lojës daneze. Gjithçka fillonte me një portier të madh si Schmeichel 29-vjeçar, te mbrojtësi i pafat Anderson i aksidentuar në ndeshjet e fundit e te një qendërsulmues i tipit Povlsen, i cili me lëvizjet e dendura në zonë çlironte të tjerët. Ndërsa emblema shfaqej nën emrin Henrik Larsen, mesfushori tipik i biondinëve të futbollit danez, njeriu i cili gjithmonë ngjitej në skenë kur duhej për të dhënë zgjidhjet vendimtare.

E përsosur fizikisht, e një teknike të lartë vetjake e të gjithë djemve të saj, të një moshe e shtrirë nga 23 deri në 30-31 vjeç, kjo Danimarkë fatmadhe kishte një profesor të vërtetë në stolin e drejtimit, një burrë të qetë e modest i cili kishte sfiduar një gamë të tanë "armiqsh", duke i dhënë vendit të tij titullin e lartë evropian. Me Gjermaninë mendimi i tij taktik kishte qenë një kryevepër më vete. Një libero Olsen dhe para tij katër në një vijë: Sivebak, Nielsen, Piechnik, Cristofte. Të pakalueshëm! Në mesfushë Jensen e Vilfor dhe më tej Larsen në një shkallëzim elastik që zgjatej i tillë te skaji i sulmit Laudrup-Povlsen. Ndoshta ishte një 5-3-2. Po Danimarka vërtetonte se shifrat janë statike vetëm në letër. Në fushën e blertë ata kishin një polivalencë që prej kohësh shfaqej nën përcaktimin shprehës "Danish Dynamite"!

Autori i gjithë kësaj historie të madhe quhej Richard Moller Nielsen. Deri në atë ditë të 26 qershorit 1992, simbas shtypit, ai konsiderohej një mediokër. Mirëpo, ky 46 vjeçar i Odensës një ish qendërmbrojtës, vetëm dy herë nën fanelën e Kombëtares daneze, ishte bërë qysh 30 vjeç trajner i stafit teknik të Federatës së Futbollit të Danimarkës dhe kishte marrë vitet e fundit shkollën e gjermanit të famshëm Sep Piontek. Dhe kishte përkulë Evropën.

Të dukej se Kupa "Henri Delaunary" kishte mbyllur një epokë, epokën e superfuqive të futbollit.

Atje lart në veri të Evropës, ishte në pritje Anglia hijerëndë. Viti 1996. donte edhe katër vjet të vinte. Tash e mbrapa Evropa e futbollit, më fort se e Kupës së Kombeve, do të ishte Evropa e Kupës së Shteteve të Evropës, e 49 shteteve të Evropës.

Me EURO 1992 Kampionati Evropian i Futbollit mbyllte epokën e tij të Evropës “plakë”, për të nisur epokën tjetër, të sotmen, epokën e Evropës “së re”, në të cilën edhe Shqipëria e vogël do të mbund “të përmbyste” dy kampione të Evropës: Rusinë (Bashkimin Sovjetik) 3-1 dhe Greqinë 2-1. Këto ngjarja të bujshme do t’i përkisnin viteve 2003 dhe 2004. Edhe bota sportive e kontinentit të vjetër do të përshpejtonte për te viti 2008, që i thonë i viti i globalizimit edhe në futboll: dy shtete pjesëmarrëse do të kenë në skuadrat e tyre edhe dy shqiptarë; Zvicra Valon Behramin dhe Austria Roland Gercalliun. Njeri shqiptar i Kosovës, tjetri shqiptar i Shqipërisë.

A mund të jetë EURO 2008 një befasi e të vegjëlve si Danimarka 1992?...
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora