E marte, 19.03.2024, 02:14 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Vokrri: Ndeshja e parë do të jetë madhështore

E enjte, 16.01.2014, 06:01 PM


Fadil Vokrri: Ndeshja e parë e Kosovës do të jetë madhështore

Federata e Kosovës po përgatitet që ndeshja e parë të jetë sa më madhështore. Por me rëndësi është vet simbolika e ndeshjes, sipas kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Deutsche Welle: Çfarë do të thotë për Ju vendimi i FIFA, që Kosova të luajë ndeshje miqësore me vendet e tjera?

Fadil Vokrri: Mendoj që është një hap shumë i rëndësishëm, jo vetëm vendimi por edhe shpjegimi i presidentit të FIFA Joseph Blater. Ai tha se 'ky është një vendim krucial për zhvillimin e futbollit në Kosovë", që nënkupton një mbështetje të fuqishme të futbollit tonë. Ne jemi shteti i vetëm që nuk është pranuar në UEFA dhe FIFA - sepse në statusin e tyre thuhet që nuk mund të jetë anëtar një vend, i cili nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara - dhe megjithatë na lejohen transferet e lojtarëve dhe ndeshjet miqësore.  Ky është një impakt publicitar i jashtëzakonshëm. Në veçanti kur dihet që vendimi është marrë më 13 janar, në ditën kur u nda Topi i Artë për lojtarin më të mirë, Komisioni për Çështjet Urgjente vendosi edhe për Kosovën. Të gjitha mediat në botë kanë parë: fitoi Ronaldo dhe fitoi Kosova.

DW: Në vendimin e këtij Komisioni thuhet që Kosova nuk mund të luajë ndeshje me vendet e ish-Jugosllavisë. Pse?

Fadil Vokrri: Mendoj që rasti i fundit i një gjesti josportiv i lojtarit Josip Simuniq, që ka ndodhur në ndeshjen e fundit mes Kroacisë dhe Islandës, ka lënë pasoja. Simuniq është dënuar duke undaluar të luajë në 10 ndeshje, që do të thotë se nuk mund të luajë as në Kampionatin Botëror. Për të parandaluar huliganizmin në viset e ish-Jugosllavisë dhe për të evituar cytjet nacionaliste, FIFA ka marrë një vendim preventiv, që të mos luhen ndeshje mes Kosovës dhe vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë. Por mendoj se ky vendim është provizor dhe për një kohë të caktuar do të pezullohet nga vet FIFA, sepse është diskriminuese që dikujt të mos i lejohen ndeshjet me një ekip tjetër. Ju e dini që menjëherë kanë reaguar edhe kroatët duke pyetur: pse na është ndaluar të luajmë.

DW: Do të thotë, ky është një vendim politik ,i cili është marrë për shkaqe sigurie dhe për të parandaluar nxitjet nacionaliste në stadiume?

Fadil Vokrri: Po sigurisht, sepse neve na kanë thënë edhe në takimin me zotin Blater: kjo është një lloj preventive pas gjestit josportiv të Simuniqit. Për të evituar çdo lloj huliganizmi është marrë vendimi për këtë preventivë. Ky vendim është i dëmshëm për ne, por duhet ta respektojmë.

DW: Cilat kushte duhet të plotësojë Kosova për organizimin e një ndeshjeje miqësore, sepse Kosova nuk i plotëson shumë kushte për ndeshje ndërkombëtare?

Fadil Vokrri: Kushtet janë këto që i kemi dhe ne e dimë që Kosova aktualisht nuk i plotëson shumë kushte për ndeshje. Infrastruktura nuk i plotëson kushtet, por ne mund të zhvillojmë ndeshje edhe jashtë vendit. Megjithatë FIFA në këtë rast mund të jetë edhe tolerante ndaj nesh, për arsye të izolimit shumëvjeçar. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet me mundësitë tona, që së paku një ndeshje ta zhvillojmë në Prishtinë.

DW:  A keni kontatkuar me federatat e tjera të futbollit dhe cili do të jetë kundërshtari i parë i Kosovë - pasi Kroacisë nuk i lejohet?

Fadil Vokrri: Është tepër herët të flitet, sepse ne mbrëmë jemi kthyer nga Zyrihu. Për shkak të paqartësive dhe obligimeve që kemi pasur, ne nuk kemi mundur t'i kontaktojmë federatat e tjera. Nuk duam të prejudikojmë, por do t'i marrim të gjithë hapat për një ndeshje madhështore në Prishtinë - që është edhe simbolika e këtij vendimi.

DW: E kuptoj që ndoshta momentalisht nuk doni të flisni me emra, por nëse nuk gaboj, Ju edhe më parë keni pasur kontakte me Kroacinë, me Turqinë e madje edhe me SHBA-në. Cilit kundërshtar mund t'i gëzohen tifozët kosovarë?

Fadil Vokrri: Dëshirat dhe mundësitë nuk janë gjithmonë në përputhje. Futbolldashësit dhe ne si Federatë e futbollit duam që kundërshtari i parë të jetë shumë atraktiv dhe të ketë yje të futbollit. Mirëpo, kushdo që të jetë kundërshtari i parë, kjo ndeshje do të jetë historike. Ndaj është shumë më e rëndësishme simbolika e kësaj ndeshjeje se sa vet kundërshtari.

DW: Ju me siguri që i keni kontaktuar edhe lojtarët që mund të luajnë për kombëtaren e Kosvës, të cilët aktualisht luajnë për kombëtaret e tjera. Me cilët lojtarë llogarisni ju, sepse shumë lojtarë me origjinë nga Kosova aktualisht luajnë në vendet e tjera?

Fadil Vokrri: Pavarësisht që edhe unë jam i këtij profesioni, nuk dua të përzihem në punën e seleksionuesit. Por dëshira ime është që për këtë ndeshje t'i ftojmë të gjithë ata që luajnë për reprezentacionet e tjera, edhe ata që janë kualifikuar për shembull për Kampionatin Botëror, dhe  të luajnë për Kosovën. Ne së shpejti do të dalim me një qëndrim zyrtar. Ne kemi edhe shumë lojtarë që nuk luajnë për reprezentacionet e tjera. Kemi talente anë e mbanë Evropës, por duke mos harruar në asnjë mënyrë edhe lojtarët që luajnë në kampionatin e Kosovës.

DW: Do të thotë: Ju shpresoni që federatat e futbollit, si për shembull Zvicra ku luajnë Shaqiri, Xhaka dhe të tjerët, do të kenë mirëkuptim dhe t'u lejojnë atyre që të paraqiten në kombëtaren e Kosovës...

Fadil Vokrri: Për këtë çështje ne duhet të merremi vesh së pari me FIFA-n dhe të sqarojmë se a e kanë klubet obligim që kur ne t'ju bëjmë ftesë, t'i lirojnë lojarët për 48 orë. Në situatat normale klubi është i detyruar që t'i lirojë lojtarët për këtë kohë.

DW: Sipas rregullave të FIFA-s, lojtarët që kanë luajtur për një kombëtare nuk mund të paraqiten në një kombëtare tjetër. A i keni sqaruar këto gjëra me FIFA-n?

Fadil Vokrri: Nuk ekziston asnjë problem juridik për asnjë lojtar që është me origjinë nga Kosova që të luajë për Kosovën, edhe pse ka luajtur për reprezentacionet e tjera. Këtë na kanë thënë jozyrtarisht edhe zoti Blater dhe përfaqësuesit e tjerë të FIFA-s. Pra nuk ka pengesa ligjore që për Kosovën të luajnë lojtarët që kanë luajtur për Shqipërinë, Zvicrën apo ndonjë kombëtare tjetër. Kosova përpara nuk ka qenë shtet dhe kur të pranohemi në UEFA dhe FIFA atëhërë lojtarët mund të vendosin vet se për cilën kombëtare duan të luajnë.

DW: Serbia deri tani i ka penguar të gjitha aktivitetet e sportistëve serbë të Kosovës. Por atmosfera tani ka ndryshuar në shumë aspekte politike dhe sportive. A mund ta paramendoni një ndeshje me Serbinë për shembull?

Fadil Vokrri: Unë kam propozuar para tre vitesh një ndeshje miqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Një ftesë të tillë e kam bërë edhe në prezencën e presidentit Blater. Para tre vitesh mediat serbe më kanë quajtur si të sëmurë dhe të çmendur. Por me kohë shumë gazetarë e kanë kuptuar që kjo nuk është aspak ide e keqe.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora