E premte, 26.04.2024, 10:54 AM (GMT+1)

Mendime

Naser Sertolli: Kauza e huaj e Mevlidit

E diele, 24.11.2013, 06:55 PM


Kauza e huaj e Mevlidit

Nga Naser Sertolli

“Mendoja se gjesti im i protestës do të dëgjohej në tërë botën dhe se do të ndihmonte kauzën e të gjithë myslimanëve që vuajnë. Por, e kisha gabim. Për mua më mirë ka qenë të mendoja për gruan time dhe për fëmijën tim se për Afganistanin, të cilin jam i sigurt se nuk mund ta lokalizoj në hartë”. Kjo deklaratë është pjesë e fjalës përfundimtare të Mevlid Jashareviqit nga Sanxhaku i Novi-Pazarit në Gjykatën e Apelit në Sarajevë, e cila më 20 nëntor e ka dënuar përfundimisht me 15 vjet burgim për terrorizëm.

Siç e dini, Mevlidi është ai i riu, i cili para dy vjetësh, saktësisht më 28 tetor 2011, kishte shkrepur mbi 100 plumba Kallashnikovi dhe kishte hedhur dy bomba dore kundër ambasadës amerikane në kryeqytetin boshnjak. Ai kishte tmerruar tërë lagjen për gati një orë, para se të plagosej nga një snajperist i policisë dhe të arrestohej. Veprën e kishte kryer, siç thoshte në fillim, për t’u hakmarrë për padrejtësitë që po u bëheshin nga SHBA e Gjermania myslimanëve në Afganistan, Irak e gjetiu. Sulmin e kishte ndërmarrë fill pasi ishte kthyer nga Gornja Maoça, një fshat në verilindje të Bosnjës, ku ai kishte jetuar tri vjet. Fshati është i njohur si çerdhe e vehabistëve. Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje ekstremiste fetare dyshohet se po indoktrinojnë myslimanët boshnjakë, të cilët përgjithësisht janë besimtarë të islamit të moderuar.

Viktimë konkrete e shpëlarjes së trurit nga ithtarët e këtij sekti është vetë Mevlid Jashareviqi. Në gjykatë ai ka treguar se para se ta kryente sulmin atij i janë treguar video të cilat pasqyronin gjendjen e vështirë të myslimanëve gjithandej në botë. Po ashtu, Mevlidi ka deklaruar se pasi është arrestuar mentorët e tij qenë distancuar prej tij, duke thënë se ai i ka “keqkuptuar” mesazhet e tyre. “Më besoni, i kam kuptuar shumë mirë dhe fjalët e tyre i kam kthyer në vepër”, betohej ai para trupit gjykues.

Tash, pasi që është penduar dhe e ka pranuar fajin, ai është shprehur i gatshëm të ndihmojë autoritetet që të pengojnë ndonjë të ri që të shkojë e të luftojë në Siri. Dhjetëra ithtarë të vehabizmit në Bosnjë janë rekrutuar për të luftuar në këtë vend të Lindjes së Mesme, i zhytur në luftë civile. Për së paku tre dihet që janë vrarë atje.

Ndërkohë, vehabizmi – ky sekt fundamentalist islam, po e rrit ndikimin e vet në Bosnjë, ku është pozicionuar sidomos gjatë luftës në këtë vend (1992-1995). Por, jo vetëm atje. Libra të shumtë dhe raporte të organizatave të ndryshme ndërkombëtare flasin për shtrirjen e pranisë së kësaj rryme në pothuaj të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Edhe Kosova nuk bën përjashtim. Tashmë dihet se nën influencën e kësaj fryme në Siri kanë shkuar për xhihad shumë kosovarë. Ndonjë prej tyre edhe ka rënë në “luftën e shenjtë”. Pa përmendur këtu kërcënimet që bëhen pothuajse publikisht ndaj personave të ndryshëm, që s’mendojnë si ata. Ka prej tyre që shkojnë në ekstrem, sa i kërkojnë ndonjë personi ta falenderojë dhe t’i jetë mirënjohës prijësit të tyre fetar që nuk lëshon ndonjë “fetva”.

Rreziku për shoqëritë tona ballkanase vlerësohet të jetë kthimi eventual, pasi në “Tokën e Shamit” të përfundojë lufta. Ç’do të ndodhë me ta? A do të mund të riintegrohen pasi kishin marrë rrugë njëdrejtimëshe?

Ndoshta dhe shpresojmë se do ta gjejnë forcën e Mevlid Jashareviqit, i cili u pendua për rrugën e ndjekur dhe për veprën e kryer. Ai u ka kërkuar falje qytetarëve të Sarajevës, punonjësve të ambasadës amerikane dhe policit të plagosur për gjestin e tij “të çmendur, të rrezikshëm dhe të trishtë”.

Mevlidi e ka kuptuar, siç e tha edhe vetë në gjyq, se ishte manipuluar nga mentorët e tij në Gornja Maoça. E ka kuptuar po ashtu se kauza për të cilën i ishte mbushur mendja të luftonte nuk ishte e tij. Ishte e huaj. Mos i ka rënë “zhetoni” pak vonë? Kurrë s’është vonë për këso gjërash. Ai duhet të jetë shembull për secilin bashkëmendimtar të tij të deridjeshëm. Për këtë arsye, Mevlidi e meriton t’i thuhet: hallall!



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora