E premte, 26.04.2024, 07:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Emigrantët e parregullt në BE, ndjekje penale ndaj punëdhënësve

E merkure, 06.06.2007, 07:55 PM


Sipas specialistit në Ministrinë e Punës, Hatibi, Komisioni Evropian ka miratuar një direktivë që parashikon sanksione ndaj punëdhënësve


Masa tejet të rrepta për punëdhënësit e vendeve anëtare të BE-së, që punësojnë klandestinë dhe bëjnë favorizime për këta të fundit, nëse denoncojnë raste të shfrytëzimit të rëndë ndaj tyre. Madje ndëshkimet do të jenë deri në ndjekje penale, ndaj punëdhënësve që punësojnë emigrantë të parregullt nga vendet jo anëtare të BE-së, në mënyrë për të goditur punën në të zezë dhe ulur numrin e emigrantëve të parregullt. Këto janë masat që do të merren tashmë, sipas një direktive të Komisionit Evropian të ditëve të fundit, e cila parashikon sanksione të ashpra për punëdhënësit që punësojnë emigrantë të parregullt. Këtë e pohon specialisti i Zyrës së Emigracionit pranë Ministrisë së Punës, Durim Hatibi, i cili thekson se në bazë të kësaj direktive të propozuar, punëdhënësit, para se të punësojnë një shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, të verifikojnë nëse ky punëtor ka një qëndrim të rregullt, duke kontrolluar lejen e qëndrimit të tij. "Tashmë, teksti i direktivës duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian. Në rastin e miratimit, dispozitat e direktivës do të përfshihen në legjislacionin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së",- thotë Hatibi.

Emigrantët e parregullt.

Nëse mbi punëdhënësit që punësojnë klandestinë janë përcaktuar sanksione të ashpra, për emigrantët e parregullt nuk do të ketë sanksione të ashpra, madje në disa raste do të shmanget edhe riatdhesimi i tyre. Sipas specialistit Durim Hatibi, direktiva parashikon të shmangë riatdhesimet, në rastet e shfrytëzimit të rëndë nga ana e punëdhënësit ndaj emigrantit të parregullt, madje procedurat për përfitimin e lejes së qëndrimit, tashmë do të jenë shumë më të thjeshta. "Në rastet e shfrytëzimit më të rëndë, emigrantit që bashkëpunon në hetimet ndaj punëdhënësit, mund t'i lëshohet një leje qëndrimi, siç bëhet me viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore",- pohon Durim Hatibi, duke shpjeguar se rastet e shfrytëzimit të rëndë, mund të jenë kur emigranti nuk paguhet për punën që bën nga punëdhënësi, detyrohet të bëjë punë të detyruar nga punëdhënësi dhe plot forma të tjera të shfrytëzimit.

Por direktiva parashikon edhe plot lehtësira për këtë kategori emigrantësh të parregullt, pasi lejen e qëndrimit do ta përfitojnë më lehtë se më parë. "Nëse një emigrant i parregullt, që shfrytëzohej rëndë nga punëdhënësi, më parë e përfitonte lejen e qëndrimit me anë të gjykatës, prokurorisë dhe plot burokracirave të tjera, tashmë me anë të kësaj direktive, lejen e qëndrimit mund ta përfitojë edhe nga komandanti i policisë të rajonit ku ka punuar, por pas denoncimit që ka bërë",- pohon Hatibi. Ndërkohë ai pohon se, për të lehtësuar denoncimet nga ana e punëtorëve të parregullt, direktiva parashikon se këto mund të merren drejtpërdrejt nga autoritetet, apo përmes "palëve të treta", si përmes sindikatave, apo shoqatave.

Ndëshkimet ndaj punëdhënësve

Përjashtim nga tenderat dhe financimet publike, pagesat e kontributeve të prapambetura, gjoba, deri edhe në përgjegjësi penale. Këto janë disa prej sanksioneve të parashikuara për punëdhënësit që punësojnë imigrantë të parregullt, të përcaktuara në direktivën e Komisionit Evropian. Sipas specialistit Durim Hatibi, institucioni i lartë ekzekutiv i BE-së, me atë të kësaj direktive, kërkon të godasë ofertën e punës "së zezë", një prej joshjeve (ndoshta më e fuqishmja) për flukset e klandestinëve. Sanksionet e natyrës administrative, sipas tij, godasin, si ndërmarrjet (në rastet e tenderimeve, mund të ndiqet e gjithë ecuria e nënkontraktorëve) ashtu edhe individët, si punëdhënësit e punës shtëpiake etj. "Në varësi të shkallës së shkeljeve mund të përfshihen edhe gjoba, madje edhe pagesa e kontributeve të vonuara, si dhe e të gjitha pagave të shtetasve të huaj, shto edhe shpenzimet për të gjithë riatdhesimet e tyre",- pohon Hatibi, duke shtuar se kjo direktivë nuk parashikon ndëshkime për klandestinët.

Ndërmarrjet që punësojnë klandestinë, sipas direktivës, po kështu do të ndëshkohen financiarisht. Shtetet anëtare të BE-së, shpjegon Durim Hatibi, do të vendosin nëse këto ndërmarrje do të përjashtohen nga tenderimet, ndihmat dhe financimet publike, deri në pesë vjet. Kjo, sipas tij, edhe për qasjen ndaj fondeve evropiane, duke i detyruar të rikthejnë ato, të marra tashmë në 12 muajt pararendës, para se të vërtetohej shkelja. "Së fundi, mund të shkohet deri në mbylljen e përkohshme, apo të përhershme të stabilimenteve",- pohon Durim Hatibi, duke shtuar se në rastet më të rënda, punësimi i punëtorëve të parregullt bëhet shkelje penale, duke sjellë edhe ndëshkime të tilla.

Direktiva, 4 llojet e shkeljeve nga punëdhënësit

Direktiva e Komisionit Evropian, përcakton katër situata të shkeljeve nga ana e punëdhënësve. Kështu, janë shkeljet e përsëritura (të paktën tre, në dy vite), punësimi i një numri të konsiderueshëm klandestinësh (të paktën katër, sipas sugjerimit të Komisionit Evropian). Ndërsa shkelja tjetër, sipas direktivës, ka të bëjë me kushte të një shfrytëzimi të veçantë (si p.sh., kur ka ndryshime të mëdha, krahasimisht me punëtorët e rregullt) e shoqëruar nga shkeljet që lidhen me të qenurit i ndërgjegjshëm nga ana e punëdhënësit, se klandestinët janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. Ndërkohë në direktivë shpjegohet se si instrument themelor dhe që duhet forcuar edhe më shumë për të luftuar shfrytëzimin, janë inspektimet. Shtetet anëtare të BE-së duhet të sigurojnë që, çdo vit, të inspektohen të paktën 10% të ndërmarrjeve aktive në territorin e tyre. Ato, sipas direktivës, do të përzgjidhen në bazë të studimeve mbi raportet e punës së parregullt në çdo sektor dhe duke marrë parasysh edhe shkeljet e mëparshme. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora