E shtune, 27.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Emigrimet e vjetra të Shqipëtarve për vetë shpërndarjen e tyre nëpër botë

E shtune, 08.04.2006, 06:50 PM


Emigrimet e vjetra të Shqipëtarve për vetë shpërndarjen e tyre nëpër botë, tashmë kanë hyrë në legjenda.

Shqiptaret e Rumanise, dikur dhe sot.

Dihet se pas vdekjes së Skënderbeut, një numër i madh arumunësh dhe shqiptarësh të krishterë, u shpërngulën në veri të Danubit për të shpëtuar nga persekutimet osmane.

ARNAUTËT NË SHËRBIM TË BESIMIT

Motivet e shpërnguljes ishin të dyfishta: ruajtja e fesë dhe e identitetit kombëtar. Ata i kemi edhe sot e kësaj dite këndej pari, që nga Bukureshti, Xhurxhiu, Krajova, Konstanca, e deri tejmatanë ujërave të Prutit, në Besarabi dhe Ukrainë. Prejardhja e shqiptarëve të Ukrainës dhe Bullgarisë, ndërlidhet me Korçën, Përmetin, Pogradecin, ndërkaq, struganët, dibranët, kërçovarët, gostivarlinjtë, tetovarët, shkupjanët, kumanovarët dhe kosovarët, u shpërngulen në veri të Danubit, për motive ekonomike.

Thonë se fenomeni i shpërnguljes është simptom i forcës apo i dobësisë së një kombi.. Në bazë të dokumenteve lidhur me historinë e Rumanisë, kuptojmë se sundimtari Mihai Viteazul, i mundëson një grupi prej 15 mijë shpirtërash shqiptarësh (burra, gra e fëmijë), të kalojnë Danubin në vitin 1595, dhe të vendosen në trojet e Vllahisë, duke u ofruar tokë, bagëti, dhe kushte për jetesë.

Mihai Trimi do të zgjedhë prej tyre 1.500 vetë, duke i bashkuar me ushtrinë e vet, për t’i dëbuar turqit, tejmatanë Danubit. Edhepse shqiptarët vijnë në trojet e Vllahisë qysh para dymijë vitesh, përmes stërgjyshrëve të tyre ilirë, viti 1595 shënon shpërnguljen e parë masive të shqiptarëve në Rumani. Që nga kjo kohë pra, fillon të shkruhet dhe flitet me të madhe, për arnautët në shërbim të sundimtarëve, institucioneve dhe bujarëve. Katërqind vjet sinqeritet dhe lojalitet, trimëri dhe besnikëri.

Arnautët në shërbim të besimit. Me të shkelur në trojet e Xhurxhiut, shqiptarët e ndjenin veten si në Shqipëri. Ishin ngjashmëritë linguistike, vetitë e karakterit, mentaliteti e shpirti, një gamë e tërë lidhjesh farefisnore, ato që i bashkonin këta popuj, në një simbiozë të fuqishme, të tolerancës, admirimit dhe harmonisë. Arnautët e këtushëm ishin si shqiponja me dy krerë: njëra shikonte me përmallim nga vendlindja, ndërsa tjetra nga nevoja për ekzistencë. Një armatë e tërë ushtarësh, luftëtarësh dhe rojtarësh.

Duke respektuar kronologjinë e emigracionit shqiptar në veri të Danubit, kuptojmë se sundimtari i Vllahisë, Simon Movila, më 1 maj të vitit 1602, lëshon një qarkore përmes së cilës porosit që “këtyre arbanashëve të Çervena Vodës, që kanë kaluar nga atdheu turk në atdheun e zotërimit tim , në fshatin Këlinesht të rrethit të Prahovës, t’u sigurohet paqa dhe liria për të patur buaj dhe kolibe me bar, dhe turma bletësh, dhensh e thishë, me të gjitha ushqimet e Zotit që u përkasin, dhe asnjë dhjetëshe të mos iu mirret, nga shtëpia dhe pasuritë e tyre për kuaj dhe tagra, dhe paratë e rrethit të mos përzjehen në atë fshat”. Praktikisht, siç duket pra, shqiptarët e ardhur këtu, brenda një periudhe dhjetëvjeçare, çliroheshin nga të gjitha taksat, që përndryshe ishin të ndryshme, dhe të shumta.
 
Lojalitet, trimëri, sinqeritet dhe besnikëri

Thonë se shqiptarët në Perëndim, e kanë humbur sot reputacionin e mirë që kishin, si pasojë e hajnave, të cilët janë duke e dëmtuar imazhin tonë botë. Si qëndronte puna me arnautët e Rumanisë, para disa shekujsh? Duke shfletuar dokumente fare pak të njohura në jug të Danubit, kuptojmë se “Në vitin 1614, në Shqipërinë e veriut mbahet një konferencë sekrete gjenerale ballkanike, ku marrin pjesë përfaqsues nga Shqipëria, Greqia, Bosnja, Hercegovina, Dallmacia, Bullgaria dhe Maqedonia, dhe e cila ka për qëllim shpalljen e një kryengritjeje të përgjithshme, objektiv i së cilës do të jetë dëbimi i osmanllinjve nga Evropa dhe çlirimi i Konstantinopojës”.

Për shekujt XVII dhe XVIII, dokumentet u referohen arnautëve si tregtarë, në lidhje me autoqefalinë e kishave, dhe me siguri, të zotërimeve të vojvodëve nga familja Gjika, dhe ajo e sundimtarit të Moldovës, Vasile Lupu (1634-1653), i njohur si Vasile Shqiptari, me prejardhje shqiptare. Shqiptarët përnga karakteri, besnikëria dhe trimëria, përgjatë shekujve do të gëzojnë një admirim të hatashëm në rradhën e banorëve të vendit. Ata i gjen në Vllahi, Transilvani, Munteni., Moldovë dhe Besarabi. Marrin pjesë në arradhat e Tudor Vladimireskut dhe në revolucionin e tij të vitit 1821. Thonë se “Jashi asokohe ishte plot shqiptarë”.

Ndoshta duket i ekzagjeruar ky konstatim i studjuesit shqiptar Petraq Pepo, por dihet se artisti francez Auguste Raffet, në kuadrin e Skicave të Bukureshtit (1837), vizatonte edhe shqiptarë që bënin pjesë në shoqërinë bukureshtare. Në romane e monografi si Domnia Arnautului (Al Hashdeu, Bukuresht, 1936), Ciocoii vechi si noi (Nicolae Filimon, Bukureshti, 1964), Calpuzanii (Silviu Angelescu, Bukuresht 1987), Bucurestiul albanez (Adrian Majuru, Bukuresht 2002), dhe në vepra tjera të panumërta, jepen burime të shumta mbi arnautët, mjeshtritë, besnikërinë, sinqeritetin, lojalitetin dhe trimërinë e tyre.

Efekti i parë i infiltrimit të tyre në veri të Danubit, u bë i dukshëm edhe nga përdorimi i shpeshtë i mbiemrave me prejardhje etnike, apo i komuniteteve nga vinin: Arghirocastritul, Tetovanlëul, Ohërdeanul, Beratliul, Dibranul, etj. Studjuesi bukureshtar Adrian Mazhuru, në librin e tij “Bukureshti shqiptar”, bën fjalë për jetën kulturore shqiptare të Bukureshtit, për revitalizimin e kësaj jete edhe në vendlindje, për tregtarët me prejardhje shqiptare, që në krahasim me serbët, ishin shumë më të shumtë, si në Bukuresht, poashtu edhe në qendrat, dhe fshatrat e shumta të Rumanisë.
 
Hallet e komunitetit dhe nevoja për dalje nga kriza

Falë Perëndisë, besnikërisë dhe dashurisë, komuniteti shqiptar gjendej përherë në rritje demografike dhe llojllojshmëri profesionale (arhitektë, inzhenierë, juristë, avoketër, bankierë, rojtarë, ëmbëltorë, tregtarë të imtë, pronarë depozitash me verë). Megjithate, hallet e shqiptarëve të atëhershëm kaplonin përmasa të trishtimit, sidomos ata që e kishin përqafuar fenë e pushtuesit. Edhe në trojet e pushtuara nga aleanca serbo-bullgare, edhe në diasporë, për shkak të emrave, etiketoheshiin si “myslimanë” dhe detyroheshin të kryejnë punët më të rënda. Jemi duke vdekur nga uria”, thekson një kërçovar, në korrespondencën dërguar Nikolla Naços (1899). “Do hamë buk e krypë, por gazetën s’e lamë pa e botue”, i shkruan Ibrahim Temo Naços, po në atë kohë.

Më vonë do të konstatojmë se jo te feja qëndronte puna, por të varfëria shpirtërore dhe pandjeshmëria e pseudoshqiptarëve që manipulonin me lekët e qeverisë, në emër të komunitetit shqiptar, që nga ishlideri i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të këtij vendi, e deri te pseudodeputetja shqiptare, që s’ka kurrfarë lidhjesh gjenetike me komunitetin e këtushëm shqiptar (Oana Manolesku). Mënjanë thonin se s’guxojmë të ndajmë para për një kafe nga buxheti i shoqatës, ndërsa në anën tjetër ndanin lekë për të botuar dhjetra libra në emër të vet, duke i bërë temena vetvetes, në kuadrin e Shqiptarit, dhe Mikut të shqiptarit (1993-2003). Sot e kësaj dite, në regjistrat telefonikë të Bukureshtit dhe qendrave të tjera, figurojnë mbiemra të panumërt, si Albani, Arnautu, Arnaucoju, Albanezu, Kavalioti, Dauti, Selmani, etj., por ende askujt nuk i është kujtuar t’i kërkojë, t’i identifikojë, t’i përvetsojë, t’i përkrahë dhe afirmojë. Mburremi se jemi trima dhe patriotë, ndërsa mjetet e “trimërisë patriotike” , i derdhim më shumë për cigare se sa për gazeta shqiptare.

Duam t’i bashkojmë trojet duke shkruar shqiptarët vetëm për shqiptarë. Edhe po qe se “funksionojnë” do shoqata formale, qëllimi i tyre deri tani ka qenë më shumë nepotist dhe merkantelist, se sa fisnik, qëllim i përshkuar nga ndjenja të larta, të solidariteit dhe atdhedashurisë. Revista “Prietenul albanezului” që e boton Liga e Shqiptarëve të Rumanisë me një shqiptar, edhepse ka përkrahje qeveritare, shkon duke u shndërruar në një revistë priftërinjsh, ndërsa kjo tjetra (Shqiptari/Albanezul), gjallëron në bazë të kontributeve vetjake, pa kurrfarë sponsorizimi qeveritar. Shpresat megjithatë, mbeten të pashuara. Thonë se qeveria rumune, nuk do të tolerojë më, që të kandidojnë për deputetë, ata që s’i meritojnë lekët e një funksioni, që të obligon, për afirmimin e komunitetit, dhe jo për margjinalizimin e tij.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora