E shtune, 27.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Flet Ali Ahmeti pas atentatit: Kujt i intereson eliminimi im

E shtune, 17.05.2008, 01:47 PM


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim, Ali Ahmeti rrëfen momentin e atentatit ndaj tij pak ditë më parë. Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit Lutfi Dervishi për emisionin “Përballë” në Televizionin Shqiptar, Ahmeti tregon se kush mund të qëndroj pas tentativave për eliminim e tij fizik. Ndërsa zgjedhjet janë në prag, Ahmeti bënë dhe një prognozë të situatës politike dhe zhvillimeve që pritet të ndodhin në Maqedoni.
 
Fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni nuk ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme, në ditën e dytë të saj pati një incident të rëndë. Ju ishit shënjestër i një atentati. A mund të më thoni se çfarë informacionesh keni ju për këtë atentat deri në këtë momentet që ne po flasim së bashku?

Tani që nga momenti i ngjarjes, qëllimi kryesor i yni ka qenë të identifikohen aktorët e vërtetë, pasi i kemi identifikuar kemi njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, kemi njoftuar autoritetet e vendit, që ato të marrin masat përkatëse dhe të zbardhet motivi i vërtetë se çka i shtyri ata njerëz që të sulmojnë udhëheqjen e Bashkimit Demokratik për Integrim. Ato ditë unë kam qenë në aktivitete të përditshme bashkë me nënkryetarin e partisë, shefin e kabinetit, kryetarin e komunës së Bogovinës, sepse në atë zonë ishte dhe ky fshat, i takonte kësaj komune, dhe ndërkohë është sulmuar eskorta, por, megjithatë, arritëm që në saj të gjakftohtësisë ta menaxhojmë situatën. Për fat të keq pati një plagosje, një kalimtar i rastit që ka qenë afër makinave, por jashtë rrezikut për jetë. Të gjitha të dhënat i kemi deponuar në institucionet përkatëse dhe tani presim që të veprojnë institucionet.

Nga informacionet që keni, ku e drejtoni gishtin e akuzës?

Tani, sipas të gjitha të dhënave, janë njerëz, për fat të keq, të afërt të Partisë Demokratike Shqiptare, parti e cila është në pushtet. Por do të shohim edhe nga hetimet e mëtejme se si do të përfundojë dhe çka do të rezultojë nga ato hetime.

Çfarë menduat në momentin kur pati të shtëna dhe kuptuat që po qëllohej drejt makinës tuaj, drejt jush?

Tani me të shtëna edhe me sulme, me thënë të vërtetën, ne nuk vijmë nga kancelari, në radhë të parë, nuk e përjetova mirë, sepse u friguan njerëzit me të cilët unë bashkëbisedoja, kanë qenë mbi 60 apo 70 vetë, banorë të fshatit aty, dhe jam përpjekur që ato t’i motivoj që nuk ndodhi asgjë, por ndoshta dikush bën dasmë dhe ka ndonjë gëzim, mirëpo atë situatë unë nuk mund ta mbaja edhe më tej sepse ndërkohë pati edhe plagosje. Shoqëruesit e mi më paralajmëruan që duhet ta ndërpres takimin dhe sulmi i dytë ka ndodhur sërish pasi kemi dalë në tërheqje. Pasi kam hipur në makinë, atëherë ka ndodhur edhe një sulm i dytë në makinën time. Por megjithatë e mira e së mirës është që ne arritëm që ta menaxhojmë, sepse mund të ndodhte edhe më keq.

Pse ndodhi kjo?

Tani për motivet duhet të pyeten ata të cilët e kanë organizuar, sepse unë nuk mund të bëj ndonjë vlerësim, por sigurisht që ndokujt edhe i pengon aktiviteti i Bashkimit Demokratik për Integrim, ndoshta dikujt i pengon edhe angazhimi im personal. Për motivet e vërteta duhet të flasin aktorët, atentatorët. Megjithatë unë nuk shpresoj që deri në fund do të zbardhet e vërteta, sepse këtu hetuesia dhe policia janë goxha të partizueme. Do të bëhen përpjekje që motivet e vërteta të fshihen. Dëgjoj edhe arsye banale, që janë të pa pranueshme fare as për mua as për opinionin, se ajo mund të ketë qenë një moment i rastit apo një revoltë e rastit, sepse asgjë të rastësishme nuk ka pa u analizuar. Unë mendoj që qarqet antishqiptare, të cilët i ngjajnë tamam si një vullkani që herë pas here i pushon aktiviteteti, por në momente të caktuara ai vullkan edhe shpërthen. Këto qarqe antishqiptare janë një vullkan që në momente të caktuara fillojnë aktivitetet e veta për të dëmtuar proceset, për të dëmtuar njerëz, të cilët kanë marrë përsipër për të materializuar misione të rëndësishme për shqiptarët e në veçanti këtu në Maqedoni. Ne jemi në rrethana shumë specifike, sepse bashkëjetojmë, bashkëqeverisim me një komunitet me të cilin jo shumë larg (para 7 vitesh) kemi qenë në luftë të armatosur. Sigurisht, të gjitha këto ndryshime që ndodhën që nga viti 2001 me ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, sepse dikush e merr se këto procese mund të kishin ndodhur edhe pa ndodhur rezistenca e shqiptarëve. Mirëpo shqiptarët pritën që nga ‘90 deri në vitin 2000. Jo që nuk përparuan të drejtat e tyre këtu, por, përkundrazi, edhe ato të drejta të cilat i kishin qoftë edhe në letër në Kushtetutë të Maqedonisë të atëhershme, edhe ato të drejta u cunguan, ato u hoqën fare nga Kushtetuta e Maqedonisë. Kështu që jo që ne e deshëm luftën, jo që ne e deshëm kryengritjen, por kjo luftë dhe kryengritje e shqiptarëve ishte e imponuar dhe kërkoheshin mënyra, rruga se si ne të realizonim të drejtat tona në vendin tonë dhe ky shtet të jetë edhe i shqiptarëve dhe shqiptarët të mos jenë qiraxhinj, të mos jenë të huaj, të mos jenë të patrajtuar nga shteti.

Rikthehemi dhe një herë tek momenti i atentatit. Sa ka ndikuar ky atentat tek ju, tek puna që ju bëni?

Tani po të më drejtoheni mua personalisht...përkundrazi ka ndikuar që unë të jem shumë më aktiv, të jem shumë më i vendosur, por e shoh që ka ndikuar në atmosferën zgjedhore dhe ka ndikuar keq tek njerëzit, tek qytetarët. Menjëherë të nesërmen (e atentatit) kam patur një sërë takimesh me njerëz në disa vende. Një pjesë e madhe, vërtet me shumë keqardhje e kishin përjetuar, të mos them edhe të mallëngjyer, më kanë pritur njerëzit në komunën e Vraçishtit, në disa fshatra të komunës së Vraçishtit. Ky gjest i ka irrituar shqiptarët në Maqedoni. Dhe në qoftë se dikush ka menduar që të realizojë ndonjë qëllim, mendoj që më mirë që s’ndodhi shumë diçka më e madh, sepse situata mund të merrte krejtësisht dimensione të tjera. Nuk është e mirë as për shqiptarët as për maqedonasit. Kështu që të gjithë duhet të angazhohemi për të patur siguri, për të patur rregullsi brenda vendit, sepse jemi të interesuar të ecim përpara dhe jo të shkaktojmë rrëmuja brenda vendit.

Zoti Ahmeti çfarë angazhimi merrni ju personalisht për ta tejkaluar këtë situatë  të rëndë për shqiptarët në Maqedoni?

Pikërisht edhe takimet në vazhdimësi që unë kam patur, i kam thirrur shqiptarët në gjakftohtësi, i kam thirrur shqiptarët të kenë durimin, që të gjithë të angazhohemi në mbarëvajtjen e procesit, të gjithë të angazhohemi në dhënien e informacioneve të njerëzve, të cilët duan të dëmtojnë proceset. Të gjithë të angazhohen të japin të dhëna edhe për njerëz brenda sistemit, si në polici, si në organet shtetërore, të cilët organizohen me krimin. Ata njerëz njëherë duhet t’i demaskojmë me emër dhe mbiemër. Për këtë ne kemi mjaft informacione, dhe në momente të caktuara do të dalim publikisht. Po për gjithçka që ndodh në Maqedoni, ne mbajmë shënime, komunikojmë me komunitetin ndërkombëtar, komunikojmë edhe me institucionet, unë kam folur hapur edhe me kryeministrin e Maqedonisë. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ushtron kontroll të plotë mbi institucionin e vet. Ka struktura paralele brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme të pajisura me simbole të falsifikuara, por që bëjnë goxha aktivitete kriminale në terren, duke i frikësuar njerëzit, duke patur të shtëna përpara shtëpive të qytetarëve, të cilët ata mendojnë se nuk janë të rreshtuar në një parti ose në një parti tjetër.

Zoti Ahmeti ju thatë që keni pasur kontakte me Komitetin ndërkombëtar, përfaqësues të  të të cilit kanë reaguar, ka reaguar  Departamenti i Shtetit, zyra e zotit Solana, ambasadorët perëndimorë në Shkup. Çfarë mesazhi keni marrë në kontaktet që keni pasur me përfaqësuesit ndërkombëtar?

Në radhë të parë më kanë shprehur kënaqësinë e tyre që nuk ndodhi më e keqja, janë solidarizuar me mua personalisht dhe në anën tjetër, të gjithë janë thirrur në atë që ne duhet t’i kalojmë këto situata të vështira, të ruajmë gjakftohtësinë, të vazhdojmë punën për zgjedhje dhe akte dhe krime të tilla e dëmtojmë procesin rëndë në Maqedoni. Këto zgjedhje janë tepër-tepër të rëndësishme për Maqedoninë, sepse ne na pret anëtarësimi për në NATO, na presin detyra të rëndësishme për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe në planin kombëtar ne shqiptarët na presin detyra shumë të rëndësishme siç është: zyrtarizimi i gjuhës shqipe, lidhja e statusit legal të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, gjithashtu edhe një sërë ligjesh që ne mendojmë që duhet të ndryshohen,siç është ligji për policinë, ligji për sigurinë kombëtare.
Po aktualisht jemi në fushatë zgjedhore, është fushata e parë zgjedhore e parakohëshme që prej momentit që Maqedonia mori pavarësinë në fillim të viteve ‘90. Pse ishin të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni 18 muaj pasi ishin zhvilluar zgjedhjet e parlamentare.

Tani si procesi ka qenë mëse i domosdoshëm që në Maqedoni të shpërndahej parlamenti. Gjërat këtu janë vendosur shumë keq, janë vendosur shumë gabim në vitin 2006. Mandatari Nikolla Gruevski që fitoi shumicën e votave te kampi maqedonas nuk e përfilli fare vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë. Mund të them lirisht që Nikolla Gruevski asaj kohe i poshtëroi të gjithë shqiptarët në Maqedoni, pavarësisht se kujt politike, partie a ngjyre i takojnë ata. Sepse tanimë me anë të zgjedhjeve që bëri, duke mos përfillur vullnetin e shqiptarëve, dha një porosi të qartë, se zoti i këtij vendi është vetë Nikolla Gruevski, dhe zot i këtij vendi janë vet maqedonasit dhe shqiptarët duhet të jenë...janë të huaj dhe nuk mund të vendosin ata vetë për fatin e tyre. Në këtë akt poshtërues ndaj shqiptarëve, për fat të keq, u solidarizua edhe  partia shqiptare që nuk fitoi legjitimitetin dhe nuk fitoi shumicën e votave tek elektorati shqiptar. Kështu që ne që atëherë paralajmëruam që në vend, me atë zgjidhje që bëri vetë Nikola Gruevski si përfaqësues i komunitetit maqedonas, në vend do instalohet krizë e thellë politike, sepse tek unë shtronin pyetje të gjithë qytetarët dhe më pyesnin: përse ne të dalim në zgjedhje kur nuk përfillet vullneti ynë? Sepse ne pas 4 vitesh ose pas kaq vitesh...Kjo është arsyeja e vetme sepse partia juaj ka qenë shkaktare e provokimit të zgjedhjeve të parakohshme? Mos përfaqësimi i vullnetit të shumicës së shqiptarëve në qeveri?

Arsyeja po se po, sepse ne që në fillim nuk pranuam legjitimitetin as të qeverisë, por as edhe të përfaqësimit të shqiptarëve, sepse partia që përfaqësonte, që deshi të përfaqësojë shqiptarët, nuk kishte legjitimitetin e shqiptarëve dhe në vend vërtet u instalua kriza e thellë politike, sepse shqiptarët në Maqedoni kanë një të drejtë që e kanë fituar me gjak, me sakrificë, votimin e dyfishtë, parimin e Badinterit, që do të thotë që janë një sërë ligjesh, ata mund të jenë mbi një qind e sa ligje që kanë të bëjnë me gjuhën, që kanë të bëjnë me kulturën, që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare në Maqedoni, kështu që domosdo vendimmarrëse, vendimtare është vota e shumicës së përfaqësuesve të shqiptarëve dhe tani ne nuk ishim aty makineri që të ngremë gishtat për ligjet e Nikolla Gruevskit sepse ne mbronim interesat e shqiptarëve. Ne bëmë disa propozime, apo më mirë të themi që me instalimin e këtij koalicioni filloi edhe vetë rrënimi i marrëveshjes së Ohrit edhe këtu ishte brengosja më e madhe e jona, kur filloi rrënimi i marrëveshjes së Ohrit.

A ka ndonjë gjë të mirë që ka realizuar, sipas pikëpamjes tuaj, qeveria Gruevski?

Sa u takon shqiptarëve për 18 muaj asgjë të mirë nuk ka që ka realizuar qeveria e Nikolla Gruevskit. Përkundrazi mund të numërojë gjëra vërtet mjaft të këqija që kanë ndodhur për këto 18 muaj kundër shqiptarëve.
 
Mundohuni të gjeni një gjë të mirë...

Saktë. Përsa i takon aspektit kombëtar, vërtet asgjë nuk mund të gjej edhe ku me dit se sa që të kërkoj, edhe nuk mund ta gjej. Përmenda 18 muaj, u aprovua ligji për përdorimin e simboleve kombëtare. Do të thotë flamuri Kombëtar shqiptar u hoq nga përdorimi në anën protokollare. Një ligj, në të cilën u miratua në parlamentin e kaluar, flamuri Kombëtar shqiptar i obligueshëm, kanë qenë organet zyrtare të komunave, të administratës së shtetit si policia, gjykata, flamuri Kombëtar shqiptar në ditë festash të jetë përpara objekteve. Kurse në komuna flamuri Kombëtar shqiptar do të thotë ka qenë në përdorim protokollar. Për shembull, kryetari i komunës në pritje të ndonjë delegacioni, presidentit të shtetit apo kryeministrit apo të një presidenti të huaj, flamuri Kombëtar shqiptar është dashur të jetë ballë për ballë me delegacionin që pritet. Ose në ndonjë ndeshje sportive me karakter ndërkombëtar domosdo që flamuri kombëtar shqiptar është dashur që të jetë përpara stadiumit apo përpara sallave sportive që ushtrohet një aktivitet i tillë. Dhe me cenimin që është bërë, kjo pjesa protokollare, është hequr flamuri Kombëtar shqiptar, ose, për shembull, miratimi i ligjit për policinë, vërtet në përmbajtje është totalisht në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit dhe me standardet ndërkombëtare dhe jep një porosi që është një ligj antishqiptar. Sepse janë tre nivele sipas ligjit që miratoi ky parlament, që ne nuk jemi pajtuar fare dhe kemi patur propozimet tona. Ne kërkojmë dy nivele, që komunat të udhëhiqen nga kryetari i komunës dhe në komuna përgjegjësinë kryesore ta kenë tri figura: kryetari i komunës, prokurori dhe sherifi, apo kryekomandanti i policisë. Me ligjin të cilin e ka miratuar ky formacion i qeverisë apo i parlamenti, duke na mbivotuar ne, janë tre nivele me çka përjashtohet shumica e komunave të shqiptarëve, që përgjegjësia t’u takojë vetë shqiptarëve.
  
A ka pasur përpjekje, të themi nga Prishtina, nga Tirana apo nga aktorë të tjerë për të ndërmjetësuar për të ulur tensionet dhe për të patur një bashkëpunim konstruktiv mes dy forcave politike shqiptare në Maqedoni?

Tirana gjithmonë ka luajtur rol konstruktiv në drejtim të porosive që mirë është të unifikohen mendimet, veprimet, por jo edhe të ndërhyjë në raportet e brendshme. Gjithashtu edhe Prishtina po të njëjtën punë e ka bërë. Mirëpo tani, ky është mendimi im personal, që unë mendoj që edhe Tirana edhe Prishtina duhet të prononcohen më qartë dhe nuk është mirë që të futin në një thes krimi dhe viktima. Në këtë drejtim mendoj që duhet të ketë porosi më të qarta. Nëse Bashkimi Demokratik për Integrim vepron në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, le të thuhet hapur: këto janë veprime që ne nuk i mbështesim, nuk i përkrahim. Gjithashtu edhe ndaj partive të tjera le t’u thuhet hapur, vetëm ashtu ne mund të vendosim standarde të mirëfillta, vetëm ashtu ne duke na paralajmëruar, duke i dënuar aktet e turpshme, ne mund edhe të përmirësojmë jetën politike. Po pse jo edhe partitë politike, shqiptarët e Maqedonisë mos të kenë vërejtjet e tyre nëse ndodh një veprim i shëmtuar në Shqipëri ose në Kosovë. Por jo edhe të ndërhyjmë në organizimin e brendshëm apo të japim përkrahje njërës apo tjetrës parti. Sepse akoma ne në Maqedoni nuk jemi të organizuar mbi baza ideore, djathtas, majtas apo në qendër. Ne kemi nevojë për çështje të përmirësojmë statusin kombëtar në Maqedoni. Dhe nuk mund...akoma ne nuk kemi, për shembull, ato lidhshmëritë e partive simotra, të përcaktohemi. Edhe pse edhe tek blloku maqedonas unë nuk shoh që të jenë të rreshtuara drejt majtas apo djathtas. Edhe ato kanë një sërë problemesh, u kontestohet gjuha, u kontestohet kisha. Edhe si shtet kemi mosmarrëveshje me Greqinë e kështu me radhë me emrin e shtetit. Po e rëndësishme është (për mendim timin, qofsha i gabuar), për dukuri negative që janë duhet të ketë prononcime.
Në vitin 2001 Maqedonia ishte në konflikt të armatosur dhe ky konflikt u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Pas zgjedhjeve parlamentare, cili do të jetë objektivi numër një që ju do të synoni ta realizoni përsa iu përket pikave të marrëveshjes së Ohrit ende të pa ndërtuara në praktikë.
Unë ju thashë edhe më lartë, zoti Dervishi, çështja e parë është zyrtarizimi i gjuhës në nivel shtetëror. Që nga organet e larta, sepse në pushtetin vendor është...

Besoni se do të keni mirëkuptim nga pala maqedonase?

Është obligim që del nga Marrëveshja paqësore e Ohrit dhe është kategori që është sanksionuar në Kushtetutën e Maqedonisë, dhe u pajtuan apo s’u pajtuan domosdo kjo çështje të përmbyllet. Nuk ka dokument paqësor që del nga një kryengritje e armatosur që është i lehtë për t’u realizuar, për ta jetësuar. Unë kam bërë edhe një vizitë 10 ditore në Irlandë, me çka unë kam mësuar shumë, dhe thuajse në të njëjtat situata ishim si Irlanda edhe Maqedonia. Edhe atje lehtë nuk ishte për t’u jetësuar marrëveshja e së “Premtes së Mirë”. Mirëpo vepronin me shumë guxim, kishin krijuar drejtori të veçanta për implementimin e marrëveshjes paqësore të së Premtes së Mirë për të gjitha çështjet, dhe për momente të rëndësishme që burojnë nga marrëveshja e Ohrit duhen politikanë të guximshëm dhe të merren me vendime të mëdha. Dhe për të marrë vendime të vështira duhet përpara të kenë guxim politikanët maqedonas, sepse kështu ne mund të stabilizojmë vendin dhe Maqedonia të jetë shtet edhe i yni edhe i atyre. Ama luajal shteti që është ndaj shqiptarëve, po aq luajalitet shqiptarët do të kenë ndaj shtetit.
 
Viti 2001 ka qenë një vit i vështirë për Maqedoninë, në momentin e konfliktit të armatosur doli dhe ideja për ndarjen e Maqedonisë. Ju si e shikoni të ardhmen e Maqedonisë në 10 vitet e ardhshme?

Unë them që ato momente, në vitin 2001, kanë qenë nga më të rëndat për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, për Shtabin e Përgjithshëm, ishte hapur Akademia e Shkencave, e cila ishte zëdhënëse e vet politikës së atëhershme të shtetit për ndarjen e Maqedonisë. Me çka i përcaktonte kufijtë prej Ulqini deri në Zajas, dhe pjesën e Likollës. Atëhere dhe sot, me përgjegjësinë më të madhe e them që ne nuk hymë në luftë, në kryengritje për ndarjen e Maqedonisë, por hymë që shqiptarët në Maqedoni t’i kenë të gjitha të drejtat kombëtare, sepse jemi popull. Nuk jemi të ardhur nga ndonjë vend tjetër këtu, jemi autoktonë dhe vetë ndarja e Maqedonisë do të ishte një tragjedi e vërtetë për shqiptarët, sepse do të bëhej shkëmbimi i popullatës, territoreve dhe as sesi ne nuk guxonim të hynim në një skenar të tillë me pasoja tragjike për vet shqiptarët. Sepse ne nuk mund të merrnim përgjegjësi që shqiptarët e Manastirit, Prespës, Ohrit, Shkupit ,ato mund të jenë bashkë me bashkëkombësit e tyre të Tetovës apo Zajës. Kështu që ne arritëm që me shumë vështirësi ta tejkalojmë këtë rrezik kaq të madh për shqiptarët, deri tek arritja e marrëveshjes paqësore të Ohrit, si marrëveshje që nuk është e përkryer, është një kompromis, por është themel shumë i sigurt për barazinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Por duhet vetë shqiptarët të punojnë, të angazhohen, dhe mos të presin nga të tjerët që të bëjnë punën e shqiptarëve, sepse kërkush dhuratë nuk të jep, nëse vetë nuk angazhohesh dhe vetë nuk bën përpjekje maksimale për ta materializuar atë dokument mjaft të rëndësishëm.

Po, por ndryshe nga vite më parë, në Maqedoni shihet një shtim i simboleve fetare...dukshëm në Shkup dhe në qytete të tjera. Sa mendoni se i ndihmon marrëdhënieve ndëretnike theksimi i elementeve fetarë?

Këtu është edhe një, mos të them rivalitet, për shembull mua nuk më irriton se është ngrit një kryq në Shkup, në një mal aty afër Shkupit, i cili është 100 metra i lartë, dhe janë bërë aq shumë shpenzime të mëdha, qoftë në hekur, qoftë në mirëmbajtje, qoftë në drita, është energjia që shpenzohet për drita. Ne nuk kemi nevojë për simbole të tilla të stërmadhuara, t’i tregojmë Zotit që sa e duam. Zotin mund ta duash edhe pa një minare 100 metra, sepse nuk të bën të dashur të Zotit se do e bësh me 5 sherife apo me 5 minare, në qoftë se në zemër je i prishur dhe nuk beson me zemër. As me kryqe që janë bërë 100 metra dhe bëhen shpenzime brenda ditës me mijëra euro, që ato mijëra euro ia heq nga goja një të vobekti, apo nuk bën ndonjë vepër, e cila do të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve. Që do të thotë, nuk e nderon Zotin as me mjekrat, të cilat demonstrohen në disa vende, sepse Zoti nuk ka nevojë as për mjekrat tona po as nuk ka nevojë për pantallonat tona se si do t’i kemi ne. A do ta imitojmë Pejkamberin, profetin Muhamed. Zoti ka nevojë të besosh në të, të jesh me zemër besimtar dhe jo me çështje kryqesh apo ndonjë objekt tjetër. Unë mendoj që edhe këto gjëra mund t’ju kalojë koha, ka qenë një eufori, bile-bile këtu tek ne ndoshta ka marrë dimensione edhe të pa kontrolluara, se gjoja sistemi komunist i ka ndaluar që të gjitha. Por unë e di që sistemi komunist nuk ka qenë edhe aq i ashpër në Jugosllavi sa i takon fesë. Po tani gjithsecili thotë se kemi qenë të censuruar, nuk kemi patur këtë hapësirë, nuk kemi patur hapësirë veprimi, nuk na është dhënë mundësia e veprimit e kështu me radhë. Por unë mendoj që qytetarët tashmë këto gjëra i kuptojnë drejt dhe nuk do të vijë deri tek një përplasje e besimeve.
 
Maqedonia nuk e mori ftesën në samitin e Bukureshtit në 3 prill për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë për çështjen e emrit. A mundeni, zoti Ahmeti,  të sqaroni se pse është kaq e vështirë arritja e një kompromisi për çështjen e emrit në raport me Greqinë? 

Tani këtu përpjekje janë bërë që të arrihet një kompromis me shtetin fqinj. Ne shqiptarët jemi përpjekur që të jemi konstruktivë në këtë drejtim, pa qenë shumë të zëshëm, sepse të mos keqkuptohemi nga bashkëqytetarët tanë, se gjoja se ne po shesim interesat e tyre kombëtare, kërkesat e Greqisë janë që të ndryshohet emri i Republikës së Maqedonisë. Ne edhe në të ardhmen do të jemi shumë konstruktivë në këtë drejtim, duhet të arrihet një marrëveshje, jemi vende fqinje. Kemi bërë deklarata që për ne e pa pranueshme do të jetë të quhet Sllavo Maqedonia Republika e Maqedonisë të quhet edhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë sepse s’ka të bëjë më vetëm me sllavët republika e Maqedonisë, është një shtet multietnik. Dhe ne kemi dashur që në momentet kur të merren vendimet, nëse arrihet deri tek ndryshimi i emrit, apo deri tek një kompromis të jemi pjesë e procesit. Ky moment nuk ka ardhur. Kemi mbajtur dy-tre takime në nivel shtetëror, të katër subjektet më të mëdha dy shqiptare dhe maqedonase, por nuk kemi ardhur deri tek harmonizimi i qëndrimeve me palën greke. Në momentin që do të merret një vendim i tillë, domosdo që shqiptarët duhet të jenë pjesë e vendimmarrësve. Sepse ky është vendi i shqiptarëve, nuk është vetëm i maqedonasve.
 
Një çështje e mbetur në mes marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë është çështja e ratifikimit nga parlamenti për abrogimin e regjimit të vizave, për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që vijnë në Maqedoni. Besoni që kjo do të jetë prioritet i parlamentit të ri?

Po, unë kam biseduar edhe me parti politike maqedonase që njëra nga prioritetet të parlamentit të ardhshëm do të jetë edhe ratifikimi i marrëveshjes për heqjen e vizave me Shqipërinë. Ajo ishte një ngjarje që s’duhej të ndodhte mes dy vendeve tona, por akoma nuk e kam të qartë, për qëllime politike apo për promovime të individëve apo të partive, nuk e di se si ndodhi. Ishte një moment i pa hijshëm mes dy vendeve tona, sepse pati shumë irritim. Andej e këndej, edhe këtu u irrituan shqiptarët e Dibrës, të Prespës, pse të ndodh një akt i tillë mes këtyre dy vendeve. Dhe unë besoj që puna e parë që duhet bërë, duhet ratifikuar kjo marrëveshje.

Një tjetër problem mbetet fakti që Maqedonia nuk e ka njohur ende shtetin e Kosovës,  pavarësinë e Kosovës. Do të jetë në agjendën e parlamentit njohja e pavarësisë së Kosovës?

Sigurisht edhe kjo është çështje mjaft e rëndësishme që duhet të përshpejtohet. Ne kemi bërë një kërkesë që në momentin kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Si duket janë bërë hapa të gabueshëm që të pengohet procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke filluar prej deklaratave të pa matura të zotit Thaçi, sepse pavarësia e Kosovës do të njihet atëhere kur të thotë Mendu Thaçi, si duket i irritoi raportet apo bëri përplasjen mes partive brenda koalicionit qeverisës. Zoti Thaçi mori përsipër një përgjegjësi që edhe s’i takonte, por edhe që ka çmim tani. Se do të thotë se Maqedonia nuk e njohu Kosovën, sepse akoma nuk ka vendosur Mendu Thaçi. Në momentin kur do të vendos Mendu Thaçi, Kosova do të pranohet si shtet. Këto deklarata ishin fare-fare të pa pjekura dhe të pamatura. Mirëpo Maqedonia duhet të respektojë vendimet, vetëqëndrimet parimore që i ka patur para njohjes së pavarësisë së Kosovës, që Maqedonia do të jetë në linjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian. Dhe do të thotë që politika e vendit këtu nuk ka respektuar së paku deklaratat parimore që ka dhënë, dhe vonesa e mosnjohjes së shtetit të Kosovës sigurisht që nuk është mirë për Maqedoninë.

Në viti 2001 ju keni patur një takim në Tiranë me zotin Arbën Xhaferri. Si janë momentalisht marrëdhëniet tuaja me zotin Xhaferri?

 Është e vërtetë që kam patur gjatë periudhës të luftës një takim me ndërmjetësim të zotit Meta. Nuk ka qenë pa rezultate ai takim, pasi arritëm që të mos ketë probleme gjatë periudhës së luftës në mes shqiptarëve, sepse jemi friguar asokohe që dikush mund të na bëjë probleme edhe nga brenda. Kështu që unë do ta quaj me sukses një situatë të tillë. Aktualisht nuk kam kontakte, nuk e di a ndodhet në Maqedoni, por ka një kohë që nuk e kam takuar, por i uroj shëndet, edhe jetë të gjatë i uroj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora