Kulturë
Kolec Traboini: Si e vrisja frikën në fëmijëri
E marte, 18.06.2013, 07:17 PM
SI
"Humor with Politics"
- Kur isha i vogël mbaj mënd se sa herë gjëndësha në errësirë të natës dhe e vetmja dritë ishin yjtë në qiell, thërrisja me zë të lartë për të vrarë frikën time. Dhe e vrisja. Kështu bëra edhe në janar 1991 kur shkrova në gazetën RD "...të hiqet ylli nga Flamuri". Kisha frikë. Kush tha se s'kisha frikë. Sepse ishte ende diktaturë. Dhe guxova pa e ditur ku e mora atë guxim…-
Nga KOLEC TRABOINI
Qëkur kam
nisur të bëj shkrime me "Humor with Politics" vë re se miqtë më janë
ftohur. Ndonjë edhe nuk më përshëndet fare. Mu firaksën. Rri e vras mendjen se
ç'u bënë miqtë? Pastaj tek dëgjoj oratorinë e politikaneve që ulërijnë si
çakenjtë e Vurgut për fitore, si të ishin pacientet e Froidit, u jap te drejtë
miqëve. Janë të frikshme ulurimat. Se kështu kanë filluar të gjitha diktaturat
në botë me ulërima në tribuna dhe iso itharësh çmendurakë.
Pastaj
një tjetër mendim më thotë, po si nuk po del njeri të na e këndojë atë këngën
"Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola" se ndoshta kësisoj trimërohet
mileti. Aha, kur çirren oratoret u fashitet zëri njerëzve.
Të rrimë
shtrëmbër e të flasim drejtë, as unë nuk jam trim. Por e vras frikën duke thënë
të vertetën.
Kur isha
i vogël mbaj mënd se sa herë gjëndesha në errësirë të natës dhe e vetmja dritë
ishin yjtë në qiell, thërrisja me zë të lartë për të vrarë frikën time. Dhe e
vrisja. Kështu bëra edhe në janar 1991 kur shkrova në gazetën RD "...të
hiqet ylli nga Flamuri". Kisha frikë. Kush tha se s'kisha frikë. Sepse
ishte ende diktaturë. Dhe guxova pa e ditur ku e mora atë guxim. Për djall, të
njëjtën gjë bëj edhe tani kur u them njerëzve a shkruaj satira politike: Hiqeni
atë yll të perënduar. I ka ikur koha.
Edhe në
këtë errësirë sociale, në këtë kaos e tymnajë politike, më duket sikur jam si
një fëmijë i vogël në errësirë. Në fund të fjalës të njëtën gjë bëj dhe tani.
Thërras me zë të lartë për të trembur hijet. Hijet dhe frikën time.
Nejse, s'ka rëndesi çfarë bëj unë e çfarë bën ti. Mjafton që përpara kutisë e fshehtësisë së votimit të jemi vetvetja - se guxim është edhe ai. Se ne jemi populli. Jemi sovrani, anipse pa e ditur fuqinë e fjalës e të vullnetit tonë. Por gjithësesi një mësim të jetës duhet ta kemi vath në vesh, po nuk ditëm ne ta vrasim frikën, do të na vrasë ajo ne.