E premte, 26.04.2024, 08:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Koka e prerë e Shqiponjës!

E hene, 15.04.2013, 07:46 PM


URA E IBRIT OSE: KOKA E PRERË E SHQIPONJËS!

Nga Xhemail Peci

Ura e Ibrit, jo vetëm që është pika më eksplozive në Europë, siç ka thënë diplomati amerikan Riçard Hollbruku, por e thënë figurativisht ajo është koka e prerë e shqiponjës! Pothuaj pas çdo konference për fatet e saj, toka e Shqipërisë dhe trojet e shqiptarëve kanë dalë të sakatosura, të gjymta, të prera, prandaj nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen: çfarë do të bëhej vallë sikur t’ì ndanin urat mbi Danub apo edhe mbi Senë? Paradoksi është edhe më i madh sepse nuk kemi të bëjmë me nje mur ndarës si Muri ì Berlinit, sepse logjikisht muri do të ndikonte më shumë në psikologjinë e njerëzve, por me Urën sepse ura që jep gjithmonë dhe gjithku idenë e bashkimit, e ndanë Mitrovicën, një qytet që ka dhënë e dhënë aq shumë për lirinë e kombit shqiptar. Trualli që e lindi dhe e rriti Kreshnikun e Kosovës, Isa Boletinin, ka mbetur ì robëruar, ì copëtuar, ì gllabëruar, i sakatuar, i okupuar…

Po pse vallë ka mundur të ndodhë kështu?!

Sepse harresa është mallkim, sepse kujtesa është bekim, siç do të shkruante Gjon Buzuku, apo pse janë shpërfillur mësimet nga pësimet e mëparshme që ka lënë historia? 

Duke e përjetësuar me magjinë e fjalës së shkruar bukurinë dhe rëndësinë e Mitrovicës, ashtu siç do të bënte edhe Sami Frashëri në Enciklopedinë Turke, Mid’hat Frashëri në “Mbresa nga Kosova”, shkruante: 

“Mitrovica është qyteti ì mbetur me një kënd, me një çip në verilindje të Shqipërisë, në skaj fare të Kosovës, në mbarim të Shqipërisë dhe në fillim të Sllavisë. Për ne pra, ka një rëndësi të madhe.” Duke vazhduar më tej në përshkrimin e qytetit, Midh’hat Frashëri shquante faktin se qyeti ndahej në dysh nga lumi Ibër “me një vijë matanë ujit nga veriu dhe një fushë apo luadh të gjerë anës tij”. Duke qenë mysafir i Familjes së Ali dhe Ferhat Dragës, ai do t’ì hidhte një vështrim historik qytetit të Mitrovicës: “Lindja dhe veriu ì Mitrovicës është një vend me kodra e male që zgjaten gjer në kufi të Serbisë dhe zbresin në Prishtinë. Një prej këtyre kodrave është katundi Boletin, në mes të ca shkëmbinjve të mëdhenj, një fshat me shtëpi, ì dëgjuar vetëm për zënkat dhe luftërat me ushtrinë të Isa Boletinit, i cili me një grusht njerëzish ka qëndruar dy vjet më parë kundër pesë taborëve ushtarë dhe gjashtë topave dhe më në fund ka dalë me gjithë shokë.

Me të mëngjër të Boletinit, nga veriu, majë kodre, duket një gërmadhë fortese, Sveçani, që i duken së largu ca mure akoma në këmbë. Kjo kështjellë ka qenë pak kohë në duart e mbretit Samuel, prej të cilit e muar Birantinjtë, lufta që u bë mes Samuelit dhe imperatorit Vasil i Dytë ngjau në Melnik (Serres) në 1014. Bullgarët u thyen dhe Vasili, të pesëmbëdhjetëmijë robërve që kishte zënë të gjallë u nxori sytë, duke lënë për çdo qint njerëz një me një sy të vetëm qe t’i shpjerë në Prilep, tek ishte hequr Samueli. Mbi luftën e Melnikut, pra Sveçani ra në duart e Birantinjëve prej të cilëve e muarën serbët në kohë të mbretit Stefan Nemania. Në këtë kështjellë ka ndenjur mbyllur dhe është vrarë Uroshi i Tretë, i themi Deçenski, me urdhër siç duket të birit të tij Stefan Dushanit se froni i serbëve s’është gjakosur vetëm në kohën e Obrenoviqëve. Ky zakon ka qenë edhe më parë”. Më tej, në një paszh të gjatë për të kaluarën historike, Mid’hat Frashëri e shquan edhe një fakt tjetër me rëndësi: “Në perëndim të qytetit janë ca kodra të vogla, nga ana e semurtores dhe i dëbojit të armëve. Mbi një prej këtyre kodrave është një varr, një gur i veshur me një garth të unjët, shkruar rusisht mbi të; rrëfen se këtu është vrarë konsulli rus i Mitrovicës, Roskovski me 1893, se Mitrovica ka një konsull rus dhe një austriak”. Më tej ai nuk le pa përmendur as punët që bënin serbët: “Serbët mbase nuk kanë dot dhjetë dyqane, me firma të mëdha në ballë dhe një degë bange. Zadruga, padyshim më tepër për propagandë se sa për tregëti. Sa vallë prej këtyre tregëtarëve janë spiunë të Serbisë? Prej nëpunësve të Bashkisë kush na siguron se nuk janë oficarë serbër në mes tyre?” 

Një pamje e ngjashme me të sotmen, ashtu siç është edhe pamja që shëmbëllen aq shumë me banorët e paktë që mbetën në anën veriore, të ndarë nga vëllezërit e tyre në jug:

“Disa prej këtyre fytyrave s’do më dalin kurrë nga mendtë. Ishin fytyra malësorësh të vërtetë, të njerëzve mbase që s’kishin bredhur kurrë në qytet, që s’kishin zbritur nga malet, që s’kishin dalë nga qarku i ngushtë i tyre. Sytë e tyre po dëshmonin mënyrën e rrojtjes që kishin shkuar gjer tani. Sy të trembur e të çuditur si të një shpendi që e zë gjahtari. Dukeshin që kishin shkuar një rojtje ndroje, pa besim në njerëzit e tjerë duke parë si armiq dhe kundërluftëtarë tek çdo i huaj, tek çdo fytyrë e huaj që s’ishte e maleve të tyre. Edhe n’ato male e shkrepa ishte i kënaqur, sado që pa këmishë edhe pa këpucë, me shëllirë dhe bukë të misërt si ushqim”. 

Përfundi ërgjend e flori, e përsipër mjerim dhe varfëri!?

Një realitet i hidhur që mjerisht nuk ndryshon shumë nga i sotit, dhe të bëhet sikur Mid’hat Frashëri e ka bërë përshkrimin e gjatë për Mitrovicën - sot, ashtu siç kanë ditur gjithmonë fuqitë vigane të intelektit të tij. 

Për Mitrovicën dhe madje jo vetëm për ndarjen e saj, do me thënë për Kokën e Prerë të Shqiponjës, do të përkujtoja thënjen e poetit të njohur anglez Xhon Milton, në “Parajsa e Humbur”: “Krimi nuk fillon vetëm aty ku shfaqet gjakderdhja. Krimi fillon aty kur mbytet arsyeja”. 

Arsyeja njerëzore është kapërcyer, ashtu siç është kapërcyer dhe shkelur edhe arsyeja historike. 

Ish-Presidenti ì Shteteve të Bekuara të Amerikës, Bill Klintoni, në Kujtimet e Tij, mes të tjerave shkruante: “Natën time të fundit në Zyrën Ovale tashmë të boshatisur, unë mendova për arkën e qelqtë që unë e kisha mbajtur në tavolinën time të kafes pak hapa larg meje. Aty ishte një gur të cilin Neil Armstrong e kishte marrë në Hënë në vitin 1969. Sa herë që diskutimet në Zyrën Ovale e kapërcenin arsyen njerëzore, unë i ndërprisja ata dhe thoshja: “A e shihni atë gur? Është 3,6 miliardë vjeç. Ne të gjithë do t’i nënshtrohemi kohës si ai. Le t’i ftohim gjakrat dhe t’i rikthehemi punës”. Ai gur hënor më dha mua një këndvështrim krejt të ri të historisë dhe të “rrjedhës së gjatë” proverbiale”. 

E tillë është rëndësia e një guri hënor, po vallë sa gurë të ngjashëm ka toka dhe nëntoka e Pjesës Veriore të Mitrovicës?

Ura e Ibrit është Koka e Prerë e Shqiponjës! Ajo është Metafora e Lirisë së Shqiptarëve. Ura e Ibrit…Gjithçka ndoshi me shpejtësi dhe si duket e përgaditur dhe e bluar mirë. Në ndërkohë që rusët, me urdhërin e Carit të Kremlinit, do të okuponin Aeroportin e Prishtinës, vëllezërit e tyre sllavë – serbët, me urdhërin e Kryekriminelit të Ballkanit dhe me ndihmën e francezëve, do të merrnin pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës! Kështu Ura e Ibrit do t’i ngjajë aq shumë një gjymtyre të shkëputur të një trupi të plagosur që akoma kullon gjak. Ajo është Flatra e Shqiponjës. Në të vërtetë ajo është Koka e Prerë e Shqiponjës, Metafaora e Lirisë së ëndërruar aq shume dhe të paguar aq shtrenjtë nga ana e shqiptarëve. 

Ura e Ibrit. Tani për tani aty mbaron Serbia dhe fillon Kosova! Por jo vetëm kaq. Kjo është një prerje e re në hartën e shtetit shqiptar, një prerje me dhunë e me thika, në ndërkohë që vijat e kufijve të kësaj harte prej kohësh rrjedhin gjak. Një përdhunim flagrant i të drejtës kombëtare dhe njerëzore është jo një zotësi kirurgu por një mizori hajduti, duke i vënë varrës kripë! 

Ura e Ibrit. Aty mbaron nata dhe fillon dita. Ëndrra për Lirinë e larë me gjak, me gjakun më të njomë dhe më të kulluar të bijve dhe të bijave të këtij trualli e të këtij kombi martir. Aty është kufiri i shtyrë aq thellë e i shlyrë aq mizorisht, thurur me tela gjembash, edhe pse jetohet në Europën moderne ! 

Edhe pse me njërën këmbë në pjesën veriore, Ura e Ibrit, për peshën dhe rëndësinë politike, sikur e ndanë jo vetëm Mitrovicën por edhe vetë Kosovën në dysh. Ajo është vet Zemra e Kombit e ndarë në dysh!

Nuk është pra fare e rastësishme pse Ura e Ibrit e ndanë një qytet, një ëndërr, një truall, një Këngë Amshimi.

Në anën veriore kanë mbetur shtëpitë e braktisura me dhunë, shtëpi të cilat u takojnë shqiptarëve; kanë mbetur vatrat e tyre stërgjyshore, dëshmitë e gjalla të një kombi, i cili etnikisht dhe historikisht, ka banuar dhe ka gjallëruar, ka jetuar dhe ka mbijetuar atje. Atje, do me thënë në atë anë të shtrenjtë të tërësisë së Atdheut, kanë mbetur kurmet e dëshmorëve e të heronjve, eshtrat e luftëtarëve të lirisë, varrezat masive dhe gjurmët e masakrave dhe të krimeve më makabre e më monstruoze që kanë bërë barbarët e Kryekriminelit.

Ajo është ana veriore jo vetëm e një qyteti por edhe një ndër digat kryesore e cila u ka bërë sfidë ushtarake dhe politike, pushtuesve shekullorë të tokave shqiptare, sa herë që është ngritur dhe ringritur Kosova në mbrojtje të lirisë së saj të shenjtë.

Ana veriore është ana prej të cilës thërrasin shpirtrat e të gjallëve, por edhe shpirtrat e të vdekurve.

Lumi Ibër rrjedhë Gjak. Në brigjet e tij vejnë e vijnë kufoma të reja, e në vatrat shekullore granatat vrasin edhe kur banorët janë në gjumë !! Vrasje dhe kërcënime për banorët vendas dhe krime të reja në praninë e faktorit ndërkombëtar! Ikona mesjetare që mëtojnë të zgjasin tutelën e sundimit dhe të terrorit mesjetar madje edhe në shekullin XXI, qoftë  duke ndaluar edhe ujin për banorët shqiptarë – në pamundësi për t’ua ndalur ajrin.

Historikisht, Mitrovica ka luajtur një rol aq të rëndësishëm dhe po aq edhe parësor në kahjet e luftërave e të politikës shqiptare. Luftëtarët dhe politikanët e Mitrovicës jo vetëm njëherë u janë përgjigjur kushtrimeve kombëtare, por jo rrallë, ata edhe u kanë prirë atyre në ballë.

Në kujtesën kombëtare shqiptare, është po aq e gjallë sa edhe e freskët sfida që u bënte Isa Boletini diplomatëve në Londër, duke ua thënë atyre qartë dhe shkurt, se: Unë nuk kam ardhur në Londër vetëm për Mitrovicën, por për çdo pjesë të tokës shqiptare, kah bukës i thonë bukë e ujit ujë. Mençuria prej malësori dhe trimëria prej luftëtari të rryer shqiptar, sfidonte kështu hipokrizinë e diplomacisë së kohës, e cila ishte e mbushur gjithë dhelpëri dhe padrejtësi ndaj çështjes shqiptare.

Ura e Ibrit është një ndarje e re sa edhe e padrejtë e artificiale, që i bëhet jo vetëm Mitrovicës, jo vetëm Kosovës, por edhe shqiptarëve si komb, në përpjekjet e tyre përparimtare për integrimet evropiane. Heshtja dhe mjergulla e cila edhe e mbështjellë enigmën e kësaj ngjarjeje mjerisht vazhdon, por sado që mund të zgjasë kjo mjergull nuk mund të jetë e tillë pambarim, dhe si e tillë ajo nuk verbon dot. Urat rëndom janë simbol i bashkimit dhe ato i lidhin brigjet, njerëzit dhe kombet, sepse ky është edhe qëllimi i ngritjes së tyre, kjo është edhe simbolika por edhe domethënja e urave. E ndarja e Urës është ndarja e një qyteti, e një kombi, prandaj ndarja këtu merr edhe kuptimin e dyfishtë.

Ura e Ibrit është vetë Ura e Shenjtë, sepse pjesa veriore që mbahet akoma nën thundrën e përdhunës nga ana e kriminelëve që kanë vra natën dhe kanë qarë e qajnë ditën, është e larë me gjakun më të mirë të shqiptarëve atdhetarë. Andej është edhe Kënga e syve të poetit të vrarë mizorisht në pragun e shtëpisë së tij. Në pragun e shtëpisë e në mbrojtje të vatrës shekullore.

Në mitet dhe në legjendat e shqiptarëve si komb, kalatë dhe urat të cilat kanë në themelet e tyre flijimin dhe gjakun, rrojnë. Ura e Ibrit prandaj nuk mund të përjashtohet nga E DREJTA E SHENJTË E GJAKUT – e drejta e natyrshme dhe krejtësisht legjitime e të qenunit në truallin stërgjyshor të të parëve, sado që ndarja e Urës i lidhë nyje shumë çështje dhe i mba pezull shumë enigma.

Veriu i Mitrovicës është një sfidë e madhe sa edhe serioze. Ura e Ibrit është një sfidë gjaku. Ana veriore e qytetit ka mbetur si thembra e Akilit, e cila anë në rrugëzgjidhjn e çështjes shqiptare, ka një rëndësi të veçantë jo vetëm historike por edhe strategjike në vetë shtrirjen e saj politike e gjeografike. Ajo nuk është vetëm pjesa e vatrave shekullore të shqiptarëve, të cilës i ka kënduar rapsodi me aq pasion: Në Mitrovicë, mbi ato kodrina/shtrihen ca kodra ku lindin veç trima/aty lindI toka trima patriotë/që hasmit sofrën ia shtruan me barot. Ajo është edhe Kryefjala e Kryepasurive të Atdheut, Kryefjala e thesareve që ka toka dhe nëntoka shqiptare.

Ndarja gjithmonë e ka tragjikën e saj, dhe kjo nuk është një ndarje si ajo e Hektorit me Andromakën në epet homerike, për të cilën Poeti i Kombit Gjergj Fishta, me të drejtë thoshte se nuk e ka shoqen në literaturën botërore.

Mjerisht, kjo ndarje e re në Europën e re dhe të bashkuar, është një ndarje me tone tragjike, trishtuese. Edhe një ndarje e re në kapërcyell të shekullit të ri. E megjithatë gjakimi ynë si komb mbetet ai i pararendësve tanë, Europa e Bashkuar. Europa e Bashkuar, sepse Europa e ka shembur Murin famëkeq të Berlinit, dhe se Europës nuk i shkon për shtat ndarja e një qyteti, e një kombi, e një zemre, zemër që rrahë me ritmin e konitnentin të cilit i ka takuar dhe i takon historikisht, për të cilin ka gjakuar dhe gjakon historiksiht.

Në të kundërtën, kjo nuk është vetëm një prerje e re që i bëhet shqiponjës, as ironia e fatit nuk është vetëm. Ndarja si kjo, gjithmonë rëndon në mënyrë vrastare.

Madje jo vetëm kaq! Ana veriore e qytetit të Mitrovicës, e fshehë në gjirin e saj, atë pjesën më kryesore që quhet argjend e flori. Prandaj shtrohet pyetja, se a janë ethet e politikës serbe apo ethet serbe të arit ato që e kanë mbajtur pezull Çështjen e Urës së Ibrit, Çështjen e Mitrovicës si pjesë të pashkëputur të Çështjes Shqiptare?

Miniera e Trepçës dhe galeritë e saj të pafundshme të horizonteve nëntokësore, nuk janë as mite mesjetare dhe as legjendë. Ato janë një realitet që mund ta ngjallin dhe ta rimëkëmbin ekonominë dhe popullin e stërvuajtur të Kosovës, e cila ka në themel të saj gjakun e derdhur rrëke.

Mund të jetë pra kjo arsyeja e vërtetë pse në Urën e Ibrit rrijnë roje e ushtarë me helmeta, vendosen blloqe betoni e tela me gjemba, kurse hija e fantazmave të ikonave mesjetare si shtrigat në tragjeditë e Shekspirit, zgjatet e stërgjatet të përbijë çdo gjë, në etjen e pashuar për gjak dhe krime.

Vallë a do të jetë kjo një nyje gordiane?!

Ura ndanë fatin dhe zemrat e banorëve shqiptarë, të qytetit i cili historikisht u ka takuar dhe u takon atyre. Politika dhe diplomacia në heshtjen e tyre të mistershme e të nëndheshme, e ndajnë edhe ato këtë fat. E krimi, ka thënë poeti anglez Xhon Milton, nuk fillon aty ku derdhet gjaku, por fillon aty ku vritet arsyeja.

E Ura e Ibrit vazhdon të jetë e ndarë ashtu siç ndahet zemra në dysh mes ankthit dhe shpresës. Ashtu si Mur i Berlinit edhe Ura e Ibrit, nuk ndane vetem nje qytet, nje komb a nje shtet, por ne thelb ndane edhe dy botë: botën e lirisë dhe botën e diktaturës, botën e dritës dhe ate të errësirës.

Ura e Ibrit apo Flatra e Këputur e Shqiponjës? Koka e Prerë e Saj…

Dom Lush Gjergji, ne fundvitin e 2006-ës, me rastin e përurimit të një sklupture në natyrë të Nënë Terezës, e tha bukur se nuk bashkohen tokat e shqiptarëve pa u bashkuar së pari kokat e shqiptarëve.

Kjo duket të jetë përgjigja më e mirë që mund të jipet për padrejtësitë historike që i janë bërë një populli, që siç e ka shkruar historiani amerikan Edvin Zhak në librin e tij “Shqiptarët - një histori etnike nga kohët parahistorike deri në ditët tona” si “një popull ì jashtëzakonshëm që ka jetuar dhe luftuar pa ndërprerë për 200 breza - gjatë ekzistencës prej më se 70 shekujve…Grekët zakonisht e fillojnë historinë e tyre në vitet 800 para erës sonë edhe kur u vendosën aty në Ballkan gjetën pellazgët. Madje themelet e Panteonit të Athinës ishin hedhur shumë kohë para ardhjes së grekëve. Disa studiues thonë se pellazgët u vendosën në Ballkan 2000 vjet para erës sonë. Ka të tjerë që mendojnë se ata kanë qenë autoktonë në këto troje”…

E zotërinjve që na thonë si Parkat e mitologjisë antike, se edhe sa kohë do të udhëtojmë pa viza në Europë – nën trumpetat e ‘liberalizimit të vizave’, le t’ua përkujtojmë thënien historike të Princit të Gjuhës Shqipe – Faik Konicës, se : JO VETËM NJË HERË, NE I KEMI LARË ME GJAKUN MË TË KULLUAR, FLETËT E HISTORISË SË EUROPËS, ku ende na kërkohen : VIZA !!!???

Zotërinj të Zonjës Europë, E DREJTA JONË ËSHTË E DREJTA E SHENJTË E GJAKUT, prandaj mos e profanosni më të drejtën historike të njërit prej kombeve më të lashta të Gadishullit Ilirik, të drejtën e shpalosur aq bukur dhe aq dhembshëm nga Poeti i Kombit – Naim Frashëri, në veprën e tij Dëshirë e Vërtetë e Shqiptarëve :

Solomon, mos ma pre foshnjën, mos e pre, n’emër t’Zotit,

le të mbetet pjella ime e paprekur, pa cënuar !

Dhe ju, perëndi të qiellit, ju o perëndi të paqes,

Jepjani mollën e sherrit drejtësisht, kujt i takon.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora