E shtune, 27.04.2024, 01:19 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Ndryshimi i përceptimit të “shqiptarit” jashtë atdheut

E shtune, 26.04.2008, 09:59 AM


Ardian Ndreca
Ardian Ndreca
Ndryshimi i përceptimit të “shqiptarit” jashtë atdheut

Nga Ardian Ndreca
  
Ka ikë koha kur shqiptari përceptohej si rreziku numër nji i popullatës paqsore dhe të qetë të vendeve mikpritëse.Por vetë “shqiptari” asht nji ide abstrakte pa bazë konkrete në vetvete, pse shqiptarët zakonisht sapo lindin ose ndonji ditë ma vonë marrin nji emën, të cilin zakonisht, kur nuk emigrojnë në Greqi, e mbajnë për gjithë jetën!

Ka ikë koha kur shqiptari përceptohej si rreziku numër nji i popullatës paqsore dhe të qetë të vendeve mikpritëse.Por vetë “shqiptari” asht nji ide abstrakte pa bazë konkrete në vetvete, pse shqiptarët zakonisht sapo lindin ose ndonji ditë ma vonë marrin nji emën, të cilin zakonisht, kur nuk emigrojnë në Greqi, e mbajnë për gjithë jetën!
N’Shqipni e kanë zakon me i vu nji emen edhe atyne që kur rriten marrin rrugë të keqe; prandaj këto individë përposë se janë shqiptarë kanë edhe nji emën dhe nji mbiemën.
Edhe pse të qenunit banditë apo të jashtligjshëm nuk ka qenë as nuk mund të bahet kurrë monopol i yni si komb, ka përjashta, forca politike, ma së shumti ekstremiste, që kanë përdorë për vite rresht figurën e shqiptarit për me justifikue sistemin e tyne kalbun të qeverisjes dhe për me marrë vota e me ndejt në pushtet.
Sigurisht ka pasë vazhdimisht e ka shqiptarë dhe grupe shqiptarësh që kanë krye krime të randa dhe janë përlye me gjana shumë të ulta, por kjo s’do të thotë se krimi botnor ka vetëm ngjyrën kuq e zi.
Në këto vitet e fundit përceptimi i shqiptarëve jashtë atdheut ka ndryshue shumë e kjo gja ka ardhë edhe falë nji shikimi ma të qartë të miqve tanë perëndimor.
Në përmirsimin e këtij imazhi ka luejt rol edhe faktor kontingjent si për shembull hymja e Rumanisë në BE.
Ky eveniment ka sjellë nji dyndje romësh dhe qytetarësh rumunë në Perëndim, ndërmjet të cilëve janë mimetizue edhe shumë kriminela e keqbasë të rrezikshëm.
Në Itali për shembull simbas statistikave vjedhsit ma të mëdhaj të bakrit (në formë fletësh apo telash) janë rumunët. Edhe dhunuesit e grave të shumtën e herës janë po nga Rumania.
Disa akte të shëmtueme kohët e fundit çuen ish kryeministrin Prodi me i dhanë nji ultimatum qesharak Rumanisë për kontrolle ma të rrepta të qytetarëve të saj e pati bile prej atyne që kërkuen me za të naltë edhe tredhjen kimike për individët ma të rrezikshëm.
Por deri tash asgja nuk ka ndryshue.
I vetmi rezultat: rumunët ua kanë marrë vendin e parë shqiptarëve në kronikat e zeza. Në fakt krahas rumunëve rrijnë edhe boshnjakët, maqedonasit, marokenët – e të gjithë së bashku kanë ndikue që përceptimi i shqiptarëve të ndryshojë shumë në shoqninë italiane.
E gjithë nuk domethanë se rumunët janë kriminela, por thjesht se perceptimi subjektiv i popujve ndryshon, pra evoluon me kohën dhe me ngjarjet.
Duhet thanë edhe diçka tjetër shumë ma e randësishme sesa rritja e përqindjes kriminale të rumunëve: shumica e shqiptarëve kudo që janë punojnë ndershmënisht dhe fitojnë bukën e gojës me djersë. Shumica e tyne janë integrue dhe kontribuojnë në nji anë në rritjen e ekonomisë së vendit mikpritës dhe në anën tjetër në mbajtjen artificialisht të ekonomisë së vendit tonë.
Pra, shumica sakrifikohet dhe jep maksimumin e vetvetes. Nji pakicë merret me poshtërsina dhe buja e atyne akteve, e shumëfishueme me artin e mass-mediave, ka krijue nji imazh të keq të vendit tonë.
Ajo pjesë e shqiptarëve që punon dhe prodhon pasuni për atdheun e vet, ka pësue deri tashti edhe braktisjen e autoriteteve shqiptare.
Mjaft me mendue se për nji çertifikatë të marrun në Shqipni nevojiten përkthime, legalizime tekstesh, legalizime firmash, kundërfirma... e të gjitha këto ecejake u kushtojnë kohë dhe pare emigrantave dhe e bajnë shtetin amë të duket qesharak.
Ndërkaq komisionet qeveritare, parlamentare, partiake shqiptare nuk pushojnë tue ba vizita nëpër kryeqytetet e botës: pritje, kokteje, shtërngime duersh, buzëqeshje, përqafime... por gjendja mbetë pothuejse si përpara, e mjerë.
Por vetë shqiptarët në emigracion kanë ba diçka këto vitet e fundit.
Ata kanë krijue shoqata intelektualësh, artistash – të cilët me forcat e vetë modeste paraqesin vlerat tona jashtë atdheut.
Në anën tjetër nji pjesë e mirë e shqiptarëve që kanë studjue në Perëndim në vitet ’90 janë sistemue dhe kontribuojnë me përmirsue idenë e gabueme ndaj bashkatdhetarëve të vet.
Ndodh shpesh që të huejt që vizitojnë vendin tonë, shprehen të çuditun se Shqipnia nuk asht ai Far West-i që u kanë përshkrue gazetat dhe revistat në atdheun e tyne.
E megjithatë edhe sot tek ne pothuejse nuk ka nji strategji të vërtetë për me tërheqë turizmin e huej. Mungon organizimi dhe iniciativa private, kurse ajo shtetnore asht gati krejt e paqenë.
Ashtu siç ka ndryshue përceptimi i shqiptarëve përjashta, ashtu duhet të ndryshojë edhe përceptimi i vendit tonë dhe zbulimi prej të huejve i mrekullive natyrore që ai ofron.
Por ne ende sot mbas gati dy dekadash demokraci nuk kemi nji guide të vërtetë turistike të vendit tonë.
Në gjysmën e viteve ’90 për shkak të luftës në Jugosllavi, u pat rrit ndjeshëm numri i turistave gjermanë dhe austriakë në Spanjë. Shpresojmë se nuk duhet të presim efektet e ndonji lufte tjetër me ba që turistat e huej të drejtojnë sytë kah Shqipnia, pse vendi ynë asht i tillë që meriton me u vizitue pa shkrepë ndonji luftë askund, ashtu siç e meritojnë shqiptarët e ndershëm me u respektue pa pasë nevojë që askush tjetër të konsiderohet si gogol.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora