E premte, 26.04.2024, 11:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Varrezat shqiptare të Bukureshtit

E premte, 09.11.2012, 08:07 PM


Varrezat shqiptare të Bukureshtit

Nga Baki Ymeri

Emri i bukur dhe titulli i hijshëm joshin vëmendjen e lexuesit. Një titull më i bukur do të tëngëllonte kështu: Ku prehen shqiptarët e Bukureshtit? Dhimitër Zografin që pat vajtur me Ismail Qemalin në Vlorë e kemi në varrezat e famshme Bellu, ku prehen edhe eshtrat e disa rilindësve tjerë, si dhe ato të shkrimtarit të famshëm rumun, Viktor Eftimiu. Xha Viktorin nuk e mundonte ksenofobia nacionale apo konfesionale, por për fatmjerimin tonë, e kemi këtu një familje patriotike emigrantësh shqiptarë, disa goca të së cilës u plakën, disa madje edhe vdiqën pa krijuar familje dhe pa e përjetuar dashurinë, vetëm e vetëm pse nuk gjetën ndonjë burrë mysliman. Mentalitete të këtilla të çuditshme, me komplekse antikristiane apo antiislamike, gjen gjithandej në botë, jo vetëm ndër shqiptarë. 8 nëntor 2012. Më fton zoti Xhelku në telefon dhe ma bën më dije se do vijë me Doinën e tij të vizitojë varrin e babait të tij (Sefedin Maksuti), në varrezat turke të Bukureshtit. Kjo pushimore e bukur, që shëmbëllen me një lulishte shpirtërash që kanë vajtur në botën e hijeve, ndodhet nja 500 m. tejmatanë godinës ku banoj.

Familja e profesor Maksutit që rezaton dritë, ngrohtësi dhe optimizëm, është një nga familjet e rralla të Bukureshtit që nuk ka kurrfarë kompleksi ndaj njërës apo tjetrës fe. Të këtillë e kemi edhe familjen e Lule Simeonit (e mbesa e Sejfulla Maleshovës, e martuar për një oficer rumun), pastaj ajo e Tina Selimit, bashkëshortja rumune e Enver Selimit të ndjerë, siç ishte edhe mamaja ime e ndjerë, që u martua me një malësor të Sharrit. Po kalojmë përsëri te Xhelku Maksuti (Dalaj Lama i shqiptarëve të Rumanisë, Nikolla Naço i ditëve tona), që e meriton një monument për së gjalli, por ndoshta do t’i kujtohet Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ta dekorojë së paku me një Mirënjohje në vigjilje të 100 vjetorit të Shqipërisë. Pse? Sepse, përveç qindra studimeve dhe librave të botuar mbi komunitetin shqiptar të Rumanisë, 64 vjet me rradhë (1948-2010), ka mbajtur nga një konferencë mbi Ditën Kombëtare të Shqipërisë. Zoti Maksuti është ai që ka organizuar marshin e famshëm të solidaritetit të shqiptarëve të Rumanisë me NATO-n dhe Kosovën (31 mars 1999), dhe jo vetëm kaq.

Për të mos u shkëputur nga subjekti,  po theksojmë faktin se këto ditë,  nuk ishte e vetmja vizitë e Dr. Xhelku Maksutit në varrezat shqiptare të Bukureshtit. Nuk ka nevojë të theksojmë se bashkëshortja e tij, Doina, është bijë prifti, dhe se vajza e tij nuk quhet Ajshe, por Kristia. Dhe as nuk ka nevojë të theksojmë se zonja Doina i admiron traditat myslimane të huazuara nga hebrenjtë, por jo edhe larjen e kufomës në publik, te myslimanët, apo mbajtjen e kufomës tre ditë në shtëpi, te kristianët. Sa i përket maskarrallëkut të Oana Manolescut dhe garniturës së saj pseudoshqiptare,  këtë subjekt e lëmë për një pamflet të ri, duke e lënë pa brekë një klan merkantelist që ia ka zhvatur Qeverisë rumune mbi një milionë euro në emër të komunitetit shqiptar (1996-2012). Në këtë kontekst, metaforikisht fjala është për varreza mashtruesish të huaj që nuk kanë asnjë pikë gjaku shqiptar në damarët e tyre. Për justifikimin e titullit, duke kaluar nga një objekt i neveritshëm në një subjekt atraktiv, vlen të theksojmë se i kemi parë edhe më parë disa varreza shqiptare ku përmenden emra e mbiemra të bashkatdhetarëve tanë, vendlindja, vitlindja dhe vitvdekja, por ajo që patëm rastin të fotografojmë këto ditë, mbetet në kujtesë të historisë. Ja vetëm disa shqiptarë që digjeshin për Kosovën dhe Shqipërinë!

Numri i varreve shqiptare në trojet rumune është i panumërt

Asllan Rexhepi nga Kotlina e Kaçanikut,  ish/luftëtar i Bajram Currit. Derisa e dha frymën e fundit mburrej me orën e Plakut të Maleve që ia kishte dhuruar për kujtim (1898-1977). Pasojnë Refik Nuriu nga Reçani i Gostivarit të Shqipërisë dhe Ejup Shehadini me bashkëshorten e tij. Islam Nazimi nga Popovjani (1907-1969) dhe Baftir Emurllai nga Tuhini i Kërçovës (1894-1959), Sejfulla Fazliu nga Reçani i Gostivarit (1904-1985), Ahmet Reshiti nga Kërçova (i lindur më 1917), Mahmut Abazi nga Shqipëria (1891-1965), që vdiq në një aksident të tmerrshëm. Vjen varri i Kurtish Banushit, atdhetar bukureshtar me origjinë nga Kërçova (1914-1985). Varri nuk vjen por vijmë ne me zbulime të reja bukureshtare.  Pasojnë Zenel Aliu, poashtu nga Kërçova (1895-1976), Iljaz Bajrami nga Sërbica e Kërçovës (1888-1969), varrin e të cilit e ka ngritur kunata e tij, Shtefania. Në varrezat turke të Bukureshtit hasim edhe emra tjerë, si Enver Selimi me origjinë nga Gjirokastra, një familjar i shqiptarit të famshëm Ibrahim Temo, Kimete Shasivari (1932-1997), Refet Kadriu nga Liseci i Tetovës, Xhavit Memishi  (1942-1977), Enver Memishi (1935-2004), nga i njëjti fshat.

Në Kishën Luterane që gjendet në zemër të Bukureshtit, prehet kurmi i Mbretit të parë të Shqipërisë, Princ Vilhelm de Widi, nip i Mbretëreshës rumune Elisabeta, e cila nën pseudonimin letrar Carmen Sylva, e pat shkruar një broshurë kushtuar nipit të saj dhe Shqipërisë (Cili ish Ay), e përkthyer në gjuhën shqipe nga Asdreni, dhe e botuar në Bukuresht më 1914. Nikolla Naço prehet në varrezat Sfanta Vineri (Shën Premtja), ku qe varrosur edhe Asdreni, kurmin e të cilit e sollën më 1974 në Drenovë. Varri i Naços ende nuk dihet se ku është, sepse vdiqën ata që e mbanin mend, ndër të cilët edhe Nikollaq Zoi, ishprefekt i Gjirokastrës dhe zogist, që i kaloi vitet e fundit të jetës në Bukuresht. Në Shën Premte gjendet edhe varri i familjes Buzi, si dhe ai i ish/presidentit të Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, Nikolla Gjergj Pallamida. Familjet Duro dhe Kondi, Teodor Milkani, Nikolla Kënxo, Afërdita Kristesku, Nikolla Xhamo etj. prehen në Bellu. Numri i varreve shqiptare në trojet rumune është i panumërt.

Për identifikimin e varrit të Naços, si dhe për fatin e shtypshkronjës Albania në Konstancë, shpresojmë se do të japë kontribut ambasadori i Shqipërisë, Sami Shiba, që arriti kulmin e karierës së tij diplomatike përmes organizimit të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë në ish/kishën shqiptare dhe hotelin e Ismail Qemalit (Continental), të Bukureshtit. Ishte një manifestim historik që do të mbahet mend, të cilin e nderoi Kryeministri Berisha, autoritete të larta rumune dhe disa veteranë të shquar të komunitetit shqiptar. Të themi se Marius Dobrescu që tentoi  të përfitojë nga ky eveniment për të evidencuar merita të pajustifikuara, nuk arriti t’ia zbehë vlerën duke vajtuar para Kryeministrit shqiptar gjoja se qenka i konsideruar si “persona nongrata”. Shoku Dobrescu mbetet i njohur vetëm si përkthyes i Kadaresë, por jo edhe si një profiter që bashkëvepron me një ligë të ligë që e zhvat buxhetin qeveritar destinuar komunitetit shqiptar. Që të dy, edhe ai, edhe Oana Manolescu, edhe pas vdekjes do të rrotullohen në varr nga mllefi pse janë të padëshiruar nga komuniteti i këtushëm shqiptar. Të themi se shoku Dobrescu organizoi para disa ditësh një manifestim për Shqipërinë pa e ftuar ambasadorin e Shqipërisë, është njësoj sikur të themi se manifestimet e këtilla shëmbëllejnë me zgafellat e varrit.

Feja e Gjergj Kastriotit dhe tolerancës shqiptare

Në varrezat kritiane që gjenden tejmatanë varrit të Çausheskut,  prehet kurmi i Sabri Selmanit me prejardhje nga Llapushniku i Gostivarit (1900-1995). Jetoi  95 vjet. U lind më 1900 dhe e dërgoi familja në moshën 13 vjeçare në Bukuresht, për të shpëtuar nga masakrat serbe. I admironte shkrimtarët rumunë dhe shkruante poezi origjinale me motive përmallimi. Deri në çastet e fundit, për të përkujdesej një kushërirë e gruas: zonja Mia. Ka qenë një nga tregtarët më të suksesshëm të Bukureshtit. Ishte i drejtë, korekt, besnik dhe i ndershëm. Derisa ishte i shëndoshë dhe i pasur, shumëkush ia shkelte pragun e derës. Kur e kaploi pleqëria, sëmurjet dhe varfëria, ia kthyen shpinën. “O Baki! Ke ba sevap xhi ke arrdh tum shohësh. Jam plak. Plaki nok ka sajgi. Kërkush nuk ma çel derën. As vdekja nok vojn tum mare!”, vajtonte ky shqiptar i harrruar, në njërin nga njëqindmijë apartamentet e Rrugës “Kalea Rahovei”. Në varrezat kristiane prehet edhe Matej Danili nga Shtirovica e Rekës ortodokse shqiptare. Patrioti Lazim Rexhepi me origjinë nga Shipkovica, poashtu prehet në varrezat kristiane të Piatra Neamcit në Moldovë, me simbole islamike në pllakë, por i varrosur me konform traditave kristiane, i përcjellë nga një grup priftërinjsh dhe një publik i panumërt. Bajram Shabani, një kërçovar që u servonte rumunëve ëmbëlsira shqiptare, prehet me Elenën e tij në varrezat ortodokse të Bushtenit. Derisa ish gjallë, tregon i biri i tij, “babai im e lexonte edhe Biblën, edhe Kuranin, dhe i lutej Zotit, edhe me dua arabe, edhe me ato kristiane, duke respektuar njësoj, edhe Kryqin, edhe Hënën. Mund të thuash se shqiptari nuk din është tolerant?

Përveç fotografive e pllakave të varreve prezente sipas të cilave Gostivari, Kërçova apo Manastiri i përkasin Shqipërisë, po ua japim edhe një amanet: Mos e shpenzoni buxhetin e familjes për t’i transportuar kufomat e familiarëve Tuaj në Kosovë, Maqedoni e gjetiu, por bashkëveproni me autoritetet e atjeshme, duke ndjekur shembujt e komunitetit të këtushëm shqiptar, që edhe familiarët Tuaj të prehen atje ku jeni, në një cep të varrezave kristiane, të varrosur konform traditave islame, po qe se nuk ka varreza turko/arabe, sepse transportimi i kufomës në vendlindje kushton mbi 10 mijë euro, lekë me të cilët mund të ndihmoni familjen, të varfërit në vendlindje, apo shoqatat shqiptare në mërgim! Dhe mos u ngucni te feja se nuk bën! Kështu pat thënë Gjulie Memishi nga Sllatina e Oltenisë,dikurë. Kështu më pat këshilluar këto ditë edhe Vilhelme Vranari nga Shqipëria, dhe ka të drejtë. Por kjo nuk don të thotë se Nacionali, Bota sot apo Zemra Shqiptare nuk e vazhdojnë misionin e tyre patriotik për demaskimin e fanatizmit dhe fundamentalizmit islamik, mision të cilin e përkrahim përzemërsisht, pa mbëltime urrejtjeje interkonfesionale, por duke ia përkujtuar rinisë sonë, se feja jonë është feja e Gjergj Kastriotit dhe tolerancës shqiptare.



(Vota: 142 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora