Kulturë
Halil Haxhosaj: Vepër me dëshmi nga jeta e thyer
E diele, 04.11.2012, 04:19 PM
“MEMORY” VEPËR ME DËSHMI NGA JETA E THYER
Nga Halil Haxhosaj
Vepra e Zef Mulajt “Jetë e thyer” vijëzon në embrionin e vet të gjitha ngrehinat e jetës në kohën e një thyerje të madhe siç ishte koha e diktaturës në Shqipërinë komuniste. Titulli i veprës përkon me realitetin duke u shndërruar në metaforë artistike, që mëton t’i ravijëzojë të gjitha krajatat e saj Kjo sintagmë tashmë burimin e vet e ka në biografinë e shkrimtarit të rrëfyer nëpërmes kryepersonazhit të romanit. Pra autori është realiteti i asaj kohe, ndërsa kryepersonazhi, Leka, i veprës “Jetë e thyer” të Zef Mulajt, është pasqyrimi artistik e letrar i asaj kohe. Gërshetimi i këtyre këndeve rrëfimorë janë bashkëdyzim letrar dhe ngjizën artistikisht në vepër. Andaj gërshetimet e tilla shpesh zbresin thellë në realitetin, sepse autori këtë e bën duke vijëzuar figurat politike të Partisë e të shtetit, të cilat ishin faktorët kryesorë të thyerjes, e pse jo, edhe të përmbysjes së asaj jete.
Monizmi dhe diktatura
Rrugëtimi
i kryepersonazhit, Leka, që në realitet është vet autori i veprës, ndërmjetëson
në të gjitha poret e jetës së asaj kohe historike, e cila mori emrin e vetë si
epoka e monizmit dhe e diktaturës së socializmit në Shqipëri. Emërtimi i tillë
nuk është i dhunshëm në vepër, sepse përshkruan të gjitha katrahurat e saj,
madje ato të përjetuara nga Leka, kryepersonazh. Dhe rrëfimi në të nuk bëhet në
mënyrë të improvizuar, madje as të trilluar, por përkon me të gjitha frytet e
asaj kohe, e cila kishte të mbjellat dhe të korrat e veta. Nëpër rrathët e
tillë marshon Leka, i cili përjeton dhe shijon të gjitha frytet e kohës së
Shqipërisë moniste e diktatoriale. Dhe këtë ai e përjeton që nga koha e
fëmijërisë së tij e deri në kohën e pjekurisë, madje edhe më vonë. Forma e
rrëfimit në vepër krearohet nëpërmes të formës rrëfimtare, e cila deri diku ka
elemente të një ditari të jetës, apo të një romani artistik të shkruar në formë
ditari. Por këtë, autori Zef Mulaj, nuk e trason sepse, më përjashtim
ndonjëherë, nuk i shënon ditët, madje as datat, muajt e vitet, edhe pse kjo
mund të kuptohet nga lexuesi, i cili ishte përjetues i tyre, por edhe lexuesi
tjetër.
Kështu në
qendër të veprës frymojnë të gjitha qelizat dhe indet artistike, e pse jo edhe
reale të asaj kohe gjysmë shekullore në Shqipëri, e që udhëhiqej nga Partia
Komuniste e Shqipërisë, më vonë nga PPSH, e cila ishte jo vetëm kreatore, por
edhe ekzekutuese dhe vepruese. Dhe nëpër këto rënie e ngritje, nëpër këto
sundime e maltretime kalon edhe Leka me të gjitha personazhet e veprës “Jetë e
thyer” të autorit Zef Mulaj.
Ky është romani i dytë i këtij autori që në këtë mënyrë pasqyron jetën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë diktatoriale, moniste dhe komuniste. Një gamë të kësaj jete ky autor e paraqet edhe në romanin e tij “Imazh”, edhe pse këtu pasqyrohet jeta e kohës së tranzicionit të Shqipërisë. Por lidhja e këtyre dy hallkave në një formë ose tjetër mishërohen lehtas, duke e plotësuar njëra tjetrën mirë, por edhe me sukses.
Paraqitja e monizmit e diktaturës nga pena e shkrimtarit
Paraqitja
e tërë egërsisë, madje edhe e veprimit të komunizmit shqiptar, e pse jo edhe
stalinist, nga pena e shkrimtarit Mulaj, bëhet dendur dhe tepër realisht. Kjo
shihet mirë nëpër disa episode në vepër, të cilat janë madje edhe nyjëtime
kyçe, sepse bartin tërë bagazhin e veprimit dramatik të strukturimit letrar e
artistik të veprës. Njëri ndër momentet e tilla është rasti i kongolezit të zi,
i cili kishte ardhur për t’u kalitur me ideologji dhe patriotizëm komunist në
Shqipërinë diktatoriale e moniste. Me të njëjtën peshë janë edhe momentet e
ankesave të Lekës në instancat e larta të komiteteve politike të Partisë për të
vazhduar shkollimin, duke filluar nga ato lokale, të rretheve e deri tek ato
qendrore në Tiranë. Shfaqja e kësaj diktature dhe egërsia e saj është e
pamëshirshme dhe është centraliste sepse dirigjohet nga një pozitë e cila
gjithmonë është syhapur, është “vigjilente” dhe orientuese e të gjitha “të
mirave” të popullit. Në pasurinë e popullit, autori Zef Mulaj, paraqet edhe
bukuritë e peizazhit të mrekullueshëm të Malësisë, vendlindjes së tij dhe
malësorëve, e cila është një pjesë që është ruajtur e tillë nëpër të gjitha
poret e shekujve të historisë kombëtare. Andaj edhe flladi, dashuria, uji i
kulluar, ajri i pastër dhe pyjet e pasura me bimë të njohura dhe mjekësore e që
janë shëruese, e bëjnë këtë pjesë interesante dhe tejet tërheqëse për lexuesin,
por edhe për vizitorin. Leka i romanit dhe autori Mulaj i realitetit objektiv,
janë pasqyrimet me reale të kësaj ane dhe të atij realiteti në Shqipërinë e
kohës së komunizmit dhe diktaturës së saj që ishte unikate e këtij sistemi në
rruzullin tokësor.
Vazhdimi
i shkollimit të Lekës është një dritare interesante e kësaj vepre. Sipas
normave, ligjeve dhe urdhrave të diktaturës askush nuk mund të shkollohej pa
lejen e Partisë dhe të pushtetin. E njëjta gjë i ndodh edhe Lekës si personazh,
por mbase, edhe Zef Mulajt si autor i veprës. Ky kombinim është një dritare
nëpër të cilën depërtojnë këto reflektime që janë shëmtia e një kohe në
Shqipëri. Duke u përvijuar nëpër këto stade dhe nivele pasqyrohet zhvillimi,
edukimi, madje edhe shkollimi në atë kohë. Caktimi i shkollarëve bëhej nga
lartë sipas pikëpamjeve dhe përshtatshmërisë politike e ideologjike, e jo sipas
dëshirës apo aftësisë së të rinjve për dije, arsimim dhe shkollim.
Mbi kurrizin e Lekës bien të gjitha insinuatat që janë aq të pakuptimta sa që njeriu normal as që mund t’i imagjinojë. Rruga e shkollimit të tij është rruga e gjarpinjve, sepse për të shkuar dhe për t’u ulur në bankat e shkollave dhe të fakulteteve në Shqipëri duhej kaluar kjo rrugë. E Leka është i detyruar ta bëjë këtë marshim, i cili ishte tepër i vështirë dhe i paarritshëm për të. Por qëllimi, synimi dhe puna e tij më në fund është triumfuese dhe arritje në cakun e dëshiruar.
Roman autobiografik në formë ditari
Edhe
shkuarja në shërbimin ushtarak është një episod tjetër i pasqyrimit të
anomalitetit të pushtetit monist e diktatorial të Shqipërisë së asaj kohe.
Ushtria, zboret, ushtrimet ushtarake e të tjera janë aq tragjike sa që njeriu i
sotëm mund vetëm t’i imagjinojë dhe kurrë të mos i besojë se ishin realitet i
udhëheqjes gjysmëshekullore shqiptare. Dukuritë e tilla e bëjnë këtë vepër
tejet interesante, madje edhe të dobishme për ta paraqitur këtë segment të
pushtetit antipopullor të kohës.
Vepra
“Jetë e thyer” e Zef Mulajt ka në strukturimin e vet një gjuhë të pasur në
suazat e normës letrare, e cila është tepër e begatshme. Këtë e bën ky autor, i
cili e njeh mirë të folmen e vendlindjes së vet, e cila ka begati. Norma
letrare veç sa ia shton vlerën kësaj vepre.
Shikuar
në tërësinë e saj kjo vepër e Zef Mulajt qëndron suksesshëm në mesin e veprave
të shkruara me këtë tematikë pas përmbysjes së diktaturës në Shqipëri. Mbase
ajo ka elemente jo vetëm kronike e historike të kohës, por suksesshëm mund të
jetë edhe “memory” e roman autobiografik në formë të ditarit me norma dhe
koncepcione të tjera dhe më të avancuara.
Portretizimi
i personazheve, ngjarjeve dhe sidomos i peizazhit të kohës janë nyjëtime të
suksesshme të kësaj vepre në prozë.
Ka edhe
elemente të tjera që e shtojnë begatinë e kësaj vepre, e cila është një pasuri
e paraqitjes dhe pasqyrimit artistik i asaj “ memory e jete të thyer”.