E shtune, 27.04.2024, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Naim Fetaj: Dielli i djegtë të dielat

E diele, 04.11.2012, 04:13 PM


NAIM FETAJ

DIELLI I DJEGTË TË DIELAT

PARATHËNIE

Përtej detit përtej vdekjes
Na ka ndjekur njëmijë vjet
Njëmijë herë na i dogji varret
Po vetë hiri na dha jetë…

VAJI I VETERANIT TË LUFTËS

Paskam qenë i mallëkuar
Në këtë jetë lëmsh të ngatërruar
Në demonstrata në burgje në luftë
E i përkëmbur... i harruar

Në istikame shumë ëndërrova
Për një ditë më të mirë
Krejt Atdheun me gjak e lava
N’gjithë kufijtë kam lënë gjymtyrë

Shokët tash krejt më harruan
Që kur hypën atje lart
Amanetin në këngë – e ndërruan
Gjakun tim shesin për darkë

Pranë fëmijës nënës gruas
Trupin tim e tërheq zvarrë
Një thes miell kur ma falin
Them për mua s’ka as varr

Njëqind herë letër iu shkrova
Por si duket pa adresë
Jo për mëshirë për lutje e lëmoshë
Për respekt për nder për shpresë

Unë atdheun prapë e dua
Dhe për të sërish zë pritë
Po lirinë e ëndrrës sime
Ma vratë ju për herë të dytë

LIRIKE

Shumë herë thonë është dridh kufiri
Po dy herë me të madhe
Në Kullë të Vraninës Oso Kuka
Sala e Agimi në Koshare

Si tërmete dridhjet ishin
Në dysh liqeni ishte ndarë
Prej tymnaje në Koshare
Dy ditë dielli s’ishtë parë

Në Rrasë të Zogut në piramida
Ku kanë shkelur ata dy
Kurrë serbisht s’flet më errësira
Kurrë më: “Stoj*!”, s’të thonë
_________________

*Stoj (serb)_ ndal

PËR NËNËN

Të dy e donim vjeshtën
Të korrat… të vjelat
Dhe prore ishim bashkë
Kur vinin të dielat

...

Dhe tash kur vjen vjeshta
Them
Zoti i shtoftë të mbjellat
Po veç pse të mori ty
Dielli i djegtë të dielat

MALL

(Për vëllain, Agimin)

Po m’i zë dimri do vargje gjithandej
Honeve të mendjes shpërndarë tek-tuk
Siç i zë mbrëmja lejlekët në fushë
Retë ndalojnë pranverën
A fjalëve u plasi zemra
Malli për ty zanoret kur  i shprushë

DALE DJALO DALE

(Për Nezir Istrefin)

Lotët dhe vaji m’u ngrinë në buzë
Si rimë e mirë në fund të ndonjë vjershe
Në  vend të dasmave që është stinë e tyre
Mes varresh shprishi dhembjen
Për ty sërish kësaj vjeshte

P.S.
“Dale djalo dale”
Se s’ia dal dot vetëm
Vjershës sonë të dashur
“Përse mendohen këto male”

TI MBI VDEKJEN JE YLBER

(Këngë për Haki Pavatajn)

Lajm i zi mbërrini në mahallë
Thanë Hakiu s’kthehet gjallë
Në pikë të ditës thonë iku dielli
Veç dy fjalë nisen kah qielli
Nuk vdes ti jo o skyfter
Ti mbi vdekjen je ylber

Në Strellc të epërm s’pati verë
Veç tymnajë terrinë skëterrë
Qyqja në rremb përgjaku natën
Thanë e vranë Haki Pavatën

Brez pas brezi në luftë më shkja
Gjyshi baba e i madhi vëlla
Tash Hakiu e kishte radhën
Donin ta vrisnin Abetaren

Donin vulat e Ditaret
Shkronjat shqipe Abetaret
S’të jap gjë unë o i pafe
Për me vdekë ja ku më ke

Plumb i zi e merr pas kokës
Gjak mbi librat e Kosovës
Ra pishtari i arsimit
Muza e fortë e frymëzimit

Në Bjeshkë të Strellcit thonë u fsheh dielli
Veç do fjalë nisen kah qielli
Nuk vdes ti jo o Skyfter
Ti mbi vdekjen je ylber



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora