E hene, 06.12.2021, 05:15 AM (GMT)

Kulturë

Besim Muhadri: Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, promovuese e vlerave letrare në diasporë

E premte, 02.11.2012, 08:30 PM


Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, promovuese e vlerave letrare në diasporë

(Pjesë nga një punim me i gjatë)

Nga Dr. Besim Muhadri

“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t'i sjellim komunitetit tonë, dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari letrare të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç'të jetë e mundur, që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

Kështu thuhet në një prononcim të presidentit të Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, z. Adnan Mehmeti. Ai shpreh qëllimet dhe synimet e kësaj shoqate, e cila për dhjetë vite me radhë mundohet që të mbajë, sado pak, gjallë jetën kulturore dhe letrare në mesin e komunitetin shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky qëllim është sa human, aq edhe patriotik, sepse nuk është aspak e lehtë që të jetosh e të punosh në një vend kaq larg atdheut tuaj dhe me aq fanatizëm e kryeneçësi ta ruash e të kultivosh vlera autoktone të vendit dhe traditës suaj. Është mund dhe sakrificë njëkohësisht, sepse mundësitë dhe hapësirat krijuese, në një kohë dhe rrethana aspak të favorshme, nuk ta lejojnë një komoditet të tillë. E them këtë, sepse pjesa dërrmuese, për mos të thënë të gjithë, e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë punojnë punë të tjera që janë jashtë natyrës së punës së tyre krijuese. Do të thotë punojnë në punë dhe profesione të ndryshme, që nuk përkojnë aspak me artin letrar. Kjo është një gjë e mundimshme, sakrifikuese, që shpesh edhe të krijon vështirësi dhe shqetësime të vazhdueshme.

Megjithatë, komuniteti letrar shqiptar, tashmë i konsoliduar dhe i bashkuar rreth Shoqatës së tyre, gjatë këtyre dhjetë –njëmbëdhjetë viteve, është munduar dhe është duke u munduar vazhdimisht që t’i tejkalojë këto sfida e vështirësi, qoftë me botime e promovime librash, qoftë edhe më organizime panairesh e takimesh të tjera letrare, që në një farë forme janë vazhdë e aktiviteteve dhe mundësive të lejuara nga rrethanat e lartpërmendura. Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, është një organizëm i themeluar vullnetarisht dhe për qëllime shumë të larta humane, por edhe kulturore e letrare. “Qëllimi është i denjë dhe Shoqata do të shërbejë si shtëpi ose fole për shkrimtarët tanë, për t’u afruar dhe për t’u njohur si kolegë, si dhe për të punuar së bashku për qëllime me vlerë”, do të shprehej në mes tjerash Ismail Kadare kur flet e shkruan për këtë shoqatë shkrimtarësh, e cila në gjirin e saj, edhe pse nuk i ka të gjithë krijuesit letrarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë nën ombrellën e saj janë pjesa dërrmuese që mundohet dhe në njëfarë mase ia ka arritur që edhe të kultivojë vlera të pakontestueshme letrare, që do t’ua kishin lakmi edhe komuniteti i shkrimtarëve që jetojnë dhe punojnë në atdhe. Do t’ia kishin lakmi kësaj shoqate, edhe shoqatat simotra në Shqipëri e Kosovë, të cilat ka kohë që edhe nuk dëgjohen aq shumë.

Organizimi dhe puna e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, janë për t’u lakmuar, sepse aty puna bëhet me përkushtim, me shumë dashuri dhe dashamirësi ndaj artit dhe ndaj vendit që përfaqësojnë. Rrethanat dhe kushtet në të cilat punon kjo shoqatë nuk janë shumë të favorshme, duke pasur parasysh angazhimet e tjera të krijuesve, që, siç e thash edhe diku më lart, janë jashtë profesionit të tyre.

Ndër emrat që i hasim në gjirin e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, janë Adnan Mehmeti, i cili njëherësh është edhe president i shoqatës, një poet shumë i përkushtuar, i cili vjen nga Kosova Lindore dhe në shkrimet e tij, përpos mallit për vendlindjen, atdheut të përgjysmuar, hasim një gamë të gjerë temash e motivesh, të cilat poezinë e këtij poeti e bëjnë më të afërt me lexuesin, më të dashur, por edhe më të vlerësuar në aspektin ideo-estetik. Pastaj Gjekë Marinaj, profesor universiteti dhe një poet dhe studiues tashmë i afirmuar dhe i njohur edhe ndër qarqet amerikane; Naum Prifti, një shkrimtar i afirmuar në Shqipëri, i cili ka vite që jeton dhe vepron në SHBA. Dalan Luzaj, një nga zërat e fuqishëm të letrave shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Iliriana Sulkuqi, poetja shumë e dashur dhe një ndër më aktivet në fushën e krijimtarisë letrare në qarqet e komunitetit artistik e letrar të shqiptarëve të Amerikës. Ajo, bashkë me një plejadë të tërë femrash shqiptare që jetojnë dhe punojnë përtej Atllantikut, si Albana Mëlushi Lifschin, Aulona Goxhaj, Eleonora Gjoka, Makfire Canolli, Kozeta Zylo, Margitë Markaj, Merita Bajraktari McCormack, Rajmonda Mojsiu, Rita Salihu, Shpresa Vranari, Rozi Theohari, Sabije Dërvishi e shumë të tjera, në shtetin e largët, larg atdheut dhe me mallin  e tij, tash e sa vite mundohen të lërojnë me shumë pasion e dashuri, por edhe me talent artin e bukur të poezisë, por edhe gjini të tjera. Po ashtu hasim edhe emra të tjerë, të gjinisë tjetër, si: Roland Mustën, Uk Lushin, Agim Bacellin, Pal Ndrecën, një krijues nga Gjakova, poet dhe prozator, ashtu sikur edhe Ramiz Gjinin, Mëhill Velajn, Përparim Hysin, Eduard Dilon, Fation Pajon, Gjeto Turmalajn, Ilir Spatën e Ivzi Çipurin, publicistët Klajd Kapinova e Tomë Mrijaj, pastaj Lekë Gjokën e Luigj Çekajn,  Roland Musta e Skifter Këlliçin, Ymer Çelën e Nexhat Ymerajn si dhe shumë krijues të tjerë, të të gjitha gjinive letrare, vargu i emrave të cilëve është i gjatë, ashtu sikurse edhe i shumë të tjerëve që nuk janë në listën e anëtarësisë së shoqatës, e të cilët tash e sa kohë jetojnë e veprojnë në SHBA, ku krahas punëve të tjera për të mbajtur familjen, përpiqen të shkruajnë artin e bukur të fjalës artistike, siç është poezia, tregimi, novela e deri të gjinia më e vështirë romani. Këta shkrimtarë, poetë e prozatorë, ndodhen të shpërndarë në shumë shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një Nju Jork, Nju Xhersi, Connecticut (Kenerike), Boston, Filadelfia e deri në Detroit e Çikakgo, por edhe në shtete të tjera. Janë të shpërndarë gjithandej botës amerikane, mirëpo është arti poetik dhe në përgjithësi letërsia ajo që i bashkon dhe i bën më të komunikueshëm në mes vete. Janë udhëtimet e tyre me mijëra kilometra për të arritur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, atëherë kur ka aktivitete letrare të komunitetit shqiptar, përkatësisht të Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, siç janë panairet e librave dhe përvjetorët, por edhe botimi i librave dhe promovimi i tyre, pastaj botimi i revistës së Shoqatës “Pena”, një revistë mjaft e pasur me materiale, në të cilën punimet e tyre i publikojnë krijuesit shqiptarë, jo vetëm ata që punojnë dhe jetojnë në SHBA.

Letërsia e shqiptaro-amerikanëve është një letërsi e mallit, e dhimbjes, por edhe një letërsi e kujtesës dhe e dashurisë për atdheun. Një letërsi e shqetësimeve të shumta tematike dhe motivore dhe një letërsi kuptimplote, e cila dita-ditës po shkon drejt konsolidimit të saj dhe të brumosjes me vlera serioze estetike. Janë dhjetëra autorë, të cilët në saje të talentit të tyre, por edhe të punës së vazhdueshme, këtë letërsi janë duke e zhvilluar dhe avancuar drejt integrimeve amerikane. Shumë krijime, por edhe libra të këtyre autorëve tashmë kanë parë dritën e botimit edhe në SHBA dhe lexohen me vëmendje nga lexuesit amerikanë. Kjo është një arritje rëndësishme e këtyre krijuesve dhe e Shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, e cila për këto njëmbëdhjetë vite të ekzistimit dhe funksionimit të saj, është bërë një promotor i fuqishëm i afirmimit të vlerave letrare në diasporën shqiptare të Shteteve të Bashkuara Amerikës, e cila padyshim se është edhe një nga diasporat më të fuqishme shqiptare, në të gjitha aspektet.

Urojmë që Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, edhe në të ardhmen të mbajë trendin e punës së frytshme të saj, në mënyrë që të jetë edhe një promotor i fuqishëm dhe i vazhdueshëm i nxitjeve dhe i prurjeve në fushën e artit letrar. Mirëpo, për të mbajtur këtë trend, natyrisht se  duhet edhe përkrahja e komunitetit gjithëshqiptar, si ajo e botës së biznesit, që është mjaft e fuqishme, ashtu edhe ajo e organizmave të tjerë, në këtë rast e shoqatave dhe e asociacioneve të ndryshme, që nuk janë të paktë në Nju Jork e në shtete të tjera amerikane ku tash e më shumë se njëqind vjet jetojnë dhe veprojnë mijëra e mijëra shqiptarë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora