E premte, 26.04.2024, 11:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhevahir Spahiu: Ftesa në NATO, hap një epokë të madhe

E marte, 15.04.2008, 01:41 PM


Nato në këndvështrimin e poetit

Intervistë/ Pjetërbudët, Skëndërbetë, Frashërinjtë,  ishin nismëtarët e  rrugës  për në  Europë

Albert Zholi

Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga Samiti i Bukureshtit, sërishmi shihet se, komentet për këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar nuk kanë të sosur. Diskutojnë dhe japin mendime të gjitha shtresat e shoqërisë. Gjithë strumbullari i këtij diskutimi përmblidhet në një pikë: Kush ka më shumë  meritë për këtë ngjarje historike? Shumë parti mundohen ta shkfrytëzojnë për kapital politik të njëanshëm, disa nxjerrin në pah rolin e ndonjë individi, të tjerë flasin për ndikimin e grupimeve të veçanta intelektualësh. Ndërsa unë, mendova në këtë masë njerëzish me shumë pikpamje të ndryshme, ti marr një mendim poetit të shquar Xhevahir Spahiu.

-Këto ditë  u  nënshkrua  një  nga  ngjarjet më historike  të popullit  shqiptar  ftesa  për në  NATO, si  do  ta  komentonte  poeti Xhevahir  Spahiu këtë moment  historik?

-Është  si një  1 Janari i  një epoke, i  një  mijëvjeçari. Tashmë jemi me aleatë të rinj. Nuk është e paktë, sepse  siç thotë  kënga  popullore, deri tani  kemi  ecur  nëpër  kohë, “natën  o’, vetëm o”. Kemi ecur si në një mjegull. Nuk  kemi  mundur në të  shumtën e rasteve  t’i  zgjedhim aleatët. Kur  ka ndodhur që  i  kemi  zgjedhur, ti seleksionojmë,  kemi  qenë  të  fituar. Të  mos shkojmë larg,  por  qoftë  tek  epoka  e Skëndërbeut ne  zgjodhëm aleatë. Në  Krujë  erdhën  edhe hungarezë, italianë, polakë, sepse  në  këtë  botë  që është  një  fushë  betejë, i  vetëm  je i  humbur. Humbja  na ka  buzëqeshur  nga  hera  në  shumicën  e rasteve,  sepse  jo  gjithmonë  kemi vepruar  me  mendje të freskët. Pra, ne  i  dimë  këto  gjëra,  por  i harrojmë. Sami  Frashëri, pikërisht në veprën e tij madhore  “Shqipëria  ç’është, c’ka  qenë  dhe  ç’do  të bëhet”,  thekson se nuk  mjafton  vetëm e  drejta  por  duhet  edhe  fuqia. Kjo  fuqi i duhej dhe i duhet  një populli të  vogël, që  edhe  për  shkak të  fuqisë  së vet  shpirtërore,  i  bashkuar me  malet  e tijë ka  mbijetuar. Por  që gjatë historisë nuk ka qëndruar me  gjakftohtësi  të gjykojë vetveten, ku  e  ka  hedhur  hapin  mirë dhe  ku  e ka  hedhur  hapin  keq. Ky  është një  çast  meditimi  për  çdo  shqiptar, padyshim më tepër për  politikën  shqiptare. E  dyta,  ne tani  ne  jemi  më  të  sigurtë, pa harruar  se  kush  është  i  sigurtë,  nuk  është  i  sigurtë. Në takimin  që  bëra  me  studentët  në  Elbasan  u  thashë : “Tani  nuk  u  sulmon  kush, ruhuni nga vetja”. Në mënyrë  metaforike do të  thosha  që, kjo  është  dita  e natës  sonë dhe  natyrisht, kur  të hapet  një shpresë  dhe një dritare  e  madhe,  duhet të  jeshë më i përgjegjshëm që  ta  meritosh bukurinë  dhe  vlerën e  asaj  që  të vjen  tek dera. Gjithsesi,  siç thashë  edhe  në Prishtinë  më 17 Shkurt  (kur  isha me familjen  time  ditën e Madhe të  Pavarsisë në mes të një të  ftohti të madh) duke u kthyer në  Prizren,  përmes   zhurmës  së  ujrave  më  dukej  sikur natën rënkonte  Abdyl Frashëri. Rënkonte  në  zinxhir, lart, në  kalanë e Prizrenit, pasi ishin këta njerëz si ai, që e hapën këtë udhë. Pjetërbudët  Skëndërbetë, Frashërinjtë,  ishin nismëtarët e  rrugës  për në  Europë. Ne  ishim  fizikisht  si  truall, por   vetë  koha  feudale  që  ishte një  përçarje  në  atë  kohë,  i veçonte  etnitë nga  njëra-tjetra. Por, duke  qenë  pjesë  e këtijë  trungu  të  madh,  shqiptarët   vinin  e trokisnin tek miku. Ideja  e lirisë  u  lidhte  shpirtin  që   duhet ta  ketë   shoqëria.  Por  kur  është  me miq e  shokë,  liria është  gur  i  rëndë. Dhe nuk  e merr lumi. Për të ardhur deri në këtë ditë njerëz si Abdyl Frashëri  qanin  dhe  trokisnin në dyert e Evropës duke shitur  pasurinë  për të shkuar tek dera e lirisë. Izolimi  asfiksues  tani  u  shpartallua, prandaj  them  se, për  ne,  hapet  një  epokë  e  madhe. Tani e  tutje  për  ne  shqiptarët   mund  të  ketë  vuajtje,  por  nuk  ka  më  vdekje  shqiptaria. NATO do  të  sjellë edhe një njësim shpirtëror.

-Meritë  e kujt  është ftesa për  në  NATO?

-Unë  nuk  jam  politikan, por siç e thashë dhe më lart, kjo është  një  rrugë  e filluar nga të parët tanë,  është  një  rrugë  nga vetë  qënia  jonë. Ne  duhet të ishim  si  të  shtëpisë, por  historia ndonjëherë është  e padrejtë. Historia  nuk  ecën  sipas  llogjikës  që  don  një  popull apo  një  tjetër. Historia,  ka edhe ajo absurdin e vet. Vetë  jeta disa herë  ecën kundër  llogjikës dhe  duke pasur  këtë përplasje,  neve  tani dimë  të  vështrojmë  më kthjellët. Këtë   udhë  e çanë të  parët   tanë  që  ruajtën  fytyrën dhe shpirtin  evropian, pavarësisht nga ndikimet. Natyrisht, ne duhet ti jemi mirënjohës  Otrantos  sonë, maleve të larta, sepse  janë  lumturia  dhe  pakënqësia  jonë. Kur  e pyeta  një  ushtarak  nga  fshati  im, Skënder  Malindin  se kush  i  ka  shpëtuar  shqiptarët, ai m’u përgjigj pa hezitim,  ato janë malet !.Kjo është  një  fitore  e mbarë popullit  shqiptar. Ne  jemi  një  popull që  anojmë  nga  ndjenjat, një popull  që bëjmë  edhe  pak aventurë, por tani koha do të na  trimërojë  me  kuptimin më të mirë. Futja jonë në NATO siguron integritetin, ushqen  shpresën  tek rinia  që të mos  ikin, por  të rrinë  këtu dhe  ato  që  vijnë dhe do të vijnë,  miqtë,  tashmë do ta  ndjejnë veten  më  të  sigurtë  dhe do  të  investojnë. Rruga për ta tashmë është e hapur. Ne duhet  të  dimë  ta  gëzojmë dhe ta  mbajmë  mbi  shpatulla  si  ngjarje historike .

 
Nga Xhevahir Spahiu

poezi
Qeni i rrahur

Këtu jam i huaj
Ndonëse dikur kam qenë i shtëpisë
Midis dystinësh si midis gurëve ka hyrë tinëzisht
Një shtresë akulli
Që e mbyll e shtjellon çdo mirëkuptim

Këtu jam i huaj
Për masën që se kisha, e djeshmja s’ma pranon
Në rrugë ka të tjera pemë
Në dhomë qarkullojnë të tjera zëra
Përmbi çati pëllumbat janë të tjerë
Një re mbi krye më thotë je i huaj.
Të ulërish është pak,
atëherë vjen platitja
mbi ballë ngulet hija, sikur varri
Më mirë ik si qen i rrahur,
I rrahur nga vetvetja e dikurëshme që nuk të njeh kush je.
Pak ç’ka se dje ke qenë i shtëpisë
I huaj sot po ikën nga ky vend.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora