E premte, 26.04.2024, 07:54 PM (GMT+1)

Editorial

Shefqet Dibrani: Kulti i sakrifikimit në lëvizjen paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës

E enjte, 10.04.2008, 08:08 PM


KULTI I SAKRIFIKIMIT NË LËVIZJEN PAQËSORE TË DR. IBRAHIM RUGOVËS

Shkruan: Shefqet DIBRANI

HYRJE:

Shefqet Dibrani
Miti i sakrifikimit, si kult karakterizon Lëvizjen Paqësore të udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova. Përcaktimi i tij deri në vetëflijim për një qasje më ndryshe, e panjohur për vendet e hasmëruara ballkanike, do ta bëjnë atë si udhëheqës e vizionar që kishte shenja profetike, të cilat do ta karakterizojnë jo vetëm jetën e tij reale, por tërë lëvizjen “pacifiste”, ideator dhe kreator i së cilës ishte vetë ai. Rrëfimi për këtë Lëvizje u shndërruar në një mitomani, ngase nisen t’iu besojnë trillimeve të veta edhe sajuesit, kritikuesit dhe të gjithë kundërshtarët e pikëpamjeve të këtij koncepti politik.
Ndonëse “mitomanët” ishin të fundit, edhe ata e pranuan Lëvizjen Paqësore të udhëhequr nga dr. Rugova si një veprim të mençur që solli më së shumti rezultate.

FËMIJËRIA E HERSHME DO T’IA DEDIKOJË KULTIN E SAKRIFIKIMIT:

Qysh me lindjen e tij në fshatin Cerrcë të Istogut më 2 dhjetor 1944, Ibrahim Rugovën do ta shoqëron kulti i sakrifikimit. I ati i tij, Uka, bashkë  me gjyshin Rrustë Rugova do të pushkatohet më 10 janar 1945, nga komunistët jugosllavë që bashkë me Partin Komuniste të Jugosllavisë, po instalonin Pushtetin Popullor edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Ata, kishin qenë luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Me pushkatimin e babit, për nënën e tij Sofë Rugovën, do të lindin dilemat për t’u martuar sipas zakonit me ndonjërin nga meshkujt e shtëpisë Rugova, ose për ta lënë djalin në familjen Rugova, e për të kërkuar fatin tjetër, sepse rrethanat e patriarkalizmit nuk lejonin që djali të merret për t’u rritur te prindërit ose në familjen e burrit ku do të martohej. Ajo nuk e zgjodhi as njërën dhe as rrugën tjetër, por vendosi që me përkushtimin e saj amënor ta rrisë djalin e saj, Ibrahimin. Përkushtimi i saj dhe sidomos sakrifica e nënës si një veprim sublim do të nguliten thellë në ndërdijen e Ibrahimit të vogël që po rritej tashmë jetim i pa babë. Sigurisht, ai do të jetë frymëzuar në sakrificën e nënës Sofë, e cila ka privuar vetën nga lumturitë e jetës, për t’i qëndruar pranë të birit.
Ky “kult” do ta shoqëron Ibrahim Rugovën edhe në veprimet e më pastajme.

NDËRTIMI I STRATEGJISË POLITIKE:

Rugova do të dijë të mos përsërisë gabimet që ndodhën në kohën e Rilindjes Kombëtare, sepse atëherë pat tendenca për të përkrahur një forcë që po vdiste, kurse Rugova përkrahu dhe anoi nga një forcë që po lindte, e cila do t’i gjendet afër në momentet më dramatike që po kalonte kombi. I pajisur me dije në fushën e letërsisë dhe filozofisë së saj, dhe i brumosur në luftërat dhe përpjekjet e shumta që kombi ynë i ka bërë ndër shekuj, Ibrahim Rugova do të sakrifikoj karrierën letrare për të ndërtuar konceptin e një lideri politik. Kjo rrugë ishte me plot rreziqe dhe dështimi i tij do t’i kthehej bumerang, sepse nga një letrar i pranuar do të katandisej në një politikan të dështuar. Por, falë gjenisë së tij,  i arriti synimet e përcaktuara që më parë.
Te Ibrahim Rugova shihet ndikimi i tejdukshëm i eposit të luftërave që i stilizoi dhe u dha famë Gjergj Fishta. Në të gjitha përpjekjet për të promovuar një Lëvizje Paqësore, te I. Rugova do të ndihet ndikimi i elementit fishtian, i cili në gjithë eposin letrar, veçmas te “Lahuta e Malësisë”  ua njihte meritat kundërshtarëve, me të cilët përballej Heroi i tij Epik. Fishta ua njihte trimëritë kundërshtarëve, se duke e çmuar aftësinë e tyre, ua rriste famën betejave dhe heroizmave shqiptare, kurse te I. Rugova e ndeshim elementin e njëjtë, atë të respektimit,   por mënyra e veprimit ishte e kundërt, sepse karshi eposit heroik ai zgjodhi rrugën e qëndresës dhe të durimit për t’i zgjedhur problemet në mënyrë paqësore, përkatësisht pacifiste.
Po ashtu në konceptin paqësor te Ibrahim Rugova dukshëm ka ndikuar Lëvizja Paqësore e Nënë Terezës, e cila në një rrafsh krejtësisht tjetër ka krijuar famë të papërsëritshme, madje duke u bërë sinonim i mishërimit për paqe e mirësi në tërë globin tokësor.  Këtë element paqësor te I. Rugova e gjejmë më të sforcuar mbi tabanin nacional. Një formë tjetër për të krijuar paqe të qëndrueshme në rajon.
Por, pacifizmi i dr. Rugovës sa do që është kritikuar si një lëvizje e kotë që predikonte paqe me çdo kusht, duke mohuar çdo lloj konflikti dhe çdo luftë në rajon, prapë se prapë mbetet opsioni më i qëndrueshëm dhe forma më e mirë që i ka avancuar proceset drejt një progresi dhe njohjes me përmasa ndërkombëtare. Mjeti kryesor i kësaj filozofie mbetet “durimi” jo vetëm si nocion figurativ, por si një mjet filozofik për ta aftësuar e kalitur njeriun që të mos rrëmbehet, t’ua shtojë mundësinë dhe aftësinë e pritjes me përmasa të gjata kohore, i vetëdijshëm se në këto pritje njeriu do të përballet me skamjen dhe dhunën, me nënçmimin dhe persekutimin, me bastisjen dhe izolimin dhe madje me format e ndryshme të dhunimit dhe poshtërimit moral, kode të shenjta për karakterin e shqiptarëve. Përmes filozofisë pacifiste dhe përmes durimit si nocion filozofik, dr. Rugova do ta zhvilloj, përkatësisht avancojë në përmasa të paparashikueshme kultin e sakrifikimit, jo vetëm për vete, por për një popull të tërë, i cili me të gjitha vështirësitë nuk është ligështuar, përkundrazi i ka mbajtur shpresa sa do të ngadhënjejnë dhe nga kjo shpresë nuk janë rrëmbyer, sepse kështu donin të respektonin parimet e një lëvizjeje që i printe një Misionar, ngase dihet misionarët janë në mesin e popullit.
Kjo veti e lindur dhe e kalitur në krajatat dhjetëvjeçare do ti bëjë kosovarët më të matur, më racional dhe më gjakftohtë. Koncepti pacifist i dr. Rugovës, siç thamë sado i kritikuar, do të dëshmohet si njëra nga lëvizjet më të suksesshme, ngase ai jetonte në Ballkan dhe kishte një kundërshtar të pa princip që i kishte nënshkruar të gjitha konventat ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut, duke u proklamuar si shembull i mirë në njërën anë, kurse në anën tjetër bënte shtypjen kolonialiste kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirën ballkanike. Le të rikujtojmë “Lëvizjen e Vendeve të Painkuadruara” që udhëhiqej nga   Tito-Naser-Nehru  dhe të analizojmë ndikimin e tyre në OKB  ku mbi 50% të këtyre vendeve participonin në forumet politike e diplomatike të kësaj organizate me ndikim botërorë.
Ibrahim Rugova ishte njohës i mirë i raporteve të forcave, qoftë atyre që mbanin pushtetin në Federatën Jugosllave, por i njihte mirë edhe raportet e forcave ndërkombëtare, baraspesha e së cilës kishte filluar të ndryshonte. Vetëm shkathtësia e tij prej një vizionari do të dijë që interesat e veta dhe të kombit që përfaqësonte, t’i lidhë me vendet që kishin pushtuar globin në aspektin foljor dhe zhvillimor. Por për të vënë në lëvizje gjithë ato procese duheshin mjete, kurse mjeti i tij i vetëm ishte durimi dhe rruga paqësore, për të cilën lutej dhe këmbëngulte vazhdimisht.

***

Shikuar në këto aspekte që i theksuam më lartë, nuk mund të themi se Rugova iu ka hakmarrë Serbisë për pushkatimin e të jatit a të gjyshit, por te ai ka ndikuar thellësisht “Kulti i Sakrificës”, i cili në të gjitha zhvillimet dhe etapat kohore do të dalë në dukje si fenomen, si veçori specifike që do ta karakterizojë personalitetin e tij intelektual, krijues dhe politik, por jo kulti i hakmarrjes, pasi që dihet, ai asnjëherë qoftë edhe me një fjalë të vetme, nuk iu ka hakmarrë dikujt. Kulti i hakmarrjes nuk ka pasur vend te Rugova, kulti i faljes, miqësisë dhe tolerancës kurdoherë. Ai ka falur vazhdimisht dhe nga gjithë ato falje ka përftuar në famën e tij që rrezatonte paqe e harmoni mes njerëzve, mes kulturave dhe mes besimeve.
Si do që ta trajtojmë te Ibrahim Rugova del në pah “Kulti i Sakrifikimit” që e kishte trashëguar nga e ëma qysh në vegjëli, e cila siç kemi theksuar edhe më lart i kishte privuar të gjitha gëzimet e jetës së saj për ta rritur të birin e saj Ibrahimin.
Kulti i Sakrificës si sublimim i vetëmohimit të skajshëm, sigurisht do të trajtohet më mirë nga njohësit e mitologjisë si një qasje më e thellë që e gjejmë te personaliteti i Ibrahim Rugovës.

NDIKIMI I FAKTORËVE HISTORIK:

Ndër faktorët e parë historikë mund të llogariten luftrat dhe përpjekja e Gjergj Kastriotit për bashkimin e të gjitha forcave të vendit gjatë viteve 1405-1468. Dihet se Gj. Kastrioti u kthye në Krujë më 1443 dhe çliroi pjesën ma të madhe të vendit. Më 2 mars 1444 thirri në Lezhë një kuvend kombëtar, që krijoi një Lidhje politike-ushtarake me ushtri të përbashkët. Nën udhëheqjen e Gjergj Kstriotit shqiptarët për 25 vjet nuk u thyen kurrë nga ushtria osmane. Ishte Gjergji që krijoi një shtet të përqendruar, bëri flamurin e tij dhe elementet përcjellëse që e identifikonin shtetin si shtet.
Pas thyerjes së kryengritjeve dhe rënies së Shqipërisë nën sundimin osman, kemi fluksin më të madh të emigracionit shqiptar për në Itali, sidomos Arbreshët e sotëm. Pastaj në dy dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVII janë me rëndësi të përmendën kryengritjet që u bënë në Kosovë, të prira nga kryepeshkopi i Shkupit Pjetër Bogdani (1630-1689). Kryengritjet shqiptare në viset e Kosovës më 1688 që udhëhiqeshin nga Pjetër Bogdani u zhvilluan përpara se këtu të vinin forcat austriake që zbritën drejt jugut. Pas thyerjes së këtyre luftrave do të fillonte konvertimi i dhunëshëm  dhe masiv i shqiptarëve, sidomos kjo gjë ka ndodhur në Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit. 
Një përpjekje të organizimit të shqiptarëve do ta ndeshim gjatë shek.XVII-XVIII, kur nisi rënia e Perandorisë Osmane dhe shthurja e sistemit të timareve. Feudalët shqiptarë, siç ishin Bushatllinjët në Pashallëkun e Shkodrës dhe Ali Pashë Tepelena në Pashëllakun e Janinës, nuk arritën  të krijojnë një unitet politik-ekonomik të vendit, që ishte nderprerë në shek.XIV.  Sa do që u bënë hapa për përgatitjen e terrenit për bashkimin kombëtar, qarqe turkofile do të lajmërojnë Portën e Lartë, e cila do të arrinte t’i shtypte me forcë, më 1822 Ali Pashë Tepelenën dhe më 1831 Bushatllinjët në Pashallëkun e Shkodrës.
Këto elemente i përmenda për të nxjerrë në pah anën tradicionale, mbi të cilën është ndërtuar koncepti paqësor, është ndërtuar strategjia politike dhe janë nxjerrë mësime që të mos përsëriten gabimet e këtyre tri përpjekjeve që kanë ndodhur, sado që vdekja e tij në prag të njohjes formale të Pavarësisë mund t’i shqetësojë të gjithë njohësit e këtyre rrethanave.
Por një eveniment i suksesit të lëvizjes paqësore të I. Rugovës do ta vërejmë në ditët e zisë kur do të pendohen mjaftë kundërshtarë të tij, të cilët të rikujtonin Lek Dukagjinin, i cili sa ishte gjallë Skënderbeu, ka qenë një kundërshtar i tij, por  me të marrë lajmin se ka vdekur, do t’i shkul flokët e veta nga dhembja e trishtimi. Ky element ndodhi në Kosovë kur mitomanët shfajësoheshin para Zotit dhe kombit për mëkatin që kishin bërë, pse kishin shpifur e intriguar kundër Lëvizjes Paqësore dhe personalitetit të dr. Rugovës.

DUHET  TA RUAJM KULTIN E RUGOVËS:

Po sikur të mos ishte Shtjefën Gjeçovi, i cili i mblodhi dhe i kodifikoi në ligj, përkatësisht në Kanun, doket dhe zakonet e shqiptarëve dhe për t’i bërë më të pranueshme, i emërtoi sipas princit mesjetar Lek Dukagjini, pasi besohej se këto tradita e mbajtën gjallë popullin tonë që nga mesjeta e deri në ditët e sotme.  Po ashtu në këtë sfond mund të përmendim edhe kontributin e don Lush Gjergjit për t’i përmbledhur dhe botuar librat me biografinë e Nënë Terezës, pa të cilat emri i Nënë Terezës dhe sidomos Lëvizja e saj Paqësore për ne shqiptarët do të kishte tjetër kuptim, përkatësisht do të njihej e pranohej shumë më pak se sa njihet dhe pranohet në hapësirën shqiptare. Shembujt që përmendëm: (Shtjefen Gjeçovi & Lush Gjergji), na  detyrojnë që të bëjmë më shumë në mbledhjen dhe kodifikimin e parimeve themelore të kësaj Lëvizje Paqësore për ta themeluar një lloj “Kanuni për Paqe e Mirësi”, nga i cili do të merrnin shembull edhe popujt e rajonit, po sidomos popujt e shtypur dhe të nëpërkëmbur nga perandorë e perandori shtypëse.

PËRFUNDIM:

Mbështetja në filozofinë e Ibrahim Rugovës nuk mund të kuptohet naivitet.  Përkundrazi filozofia e tij paqësore ishte një koncept i thellë filozofik, politik dhe strategjik i ndërtuar mbi tabanin e lëvizjeve nacionale që e kanë frymëzuar dhe motivuar vazhdimisht si njohje e thellë e këtij botëkuptimi për t’i avancuar proceset e tashme dhe të më pastajme. Dhe krejt në fund  mund të përkufizojmë se filozofia paqësore e Rugovës ka marrë udhën e një mitizimi. Ajo sigurisht do të rritet e zhvillohet, sepse të gjithë udhëheqësit e lëvizjeve të mëdha botërore i kanë korrur rezultatet e famës vetëm pas vdekjes. Andaj na mban shpresa se Lëvizja e tij Paqësore do të rritet, zhvillohet dhe emancipohet vetëm tashti pasi shpirti i tij ka shkuar në qiell.


*Me pak shkurtime nga një punim më i gjatë!

E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora