E premte, 26.04.2024, 01:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Sylë Osmanaj: Vargje të kultivuara estetikisht

E marte, 14.08.2012, 08:30 PM


Vargje të ndërtuara dhe të kultivuara estetikisht

(Përkitazi me librin me poezi të Fatmire Durakut “Vagëllimë mbi ujë”, botuar nga Shtëpia Botuese “Fad”, në Prishtinë)

Shkruan Sylë Osmanaj

Shkrimtarja e re  Fatmire Duraku, pas pesë veprave letrare (Te varri i çikës, Fshehtësia e tre shpirtrave, Plepi i thyer – romane,si dhe Pse ike kur më puthe e Vjedhësi i çasteve - poezi), fondin e vet krijues e pasuroi këto ditë me botimin e vëllimit të ri poetik “Vagëllimë mbi ujë”. Poezitë e këtij vëllimi i shquan laramania tematike, motivet e fuqishme dhe vargjet e ndërtuara dhe të kultivuara estetikisht. Ka në këto vargje sensibilitet  lirik, porosi ekspresive dhe strukturime të mjeshtërisë poetike. Gjuha është e zgjedhur  e koncize dhe me anë të kësaj gjuhe realizohen mesazhe të forta e të goditura  poetike.

Vëllimi poetik “Vagëllimë mbi ujë” ndahet në katër cikla: Prerja e lisit të shtëpisë, Molla e dehur luhatet në pe, Vyshkja e lules në katër pamje dhe Vallëzim me vdekjen.

Të theksojmë këtu se ekspresivja, meditacioni  dhe shpirtërorja janë pozicione poetike nga ku poetesha shtrin lirizmin e vet horizonteve  të mendjes dhe të shpirtit për të dalë, bashkë me mesazhin poetik, në brigjet e jetës dhe në pikat qendrore të ekzistencës së kombit dhe të individit.

Autorja ka arritur të flasë botën,që e rrethon, në mënyrë mjaft vetanake, e cila gjë vetvetiu shpreh përkushtimin, ambiciet, vullnetin dhe punën që ka bërë për  të dalë para lexuesit me zërin e vet karakteristik, me fizionomi origjinale. Këtë  origjinalitet, Duraku nuk e arrin rastësisht, por me angazhim serioz, sipas një plani të skicuar deri në detaje, sipas një ideje, të cilën që më parë e ka trasuar. Ajo e flet botën e vet, i shpreh dhembjet dhe gëzimet, i nxjerr në dritë preokupimet, gjithnjë sipas një recete të veçantë. Ajo  e veçantë ruhet me xhelozi edhe gjatë këndimit me ngjyrim lasgushian, gjatë krijimit të trioletave (shtatë trioleta, sa ka në librin “Vagëllimë mbi ujë”). Këndim ky mjaft i rrallë në letrat tona. Madje, mund të jetë, se nga krijueset shqiptare – të këtij krahu, apo dhe mbarëshqiptare, ajo është e vetmja që ka marrë guxim t`i hyjë lërimit të trioleteve. Kjo flet për guximin e madh të autores, por edhe për përgatitjen e saj që t`i dalë me sukses  punës që e ka nisur. Dhe, ka arritur t`i ofrojë lexuesit tonë një pjesë shumë të bukur të krijimtarisë poetike.

Ajo e ka rrugën e vet, ajo e ka fjalën e vet, ajo e ka botën e vet. Dhe, kjo e bën krijimtarinë e saj interesante, në prozë dhe  poezi. Shkarazi ta rikujtojmë romanin e saj “Plepi i thyer”, i cili jo vetëm për nga realizimi artistik, por edhe për temën që e ka në shtjellim, është mirëpritur nga lexuesi,e sidomos nga kritika jonë, e cila në kohë të fundit reagon rrallë, por ja që prozën e Fatmire Durakut e ka hetuar dhe e ka mirëpritur. Paraqitja e Fatmire Durakut është një fat i mirë, një befasi e këndshme, në këtë periudhë kur qeni të zonë nuk e njeh, në kulturën dhe letërsinë kosovare.

Po e përsërisim edhe një herë se autorja e re, por tashmë me një përvojë të mirë në krijimtari, ia ka dalë - në librin e vet më të ri Vagëllimë mbi ujë, ta flasë bindshëm fjalën që e ka zgjedhur ta thotë, ia ka dalë ta thotë idenë e vet, ta shpalos preokupimin e vet dhe këtë gjë e ka bërë bukur, me mjete të zgjedhura, me figura të zgjedhura, gjithherë e paepur ta ndërtojë kullën e imagjinuar, lumin dhe urën mbi të, pyllin dhe kopshtin, në të cilin ka mbjellë lulet që i do, ato lulet e bukura-nga më të ndryshmet, lulet e shpirtit, lulet intime, por që këto lule  – të gjitha, të përbashkët ta kenë qiellin që ua ka ofruar autorja, të përbashkët ta kenë ashtin dhe gjakun me të cilin ushqehen. Kështu, Fatmire Duraku që më parë është përcaktuar t`i ofrojë lexuesit librin, të organizuar mbi disa figura – metafora dhe simbole, të cilat duke i përsëritur nëpër poezi të ndryshme,  shndërrohen në vijë bartëse të lëndës së shkruar,  bëhen hiç më pak se kariatida, shtylla të forta të krijimit artistik... Mbi këto shenja  (siç janë  Uni, Lisi, Liria, Kuçedra, Petriti, Vagëllima, Kalaja, Loja,  e kështu me radhë) dhe qëndron Kulla e imagjinuar – bota e autores, e përditshmja, ëndrra dhe çdo gjë që gëzon dhe pikëllon, Drita dhe Lëndimi, Dheu dhe Uji, Lulja dhe Zemra, si dhe Rrufeja, me të kaluarën dhe të sotmen, të cilat të gërshetuara bukur derdhen nëpër vargje, gjithherë duke na ofruar diçka të re,në secilin lexim të ri.

Ja, ta zëmë, si ndërlidhen idetë dhe gjërat e sotme, ëndrrat dhe fijet e së kaluarës, si pikon  Uji në gur dhe Kalaja me kokë në re rri bashkë me qëndresën e përhershme të njeriut tonë në këtë pjesë të botës: “... në Ulqin lulëzon shega| uji i bie gurit, uji i bie gurit| ti fle në mua| me mijëra vjet”.

“Vagëllimë mbi ujë” është libri më i mirë i autores dhe njëri ndër librat më të dalluar në krijimtarinë poetike të krijueseve tona.



(Vota: 93 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora