Kulturë
Xhorxh Fred Uilliams: E njoha Shqipërinë të mbytur në gjak
E shtune, 14.07.2012, 10:56 AM
Në 236-vjetorin
e Pavarësisë së SHBA-së dhe 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit
shqiptar
Në 160-vjetorin e lindjes dhe 80-vjetorin e vdekjes së një miku të nderuar të Shqipërisë
…Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si
mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj Shqipërinë, dashuroj burrat e
Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën, siç dashuroj burrat që i kanë dhënë lirinë
Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shqipëria i ka dhënë pesë imperatorë
Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjerë. E lashë Shqipërinë në
vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po lan gjynahet e
saj. Unë protestova kundër paudhësisë së Europës, kundrejt Shqipërisë, lashë
vendin tim zyrtar dhe ju siguroj, që unë besoj sa ajo ditë që unë protestova
për Shqipërinë, është dita më e lumtur e jetës sime… Tregtia e Amerikës duhet
të jetë e lirë për kombin shqiptar, që është vëllai i kombit amerikan. Unë jam
gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time.
Xhorxh Fred Uilliams
(Në mitingun
organizuar për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar, Boston, 7 Nëntor 1915)
U mbushën 160 vjet
nga lindja dhe 80 vjet nga vdekja e mikut të madh, atij që sakrifikoi gjithçka
për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, Xhorxh Fred Uilliams. Populli shqiptar me
fisnikërinë, bujarinë dhe çështjen e tij të drejtë ka bërë shumë e shumë miq të
sinqertë e të nderuar. Një nga këta është edhe Xhorxh Fred Uilliams (George Fred
Williams), ish–ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal
të Zi. (1913-1914)
Ai u njoh me
çështjen shqiptare dhe e përkrahu Shqipërinë në periudhën më të zezë të
historisë së saj, në vitin e kobshëm 1913. Erdhi për herë të parë në Shqipëri,
në Vlorë, i thirrur nga miku dhe bashkëpatrioti i tij Dankon për të parë me
sytë e vetë krimet çnjerëzore që kishin bërë shovinistët grekë kundër
popullsisë së pambrojtur shqiptare. Pa fëmijë, gra e pleq të masakruar rrugëve
dhe mbi 100.000 refugjatë shqiptarë nga krahinat jugore mbledhur në ullishtat e
Vlorës. Këto krime të paimagjinueshme e revoltuan dhe e drithëruan shpirtin
njerëzor e demokrat të Uilliamsit. Pas kësaj ai u kthye menjëherë në Athinë, ku
mori takim me zyrtarët më të lartë qeveritarë të Athinës, duke protestuar
ashpër, njoftoi qeverinë e tij në Amerikë dhe që nga ai çast nuk e ndërpreu
veprimtarinë e tij në mbrojtje të Shqipërisë. I ngarkuar me cilësinë e
vëzhguesit të qeverisë amerikane në Komisionin Ndërkombëtar për ndarjen e Kufijve
të Shqipërisë, Uilliamsi ngriti zërin dhe protestoi ndaj planeve për copëtimin
e Shqipërisë, duke thënë fjalën e vet me kompetencë si në mbledhje të ndryshme,
edhe në shtypin e kohës që gazetat dhe revistat amerikane, greke dhe angleze,
si dhe në shtypin shqiptar në Shqipëri dhe në atë të diasporës.
Qëndrimi i
Uilliamsit nuk i pëlqeu Europës dhe bënë ç’ishte e mundur për ta hequr qafe,
duke e akuzuar se kishte thyer normat protokollare, nga që i kishte tërhequr
vërejtjen qeverisë greke për masakrat në Shqipëri, duke mos e pasur këtë të
drejtë si diplomat pa marrë më parë autorizimin e qeverisë së vet. Prof. G.F.
Williams, si njeri me karakter dhe dinjitet, siç deklaron vetë, dha dorëheqjen
nga karriera diplomatike me këto fjalë të shkruara me dorën e vet:
“Dukej një detyrë
njerëzore, sheshazi për të shkye maskën që mbulonte diplomacinë europiane dhe
për të ekspozuar fytyrën e saj, të luere me gjak patriotësh dhe shikimin e
dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në
Athinë dhe mbasi qeshë i shtrënguar, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë
padrejtësi të fuqive europiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në
Greqi dhe në Mal të Zi, sikurse patjetër qesh i shtrënguar ta bënja. Drejtësia
dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë”.
Mbas këtij veprimi,
Uilliamsi iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare. Duke qenë dhe mik personal
dhe i adhuruar i Presidentit Wilson, ai mundi që të sensibilizojë opinionin
amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare me motive fisnike tepër humane: “Me
ndihmu një njeri është një bamirësi, me liru një popull nga zgjedha është një
bamirësi e pavdekshme”.
Libri “Shqiptarët”
është një ekstrakt i historisë shqiptare. U botua fillimisht në një revistë të
kohës që më 1914-1915 dhe më 1919 si libër i veçantë. Derisa arriti në atë
veprimtari, Uilliamsi u angazhua gjithashtu në një sërë mitingjesh në SHBA. Në
të parin që u mbajt më 7 nëntor 1915, krahas shumë amerikanëve dhe shqiptarëve,
midis të cilëve juristi Asa French, zonja dhe zoti Kenedi, të shquarit Fan
Noli, Kristo Dako e Parashqevi Qirjazi ishte edhe G. F. Williams. Në fund të
mitingut ai lexoi edhe rezolutën për mbrojtjen e çështjes shqiptare, botuar në
anglisht dhe shqip.
Vepra e këtij miku
të vërtetë të Shqipërisë gjithë kohën ka pasur dhe ka ruajtur vlerën e saj, por
ajo ka një vlerë të jashtëzakonshme sot, kur çështja kosovare dhe çështja çame
kanë dalë në evidencë dhe kërkojnë zgjidhje të drejtë dhe sa më të shpejtë,
ndërkohë Europa, atë që gatoi mbrapsht tetëdhjetë vjet më parë, ka shansin tani
ta rregullojë, duke larë kështu fajet e saj. Ndërkohë që Amerika jo vetëm me
diplomatin Williams, por edhe me anë të vetë ish- presidentit Wilson e ka thënë
fjalën e vet, që më se treçerek shekulli më parë, duhet ta thotë përsëri me forcë
dhe përfundimisht. Çështja shqiptare duhet zgjidhur drejt, kombi dhe tokat
shqiptare duhet të bashkohen. Këtë mesazh na dërgon e gjithë jeta dhe vepra e
G.F. Williams, e cila përshkohet fund e krye nga lufta për të mbrojtur dhe
respektuar të drejtat e njeriut, të cilat po ngrihen dhe mbrohen me aq shumë
forcë, kur Shqipëria dhe populli shqiptar kudo që ndodhet nuk do as më shumë se
çfarë thotë Karta e Helsinkit dhe ajo e Parisit për të drejtën e kombeve për
vetëvendosje dhe për të drejtat e njeriut.
Prandaj ne
shqiptarët e përkujtojmë dhe i përulemi me respekt këtij miku të madh, i cili
më 10 korrik pati përvjetorin e 160 të lindjes dhe më 11 korrik edhe
80-vjetorin e vdekjes.
Një popull
“Nobel”
Xhorxh
Fred Uilliams
Trimëria e
shqiptarëve nuk njeh kufi. Ata e përballojnë vdekjen dhe torturën pa asnjë
hezitim. Fjala e tyre një herë e dhënë është më e shenjtë se betimi i dhënë te
popujt e qytetëruar. Mikpritja e tyre s’ka të krahasuar. Ajo nuk pushon deri sa
të mos ngelë gjë për të ndarë e për të dhënë.
Shqiptarët
trashëgojnë pamundësinë për t’i fyer në nder. Kjo është një praktikë e
përjashtuar, sepse po i fyeve do të përballosh në mënyrë të detyruar larjen e
hesapeve me gjak.
Bajroni i ka bërë
homazhe kësaj race shqiptare pse e njohu personalisht dhe jetoi midis këtij
populli. Respekti për moshën është një nga karakteristikat e shqiptarëve. Ata
janë korrektë, të dashur kundrejt tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm. Në
momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre. Ata zbatojnë
urdhrin e tyre me saktësinë më të madhe. Fjalët e tyre dhe sjellja e tyre
shoqërohen nga dinjiteti.
Siç kemi thënë më
përpara, një fyerje ndaj tyre riparohet në mënyrë shumë të tmerrshme. Nuk
lejojnë servilizmin, lajkatarinë ose mosobligimin në një punë që jepet fjala.
Mikpritja gjen shprehjen më kuptimplotë në Shqipëri. Një fyerje që i bëhet një
mysafiri kap jo vetëm të zotin e shtëpisë, por gjithë fisin. Ai që vret
mysafirin dënohet nga fisi dhe vdekja e tij është e paevitueshme.
Shqiptarët janë të
fuqishëm. Gegët e Veriut janë më të lartë në trup se sa toskët e Jugut. Ata
janë gjithashtu më të rëndë, më kokëfortë dhe më këmbëngulës. Një shkrimtar kur
flet për malësorët shqiptarë i krahason ata me drerët e malit që hipin në shkëmbinjtë
më të thepisur dhe ecin nëpër ta, pa pasur frikën e rënies nëpër humnerat më të
llahtarshme dhe asnjë i gjallë s’mund të futet atje pa ekspozuar humbjen e
jetës. Besa ose fjala e nderit për shqiptarin është institucion i shenjtë. Një
fjalë e dhënë, pa e detyruar tjetrin, e shoqëruar me besë, duhet të respektohet
me çdo kusht dhe s’merret parasysh asnjë rrethanë. Një udhëtar i pajisur me
besë gëzon mbrojtjen e të gjithëve, ai është i shenjtëruar.
***
Virtytet e femrës
shqiptare janë unikale në botë. Kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore ndëshkohen
me vdekje. Në asnjë vend të botës një femër nuk gjendet në një siguri e
mbrojtje më të madhe se sa në Shqipëri.
Ai që vret një grua
dënohet me dënimin kapital. Femra në Shqipëri punon në shtëpi, por ajo është trajtuar
me respekt dhe zë në shoqëri një vend më të nderuar se në vendet e Lindjes. Një
shqiptare mund të udhëtojë nga një vend në tjetrin, në një siguri të plotë.
… Nënësia është
shumë e nderuar dhe kurorëzon fisnikërisht jetën e femrës. Dashuria dhe bukuria
luajnë një rol të vogël. Konsiderata për një femër rritet në përjetim me numrin
e fëmijëve që ka.
***
Që të kemi një paqe
komplete duhet të formohet një Shqipëri Autonome që të zotërojë lirinë në
mënyrë më të plotë. Shqipëria nuk mund të ndahet midis fqinjëve, ashtu siç nuk
mund të ndahet çdo vend i Europës.
Europa tashmë e ka
krijuar Shqipërinë e pavarur dhe s’duhet të hedhë poshtë pemët e saja, prandaj
ajo duhet ta mbështetë atë. Një Shqipëri e formuar mbi një plan federativ mund
të jetë një kërcënim për planin e Ballkanit. Ajo s’mund të ketë marinë që të
alarmojë Italinë ose Austrinë në Adriatik. Ndërtimi i rrugëve të hekurta dhe
përmirësimi i porteve të Shqipërisë do t’i japin Serbisë një dalje në det, në
Mesdhe. Ky rezultat mund të arrihet më me lehtësi në marrëveshje tregtare,
miqësore edhe paqësore se sa me tentativë pushtimi. Një Shqipëri e pavarur do
të inaugurojë një erë të re, duke zhvilluar normalisht dhe duke fituar
prosperitetin për të cilin ajo ka të drejtë. Shqipëria do të zëvendësojë me rrugë
të përshtatshme ato rrugë të këqija që ka sot. Ajo do të kthejë fshatrat në
qytete dhe këto qytete do t’i kthejë në qytete të lulëzuara.
Shqiptarët nuk kanë
vetëm të drejtë t’i kërkojnë Europës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe
dëmshpërblim. Europa e krishterë është e përgjegjshme për robërinë dhe
varfërinë e popullit shqiptar. Unë mund të dëshmoj që me gjithë protestat e
mija, Europa e krishterë është shkaku i eksodit të dhimbshëm të 100.000
fshatarëve që duhet t’i linin vatrat dhe pasurinë e tyre dhe të vinin si
refugjatë në Vlorë ku ata do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet, pa numëruar ata
që janë pa ndihmë dhe mbështetje.
***
Të krishterët
europianë duhet të punojnë për të lehtësuar mizerjen nga skllavëria e
pamerituar e shqiptarëve. Shtetet e Bashkuara që kanë fatin të kenë një qeveri
që qeveris një shtet të lirë, i dalë nga vullneti i popullit sovran, qeveri që
përpiqet nga dita në ditë që të sigurojë përparimin, lulëzimin dhe që ka dhënë
mbi të gjitha dashurinë për të ardhmen, Shteteve të Bashkuara i bije për detyrë
t’i rrethojë shqiptarët me këtë vëllazërim, me këtë dashuri njerëzore që s’e
kanë njohur deri tani.
Kundër gjithë
gënjeshtrave dhe akuzave se shqiptarët janë egërsira unë citoj fjalët e
Eriksonit, këshilltar amerikan, që ata e kanë dashur dhe e duan, pse ai ka
punuar e jetuar midis tyre.
“Nuk ka popull më të dëshirueshëm dhe më të dashur në gjithë Europën se
Shqiptarët. Ata kanë në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajon,
të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme!”.
Njerëzit e
Shqipërisë shohin te Krishti dhe Muhamedi dy profetë që i nderojnë si të tillë.
Ç’fatkeqësi! Ata i thërrasin më kot! Si njeri e si tjetri të ndihmojnë vendin e
tyre. O Krisht! O Muhamed! Kujt t’i drejtohen që të drejtat e tyre tashmë të
njihen?
Jam i bindur se
popujt që po luftojnë (në Luftën e Parë Botërore- MG) me aq ashpërsi, një ditë
do ta përfundojnë atë, dua të them që këtij konflikti mizor do t’i vijë fundi.
Ata duhet të dëgjojnë Zotin dhe duhet t’i sigurojë Shqipërisë lirinë.
Shpresat dhe sytë e
së gjithë botës janë drejtuar drejt paqes, në bazë të së cilës duhet të
krijohet një vëllazërim dhe kooperim intim i frymëzuar nga ndjenjat njerëzore e
jo të forcës.
Kjo paqe do t’i
njohë çdo race edhe çdo kombi të drejtën e ekzistencës. Në këtë mënyrë, nuk do
të jenë më të penguar, nga barrikadat artificiale, të ngritura me vështirësi të
pakapërcyeshme për mbrojtje dhe që për to popujt duhet të sakrifikojnë kohën e
tyre më të mirë, paratë dhe shpirtin e tyre.
“L’Albania”,
Zvicër, Nr. 7 16.12.1915