E premte, 26.04.2024, 05:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Inspirime lirike mbi flatrat e ëndërrës

E hene, 02.07.2012, 07:58 PM


INSPIRIME LIRIKE MBI FLATRAT E ËNDRRËS

(Baki Ymeri, Poema të mëndafshta, TipoMoldova, Jash 2012)

Pesë libra të botuara në veri të Danubit dhe dy në Tetovë, një listë të cilës i shtohen edhe dy monografi për Shqiptarët e Rumanisë, disa antologji të përbashkëta, dhe 60 tituj tjerë autorësh shqiptarë dhe rumunë, të prezantuar me nga një vëllim poetik. Para nesh kemi një vullkan të pashtershëm energjishë shpirtërore, sentimentale, morale, filozofike, patriotike dhe erotike.

Nga Fatmir Minguli

Kam fatin të jem shqiptari i parë i Shqipërisë që shkruan për dritën shqiptare të Bukureshtit që nuk shuhet kurrë. Jo për “Dritën” e Nikolla Naços e kam fjalën por për një veteran të ri që ndjek shembullin e tij. Duke lexuar librin më të ri të këtij krijuesi shqiptar, pa dashur  vihesh para një lloj dileme. Është një lloj ndrojtjeje që i lind kritikut para se të konkludojë disa ide apo përcaktime teorike për risitë dhe veçantitë e poetit respektiv. E ndrojtja shkon në favor të dyfishtë, edhe të autorit dhe të kritikut, e pastaj lexuesi sikur është më komod, tek lexon poezitë e bukura e kendjellëse të këtij libri. Faktikisht, pas dy vëllimeve të para (Kaltrina dhe Dardania) me poezi bilingve (shqip/rumanisht), libri i tij i fundit (Poema të mëndafshta, në origjinal “të pushta”), ka dalë në gjuhën rumune, ndërsa lëndën shqipe na e ka dërguar përmes internetit, jo për vlerësime kritike, por për lumturimin e shpirtit. Në ndërkohë, B. Y. ka botuar edhe katër vëllime tjera (gjithsejt shtatë): Zjarr i shenjtë (shqip), Rruga e ferrit për në parajsë dhe Ëndërr për ta vjedhur (rumanisht) dhe Unë e shoh Sizifin (shqip). Pesë libra të botuara në veri të Danubit dhe dy në Tetovë, një listë të cilës i shtohen edhe dy monografi për Shqiptarët e Rumansisë dhe 60 tituj tjerë autorësh shqiptarë dhe rumunë, të prezantuar me nga një vëllim poetik.

      I njohur në shtypin rumun si “Poet i dashurisë”, Baki Ymeri tashmë ka krijuar një eksperiencë brilante në fushë të artit letrar. Ai njihet si një publicist i mirë që i freskon permanentërisht faqet e shtypit shqiptar me vlera të reja, si një arkiv ende i pashpërblyer nga shteti shqiptar për qindra libra e vlera të vjetra shqiptare që ka zbuluar në Bukuresht e Brailë, por edhe si një kultivues i palodhur i poezisë, për aq më tepër tek përvoja e tij për të përkthyer poezi nga shqipja në rumanisht, dhe anasjelltas. Bubullima e Bukureshtit njihet edhe si autor i disa antologjive poetike me poetë rumunë e shqiptarë, si dhe frymëzues dhe drejtues i revistës  Albanezul, e ripërtëritur, revistë dinjitoze me një jetë shumë të gjatë (1888-2012), e me vlera të mëdha që përforcojnë miqësinë shekullore midis dy popujve të dashur që dikurë ishin fqinj, para dyndjes sllave në Ballkan. Prandaj e thash që në fillim se ndrojtja ime është e drejtë, se duhet një studim serioz për vlerat e këtij poeti, për të cilin kritika nga studjues rumunë e shqiptarë është e larmishme dhe shumë vlerësuese. Dhe unë jam në një pozicion të tillë, nga ku dua të "qëlloj" në shenjë, pa pretendime të një studimi të mirëfilltë sintetik dhe analitik, siç e meriton kjo dritë shqiptare që shkrin ditët e netët për një ideal të shenjtë.

Poezitë e Bakiut (i njohur si Alban Voka apo Bubullima e Bukureshtit), janë të shumëllojshme, jo vetëm si subjekt por dhe si formë. Nga një kapitull te tjetri, ne shohim jetën e Rumanisë dhe të njerëzve të saj nëpërmjet kaleidoskopit manjetik të poezisë, duke fiksuar herë pas here shqiptarët në skenat e jetës rumune. Është intersektimi i ndërsjelltë  që autori di ta vërtisë  me marifet, duke përdorur fyshekzjarre të shumta drejt një qëllimi të caktuar: femrën dhe dashurinë njerëzore mbi planetin që e ka emrin Tokë. Në poezitë e tij shëtisin lirshëm flamujt e atdheut, biblioteka e sentimenteve letrare, librat e shumtë, gjinjtë e mahnitshëm të femrës, historia e lidhjeve farefisnore rumuno/ shqiptare, meditimet filozofike, dhe së fundi, dëshira për të dhënë diçka të re në poezinë europiane. E kjo dëshirë është patjetër ripërtëritja e artit poetik, për të cilën ai punon me vrullin e një hulumtuesi të pasionuar shkencor. Po të ndjejmë e kuptojmë thellë në qeliza poezinë e mëposhtëme do të dalim në thelbin e vërtetë të teknikës së ciklit  Ars poetica: Madje dhe atëhere kur dashuria jote/ Përsëri mbyllej  në burbuqe/ Dhe vinte ai çasti, Prej të cilit trëmbeshim  të dy. A nuk sillet arti poetik i Horacit të lashtësisë që u restaurua nga Archibald MacLeish dhe më vonë nga nobelisti Milosz Czeslav? A nuk është hapja dhe çelja e trandafilit një kthim e rikthim, ashtu siç e kërkon thelbi/bërthama/esenca e artit poetik. 

Arti i dashurisë dhe poetika e shpirtit.

Kërkimet poetike në historinë e poezisë janë të pafund, por çuditërisht kanë lidhje organike me njëra tjetrën. Kështu, në vazhdën e kërkimeve me emrin kyç Ars,  ne gjejmë dhe triumfet e Ars vetus  ose Ars antique, që çuan në  ndryshime themelore të Ars nuova të shek.12-të. Dhe pa u zgjatur në këto probleme teorike, vlen të theksohet merita e poezisë së Baki Ymerit, e cila konsiston në futjen e konceptit të ri  atë të sinergjisë poetike. Kjo sinergji në fund të fundit e ka burimin fillestar pikërisht te Ars poetica. Sinergjia te poezitë e Baki Ymerit duket haptas, në shumë poezi ku ai guximshëm njëherazi në një poezi të vetme fut disa fenomene, subjekte, histori e dashuri njerzore dhe dashurinë e veçantë ndaj bukurisë së femrës. Të futura së bashku në strofa delikate, efekti  i mendimit jepet më fuqishëm. Kështu ndodh në poezitë e ndryshme të klasifikuara edhe ato sinergjikisht.

Vetë titujt e kapitujve flasin bukur për idetë komplekse të autorit, si psh "Argumentat e dritës", apo "Ars poetica", që flet shumë për ambicjet e poetit, apo "Kaq e ëmbël dhe e bukur", dhe bashkë me të "Kaltrina" magjike. Autori fut kudo jetën e tij, të popullit të tij dhe atij rumun, duke mos harruar arumunët e dashur edhe në Shqipëri. Me të drejtë studjuesja  rumune Victoria Milescu thotë: “Baki Ymeri është Shqiponja e Dardanisë në trojet tona. Biografia e tij është guna e poezisë së tij, burim i autencitetit dramatik.". Baki Ymeri duke filozofuar me praktikën e një bardi popullor, e njeh Zotin dhe Jezu Krishtin, dhe paralelisht hidhet në impresionizma elegante ku mendimi poetik për hyjnoren dhe tokësoren përbëjnë për një qëndrim delikat (E mbështjellë në fjalët e mia). Lojrat filozofike duken bukur në poezinë "Ylber" ndërsa si një poezi personifikuese është ajo që titullohet "Duke kaluar nëpër Rumani", ku me  zgjuarsi jep lidhjen e historisë me detin, natyrën dhe bukuritë e femrës rumune.

Në kuadrin e disa komenteve apo letrave private, Bubullima shkrep nga një here me ndonjë vërejtje të “papjekur”, siç vepronte edhe Konica dikurë, pastaj tërhiqet në trojet e shpirtmirësisë si tij të veçantë. Nuk janë larg vëmëndjes dhe qëndrimet revoltuese ku janë trajtuar me burrëri fatet e shqiptarëve në emigracionin e përgjithshëm (Këngë e lashtë, Fletëpagesë, etj.). Duke iu përmbajtur poezive që janë nën okielon e Ars poetica, shpesh B. Y. shfaqet modernist ku mendimin e mëparshëm e kthen si një magjistar i kalamendur në një lloj “ngatërrese” ku më në fund, kjo “ngatërresë” del e bukur, triumfale dhe e dobishme. Thuajse kemi para nesh një vullkan të pashtershëm energjishë shpirtërore, sentimentale, morale, filozofike, patriotike dhe erotike. Në poezinë "Parajsë "spikat pikërisht ky  “ngatërrim” poetik: Nga pasuritë e kahershme/ pas tremijë  vjetësh/ të kanë mbetur vetëm arti i dashurisë dhe poetika e shpirtit.

Në librin e tij më të ri (Poema të mëndafshta), njësoj si te Zjarri i Shenjtë, Baki Ymeri kombinon në një shkrirje magmatike (sinergjike) eposin shqiptar, abstragimet me shqiponjën, bilbilin, bukurinë e vllahinkës, fjalët e përbashkëta të dy popujve miq, Shipkovicën e të tjera trille poetike të cilat i japin ngjyra mjeshtërore stilit të tij, ku perfundimisht pluskon energjia shqiptare, sinqeriteti i njeriut dhe i poetit. Gjeografia e shpirtit është një komponentë tjetër e magmës sinergjike të poezisë së B. Y. Ai shpesh, papritmas, tek flet për erotizmin elegant, shpërthen në problemet e diasporës shqiptare, kësaj plage të hapur, jo vetëm për ne. Ai përmend Çamërinë si një brengë akute shqiptare e pastaj lehtazi na jep një poezi për Dardaninë. Për librin e ri poetik të B. Y. mund të shkruhet më shumë, por mjafton të them se ai na ka dhënë risi në poetikë dhe vjen si një reformator i pjekur i stilit  Ars poetica. U urojmë udhëtim të këndshëm poezive të Baki Ymerit, jo vetëm në tokën e bukur rumune!



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora