| E hene, 02.07.2012, 07:58 PM |
INSPIRIME
LIRIKE MBI FLATRAT E ËNDRRËS
(Baki Ymeri, Poema të mëndafshta, TipoMoldova, Jash 2012)
Pesë libra
të botuara në veri të Danubit dhe dy në Tetovë, një listë të cilës i shtohen
edhe dy monografi për Shqiptarët e Rumanisë, disa antologji të përbashkëta, dhe
60 tituj tjerë autorësh shqiptarë dhe rumunë, të prezantuar me nga një vëllim
poetik.
Nga Fatmir Minguli
Kam fatin
të jem shqiptari i parë i Shqipërisë që shkruan për dritën shqiptare të Bukureshtit
që nuk shuhet kurrë. Jo për “Dritën” e Nikolla Naços e kam fjalën por për një veteran
të ri që ndjek shembullin e tij. Duke lexuar librin më të ri të këtij krijuesi
shqiptar, pa dashur vihesh para një lloj dileme. Është një lloj
ndrojtjeje që i lind kritikut para se të konkludojë disa ide apo përcaktime
teorike për risitë dhe veçantitë e poetit respektiv. E ndrojtja shkon në favor
të dyfishtë, edhe të autorit dhe të kritikut, e pastaj lexuesi sikur është më komod,
tek lexon poezitë e bukura e kendjellëse të këtij libri. Faktikisht, pas dy vëllimeve
të para (Kaltrina dhe Dardania) me poezi bilingve (shqip/rumanisht), libri i
tij i fundit (Poema të mëndafshta, në origjinal “të pushta”), ka dalë në gjuhën
rumune, ndërsa lëndën shqipe na e ka dërguar përmes internetit, jo për vlerësime
kritike, por për lumturimin e shpirtit. Në ndërkohë, B. Y. ka botuar edhe katër
vëllime tjera (gjithsejt shtatë): Zjarr i shenjtë (shqip), Rruga e ferrit për në
parajsë dhe Ëndërr për ta vjedhur (rumanisht) dhe Unë e shoh Sizifin (shqip). Pesë
libra të botuara në veri të Danubit dhe dy në Tetovë, një listë të cilës i
shtohen edhe dy monografi për Shqiptarët e Rumansisë dhe 60 tituj tjerë autorësh
shqiptarë dhe rumunë, të prezantuar me nga një vëllim poetik.
I njohur në shtypin rumun si “Poet i dashurisë”,
Baki Ymeri tashmë ka krijuar një eksperiencë brilante në fushë të artit letrar.
Ai njihet si një publicist i mirë që i freskon permanentërisht faqet e shtypit
shqiptar me vlera të reja, si një arkiv ende i pashpërblyer nga shteti shqiptar
për qindra libra e vlera të vjetra shqiptare që ka zbuluar në Bukuresht e Brailë,
por edhe si një kultivues i palodhur i poezisë, për aq më tepër tek përvoja
e tij për të përkthyer poezi nga shqipja në rumanisht, dhe anasjelltas. Bubullima
e Bukureshtit njihet edhe si autor i disa antologjive poetike me poetë rumunë e
shqiptarë, si dhe frymëzues dhe drejtues i revistës Albanezul, e ripërtëritur,
revistë dinjitoze me një jetë shumë të gjatë (1888-2012), e me vlera të mëdha që
përforcojnë miqësinë shekullore midis dy popujve të dashur që dikurë ishin
fqinj, para dyndjes sllave në Ballkan. Prandaj e thash që në fillim se ndrojtja
ime është e drejtë, se duhet një studim serioz për vlerat e këtij poeti, për
të cilin kritika nga studjues rumunë e shqiptarë është e larmishme dhe shumë vlerësuese.
Dhe unë jam në një pozicion të tillë, nga ku dua të "qëlloj" në shenjë,
pa pretendime të një studimi të mirëfilltë sintetik dhe analitik, siç e meriton
kjo dritë shqiptare që shkrin ditët e netët për një ideal të shenjtë.
Poezitë e
Bakiut (i njohur si Alban Voka apo Bubullima e Bukureshtit), janë të shumëllojshme,
jo vetëm si subjekt por dhe si formë. Nga një kapitull te tjetri, ne shohim jetën
e Rumanisë dhe të njerëzve të saj nëpërmjet kaleidoskopit manjetik të poezisë,
duke fiksuar herë pas here shqiptarët në skenat e jetës rumune. Është intersektimi
i ndërsjelltë që autori di ta vërtisë me marifet, duke përdorur
fyshekzjarre të shumta drejt një qëllimi të caktuar: femrën dhe dashurinë njerëzore
mbi planetin që e ka emrin Tokë. Në poezitë e tij shëtisin lirshëm flamujt e
atdheut, biblioteka e sentimenteve letrare, librat e shumtë, gjinjtë e mahnitshëm
të femrës, historia e lidhjeve farefisnore rumuno/ shqiptare, meditimet
filozofike, dhe së fundi, dëshira për të dhënë diçka të re në poezinë europiane.
E kjo dëshirë është patjetër ripërtëritja e artit poetik, për të cilën ai punon
me vrullin e një hulumtuesi të pasionuar shkencor.
Arti i dashurisë dhe poetika e shpirtit.
Kërkimet
poetike në historinë e poezisë janë të pafund, por çuditërisht kanë lidhje
organike me njëra tjetrën. Kështu, në vazhdën e kërkimeve me emrin kyç Ars,
ne gjejmë dhe triumfet e Ars vetus ose Ars antique, që çuan në
ndryshime themelore të Ars nuova të shek.12-të. Dhe pa u zgjatur në këto
probleme teorike, vlen të theksohet merita e poezisë së Baki Ymerit, e cila
konsiston në futjen e konceptit të ri atë të sinergjisë poetike. Kjo
sinergji në fund të fundit e ka burimin fillestar pikërisht te Ars poetica. Sinergjia
te poezitë e Baki Ymerit duket haptas, në shumë poezi ku ai guximshëm njëherazi
në një poezi të vetme fut disa fenomene, subjekte, histori e dashuri njerzore
dhe dashurinë e veçantë ndaj bukurisë së femrës. Të futura së bashku në strofa
delikate, efekti i mendimit jepet më fuqishëm. Kështu ndodh në poezitë e
ndryshme të klasifikuara edhe ato sinergjikisht.
Vetë titujt
e kapitujve flasin bukur për idetë komplekse të autorit, si psh "Argumentat
e dritës", apo "Ars poetica", që flet shumë për ambicjet e
poetit, apo "Kaq e ëmbël dhe e bukur", dhe bashkë me të "Kaltrina"
magjike. Autori fut kudo jetën e tij, të popullit të tij dhe atij rumun, duke
mos harruar arumunët e dashur edhe në Shqipëri. Me të drejtë studjuesja
rumune Victoria Milescu thotë: “Baki Ymeri është Shqiponja e Dardanisë në trojet
tona. Biografia e tij është guna e poezisë së tij, burim i autencitetit
dramatik.". Baki Ymeri duke filozofuar me praktikën e një bardi
popullor, e njeh Zotin dhe Jezu Krishtin, dhe paralelisht hidhet në impresionizma
elegante ku mendimi poetik për hyjnoren dhe tokësoren përbëjnë për një qëndrim
delikat (E mbështjellë në fjalët e mia). Lojrat filozofike duken bukur në poezinë
"Ylber" ndërsa si një poezi personifikuese është ajo që titullohet "Duke
kaluar nëpër Rumani", ku me zgjuarsi jep lidhjen e historisë me
detin, natyrën dhe bukuritë e femrës rumune.
Në kuadrin
e disa komenteve apo letrave private, Bubullima shkrep nga një here me ndonjë vërejtje
të “papjekur”, siç vepronte edhe Konica dikurë, pastaj tërhiqet në trojet e
shpirtmirësisë si tij të veçantë. Nuk janë larg vëmëndjes dhe qëndrimet
revoltuese ku janë trajtuar me burrëri fatet e shqiptarëve në emigracionin e përgjithshëm
(Këngë e lashtë, Fletëpagesë, etj.). Duke iu përmbajtur poezive që janë nën
okielon e Ars poetica, shpesh B. Y. shfaqet modernist ku mendimin e mëparshëm e
kthen si një magjistar i kalamendur në një lloj “ngatërrese” ku më në fund, kjo
“ngatërresë” del e bukur, triumfale dhe e dobishme. Thuajse kemi para nesh një vullkan
të pashtershëm energjishë shpirtërore, sentimentale, morale, filozofike,
patriotike dhe erotike. Në poezinë "Parajsë "spikat pikërisht
ky “ngatërrim” poetik: Nga pasuritë e kahershme/ pas tremijë
vjetësh/ të kanë mbetur vetëm arti i dashurisë dhe poetika e shpirtit.
Në librin e tij më të ri (Poema të mëndafshta), njësoj si te Zjarri i Shenjtë, Baki Ymeri kombinon në një shkrirje magmatike (sinergjike) eposin shqiptar, abstragimet me shqiponjën, bilbilin, bukurinë e vllahinkës, fjalët e përbashkëta të dy popujve miq, Shipkovicën e të tjera trille poetike të cilat i japin ngjyra mjeshtërore stilit të tij, ku perfundimisht pluskon energjia shqiptare, sinqeriteti i njeriut dhe i poetit. Gjeografia e shpirtit është një komponentë tjetër e magmës sinergjike të poezisë së B. Y. Ai shpesh, papritmas, tek flet për erotizmin elegant, shpërthen në problemet e diasporës shqiptare, kësaj plage të hapur, jo vetëm për ne. Ai përmend Çamërinë si një brengë akute shqiptare e pastaj lehtazi na jep një poezi për Dardaninë. Për librin e ri poetik të B. Y. mund të shkruhet më shumë, por mjafton të them se ai na ka dhënë risi në poetikë dhe vjen si një reformator i pjekur i stilit Ars poetica. U urojmë udhëtim të këndshëm poezive të Baki Ymerit, jo vetëm në tokën e bukur rumune!