Kulturë
Baki Ymeri: Dimensionet universale të një krijuesi shqiptar
E diele, 17.06.2012, 08:47 AM
Botime të reja bukureshtare
Dimensionet universale të një krijuesi shqiptar
Nga Baki Ymeri
Vetëm
shpirtërat e mëdhenj mund ta kuptojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të karakterit
dhe mirësisë. Për të gjithë ne, karakteri njerëzor implikon logjikën e vlerës. Poetët
e Kosovës dëshmojnë një pjekuri të jashtëzakonshme kur vjen fjala për karakter,
vlera lirike dhe mirësi shpirtërore. Nëpërmjet veprës së vet, autori konfirmon
bindjen se arrin nëpërmjet profesionalizmit dhe mbahesh nëpërmjet karakterit. Vlera
e një teksti të mirë, i kapshëm edhe për opinionin e huaj, është platforma
fundamentale e mendimit dhe njohjes. Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet
e autorit, por edhe në tekstet e mendimtarëve të huaj për shkrimtarët shqiptarë.
Në këtë kontekst shquhen Ali Podrimja si poet kombëtar, Sali Bashota si poet
vlerash universale, madje, pse jo, edhe Sabile Keçmezi Basha, Skënder R. Hoxha,
Miradije Ramiqi, Nexhat Rexha etj. Monika Mureshani është një nga poeteshat dhe
eseistet më të mira të Bukureshtit që shkruan me admirim për vlerat shpirtërore
të krijuesve tanë, autore e vëllimit me vështrime kritike “Kosova letrare” (Editura
Rafet, 2010).
Libri më i
ri i Skënder R. Hoxhës (Udhëkryqet e Fata Morganës) që e pa këto ditë dritën e
botimit në Bukuresht, konform autorit të parathënies (M. Mureshan), është krijuar
nga një serë temash e subjektesh që reflektojnë gjendje, prekshmëri, sentimente
dhe përjetime të sinqerta, të thella, emocionale, bindëse dhe autentike. Ideja qëndrore e kësaj
vepre briliante, që del në formë vëllimi të shtypur në një edicion bilingv (shqip-rumanisht),
është dimensioni mistik dhe fizik i botës. Ky subjekt fisnik dhe i pasur me një
gamë kuptimesh, gërshetohet, sa me produktin poetik, po aq edhe me atë estetik.
Në sfond, në funksion të kësaj përmbajtjeje, njerëzit mund të jenë heronj e të ndritur,
apo të damkosur e të terratisur. Kryqëzimet mes tyre prodhojnë, mes tjerash,
motive për të shkruar poezi me një „zemër të plasur”, sepse vetëm kështusoj, siç
shprehet një bashkatdhetar i tij: poezia flet me gjuhën e shpirtit.
Sipas
kritikës rumune “vërejmë te Skënder R. Hoxha një ndjenjë të veçantë të kapjes së
esencës, të asaj që të befason. Nga disa linja skematike dalin në pah disa veti
përcaktuese, ndërsa partikularitetet shpiejnë drejt të përgjithshmes. Kështusoj
mund të lapsërohen portrete duke arritur në një plan të përgjithshëm të manifestimit
si pjesë e një tërësie në poezi, si Testamenti i nënës apo Jeta, me mundime e
tundime, që të jep e të merr, “të afron dritë” e “të lë në terr”, apo në portrete
në grup – Rruga e vështirë e mësuesve tanë, “U kujtoj për rrugën e gjatë të shkronjave/Për
t’na dhënë gjirin e gjuhës së nënës”, duke u nisur ndërkaq në rastet e shumta
nga vende apo fakte të jetës, pra nga fragmentarja drejt të veçantës dhe të përgjithshmes.”
Shkrimtarët rumunë shkruajnë me admirim për krijuesit tanë, duke botuar madje
edhe vëllime me vështrime kritike, si “Dardania e zemrave tona” (Mihai
Antonescu), apo “Me shpirtin në buzë” (Marius Chelaru), kurse disa nga
krijuesit tanë nuk janë në gjendje as faleminderit t-u thonë. Jo për të gjithë e
kemi fjalën, por vetëm për disa personulitete kafeneshë që i mundon ndjenja e
xhelozisë, komplekset e mahnitjes aziatike dhe pandjeshmërisë ballkanike.
Libri i
Skënder R. Hoxhës strukturohet në shtatë cikle: Sibilat nëpër kohë zezonash,
Udhëkryqet e Fatamorganës, Mituria ime e plakur, Përkushtime, Atje dergjet
dashuria jonë, Atdheu thërret, dhe: E thërras kujtimin. Në këtë vepër vlerash të
veçanta, defilon logjika konstruktive me një gamë vlerash shpirtërore,
traditash kombëtare: atdheu, heronjtë, flijimi i tyre dhe krenaria që e zgjojnë
zemrën e hatshme shqiptare me të cilën, sipas autorit të parathënies, “fisërohemi
përmes gjakut të historisë.” Të gjitha këto, së bashku me retorikën dhe
elokuencën që e hasim në evokimet dhe hymnizimin e disa figurave legjendare nga
e shkuara e largët apo nga epoka moderne, reflektojnë personalitete të shquara
shqiptare që e kanë merituar depërtimin në mosharresë. Gjerësia e detajit shfrytëzohet sidomos në ato
rekonstituime evokative të memorjes afektive, që transformohet në një farë kujtese
të ngjarjeve që i ringjall në hapësirën virtuale të poezisë.
Në këtë rast,
thekson M. Mureshan, shkrimi është deskriptiv, me elemente të sqenografisë, dhe
më shumë narativ se sa lirik, apo, nëse mund të thuhet kështu, në rrugëkryq të këtyre
gjinive. Deshifrojmë në këtë kontekst edhe një farë mjeshtrie të ushtruar në logjikën
e eseut poematik në vargje si „Hap perdenë e dritës” (Përmbysja), apo te Koha që
rrokullisej duke e vënë vetullën në brigjet e oqeanit, me „kalorës të luginave
të rimuara me lotë”. Të mos harrojmë të nënvizojmë edhe retorikën dhe elokuencën
që e hasim sidomos në evokimet dhe hymnizimin e disa figurave të shquara
shqiptare në tekste elegjiake që nuk janë improvizime por ide gjatë kohë të bluajtura
në mullirin e mendimit, të kaluara pastaj përmes kufirit të zemrës dhe të transponuara
në fjalë. Mu për këtë, këto vargje të diellëzuara, shpeshherë kanë një ajër të freskët
dhe një tingull hijerëndë. Tjetërherë diskursi poetik mvishet me një pelerinë të
hollë elegjiake, ceremoniale, në një mbishtresë të do gjendjeve të brendshme
vlerash refleksive.
Na është bërë
shprehi që gjatë përkthimit të një vepre, para se ta shohë dritën e botimit,
disa cikle me poezi t-ia transmetojmë shtypit. Vlen të theksojmë në këtë kontekst
se revistat respektive si Nomen Artis apo Constelatii diamantine, e prezantuan
autorin me nga dy faqe me nga 20 poezi, gjë që dëshmon se shqiptarët kanë vlera,
dhe se logjika e vlerës është logjika e procesit të njohjes metafizike,
refleksive, metaforike, mendimtare, atdhetare dhe universale. Monika thekson më
tej se libri që kemi përpara na duket si një pako lojërash në një suitë që krijohet
sipas një algoritmi apo rregullash që kanë nevojën dhe domosdodhmërinë e vet të
brendshme. Asgjë nuk është e rastësishme, sepse, faktikisht, pakoja iniciale është
krijuar nga një seri temash e subjektesh që reflektojnë gjendje, prekshmëri,
sentimente dhe përjetime të sinqerta, të thella, emocionale dhe/apo bindëse, me
siguri autentike, duke e anashkaluar, pa e dëbuar totalisht regjistrin e rëndë të
dhembjes dhe trishtimit apo melankolisë.
Kështusoj, konform mendimit kritik të autorit të parathënies, të jepet mundësia që nga çdo anë e subjekteve respektive të krijosh nga një libër, apo, aq më shumë, të dëshmosh një unitet dhe kontinuitet ideshë që e konstruktojnë platformën duke u bazuar mbi ekuilibrin e brendshëm të autorit. Kjo gërshetohet, apo më mirë thënë, shkallëzohet në fragmente gjendjesh, pikërisht për të dialoguar me lexuesit përmes peshës së fjalës së tij të ngarkuar me një mision të veçantë poetik. Njësoj siç loja ka nevojë për të gjitha letrat, qofshin ato me vlera më të mëdha apo më të vogla, duke determinuar ngjitje apo zbritje të tensionit të protagonistëve (të përfaqësuar përmes figurave si portrete të krijuara), pokështu edhe tekstet poetike ngjiten apo zbresin sipas manifestimit, duke e shtuar në këtë mënyrë tensionin lirik.
Poezi që reflektojnë vlera autentike
Poet i
strukturës klasike, Skënder R. Hoxha sipas kritikës rumune, i tubon emocionet
dhe ndjenjat në suita tekstesh. Nga ato që kanë ridalë nga ky proces i
eksteriorizimit të një fluksi filozofik (poetik apo estetik), lexuesi do t’i vërejë
ato të tonit elegjiak, duke nënvizuar portrete të skicuara me pak fjalë, por përmes
një fjalori të pasur. Një temë e njëjtë, e trajtuar nga pozita të ndryshme (gjendje
shpirtërore: shqetsime, melankoli, dhembje, avertizim, frikë apo krenari), që trasojnë
dhe krijojnë një spirale që do të amplifikohet, madje zvoglohet, të gjitha këto
duke qenë të gjeneruara nga një qenje e brishtë humane, gjë që të shpie me
mendimin në antropi e jo entropi, duke u ndjerë në të njëjtën kohë „dora e
njeriut”, respektivisht dora, dëshira dhe mendja e autorit.
Vlera është
një element i nevojshëm për përbërjen e koncepteve estetike dhe gjykimeve analitike.
I kundruar në planin estetik, në këtë vepër duket se është më shumë prezente
dora e një piktori se sa e një grafisti, duke e mbushur hapsirën me disa përjetime
apo shprehje të këndshme, dhe duke i “ntrashur” tushat e do gjendjeve dhe
shprehjeve për të nyancuar kështusoj, në mënyrë të mugët dhe në stil të veçantë
e të panjohur/pabotuar, atë subjekt të përbashkët të poetëve shqiptarë, sidomos
të sivëllezërve tanë nga Kosova. Kosova sipas autorit të parathënies, është një
zonë e veçantë vlerash kombëtare e shpirtërore, vatër traditash e heronjsh, një
hapësrië etnike ku nuk mund ta “luajë” çdokush lojën, sepse shumë nga shëmbëlltyrat
e shtypura në ato copë letrash, janë faktikisht faqe të historisë të cilën
duhet ta njohish më parë, për ta çmuar vlerën e vërtetë të jetës, sepse jeta është
një lojë e thjeshtë e letrave.
Për atë,
në mbarim, duke e përmbyllur librin e këtyre „kryqëzimeve”, të duket se
pothuajse e ke përvetësuar mënyrën e lojës në këtë hapsirë virtuale të Fata
Morganës. E ke parasysh, kështu, atë „lis të rrahur nga stuhitë”, ke dëgjuar „pëshpëritjen
e vdekjes së madhe”, ke përjetuar „pranverën e ftohtë në Shqiponjë”, atje ku „mbrëmja
qëndis testamentin”, ke kaluar pranë kullave të Dukagjinit dhe shkrepave të Rugovës,
apo, nëpërmjet një hiperbole të përbërë nga „gjurmët e gjakut”, ke kuptuar se
ndër të parët, Ramë plaku i përqafon brigjet e rrugës, apo faktin se Dardania në
gjuhën shqipe don të thotë „Planeti i dardhave”, por edhe faktin se dikur,
dikush ia ka dhënë poetit dhuntinë dhe „arin e dashurisë”, si pasojë e së cilës
„çdo kujtim ka ngjyrën e dashurisë”. Me
siguri, në hapësirën e mendimit të tij, përmes raportimit të një dimensioni të veçantë,
përfundon mendimin e saj për këtë libër, poetesha rumune, Monika Mureshan.