E premte, 26.04.2024, 12:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Zhdukja e kryeveprave të artit shqiptar

E merkure, 02.04.2008, 07:15 PM


Shkruan: Ben Andoni

“I urituri” i Paskalit
Zilja e telefonit në Galerinë Kombëtare (GKA) nuk pushonte. Kur më në fund eprori i GKA-së e mori receptorin gjërat ishin të prera. Duhen kaq piktura. Dhe, sa më shpejt të ishte e mundur. Përzgjedhja të ishte e mirë. Ishte pragvizita e Presidentit amerikan G.W.Bush dhe gjërat nuk diskutoheshin. Kuptohet se pakkush e ka dëgjuar drejtorin e GKA-së para këtij urdhri, që ai vetë më vonë do e shprehte si marrëveshje mirëkuptimi. Madje, ai kishte bërë punën e përshtatjes së tyre në interior, me fjalët e tij. ”Të paktën do të jenë në kushte optimale dhe falë kushteve të aklimatizimit, ato do të jenë mirë”, u tha atëherë gazetarëve.
Kjo nuk ishte hera e parë. Për hir të së vërtetës, veprat e GKA-së kanë dalë shpesh nga institucioni për t’i stolisur paretet e varfra të dikastereve shqiptare. Ndërsa vetë ministrat, që kanë bërë tenderë gjithfarëlloj, e kanë pasur të vështirë të pasurojnë fondet e zyrave të tyre. Kur ka ardhur dekiku... një telefon tek vartësit e shumëbindur të GKA... dhe gjërat kanë marrë fund me shkopin magjik.

Veprat e humbura

Ajo që të bën të shqetësohesh është se asnjëherë institucionet nuk e panë artistin si njeriun e krijimit. Por, thjesht si robotin krijues. Institucionet e ndryshme, që patën veprat e tyre, jo vetëm nuk u kujdesën në periudhën e tranzicionit, por e lanë në dorë të njerëzve të papërgjegjshëm fatin e tyre. “Vepra të humbura mendohet se janë dhjetëra dhe mos më shumë, por do të ishte shumë mirë që të shfletonit në arkivat dhe librat e listave të institucioneve kulturore, ministrive, institucioneve të larta shtetërore, universitetin shqiptar, shkolla të larta dhe të mesme, shkolla tetëvjeçare, bashki dhe institucione të shtypit shqiptar, ku shpërndaheshin veprat e artistëve shqiptarë dhe që kanë qenë pronë kombëtare, dhe nëse do të gjeni titujt e veprave nuk do të gjeni veprën vetë, mbase kopjen po. Arsyeja e thjeshtë që mund të dëgjoni është ndryshimi i sistemeve, njerëzit që i kanë pas në ngarkim nuk janë më dhe tranzicioni i gjatë institucional i pakontrolluar dhe i pandërgjegjshëm”, thotë Zana Kuka Varvarica, përgjegjëse e sektorit të kritikës në GKA. “Shumë mirë që kryeministri Berisha e kishte vendosur pas vetes ‘Vallëzon Shqipëria’ të Babës ditën e Pavarësisë. Por, nuk e di a është kthyer më në Galeri?!”. Piktori Kujtim Buza pyet pa përgjigje dhe nuk e zgjat më shumë. Pavarësia e Kosovës, gjithsesi, i duket më shumë sesa fati i punës së të atit, Abdurrahim Buzës. Në vite, veprat e humbura më të njohura janë “I urituri” i Paskalit, një punë që ai vetë e kishte falur për Presidentin Zog në vitet ‘20, si nderim për ndihmën që ai i kishte dhënë për shkollimin. Veprat e Qamil Grezdës (disa prej punimeve të tij më të mira të realizuara në mesin e viteve ’50), të cilat janë shkatërruar apo zhdukur nga pinakoteka e artit figurativ, që në ato vite kur edhe u bënë pronë e saj. Versioni i dytë i veprës “Barinjtë me fyej” të Danish Juknikut, ekspozuar në mjediset e ish-ndërtesës së revistës “Hosteni”, nuk gjendet më. Vepra të Fatmir Haxhiut janë shënuar të humbura, të gjetura nga familjarët, por tashmë të riblera. Një vepër e ekspozuar si e piktorit Hiqmet Agollit mban firmën e piktorit Guri Madhi, kur dihet që studioja e Agollit është vjedhur. Piktori Sali Shijaku deklaron shpesh herë se një vepër e tij nuk gjendet më në Galerinë Kombëtare të Arteve etj.

Më të njohurat

Janë disa syresh. Kurse specialistët rreshtojnë dhjetëra të tilla. “I urituri” i Paskalit ka një histori, që e kalon këtë sistem. Ajo është marrë nga ushtarakët italianë në vitin 1939, ndërsa ishte në Pallatin, që më vonë do të quhej i Brigadave. Një histori tragjike është me piktorin e njohur Abdurrahim Buza. Ishte në bienalen e Aleksandrisë dhe kishte të ekspozuar një punë, ndërsa vjen Suharto. “I forti” i Indonezisë nuk ka mëdyshuar dhe e ka treguar me gisht “Vajtimin” e Buzës. Kaq duhej. Për shkak të marrëdhënieve të mira të kohës, iu dha Suhartos. Por për Buzën, kjo do të ishte më e vogla. Vite më vonë do të ndodhte edhe më keq. Kishte lënë shumë punë të tij ndër miq dhe të afërm në Gjakovë, që u grabitën nga serbët në kohë të zakonshme bastisjesh. Askush nuk është në dijeni tash për to. Serbët bashkë me ikjen i zhdukën veprat duke mbjellë pas dhe harresën. Tutje në kohë, por njësoj në vuajtje është historia e Agim Çavdrbashës. Ai i ndau punët në Shqipëri dhe në Kosovë, që të mos humbnin prej Luftës. Por nga Shqipëria nuk do merrte më “Nënën”, e cila humbi pas një historie të gjatë papërgjegjshmërie të Misionit të Kosovës në Tiranë dhe autoriteteve shqiptare. Ndërsa “Sofrën” do ia digjnin kokënxehtit në Kosovë me rastin e trazirave të marsit 2004.
“Mendoj se duhet jo vetëm të shkruhet një ligj, ligji muzeor kombëtar që e ruan veprën e artit të mos lëvizë nga muzeu për qëllime të dobëta, por vetëm për qëllime ekspozimi profesional, përball publikut artpamordashës dhe studiuesit kritik dhe vlerësues, por ai ligj duhet të jetë si shpata e Demokleut për të mbrojtur njerëzit që mbrojnë veprën e artit. Ky ligj kërkon të zbatohet pikë për pikë nga njerëz të ndërgjegjshëm, jo të veshur me pushtet që edhe mot edhe sot nxirrnin dhe nxjerrin me urdhrin e tyre vepra arti nga koleksionet e rëndësishëm, ku më pas u vihet një kornizë e artë sipas dëshirës dhe iu flaket tej korniza e vënë nga i ndjeri artist dhe varen në muret e zyrave autoritare, thjesht për zbukurimin e tyre. Dhe më e keqja nganjëherë është se ata nuk njohin as artistin që i ka bërë”, shprehet Varvarica. Fjalë të bukura, por të parealizueshme. Kjo, sepse Galeria sot e kësaj dite është gati që të japë shumëçka nëse i kumtohet urdhër nga sipër... Ndërsa pseudot, që mbushin zyrat dhe që e kanë gati justifikimin, nuk e ndjejnë se vepra e këtyre autorëve është e paprekshme, sado që ato nxirren dhe përcillen... për të zbukuruar zyrat që të lbyrin sytë me boshësinë. Pinjollët dhe të afërmit e artistëve u ka mbetur që të luftojnë vetë për të pamundurën dhe muret që nuk bëzajnë. Floriana Paskali me kurajë i është drejtuar vetë autoriteteve italiane për punën e të atit; ashtu si Sebi Çavdrbasha filloi një mision të pamundur për gjetjen e veprës së bashkëshortit të saj. Kurse zyrtarët shqiptarë vazhdojnë dhe i nxjerrin me rezistencën më të vogël nga Galeria. Në emër të ruajtjes, restaurimit. Pra, zilja e telefonit vendos thjesht për këdo vepër të artistit shqiptar...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora