E premte, 26.04.2024, 08:57 PM (GMT+1)

Mendime

Avdi Ibrahimi: Mua luftëtarin e lirisë vetëm ti nuk më ke njohur!

E merkure, 14.03.2012, 08:58 PM


Mua luftëtarin e lirisë vetëm ti nuk më ke njohur!

 

Shkruan: Avdi Ibrahimi – Veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 

Kush je ti që nuk më njeh, mua luftëtarin e lirisë, ti, që ke hypur në pushtet nëpërmjet intrigave, ti, që s’po e njeh meritën time prej luftëtari të lirisë, ti, që kalon përpara meje si përpara një hiçi, ti, që shkel mbi të drejtën time të ligjshme tash e dymbëdhjetë vite, ti, që shkel mbi mua si përmbi një gurë, ti, që i largohesh gjithnjë aprovimit te ligjit për njohjen e luftës së drejtë çlirimtare që bëra unë me plotë luftëtarë tjerë, ti, largohesh gjithmonë dhe më le në pritje të përhershme?

 

Ti, nuk më njeh mua luftëtarin e lirisë kombëtare e njerëzore që gjithçka bëra për të mirën e atdheut që nga koha kur kuptova se atdheut i kemi borxh edhe jetën, veprova me vullnet të lire dhe mendje të kthjellët, e ndiej të nevojshme këtë detyrë atdhetare ta kryej deri në fund të jetës time. Falënderoj atdheun tim, këtë vend të mrekullueshëm shqiptar, që më mundësoi kushte për të punuar, për ta çliruar nga zgjedha jugosllavo-serbe.

 

Jetova në një epokë krizash ekonomike-sociale, lëvizjesh shqiptare që kërkonin liri e pavarësi nga Jugosllavia titiste-rankoviqiste-millosheviqiane, me këtë epokë ballafaqimesh të ashpra politike, ekonomike e ideologjike, që i quan popujt e kësaj federate artificiale në ndarje të dhunshme nga hegjemonizmi gjenocidist serbomadh.

 

Për ty, njëherë pandeha se ndoshta të preokupojnë probleme më të mëdha të shtetndërtimit të Republikës Shqiptare të Kosovës, pandeha se njëherë e ke hallin t’u zgjidhje problemin familjeve të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë, invalidëve të luftës dhe atyre që lanë gjymtyrët e trupit për liri e të drejta kombëtare shqiptare, e pastaj do të vijë radha për mua luftëtarin e lirisë të më njihe me ligj për kontributin e dhënë në çlirimin e atdheut? Përsëri më le vetëm, më të vetmuar se kurrë, më të poshtëruar se kurrë. Nuk ka më asgjë nga ti, ty të intereson vetëm mbetja në pushtet dhe paraja… Kur të përmend dikush emrin tim, emri i luftëtarit të lirisë të duket i huaj, për të mos thënë i vdekur?

 

Jo, qeveritar, unë nuk di të ankohem prej teje, nuk dua ta hidhëroj shtëpinë tënde të hareshme… Mos m’u hidhëro, se nuk do të mërzis më, për të drejtat që në saje të meritave më takojnë, por m’u duk e nevojshme që këtë here ta zbrazja zemrën time të vuajtur nga padrejtësitë që po i benë ti,që unë të vuaj për kafshatën e bukës, që shpesh here më mungon.

 

Vetëm kësaj here m’u desh t’i thosha këto fjalë nga zemra ime e zhuritur, u pikëllova dhe gati m’u ndal fryma, kur pa e pyetur askënd ma ndryshove flamurin tim kombëtar shqiptar, mendova se mos je i marrë, për këtë ndoshta po i flas një të marri? Vetëm këtë herë, pastaj do t’i kthehem heshtjes, heshtje kjo që ndoshta ta vret marrëzinë tende…?! Por ti s’do ta dëgjosh britmën sa te jem gjallë, t’i për veten dhe familjen tende në saje te pushtetit ke siguruar jetën super luksoze, ti ke edhe qumësht zogu për familjen tende, thotë urtia popullore e mua me mungon nganjëherë edhe buka, nuk të bie ndërmend jo, pse unë luftëtari i lirisë jetoj i papunë dhe në skamje të tmerrshme.

 

Ti, vetëm kur të kem vdekur nga skamja, do ta dëgjosh këtë britmë të së drejtës time të cilën t’i se ke njohur kurrë…Sa luftëtarë të lirisë gjerë më tani i kanë dhënë fund jetës së tyre vetëm pse nuk kanë patur bukë për ta ngopur barkun e tyre dhe familjes së tyre… ndoshta,  ti, një ditë do ta kuptosh këtë britmë, por atëherë kur të kujtohesh, unë nuk do të dëgjoj më, se ndoshta do të jem në gjumin e vdekjes.

Për këtë s’po të lë lë asnjë gjurmë dhe asnjë shenjë, të jetës sime të shumëvuajtur, po ashtu, siç nuk më ke lënë edhe ti asgjë të mire gjatë qeverisjes tënde. Kështu ishte e thënë të jetoja jetën pas luftës çlirimtare si Sokrat i vuajtur, kështu le të mbetet edhe kur vdes. Po të pikëlloheshe sadopak nga vdekja ime, atëherë s’do të mund të vdisja… E ndien ti këtë vdekje që mban me vete dashurinë e pavdekshme për atdheun e shqipeve, i ndien ti i marrosuri për pushtet e para, ti ke harruar ndjenjat e zjarrta që kaluam shtigjeve të luftës… Sikur nuk mjaftonte gjenocidi serb, që bëhej ndaj shqiptarëve… Ti mbase edhe e ke harruar vuajtjen e mijëra shqiptarëve nga ky gjenocid serbomadh, ke harruar, por pse nga ti tani duhej edhe të poshtërohesha! Kur në atë ministri ku unë luftëtari i lirisë duhet t’i realizoj të drejtat e mia, vendose një armik te kombit shqiptar të deridjeshem…?! Më vjen keq për ty, që ende pas kaq vitesh ti nuk po kupton se punën e kujt je duke e bërë? Ti nuk po zgjohesh nga letargjia e rëndë qe të ka zënë dashuria për pushtet dhe para, duke më harruar mua luftëtarin e lirisë.

 

E gjithë bota njerëzore liridashëse më patën nderuar mua luftëtarin e lirisë, ata silleshin me respekt për mua, vetëm ti harrove! Ti, harrove të kaluarën time të lavdishme, dhe mirësjelljen e së tanishmes! Vetëm ti, zotëri qeveritar i pushtetit dhe parasë nuk më ke njohur mbase si duhet mua luftëtarin e lirisë!



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora