E premte, 26.04.2024, 04:04 PM (GMT+1)

Mendime

Laura Leka - Ratkoceri: Çështja Skënderbeu

E diele, 29.01.2012, 07:56 PM


Çështja Skënderbeu

-Shkrime posthume-

 

Nga Laura Leka - Ratkoceri

 

Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit, pata mundësinë të shoh disa emisione mbi tashmë të mirënjohurën ose “vexata questio”, “çështjen Skënderbeu”. Diskutimet në lidhje me figurën e Skënderbeut lindën pas përkthimit të librit të Oliver Schmitt-it nga publicisti Ardian Klosi. Gjatë ditëve të qëndrimit tim po ritrasmetonin emisionin Opinion. Të ftuar në studio ishin përkthyesi i librit, A. Klosi, Fatos Lubonja, shkrimtari i njohur Sabri Godo, historiani/politikan Paskal Milo dhe publicisti Artur Zheji.

Të ftuarit mbanin qëndrime të ndryshme në lidhje me tekstin e shumëdiskutuar; disa pro e disa kundër rishikimit të figurës madhore historike të Skënderbeut dhe pohimeve të përmbajtura në librin e lartpërmendur.

Diskutimi mjaft i zjarrtë mes debatuesve dhe ndërhyrjet e vrullshme e mjaft të papërmbajtura  të njërit prej të ftuarve në veçanti më ngjallën disa mendime që e pashë të udhës t'i bashkëndaj me lexuesit e këtij siti. Ajo çka mbi të gjitha më shtyu të shkruaj këta dy rreshta qe në veçanti qëndrimi irritues i njërit prej të ftuarve i cili nxori në dritë mungesënn e thellë të respektit ndaj personaliteteve të pranishëm në studio, duke këmbëngulur me një “outrecuidance” të paparë mbi qëndrimet e veta  e pa u lënë asnjë hapësirë diskutimi diskutantëve të tjerë që kishin argumenta shumë më të fortë e më të pjekur në lidhje me temën e diskutimit, argumente që spektatori do të kishte pasur kënaqësinë t'i dëgjonte pa ndërhyrje të bezdisshme e zhurmuese.

Pozicioni i Klosit ishte rishikimi i figurës së Skënderbeut dhe paraqitja e saj nën një dritë më afër së vërtetës historike. Sipas tij libri i përkthyer përmbante një sërë të vërtetash historike, që janë hedhur poshtë me argumente të pakundërshtueshëm dhe me kompetencë të thellë si në planin logjik ashtu edhe në planin e  fakteve pseudohistorikë të autorit gjerman nga studiues të njohur e kompetentë. (shih: ndërhyrjen e Ardian Ndrecës në kanalin Alsat dhe vëllimin e Ndrecës “Kur “Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut”).

Afër qëndrimit të Klosit, por edhe më i skajshëm dhe drastik ishte mendimi i shprehur nga publicisti Fatos Lubonja, i cili gjatë diskutimit të tij të pandërprerë dëshironte të rishikonte të gjitha figurat e personaliteteve shqiptare që e përfaqësojnë në mënyrë të denjë vendin tonë në mbarë botën.

Përse vallë duhen rishikuar figura historike që me veprën e tyre i kanë sjellë dhe vazhdojnë t'i sjellin vetëm të mira vendit tonë? Për pesëdhjetë vite me radhë popullit shqiptar iu desh t'i ngrinte monumente diktatorëve e satrapëve aziatikë. Për fat të mirë, ato vite kanë kaluar. A nuk ka ardhur vallë koha të pohojmë me gojën plot se Shqipërinë nuk e përfaqësojnë diktatorët dhe figurat e urryera që e lanë mbrapa vendin tonë. Shqipëria sot e kësaj dite duhet t'i paraqitet Europës me figura të reja, me figura universale si Nënë Tereza e Skënderbeu. Pas rënies së regjimit komunist popullit shqiptar i është dashur një kohë e gjatë për ta rimarrë veten përpara propagandës gazetareske të huaj e për t'iu paraqitur asaj si një djep poetësh të mëdhenj, (si Fishta etj.), shkrimtarësh të mëdhenj (Kadareja), udhëheqësish të mëdhenj si Skënderbeu që hodhi themelet e shtetit shqiptar e që në vend që ta ndanin Shqipërinë e bashkuan atë, - pa dasi të asnjëlloji - dhe fiset që e përbënin me të famshmen Lidhje të Lezhës, ngjarje madhore historike që hodhi bazat e bërthamës së parë të shtetit shqiptar.

Rishikimi i figurave historike që jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën, që kanë vlera të pamohueshme, do t'i ngjante një vetëvrasjeje historike.

Skënderbeu e Nënë Tereza janë figura që u përkasin të gjithë shqiptarëve, pa dallim. Ata nuk janë thjesht personalitete apo “evenements” të dalë në periudha të caktuara historike, por janë figura që popuj të tjerë na i kanë zili.

Por le t'i rikthehemi diskutimit. A e dinë intelektualët shqiptarë që mbështesin tezat antishqiptare të Schmitt-it e të shokëve të tij se për vite me radhë serbët janë përpjekur t'i “shesin” Skënderbeun dhe Nënë Terezën si personalitete me origjinë serbe?

A e dinë ai grup intelektualësh shqiptarë se në Romë sot e kësaj dite përveç monumentit të famshëm në sheshin Albania,  vetëm disa  hapa larg Quirinalit, një herë pallat i papëve dhe sot selia e presidentit italian, ndodhet ende rruga Scanderbeg (vicolo Scanderbeg) dhe pallati që papa i dhuroi familjes Kastrioti? Në këtë rrugë edhe sot e kësaj dite, në portikun e pallatit, dallohet qartë e me ngjyra të ndezura fytyra e Skënderbeut, një fytyrë që e bën të ndihet krenar çdo shqiptar që kalon atypari. Vendndodhja e këtij pallati, pothuajse ngjitur me pallatin e papës, përbën një fakt të pamohueshëm që flet për rëndësinë që figura e Skënderbeut kishte për papën e Romës dhe për mirënjohjen që ushqeu e gjithë Europa për veprën e këtij personaliteti të madh.

Të diskutosh mbi pseudofaktet e përmbajtura në tekste të dorës së dytë me të cilët janë mbrojtur teza universitare të destinuara për t'u ruajtur në depot e universiteteve europiane, do të thotë t'i japësh një rëndësi që nuk e meriton librave si ai i Schmitt-it.

Është për të ardhur keq sesi sot në Shqipëri shumë botues shqiptarë vihen në kërkim të scoop-it e të shkrimit të bujshëm, duke hedhur në harresë tekste të autorëve shqiptarë që meritojnë të njihen edhe nga publiku i huaj.

Botuesit shqiptarë në vend që të botonin libra si ai i lartpërmenduri, do të bënin mirë të përkthenin në disa gjuhë të huaja dhe të shpërndanin në vende të Europës librin e madh “Skënderbeu” të Sabri Godos, libër që me fakte historike e me mjeshtërinë e një shkrimtari të madh, na e paraqet figurën e Skënderbeut në mënyrë të denjë, ashtu siç e kanë njohur dhe e njohin shqiptarët dhe bota mbarë.

 

Për ZSH- Kadri Mani

(etnike@gmail.com)



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora