E shtune, 27.04.2024, 01:51 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Po ç`ju desht ky reagim i turpshëm dhe antinjerëzor??

E hene, 16.01.2012, 08:59 PM


Po ç`ju desht ky reagim i turpshëm dhe antinjerëzor??

 

Shkruan: Ardian Ramadani

 

Besoj se secili që i thotë vetes shqiptar u shokua nga reagimi tendencioz, i paduhur, i dëmshëm dhe i zymtë i policisë së Kosovës ndaj vëllezërve shqiptarë të një gjaku. Normal,u shokova edhe unë. Mu kthyen imazhet e mëparshme tmerruese të kohës kur Kosova ishte e kolonizuar nga Serbia dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Mu kthyen imazhet e demonstratave të popullatës shqiptare ndaj fallangës serbe, edhe pse kam qenë në atë kohë i vogël fare, fëmijë pra. Mu kthye imazhi i protestave studentore të vitit 1997, atëherë kur isha në klasën e shtatë të fillores. Seç më ngjante skena e dites së sotme (14 janar 2012), me skenën e athershme. E besoj se secili shqiptarë ka përjetuar të njëjtën ndjenjë mu sikurse edhe unë, por jo edhe oligarkia, autokracia dhe autarkia qeverisëse dhe pushtetare e Kosovës. Dhuna e ushtruar ndaj qytetarëve shqiptarë prej policëve shqiptarë, dëshmoi se armiku më i madh i shqiptarëve janë vet shqiptarët. Kësisoj, i`u dëshmua Serbisë por edhe opinionit më të gjerë, se policia e Kosovës, nuk reagon kur territori i Kosovës shkilet nga Tadiqi dhe suitat e tij, nga kriminelët serb dhe trafikantët e ndryshëm, nga ata që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, ata që e llogarisin Kosovën si tokë serbe dhe si kondominium. Policia e Kosovës nuk reagon edhe atëherë kur vritet pjesëtari i njësisë speciale të saj, as kur plagosen pjesëtarët e saj, as kur maltretohen qytetarët shqiptarë nga bandat kriminale serbe. Kjo polici, reagon ndaj shqiptarëve të pafajshëm, ndaj atyre që duan ta delegjitimojnë praninë serbe në Kosovë, ndaj atyre që janë kundër bisedave të dëmshme me Serbinë dhe marrëveshjeme me të, marrëveshje këto që herëdo kurdo do të bëhen  REBUS SIC SCANTIBUS (e pavlefshme kur ndryshojnë rrethanat e nënshkrimit të saj), e rrethanat do të ndryshojnë kur do të bjerë qeveria aktuale.

Ende nuk arrita ta kuptoj se me ç`farë guximi kryeministri Thaçi dhe ministri i punëve të brendshme Rexhepi, morën vendimin që të reagojnë me policinë e tyre aq brutalisht, e nuk bëzanë kur u dogjën pikat kufitare të Kosovës nga bandat kriminale serbe. Po kjo maskaradë e këtij Krye(ministri) dëshmoi se qeveria e tij është qeveri autarkike që qeveris në shpërputhje me vullnetin e popullit, se është qeveri e klaneve, e gatshme tu nxjerrë sytë shqiptarëve nëse guxojnë të thonë JO, nëse nuk pajtohen me realitetin e hidhur. Ky guxim i çmendur i kësaj kaste politike që (keq)qeveris Kosvën, dëshmon se kritika e tyre ndaj ish kryetarit të Kosovës , Ibrahim Rugova, në kohën kur ky i fundit ishte në vlugun e pushtetit pa shtet, kishin qenë farsë dhe asgjë tjetër. Kësisoj kjo klasë që qeveris me autokraci Kosovën, dëshmoi se është servile dhe misionare, në shërbim të demonëve dhe atyre që janë kundër humanizmit dhe mirësisë, kundër kombit dhe demokracisë. Në vende demokratike, ku është demokratike të bllokosh udhë dhe të kërkosh zbatimin e ligjeve parlamentare, mu ashtu si ishte edhe reciprociteti i Kuvendit të Kosovës, do të ishte utopike reagimi në atë mënyrë i policisë. Po jo edhe në Kosovën tonë, ku qytetari është larg shijimit dhe përjetimit të konceptit DEMOKRACI, po shijon dajakun e demonëve autokratë që me shpirtligësinë e tyre nuk çajnë kokën aspak për ata që protestojnë paqësisht dhe që kërkojnë respektimin e sovranitetit të Kosovës, si dhe ndalimin e bashkëpunimit me Serbinë armike. Por edhe pse kjo protestë u shkërmoq brutalisht, ajo rrezatoi dhe i bëri me dije botës, se vegjëlia shqiptare, djalëria e mirëfilltë dhe elani kombëtar nuk është peng i afeksioneve servile për pushtet, as nuk është në letargji. Ajo është shëndosh dhe rritet çdo ditë e më shumë, mu ashtu siç rritet foshnja. Ajo lëshon kumtin se do të vijë ditë më e mirë, ku e drejta, e moralshmja dhe njerëzorja do të qeverisë me shqiptarët e Kosovës. Nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosja, pamë se u thye definitivisht miti i pathyeshmërisë së Serbisë në Kosovë, por ama edhe miti i pathyeshmërisë së qeverisë antipopullore, me kryeministrin e saj dhe kryenegociatoren e bisedimeve shterpe.

Edhe një gjë më brengosi pa masë një natë para kësaj proteste. Ajo ishte dhënia hapsirë mediale disa analistëve poltronë, puthadorë dhe shpikës të kombit në inkubator kosovar dhe të destruksioneve të kombeve dhe nacionalizmave (lexo: kombit dhe nacionalizmit shqiptar), ithtarëve të Renanit dhe Andersonit,nga ana e televizionit publik të Kosovës . Kësisoj ky televizion, i cili ka humbur që moti primatin e duhur dhe funksionin esencial, duke ftuar kësi lloj analistësh dhe thartinash (HCL formulë kimike) të tipit Ilir Dedës, të cilit për së pari herë dhe për së fundi herë i përmendi emrin, ngase nuk dua të ndyej higjienën time, dëshmoi se analistët e mirëfilltë të depolitizuar, me vlera dhe të duhur, nuk kanë qasjen e duhur dhe të domosdoshme nëpër media. Kësisoj shqiptarit në Kosovë, mu ashtu sikurse ke ne në Maqedoni, i ofrohet pseudoanalisti poltron dhe antiintelektual, i cili në vend të kritikës konstruktive, përçon destruktivitet dhe rrezaton errësirë, në vend të analizave të mirëfillta ofron paloanaliza, duke u shndërruar në palaçoanalist ose në analistë nekrofil, që dashurojnë të keqen dhe që priviligjojnë atë, ndërsa të mirën e urrejnë. Por, në gjithë atë të keqe në atë emision, kishte një të mirë, ngase nuk mbyllen dyert në të katër anët. Aty ishte simboli i djalërisë shqiptare, i drejtësisë, i antikorrupsionit, i demokracisë dhe njeriu kombëtar, i pandyrë nga pashallëku i pushtetit dhe thyerësi kryesor i kuietizmit, omertës dhe servilizmit, përfaqësuesi i shpresave të të rinjve, Albin Kurti. Kësisoj ky njeri, me veprimet e tij dhe moton e tij të pathënë, të forcohemi përbrenda si shtet, e mandej të bëhemi paqësor përjashtë (ide e Bismarkut për Gjermaninë), e jo të ligështohemi përbrenda kur na cenohet sovraniteti dhe integriteti territorial dhe të zhvillojmë bisedime me një shtet i cili ende nuk është denacifikuar, ende nuk e ka bërë katarsën e domosdoshme, ende nuk na ka kërkuar falje, ende të trajton si pjesë përbërëse të tij, dëshmon se shpresat jo vetëm që janë gjallë, po ata rriten dita ditës dhe paraqiten si diell pranveror.

Mendësia qeverisëse pretoriane diletantiste e pushtetarëve të Kosovës, e ndikuar nga thënia e Leninit “Sa më keq aq më mirë” nuk do të zgjas në pafundësi. Ky “shkëlqim” i zbehtë i tyre, do të ketë patjetër një rënie, ku nuk do t`i kryejë punë as mortifikimi (procesi i heqjes së mbeturinave të vetes) e as purifikimi, ngase janë ndyrë aq shumë me këtë aksion të turpshëm, mbi të gjitha antihuman, saqë kanë vënë një njollë të pashlyeshme.

Alienimi (tjetërsimi) i atyre që gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, u shfaqën si rreze drite për shqiptarët i takon të kaluarës së lavdishme. Por nuk të pyesin se si ishe, po si je. Krejt kjo ngase ai imazh nuk ekziston më.  Ai imazh u gris me ditën e sotme, copa copa.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora