Mendime
Përparim Demi: Retë e zeza para shtrëngatës në Kosovë
E premte, 13.01.2012, 07:58 PM
Retë e zeza para shtrëngatës në Kosovë
Nga Dr. Përparim Demi
Këto ditë po përjetojmë një rritje të tensionit politik në Kosovë. Puna ka mbritur deri aty sa kërcënimit të Tha?it lidhur me planin e bllokimit të dy pikave kufitare, Albini i përgjigjet me të njëjtën monedhë, me sensin se VV-ja nuk tutet dhe nuk tërhiqet nga ky aksion politik. Toni i deklaratave sa vjen e po bëhet më i ashpër. Sejcili po pregatitet të përballet me situatën e cila mund të degradojë duke prodhuar situata të pakontrolluara. Deklaratat publike të sejcilës palë bëhen për të influencuar opinionin dhe për të justifikuar atë çka do ndodhi nesër. Tashmë u prish statusquaja dhe ekuilibri i deritanishëm, politika po rrëshqet drejt humnerës së konfliktit të hapur, ku Qeveria do pozicionohet në anën e kundërt me lëvizjen popullore. Përplasja midis forcave politike tashmë doli nga kornizat e debateve parlamentare, nesër do jemi dëshimtarë të ushtrimit të forcës ndaj demostruesave vullnetarë.
Kjo është një fazë e re për shtetin e ri të Kosovës. Në rrugën e tij për konsolidimin dhe sigurimin e pavarësisë, për krijimin e një sistemi funksional dhe ligjor, po hyn në një krizë të thellë politike, e cila në fakt po transformohet në një konflikt të hapur, ku pozita me opozitën po vihen ballpërballë dhe do u duhet të marrin vendime, për të cilat do vihen para përgjegjsisë ligjore apo morale para popullit dhe kombit shqiptar. Nga ana tjetër mos harojmë faktorin ndërkombëtar në konjukturën e sotme. Qeveria mbron pozicionin e saj për zgjidhjet graduale pa afat, ndërkohë që VV-ja propozon zgjidhje të menjëhershme radikale. Qeveria kosovare vazhdon të implikohet dhe të fundoset në bisedime për kompromise të dyshimta me Qeverinë serbe, të cilat ndërmjetësohen dhe inkurajohen nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Kjo rrugë e ndjekur qeveritare vazhdimisht është kontestuar nga opozita si një rrugë që ?on në reduktimin e pavarësisë dhe rikolonizim të kamufluar të Kosovës nga Sërbia. Nëse është kështu, përse luftuam atëherë?
Shumë gjëra janë të paqarta dhe jotransparente. Veprimet e Qeverisë nuk përputhen me deklaratat e saja. Flasin për suksese kur shohim se rezultatet na tregojnë tërheqje dhe humbje të vazhdueshme, shumë të interpretuara. Pa hyrë në problemet e korupsionit, të varfërisë, të prostitucionit politik, të nepotizmit dhe trafikut të influencës, një gjë është e qartë – Kjo Qeveri nuk është e aftë të administrojë problemet e mëdha të kësaj periudhe tranzitore që po kalon Kosova. Kjo qeveri nuk ka vullnetin e mirë të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve, prandaj preferon shtyrjen e tyre. Kjo qeveri nuk i mbuloi interesat e popullit, por i shërben më tepër interesave të një shtrese të priveligjuar të popullatës. Kjo Qeveri i frigohet një strategjie kombëtare, prandaj preferon të fshihet pas interesave ndërkombëtare. Kjo Qeveri tashmë e ka humbur mbështetjen popullore dhe nuk e përfaqson më atë. Që në momentin e manipulimit të zgjedhjeve dhe më vonë, kjo Qeveri e ka humbur legjimitetin, kredibilitetin dhe zvaritet duke u mbajtur në patericat ndërkombëtare.
Uroj që dita e nesërme të mos kthehet në ditë zie dhe të mos ndodhi ajo që unë kam frikë se mund të ndodhë. Uroj që Qeveria shqiptare t’i vëj gishtin kokës dhe të kthej në rrugë të mbarë, të rishikojë qëndrimin e saj, t’i hapë veshët për të dëgjuar zërin e martirëve dhe zërin e popullit. Uroj që Qeveria e Prishtinës të japë dorheqjen nesër dhe ta mbylli me kaq, duke dhenë me këtë rast kontributin më të madh që mund të japë për pavarësinë e vërtetë të Kosovës. Uroj që nesër, në dy pikat kufitare të vendoset vullneti i popullit dhe reciprociteti me Serbinë të bëhet një realitet tash e tutje.