E shtune, 27.11.2021, 05:14 AM (GMT)

Përjetësi » Gazulli

Daniel Gazulli: Vitet '90

E marte, 10.01.2012, 07:56 PM


VITET ‘90

 

Daniel Gàzulli

 

 

NË LULISHTËN E VJETËR

 

Me hap të lehtë

e të shkujdesun

përshkoj lulishtën e vjetër

në këte ditë gri

dhjetori.

Pemët, lauri,

janë në zi

për verën që shkoi.

Shtatorja e vetme

më vështron e friksueme

kur,

me majë të këpucës,

shkërmoq në gjethet e kalbuna.

Kujdes!

Kujdes! – më thotë –

Nën gjethe

lëvizin hijet!

 

Edhe hijet të kalbuna janë.

 

Po statuja, ndoshta, ka të drejtë:

Hijet,

gjithsesi,

lëvizin

e shpresojnë!

 

Ç’ditë gri,

e padiell,

dhjetori!

 

 

MIKUT POET

 

Mbramë

dikush pëshpëriti për ty fjalë të verdha;

dikush që s’mbjell, as korr.

Papritë,

m’u duk sikur shkronjat,

të trembuna,

ikën nga libri

dhe erdhen prap tek ti –

sikur mardhnin.

 

 

28 NANDOR 1997

 

Rrugët ishin veshë me flamuj.

Sheshi gjithashtu.

Banda e qytetit luente melodi të vjetra dhe marrshe,

që shpoheshin herë mbas here

nga breshni armësh.

Policët, si bocete mumjesh,

ndiqnin bandën,

shpërfillës ndaj të shtënave.

Mbështetë për një kioskë llamarine,

një i dehun u gezohej kangëve të luftës

dhe krismave te thata.

Sa kish ra nata.

Hana e zbehtë, si në ethe,

prehej e plogët nëpër pellgje.

Nje veteran,

gjoksin plot dekorata,

shprehte me mllef urrejtjen

për poetët dhe vajzat me xhinse.

 

Gjithçka ngjante

si një pllakat i zhgarravitun

mbi rrënojat e dështimeve,

që më kot

në festë përpiqeshin ta kthenin.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora