E marte, 04.10.2022, 04:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet ish-komisari i anijes tregtare “Vlora”, Sadik Sukaj për një nga krenaritë tona detare

E merkure, 04.01.2012, 07:36 PM


Ju rrëfej enigmat e anijes Heroinë    

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ai fliste për anijen “Vlora” dhe lotonte. Kujtimet e tij me këtë anije ishin nga më të ndryshmet. Me të i kishte rënë botës rreth e qark që nga Kina e Vietnami dhe deri në Poloni dhe Detin e Veriut. Mbi të gjitha, ai flet për shoqërinë dhe vëllazërinë që ekzistonte mes marinarëve, miqësi e cila sot është zbehur. Problemet në rrugët e largëta kanë qenë nga më të ndryshmet, por ata me kurajo dhe me solidaritet i kanë kaluar me sukses. Por ajo që e shqetëson më shumë se çdo gjë, është fati i sotëm i anijes me të cilën lidhi jetën. Sot ajo anije nuk ka vendndodhje, nuk ka një vend ku të gjendet orientimi.

Në ç’vite keni qenë komisar i anijes së madhe tregtare “Vlora”?

Kam qenë rreth 8 vjet, nga viti 1982 deri në vitin 1989. Ishin vite kur ekonomia jonë shënonte rënie, por ne gjithmonë ishim në lëvizje. Ishte një anije krenari e flotës sonë tregtare.

Çfarë tonazhi ka pasur anija “Vlora”?

Kjo anije shumë moderne ka pas një kapacitet mbartës deri në 12  700 tonë. Pra, ishte një anije transoqeanike me të gjitha komoditet e nevojshme. Ishte një ndër anijet krenari e flotës tregtare shqiptare.

Cili vend e ka prodhuar këtë anije transoqeanike?

Anija ishte një prodhim italian i vitit 1961. Në kohën që u prodhua ishte një ndër anijet më moderne dhe më luksoze në rajon. Të gjithë marinarët e huaj që hipnin në anijen tonë habiteshin me komoditetin e saj. Mund të them se për kohën dhe anijet postale nuk i kishin ato komoditete në atë kohë. Që nga sallat e shplodhjes, kabinat e fjetjes, kuzhina dhe deri tek frigoriferët, gjithçka ishte perfekte. Më qan zemra kur e kujtoj.

Emri i saj ka qenë i dëgjuar?

Po, për vetë lëvizjet e kryera, për detyrat e realizuara kjo anije mori titullin “Heroinë e Punës Socialiste”. Dhe në atë sistem ky titull ishte një vlerësim i madh. Pak anije apo njerëz e merrnin këtë titull. Duhej shumë punë për të arritur deri aty.

Cilat ishin lëvizjet kryesore të kësaj anijeje?

Kryesisht ne lëviznim në Kinë dhe në vendet ish-komuniste aziatike si Vietnami, Koreja etj…Por veçoj lëvizjet në Kinë. Thuajse të gjitha ngarkesat kryesore me këtë vend i bënte kjo anije duke pasur parasysh se me Kinën ne zhvillonim pjesën dërrmuese të tregtisë.

Po në vendet europiane, cilat ishin vendet që lëviznit më shumë?

Kryesisht Polonia, por edhe Franca dhe Italia. Por pas Kinës, Polonia ishte shteti i dytë ku ne lundronim më shumë.

Në Poloni çfarë mallrash apo pajisje merrnit?

Kryesisht pjesë metalike, pjesë ndërrimi automjetesh, por më shumë shkonim për qymyrin kok me të cilin punonte Metalurgjiku i Elbasanit. Këtë rrugë e bënim më shpesh, pasi Metalurgjiku hante shumë dhe s’duhej të ngelej kurrë pa rezerva. Por në këtë vend merrnim dhe shumë lokomotiva dhe vagonë treni.

Të gjithë vagonët e trenit në Poloni janë marrë?

Jo. Janë marrë dhe në Marsejë të Francës. Në këto dy vende ne merrnim vagonë. Ishin vagonë ndër më të mirët për kohën, shumë luksozë. Pastaj filluam të prodhojmë dhe vetë.

Cilat kanë qenë udhëtimet më të rrezikshme?

Kur shkonim në Poloni në dimër. Duhet të kalonim detin e ngrirë të Veriut. Ishte i ftohtë i madh në dimër. Këto udhëtime zgjasnin 22 ose 23 ditë. Kalonim edhe nëpër akullnaja.

A e kanë vizituar udhëheqësit e kohës anijen tuaj heroinë?

Po. Pjesa dërmuese e udhëheqjes së kohës e ka vizituar anijen. Më shumë kanë ardhur kur sillnim vagonët e parë nga Marseja. Si duket i jepnin shumë rëndësi cilësisë dhe mallrave të huaja për të parë korrektësinë në marrëdhëniet tregtare. Në fakt ishin vagonë shumë të mirë. në atë kohë na vizituan Hekuran Isai, Hajredin Çeliku, Besnik Bekteshi,  etj…na përgëzonin për punën.

Ju vetëm me këtë anije keni punuar?

Jo kam punuar edhe me anijen “Arbëria” ku kam bërë dhe një udhëtim në Kinë me të, por punën më të madhe me këtë anije e kam bërë. Këtë udhëtim e kam bërë kur kapiten i saj ka qenë sërishmi Qemal Hate.

Kur ka qenë dita më e vështirë në udhëtimet tuaja?

Kur na vdiq një ndër shokët më të mirë, Qemal Sharkiqi. Na vdiq në Lisbonë. Ishte një shok shumë i mirë. Vuante nga pankreasi. Ne e çuam në spital dhe i bëmë të gjitha çka duhej. Pastaj trupin e tij e sollën me avion. U ndjemë shumë keq. Ishte 40 vjeç. Shumë i ri. Kemi qenë si vëllezër, si një familje në anije. Shoqëria e detit është e pazëvendësueshme. Atë rrugë ne u kthyem bosh.

Po avari ju ndodhnin shpesh?

Mbaj mend njëherë në detin Mesdhe. Na u prish motori. Të të prishej motori, dihej që ishte një problem shumë serioz. Çdo defekt edhe eliminohej, por motori është zemra e anijes. Në fillim u hutuam. Por kishim një kryemekanik të shkëlqyer. Ai e mori përsipër defektin. Hapi skicat dhe e gjeti menjëherë. Ne ishin në ankth. Por njohjet e tij bënë që defekti të eliminohej.

A kanë qenë të privilegjuar ju detarët?

Unë do të them më shumë të respektuar se të privilegjuar. A e di se çdo të thotë të rrish 6 muaj në det. Të ikësh me anije dhe kur të kthehesh të gjesh fëmijën 6 muajsh. Të jetosh larg halleve dhe shqetësimeve të familjes. Ne s’kishim ndonjë rrogë shumë të mirë, por nuk na mungonte asgjë në anije. Ushqimi ishte special dhe nuk kishim mangësi në mish, peshk, pije, fruta etj..Norma e ushqimit ishte normë, sepse ishte punë rraskapitëse.

Në atë kohë sigurisht ju sillnit edhe ndonjë mall që nuk gjendej në Shqipëri?

Sigurisht sillnim, dhe njerëzit mezi na prisnin. Atëherë të rinjtë ishin të uritur për një pako çamçakëz, apo një bluzë deve, ndërsa pleqtë për letra bixhozi. Kur i jepje dikujt një sapun me erë të huaj apo një çamçakëz sikur i jepje botën. Njerëzit e rrethit familjar e quanin nder kur u bëje dhurata të tilla.

Po sot a ndiheni të vlerësuar?

Aspak. Të gjithë na kanë harruar, na mungon një muze për detin për detarët. Ne kemi histori mijëravjeçare për tregtinë dhe për detin. Por nuk kemi asnjë muze. Jemi i vetmi vend në botë që qyteti me port ndër më të vjetrit në botë, apo si i thonë, i katërti në botë që nuk ka një muze. Ne jemi pa histori.

Po sot ku ndodhet anija “Vlora”?

Nuk e di. Se di se ku ka përfunduar. Më qan zemra për të. Ishte një anije që dhe sot duhej të ishte në lundrim. Iku me eksodin dhe s’dihet se ku ka përfunduar. Do Zoti jo për skrap.

 

Hysni Kapoja dhe Ramiz Alia, gjashtë muaj në det për në Kinë

 

Në vitin 1962 kjo anije ka çuar në Kinë, Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë. E kam lexuar në ditarin e anijes këtë udhëtim të vështirë për kohën. Ky udhëtim ka zgjatur rreth 6 muaj. Në atë kohë në Kinë zhvillohej revolucioni kulturor. Dy udhëheqësit tanë kishin shkuar për të marrë eksperiencë. Është një nga udhëtimet më karakteristike të anijes “Vlora”.  Qemal Hate ka qenë kapiten i vaporit. I ndjeri ka qenë një detar i regjur dhe shumë i zoti. Ai ishte kapiteni i parë i kësaj anije të lavdishme. 

 

Absurdi, një vend me histori detare, nuk ka një muze

Sot të gjithë na kanë harruar, na mungon një muze për detin, për detarët. Ne kemi histori mijëravjeçare për tregtinë dhe për detin. Por nuk kemi asnjë muze. Jemi i vetmi vend në botë që qyteti me port ndër më të vjetrit në botë, apo si i thonë, i katërti në botë, që nuk ka një muze. Ne jemi pa histori. Ja p.sh, unë nuk e di ku ndodhet anija “Vlora”. Ishte një anije që dhe sot duhej të ishte në lundrim. Iku me eksodin dhe s’dihet se ku ka përfunduar. Do Zoti jo për skrap.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora