E premte, 26.04.2024, 06:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Lotët e gëzimit të një poeti shqiptar

E merkure, 04.01.2012, 09:02 PM


Lotët e gëzimit të një poeti shqiptar

 

(Ali D. Jasiqi, Lacrimi de bucurie/Lot gëzimi, Amanda edit, Bukuresht, 2012)

 

Nga Baki Ymeri

 

Libri i Ali D. Jasiqit „Sytë e fushës”, që ia botuam para dy vitesh në gjuhën rumune, në përkthim të Zonjës Adriana Tabaku, reflekton një periudhë të vështirë të ekzistencës së shpirtit shqiptar në Kosovë. Edhepse gjatë vitit 2012 i mbush 75 pranvera, Ali D. Jasiqi është sot e kësaj dite njëri nga krijuesit më të zellshëm të botës letrare në Kosovë. Bukureshti pat fat t’ia botojë këto ditë, këtij shkrimtari të shquar, librin e parë me poezi, „Lot gëzimi”, një botim bilingv i rikënduar në gjuhën rumune nga autori i këtij shkrimi, duke patur për këshilltar editorial, Dr. Luan Topçiun, për recensentë Halil Haxhosajn dhe Jonuz Fetahajn, ndërsa për parathënës një krijues tjetër të mirëfilltë, poetin dhe eseistin letrar, Nexhat Rexha, mendimin kritik të të cilit po e japim në vazhdim. Ju urojmë lexim të këndshëm! (B. Y.)

 

LIRIA NË KËNGËN E ZOGJVE

 

Kënga dhe idili në jetë ruajnë kujtimet më të bukura. Shkrimtari Ali Jasiqi me përvojën  e tij prej krijusei ka sjellur për lexuesin tonë vargje  të ruajtura në arkivinin e memories së tij, të cilat komunikojnë edhe sot me dëlirësi rinore. Poezitë  e këtij vëllimi në vete kanë ruajtur momentet më  optimiste për protagonistët  e shfaqur nëpër vargjet  e shkruara të këtij vëllimi poetik.

Autori në tërërsinë e kësaj bote të kthen në retrospektivën idilike, që nuk ka përfundim. Ajo mund të ketë  ndryshim në shfaqjen e saj, por si përjetim e ndjenjë gjithmonë të rrëmben. Në  këtë botë vjen vargu i kënaqësive djaloshare përmes përjetimeve të ruajtura në thellësi. Zjarrmia e shfaqur nuk pasqyron vetëm dashurinë e dy të rinjve, ajo ngreh  në lartësi  përjetimin si objektivë të asaj periudhe me të gjitha dallgët e pengesave që vinin nga koha e përjetuar për të gjithë të rinjtë. Por nuk ka fuqi që mund ta betonojë në pengesa këtë dashuri të sinqertë. Të rinjtë, kur dashurohen ata magjepsin tërë ambientin dhe gjejnë shtigje për të shtrirë shtatin e tyre në çdo kohë. Të rrahurat e zemrave të tyre krijojnë melodinë me të skofiare dhe arrijnë të shkrijnë edhe çdo stuhi të mbrëmjeve dhe muzgut i japin ndriçimin shpirtëror.

Kënga e zogjve në vargjet e këtyre poezive ka sjellur dashurinë në ambientin rural, si   mundësi e realizim për të mundshmen e ëndrruar në ditët dhe netët e pagjumta, jo si relikt i të kaluarës, por si përjetim i një moshe, që ruan të gjitha lëvizjet e trupit të dashuruar nën hijen e qiellit besnik.

Në këto poezi sa do që vërehet një tonalitet pak më ndryshe nga poezia që shkruhet sot, ato me përmbajtjen dhe vlerën që kanë lexohen me kënaqësi, sepse autori ka sjellur në kujtesën e njerëzëve këtë shpalosje me shumë shfaqje interesante, sidomos për gjeneratat e kësaj kohe. Por në brendi të këtyre vargjeve rrjedhin lotët e ndjenjave më të pastërta dhe ato ruajnë edhe dashurinë rinore, edhe atdhedashurinë, edhe jetën e rëndë sociale dhe domosdoshmërisht sakrifica e femrës dëshmon se ajo ka qenë element dominues nëpër kohë. Roli i botës femërore edhe atëherë, kur ajo ishte  e mbyllur me detyrim, tregon  vigjilencën e saj për të pushtuar një botë të tërë. Për këtë  rol të saj në dashuri e sakrificë, kuptojmë se  ajo ka ditur të tejkalojë edhe pengesat e hekurta për të shkrirë dashurinë në përjetimin e tyre të sinqertë. Sa herë atyre iu është prishur qerdhja e ngrohtësisë, ata kanë ditur të  krijojnë çerdhen e tyre edhe më të ngrohtë, sepse dashuria në ambientin baritor ka  mundur harbimin e mosdijes kohore.

Poezitë e këtij vëllimi në brendi kanë ruajtur ngjyrimin e aktualitetit të kohës kur janë shkruar, si dhe kanë  bartur e ruajtur nëpër kohë traditën për luftimin robërisë shpirtërore  të këtij populli. Në disa poezi fjala ka  pëlcitur për një dashuri të madhe, si në poezinëFlakë dashurie”, autori shprehet: “Mos provoni kurrë/ Të ma nëpërkëmbni/ Sepse një flakadan/ Në mua rri i pashuar/.../ Është flaka e dashurisë/ Për popullin tim/ Që vrullshëm kallet në mua.” Në  poezinë Kënga del nga zemra, meditimi për të kaluarën ka kuptimësinë e zhvillimit të saj, se loja dhe jeta e tyre si barinj, ka ruajtur kujtimet për dëfrimet e kënaqësitë që i ka krijuar përditshmëria dikur në male, sepse vetëm aty fëmijët fluturonin të lirë në lartësitë e qiellit tonë.

Poezia që reflekton botën e dashurisë dhe krijon klimë e botë tjetër me individualitet e gërshetim edhe të individit, edhe të kolektivitetit me shpalosjen emocionale me plot hov rinor, arsyeton ruajtjen dhe përshkrimin burimor të natyrës së vendlindjes, sepse aty janë ndezur  shkëndijat e para të dashurisë. E si mos të ruhen në kujtesë këto momente e skena  të përjetimeve, sa emocionale, po aq edhe subtile për moshën e njeriut për një profil pranvere që këput lulet më të bukura të jetës dhe këto lule të bëjnë për vete, sepse ato të pushtojnë edhe me pamje edhe me aromë. Këto vlime rinore janë shpalosur në disa poezi, siç janë poezitë: Ata jemi ne, Në mbrëmje, Premtimi, etj.

Pastaj kujtimet rinore për ditët që i dhanë jetës kuptim e shpresë, edhepse tradita krijonte pengesa për mosrealizimin e dashurisë ndërmjet të rinjve. Ajo pengohej, por të dashuruarit nuk harrojnë njëri-tjetrin dhe ajo troket përditë në zemrat e tyre. Në vargjet e poezisë “Në mbrëmje”, shpaloset dashuria dhe ajo shpërthen përmes takimit në mbrëmje, trokitjet e zemrës dhe të kambanave diktojnë edhe hapat e tyre: “O djalë, plagët mos m`i ngacmo/ Lemë të qetë këtë natë ta kaloj/ Të kam thënë, pa ty nuk dua të jetoj.”

Kjo tingëllimë poetike shkëlqen në monologun e tyre, kurse dialogu i djalit dhe vajzës mundin heshtjen  e kësaj pritjeje. Dhe sa bukur vasha ka akorduar takimin, sa mençurisht ka larguar pengesat për këtë takim. Ora e zemrës së saj  ka akordim të saktë dhe të qëndrueshëm për këtë mbrëmje solemne. Dashuria mund të tejkalojë të gjitha barrierat e vëna. Autori  ka pasqyruar për bukuri këto pamje origjinale të asaj kohe dhe kjo dashuri ka në vete të brumosur një madhështi, e kjo madhështi dashurie  e shkrin edhe akullin, kur dritat e syve  të tyre shkreptijnë në afshin rinor. Ngazëllimi vjen në këtë natë me shkëlqimin e tërësishëm të tyre ledhatues. Këto lirika të përjetimeve, kanë ruajtur në brendi, dashurinë e pashtershme të një kohe, me ndjenjën e veçantë dhe kështu ato ringjallin netët a pagjumta, sepse idilikja ruhet në analet e shpirtërore dhe krijon hapësirë për ta ringjallur gjithmonë flakën e zjarrit deri edhe përtej amshimit.

Ali Jasiqi nëpër vargjet e kësaj vepre ka ruajtur të vërtetat e mallit të vendlindjes, duke pasqyruar këto skena me imazhe të ngrohta të ambientit autokton, si pjesë të papërsëritshme me poentën për të bashkëjetuar me estetikën artistike dhe reale, duke hequr nga faqja e dheut absurdin. Në këto vargje ai ka shprishur melodinë e pakëndshme dhe këngëve të zogjve dhe i ka dhënë kuptim e jetë për liri, kurse ditarin e anatemuar të dashurisë e skalit me një shkëlqim të ardmirueshëm. Duke i lexuar këto vargje, shpalosim simfoninë e tingujve të ndaluar, kurse dashuria identifikon tendencën në eliminimin e dekorit të panevojshëm për realizimin e prizmit pa ankth. (Nexhat Rexha)

 

VLERËSIME TJERA KRITIKE

POEZI ME TONE JETE DHE DASHURIE RURALE

Vargjet e poezive të Ali D. Jasiqit të përfshira këtu, paraqesin pasqyrimin e një jete dhe dashurie rurale, të pastër, të virgjër dhe tejet ambientale. Këto vargje janë jehonë e të gjitha nuancave, gëzimeve, por edhe të vuajtjeve, ekzistencës dhe problemeve jetësore në atë pjesë idilike të jetës. Vet autori i këtyre vargjeve është njohës i mirë i këtyre bjeshkëve, bukurive natyrore të tyre, andaj transferimi i tyre në poezi, nga ai, është origjinal, madje edhe i suksesshëm sepse: “Sa të bukura jeni bjeshkë, Të vendlindjes sime”, thotë ai . Në këto shkrepa është zhvilluar një jetë baritore me të gjitha problemet e veta. Aty është zhvilluar edhe lufta për ekzistencë, sepse epshet lakmitare të okupatorëve kurrë nuk janë shuar. Por, në këto bjeshkë dhe nga shkëmbinjtë e tyre kanë dalë trimat e luftëtarët, të cilët nuk kanë kursyer asgjë, madje as jetën për t’i mbrojtur ato dhe lirinë e tyre. Edhe tematikën sociale e ka trajtuar Ali D. Jasiqi në vargjet e këtyre poezive. Kjo temë pothuajse është dominuese këtu, sepse ajo është paksa më karakteristike dhe e veçantë. Ndoshta varfëria, moszhvillimi dhe specifikat e tjera e bën një gjë të tillë. Elementi i këtillë social pothuajse është trajtuar bukur dendur në poetikën tonë të atyre viteve, andaj patjetër ka ndikuar sado pak edhe në krijimin poetik të Ali. D. Jasiqit. Edhe këtu shfaqet portreti i sharrëxhiut sikurse në poezinë e Esad Mekulit e të ndonjë poeti tjetër të asaj kohe.

Por tema qendrore, më dominuese dhe më e trajtuar në këtë poetikë është dashuria rurale, idilike dhe baritore. Pasqyrimi i kësaj tematike dhe këtij motivi nga pena e poetit Jasiqi bëhet thellë, poetikisht dhe me figuracion të duhur, por të pa ngarkuar. Të dashuruarit janë bariu e baresha, të cilët kanë një magji erotike, e cila është e pastër, e dëlirë, e sinqerte dhe e bukur e besnike mu sikurse ata, sepse: “Bareshë në mal me dele kur të gjeta /E re jam ende, me le në qetësi”, për të vazhduar “Një trëndafil të bukur ta dërgova peshqesh/ Falmi vetullat gajtan!”. Trajtimi i dashurisë baritore shtrihet edhe më gjerë duke depërtuar edhe në kujtimet rinore të atyre djemve që aty e kishin shijuar dashurinë e parë, e cila mbetet e pashlyer dhe kurrë e pavenitur në kujtimet e tyre. Kjo tufë e poezive të Ali D. Jasiqit është një pasqyrim e prezantim paksa i veçantë sepse e ka një trajtesë poashtu specifike dhe dalluese, e cila ia jep një vulë paksa origjinale dhe tjetërfare prej poezisë që shkruhet sot. (Halil Haxhosaj)

 

PIKTURË E BËRË ME FJALË

 

Duke i lexuar lirikat dhe prozat poetike të shkrimtarit Ali D. Jasiqi, pa dyshim se, lexuesi, për një çast do të ndalet dhe do të pyesë: Po pse nuk u botuan këto lirika me tematika të ndryshme të nxjerra nga jeta dhe ambienti i fshatit për plot pesë dekada e më tepër, por që tash i është servirë në këtë formë dhe mënyrë të këngëtimit lexuesit i cili, mendojmë se do t’i mirëpret mirë, sepse e zgjojnë ndjenjën dhe kujtesën për një kohë të perënduar, por që ka lënë vrragë të madhe dhe të pashlyeshme në shpirtin e poetit. Ali Jasiqi në këto poezi të ëmbla në vëllimin Lot gëzimi, na ka dhënë një dëshmi të rrallë se di të këngëtonte (duke këngëtuar e vargëzuar), tok me bashkëkohanikët e tij: Dinin Mehmetin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Fahredin Gungën e ndonjë tjetër, por që nga modestia apo edhe profilizimi i tij, në fillim si kritik letrar, pastaj si tregimtar dhe dramaturg, më në fund arriti të na japë edhe këtë tufëz poezishë që i kanë rrezistuar kohës dhe që nuk e kanë humbur shkëlqimin, por gjithsesi janë sihariq për lexuesit e gjitha shtresave. Kjo formë e poezisë, pa dyshim se ka në vetëvete edhe përmbajtje, edhe porosi, edhe mesazh për një kohë të perënduar, që kurrsesi nuk duhet të harrohet, por që vlen të kujtohet me pietet dhe të përcillet tek brezat që vijnë... Të themi se Ali D. Jasiqi me fjalë e ka bërë pikturën e fshatit, i ka dhënë ngjyrë e kolorit, i ka dhënë jetë, mirësi e përmbajtje, prandaj edhe si e tillë, ajo edhe sot qëndron lart artistikisht. (Jonuz Fetahaj)

 

BOX

 

Ali D. Jasiqi u lind në Jasiq të Junikut, më 1937. Shkollën fillore e kreu në Junik e në Deçan. Normalen e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë e kreu edhe Fakultetin Filologjik (Gjuhë e Letërsi Shqipe). Ka punuar si gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistës “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare  “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinis” më 1957. Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera të Mitrush Kutelit”, botuar më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), 1973, Ka pregaditur për botim përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gungës dhe Bedri Hysës, ka përgatitur disa numra tematikë të revistës “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtorë etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish/Jugosllavi. Librat e tij kanë dalë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.  Bibliografi letrare: “Josip V. Rela “ (1968), “Pesha e fjalës” (1971, “Shfletime (1972), “Shenjë në lis” (1974, ribotim, 1980), “Premtime dhe realizime” (1976), “Qazim Tolaj - simbol i drejtësisë pedante” (2002), “Pesëdhjetë shkrime për poezinë” (2007), “Tridhjetë e një shkrime për prozën, studimet e të tjera” ( 2007), “Krejt më dukej ëndërr” (2007); “Ochii campului (Sytë e fushës, përmbledhje tregimesh përkthyer në gjuhën rumune nga Adriana Tabaku, Bukuresht, 2009, "Ali Sutaj - korrife i gazetarisë kosovare" (monografi), "SAS" Prishtinë 2009, "Zëri i nipit" (tregime për fëmijë), N.Sh. "Jeta  e re", Prishtinë, 2011. I është emituar një dramë televizive (“Shtenja në ajër”) dhe tri radiodrama. Kjo është vepra e tij e parë me poezi që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora