E premte, 26.04.2024, 05:31 PM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Jo, nuk u kry ende, Bacë! Vëtëm ja ka nisë...

E enjte, 21.02.2008, 08:21 PM


JO, NUK U KRY ENDE, BACË!  VETËM JA KA NISË...

Nga Adnan Abrashi

Adnan Abrashi
Edhe pse në thellësinë e qenies sime ndjeja një presion që intuitivisht më shpalosej si parandjenjë mangësie dhe dyshimi konfuz, assesi nuk e mohoj faktin se, edhe unë isha pjesë e euforisë së kremtimit të kësaj ngjarje të madhe historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë kësaj ndjenje të brendshme që më shpalosej si kundërshti në mes të unit tim irracional dhe egos racionale, kjo e dyta veç e kishte përqafuar realitetin e rastit të momentit euforik duke mos më kursyer as nga lotët e gëzimit.
Në pritje edhe të aktit formal të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, në kuadrin e skenarit të pasur festiv dhe spontan popullor, veç ishin lansuar format e ndryshme metaforike të shprehjes kreative të kësaj ngjarje. Pa dyshim, nga shumë sloganet që veç ishin dominonte në hapësirën parafestive dhe festive kosovare, si më e përqafuar nga masat e gjera popullore, u bë ai: “Bac,u kry”! 
Nuk ka dyshim! Vërtet një slogan i fuqishëm me domethënie tejet sugjestive, por, nga ana tjetër, nuk e di as vetë se si më lindi hamendja se, sa ajo në thelb mund të jetë reale dhe e qëlluar?! Pikërisht ky dyshim paradoksal, më shtyri që spontanisht të zhytem në një përsiatje mendimesh. Menjëherë fillova të bredhi në biografinë e këtij kolosi të madh, simbolit tonë të rezistencës së armatosur kombëtare kundër pushtuesit serb. Shëtita gjatë, por askund nuk gjeta se Baci ynë na paska luftuar dhe na është flijuar për një shtet të pavarur të Kosovës, në të cilën, ne si shqiptar, në vend se ta presim me gëzim dhe ovacion vendimin formal të Parlamentit të Shqipërisë për bashkimin edhe të një pjese të copëtuar trungut amë, do t’i  gëzohemi të kundërtës - njohjen e Kosovës nga Shqipëria si shtet dhe legalizimit të ndarjes së saj!  Po ashtu, as që guxoj të paragjykoj se, po të ishte gjallë Baci , do t’i gëzohej këtij shteti, të cilit Kushtetutën ja kanë shkruar të tjerët, ndërsa, në Preambulën e saj, as që pamendet lufta e lavdishme çlirimtare e UÇK-së; një shteti të cilit flamurin ja ka qëndisur një Marigonë, për të cilën, ku ta dimë ne se cilit brez dhe drejtim masonerik të botës i takon...?!
I tretur tërësisht në këto mendime, ndjeva sikur para meje mu shpalos pamja e Bacit me tërë atë madhështinë e tij që ka dhe filluam të bisedojmë së bashku:
- “S’jam i sigurt, sa ke qenë gjallë, o Bacë, a ke dëgjuar për njëfarë finlandezi Marti Ahtisari që na i ka pre sot teshat e shtetësisë sonë? Kanë disa arna këto tesha, por neve na thonë se ky dizajnë tani na qenka në modë. Sigurisht se nuk ke dëgjuar as për kallëpin e teshave ku mbështetet ky model: rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së? Jo, jo! Nuk mund ta dish atë, sepse, kur është pruar ajo, ti veç ishe flijuar pikërisht kundër asaj varësie që decidivisht përcaktohej në këtë akt ndërkombëtar: sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.
E di bacë, e di! Ti je kolos dhe nuk mashtrohesh me fjalët e politikanëve tanë të dyshimtë, që sot, në praninë e mediave dhe kamerave të shumta, përkulen dhe rrëfehen mbi varrit tënd. Por, më lejo mua si një vegjëli karshi tyre, ta citoj vetëm pikën 12  të Deklaratës së shpalljes së pavarësisë që u bë më 17 shkurt nga Parlamenti i Kosovës.
Në këtë deklaratë historike në mes tjerash thuhet: “...Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përfshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)...”
Por, mos u brengos Bacë, dhe preu i qetë në tokën shqiptare amë. Fatlumsisht, pas teje kanë lindur dhe lindin shumë djema dhe vajza me shpirt të pastër kombëtarë, të cilët amanetin tënd të vërtetë patjetër dikur do ta qojnë në vend. Nuk do ta kesh vështirë t’i dallosh ata Bacë; e kanë shijen dhe aromën si të gjakut tënd dhe dëshmorëve tjerë; si të gjakut të njom të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, dy viktimave të fundit që u vranë prej dorës gjakatare të mu atyre që sot  krekosen se na e kanë “sjellin” këtë pavarësi...
Mos druaj Bacë! Këso atdhetar nuk janë sos ende! Janë me mira e mira që ndoshta në këto momente gëzohen por nuk festojnë me eufori.
Ata janë të matur dhe qëndrojnë të heshtur në vigjilencë.
Prandaj, të them sinqerisht Bacë! Nuk u krye ende! Vetëm ja ka nisë...”!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora