E premte, 26.04.2024, 05:08 PM (GMT+1)

Mendime

Xhelal Marku: 2011-ta me fluksin më të madh të turistëve në Shqipëri

E diele, 02.10.2011, 01:55 PM


2011-ta me fluksin më të madh të turistëve në Shqipëri

 

(Numër rekord pushuesish, por dhe fluks udhëtimesh të shqiptarëve në Europë )

 

Nga Xhelal Marku

 

Duke shfletuar të dhënat e publikuara për zhvillimet turistike në Shqipëri gjatë këtij sezoni, që kulmojnë me shifrat e muajit Gusht 2011, të bie në sy menjëherë fluksi i madh i pushuesëve të huaj, që kanë zgjedhur Shqipërinë si vendin më të preferuar për të pushuar, për këtë sezon turistik. Shifra befasuese, por dhe domethënëse për një vend, që zhvillimet në industrinë turistike i ka parë dhe i sheh si prioritare dhe themelore në rrugën drejt progresit të ekonomisë shqiptare. Janë politikat e reja qeverisëse, ato, që këto vitet e fundit e kanë renditur Shqipërinë ndër dhjetë vendet më të preferuara turistike të Globit, të cilën mediat prestigjioze botërore e rekomandojnë si vendin, që turistët e huaj, duhet ta vizitojnë gjatë vitit 2011. Dhe Shqipëria turistike,  tashmë konkurente e njohur në tregun europian e më gjërë, ka hapur dyert e mikpritjes së saj tradicionale për turistët nga mbarë bota. Siguria, klima e preferuar, bukuritë natyrore, ujërat e pastra e të kulluara, ushqimet me prodhimet bio e gatimet tradicionale, pasuritë e shumta të trashëgimisë kulturore e natyrore, janë nga cilësitë më konkuruese në tregun turistik të kontinentit e më gjërë, por dhe faktorët më tërheqës për vizitorët e huaj.  Dhe, nuk ka si të ndodh ndryshe, kur pothuajse e gjithë infrastruktura e hapsirës turistike shqiptare, gjatë këtyre viteve të fundit, është ndërtuar e re, duke shkurtuar kështu, gati të gjitha detinacionet turistike në vend. E mbase, këtë sezon edhe ditët e nxehta të Gushtit dhe ato të gjysmës së parë të Shtatorit, ishin pro nesh, ku Shqipëria regjistroi dhe shifrat rekord të numrit të pushuesëve të huaj, që i kalon të 1,6 milionë turistët e ardhur nga Europa Qëndrore e Perëndimore, përfshirë këtu edhe emigrantët shqiptarë, që këtë vit, preferuan vendlindjen e tyre për të kaluar pushimet.

 

E padyshim, ky fluks i madh turistësh, ka evidentuar edhe pikat kufitare me ngarkesën më të madhe të këtyre ditëve, ku si gjithnjë paraprijnë, Morini dhe Muriqani, nëpërmjet të cilave rezulton të kenë hyrë mbi 700 mijë shtetas. Por, gjatë muajit Gusht 2011 edhe pikat e tjera kufitare, si: Kapshtica, Qafë-Thana, Tushemishti, Gorica, Kakavija, Tre Urat, Sopiku, Aeroporti i Rinasit, Porti i Durrësit, Porti i Vlorës, i Sarandës, Qafë-Botës dhe i Ripsit, si dhe pika kufitare e Bllatës në Dibër, gjatë periudhës Gusht – 15 Shtator 2011, kanë shënuar një numër rekord turistësh, që kanë vizituar vendin tonë. Dhe këto shifra, sipas të dhënave operative, ( të cilat duhet theksuar se janë ndjekur me shumë korrektësi e shpejtësi nga specialistët përkatës, madje edhe në mënyrë të detajuar),  vazhdojnë të rriten edhe në këto ditë të mbetura të Shtatorit. Dhe kjo, falë shërbimeve të përmirësuara, çmimeve konkuruese, resurseve natyrore, klimës dhe ditëve të nxehta me diell të kësaj vere, si asnjëherë tjetër në vendin tonë, të cilat sipas parashikimeve të metereologëve, ka gjasa se do të vazhdojnë më tej edhe gjatë vjeshtës. Ky është portreti i vërtetë i Shqipërisë turistike, e cila tashmë ka hyrë jo vetëm në hartën turistike të Globit, por mbi të gjitha në preferencën e pushuesëve të mbarë Botës, si destinacioni më atraktiv i tyre. Kështu, sipas Agjensisë Ndërkombëtare të Turizmit: “ East European Travel “, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në website-in e saj, e vlerëson si impresionues vizitueshmërinë e Shqipërisë nga të huajt gjatë këtij viti turistik. Dhe kjo vjen edhe si pasojë e rekomandimeve të dhëna nga Agjensia më prestigjioze ndërkombëtare e turizmit në Botë: “ Lonely Planet “, e cila nuk nguron ta klasifikojë Shqipërinë ndër dhjetë vendet më të preferuara të Globit, që duhet vizituar gjatë vitit 2011. E thëna dhe e bëra thuhet se janë larg njëra-tjetrës, por këtë vit turistik Shqipëria e tregoi veten  edhe në fushën e turizmit, i mbajti premtimet e saj për sezonin, madje edhe i tejkaloi ato ndjeshëm, duke afirmuar potencialet turistike të vendit dhe resurset e saj të pafundme, që ka në të gjithë hapsirën e saj: det, fushë e mal. Është në traditën e saj të punës, që çdo vit, ajo t`i përmirësojë kushtet për pushuesit, madje edhe me çmimet më konkuruese në treg. Por, në Shqipëri, turistët kanë gjetur dhe gjejnë edhe vendin më të sigurtë për të kaluar pushimet e tyre, kanë gjetur kënaqësinë dhe relaksin, që të dhuron mjedisi i pastër dhe  natyra me bukuritë e klimën e mrekullueshme të saj, si dhe shërbimet e duhura në çdo segment të hapsirës turistike. Ky është tashmë një realitet i ri, i dukshëm dhe i prekshëm nga të gjithë vizitorët, që kanë pasur rastin të shkelin mbi tokën shqiptare, disa prej të cilëve opinionet e tyre i kanë shprehur e publikuar edhe në shypin dhe mediat e vendeve të tyre, si një tjetër promocion për Shqipërinë turistike, që ka ndikuar fuqishëm në rritjen e fluksit të turistëve të huaj në vendin tonë.

 

Opinione dhe mbresa nga turistët e huaj për vendin tonë

 

Gazetari i njohur Seth Kugel, i cili këtë vit zgjodhi Shqipërinë si vendin më të preferuar për të kaluar pushimet, në një artikull të tij të botuar në prestigjiozen botërore: “The New York Times”, të datës: 29 Qershor 2011, gjatë një udhëtimi turistik në Rivierën shqiptare, shkruan:

 

“ ...Nuk kisha ndonjë program të caktuar, përveç kërkimit të ndonjë aventure përgjat shtrirjes 80-milje të plazheve dhe fshatrave midis dy qyteteve të Vlorës dhe të Sarandës, një zonë e njohur kjo me emrin: Riviera Shqiptare.

 

Për shumicën e udhëtarëve, pika e fillimit të Rivierës shqiptare është Vlora, një qytet tërheqës dhe disi ngjitës, me shumë kafene në natyrë, por edhe me shumë komoditet. Brenda në qytetin e Vlorës ndjehet kudo mikpritja për turistët e huaj dhe Shqipëria nuk  ndihet më e izoluar dhe e trembur, ashtu si vite më parë, në rregjimin diktatorial të Hoxhës. Ajo tashmë, ka hyrë në rrugën e saj të progresit drejt familjes së madhe europiane, ku po integrohet denjësisht me vlerat e saj.

 

Qëndrova në Vlorë ditën e parë dhe netët e fundit të javës, por mrekullia e vërtetë e udhëtimit ishte në qytetet e vogla, që vijnë me radhë njëri pas tjetrit, fill pasi përshkon me makinë një rrugë të pjerrtë dhe pyjore në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Pasi pyeta për çmimet e hoteleve dhe të dhomave private në disa qytete, unë zgjodha Himarën si bazën time. Një djalë i ri i quajtur Simos, familja e të cilit kishte një internet - kafe të vogël, më ofroi  një apartament të madh bashkangjitur  me shtëpinë e tij, që ndodhej në qendër të qytetit, me një çmim 20 euro nata.( Megjithëse monedha shqiptare është në të vërtetë leku, ku një euro këmbehet me 142 lekë ose me 96 dollarë, strehimi dhe makinat që jepen me qera, citohen në euro). Unë, zgjodha Himarën si bazën time, jo se ka plazhet më të mira, por se ajo të impresionon me kafenetë dhe lokalet me pamje nga deti, ku relaksi është i bollshëm. Shqipëria është e njohur për thesaret e saj historike dhe arkeologjike, si qyteti antik i Butrintit, Kalaja e Gjirokastrës, etj, por unë u dashurova me Kalanë e Himarës, një pjesë mesjetare kjo në buzën veriore të qytetit, përgjat rrugës dhe që shtrihet  deri lart në kodër.

 

Në aventurën time gjashtëjavëshe të planifikuar rreth Mesdheut, dua të theksoj se të paktën në aspektin buzhetor, Shqipëria ishte me siguri më e mira për kënaqësinë time dhe me koston më të ultë, ku për herë të parë provova, se 500 euro në javë, ishin mëse të mjaftueshme  për gjithçka që doja, duke filluar  me një udhëtim me autobuz  nga Dubrovniku i Kroacisë, vetëm 300 milje larg. Këtu, unë mora një makinë me qera për katër ditë dhe një dhomë private nga një familje vendase për çdo natë. Haja vakte me ushqim dhe gjellëra tradicionale të bollshme, pija kafe ekspres dhe ujë të gazuar në kafenë buzë detit me pamje spektakolare, vetëm me 8 euro. E megjithatë, nuk iu afrova fare buxhetit tim, që kisha parashikuar të harxhoja, (edhe pse çmimet do të kishin qënë pak më të larta në muajt Korrik e Gusht, atëherë kur dihet se dhomat kostojnë më shumë). Hëngra peshk të freskët, oktapod dhe mish qengji, sallata greke dhe byreqe shqiptarë derisa plasa dhe megjithatë përsëri nuk i kalova 8 eurot për vakt. Fjeta në dhoma private për 20 euro në natë, mora makinë me qera, realizova në mënyrë të kënaqshme çfarë doja me të vërtetë për të kaluar pushime sa më të këndshme dhe bileta totale ishte vetëm 459,87 euro...”.

 

Këto opinione të shprehura nga turistët e huaj në mediat dhe shtypin më prestigjioz botëror, nuk janë rastësore dhe as episodike. Ato kanë qënë vazhdimisht prezente, por  dhe një mbështetje e madhe dhe e fuqishme promocionale për zhvillimin e industrisë turistike shqiptare, pa llogaritur këtu punën gjithnjë në rritje, të kualifikuar dhe profesionale të stafeve të specializuara të MTKRS-së e të AKT-së, që këtë sezon turistik kanë qënë në nivelet dhe lartësinë e duhur të veprimtarisë së tyre.

 

Shqiptarët, të tretët në Europë për rritjen e fluksit të udhëtimeve

 

Sipas të dhënave të publikuara nga statistikat e trafikut ajror europian, për këtë sezon turistik, rezulton që Shqipëria të renditet e treta në Kontinent, midis 34 shteteve europiane, në raport me numrin e popullësisë, përsa i përket volumit të udhëtimeve, duke zënë vend pas Estonisë dhe Islandës. Nga analizat e këtyre statistikave, të cilat duhet theksuar se përmbajnë informacione me shifra tepër të sakëta, të raportuara nga mbi 300 aeroporte, del që shumica e vendeve europiane kanë pasur një rritje prej pesë për qind të numrit të pasagjerëve, ndërsa Shqipëria ka pasur një rritje prej 23,1 për qind, krahasuar me një vit më parë. Dhe kjo ndodh në një kohë, kur vende si: Sllovakia dhe Greqia, kanë pësuar rënie të numrit të pasagjerëve të tyre për këtë sezon turistik. Tek ky tregues, sigurisht faktori kryesor që ka ndikuar pozitivisht, është liberalizimi i vizave për shqiptarët në të gjithë hapsirën shengen. Kanë kaluar vetëm pak më shumë se tetë muaj nga dita e hyrjes në fuqi e libaralizimit të vizave dhe efektet e saj, tashmë janë të dukshme në të gjithë fushat e ekonomisë shqiptare, ç`ka mundëson edhe udhëtimet e tyre drejt destinacioneve turistike më të preferuara të botës. Një ëndërr e vjetër kjo për të gjithë shqiptarët, që u bë realitet pas një pune këmbëngulëse dhe me plot përkushtim të Qeverisë shqiptare, për të mbajtur premtimet e saj para elektoratit. Se sa e meritonin shqiptarët liberalizimin e vizave, këtë e vërtetoi më së miri koha që ka kaluar, nga dita e miratimit të lëvizjes së lirë të tyre nëpër Europë: korrekt e dinjitoz, siç e do bota e qytetëruar europiane, drejt së cilës shkojmë me vendosmëri. E sigurisht, lëvizja e lirë e shqiptarëve, ka imponuar edhe shtimin e destinacioneve të reja të fluturimeve ajrore gjatë vitit 2011. Përmendim këtu, destinacionin për në Antalia, e cila dy vjet më parë kryhej vetëm me fluturime charter, ndërsa sot shoqëria ajrore “ Belle Air “, ka vendosur për pasagjerët e saj linjë direkte. Po kështu, këtë vit janë vendosur edhe linja të tjera të reja, me destinacion Athinën, Barcelonën, Genovën, Londrën, Parisin, Rhodosin dhe Zurichun. Shtimi i linjave të reja ajrore, ka ndikuar ndjeshëm edhe në përmirësimin e shërbimeve ndaj udhëtarëve në këto destinacione, duke shkurtuar kohën e udhëtimeve dhe duke rritur njëkohësisht edhe cilësinë e shërbimeve ndaj pasagjerëve, që më parë kryheshin vetëm me tranzit dhe jo me fluturime direkte. Sot, nga Shqipëria fluturojnë gjithsej 14 kompani ajrore për në 38 destinacione, trafiku i të cilave është rritur ndjeshëm këto vitet e fundit. Rritja e trafikut ajror në të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë “ Nënë Tereza “, ka ardhur edhe për shkak të rritjes ndjeshëm të numrit të fluturimeve, ku linjat me fluksin më të madh të pasagjerëve janë: kompania “ Belle Air “ me 46,2 për qind, “ Alitalia “ me 9,6 për qind, “ Albania Air Line “ me 9,1 për qind, “ Austria Air Line” me 6,1 për qind dhe “ Turkish Air Line” me 4,2 për qind etj. Për herë të parë, këtë vit, janë vendosur edhe linjat e reja ajrore nga kryeqyteti shqiptar Tirana, për në Bruksel, Barcelonë e Paris, të cilat u përuruan në çelje të sezonit të ri turistik të këtij viti. Me tregues të tillë, turizmi shqiptar ka afirmuar veten se është i pandalshëm në rrugën e tij të progresit për zhvillimin me ritme të shpejta të industrisë turistike të vendit.

 

Tiranë, më: 21 / 09 /  2011



(Vota: 132 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora