E premte, 26.04.2024, 01:06 AM (GMT+1)

Mendime

Ramazan Sula: Dhimbje

E shtune, 16.02.2008, 06:27 PM


Dhimbje

Nga Ramazan Sula

Shqiptarët, falë karakteristikave gjenetike, kanë treguar se janë shumë të durueshëm në përballimin e vështirësive që u ka imponuar koha, madje dhe dhimbjet e përmasave tragjike. Veçanërisht janë dalluar në përballimin e dhimbjeve fizike. Ata nuk kanë mundur të gëlltisin e të “pranojnë” vetëm dhimbjen shpirtërore...
Në historinë e pa matshme në kohë, ky etnitet interesant, dhimbjen më të skajshme ka provuar kurë i ka munguar LIRIA dhe... BUKA !. Mungesa e këtyre dy elementëve, në periudha të ndryshme të jetë gjatësisë të tij, i ka shkaktuar jo pak dhimbje të shpirtit kombëtar. Shqiptarëve të Shqipërisë(nuk po e përdor edhe unë fjalën “POPULL”), në 45 vitet e sistemit një partiak u mungoi liria e vërtetë.( Kjo u mungoi, veçmas, shqiptarëve jashtë kufijve të “shtetit amë”. Ata “fituan” vetëm të “drejtën” për të ikur nga “sytë këmbët” në për botë). Ndërsa, pas shumë vite pune e përpjekje, siguruan bukën nga toka e vendit të tyre. Por erdhi një kohë që dhe buka e duarve të tyre, u sos. Vitet e dekadës të para fundit të shek. të kaluar qenë vitet e TALLONIT , qenë vitet e krizës totale për shqiptarët. Dhe ata të ikën. Ikën “nga sytë këmbët” rrugëve të botës që vetëm fillimi u dihej.(Gjatë dhjetë viteve të fundit të shek. të kaluar ikën nëpër botë rreth një milion e gjysmë shqiptarë nga atdheu i tyre). Kështu, pra, ata që ikën humbën të drejtën hyjnore për të jetuar në vendin e tyre. Ndërsa ata që mbetën (është fjala për shumicën e tyre hallexhinj e varfanjakë), ruajtën vetëm një të drejtë, atë për tu mbuluar me dheun e tyre, ditën e ndarjes nga kjo botë. Po sot Shqipëri, pas 17 vite demokratokraci, pa më thuaj si je? Kandili në shtëpi e bucela në shpinë nuk tu ndanë që nuk tu ndanë. Uji dhe drita (pa talon), vazhdon të jetë luks për ty. Varfëria është ulur këmbëkryq në sofrën tënde. Asaj sofre bujare tashmë i mungon dhe... BUKA!. Buka është cilësuar si “kali i shpirtit”. Pa bukë në sofër shpirti njerëzor venitet, humbet dëshirën për të jetuar në botën fizike.
Pra sot shqiptarëve (të Shqipërisë) u mungon edhe buka. Më shumë e pa pranueshme se sa e pa besueshme. Edhe pse tingëllon disi naive, le të bëjmë pyetjen: pse mungon buka në sofrat e shqiptarëve?. Ajo mungon sepse vjen nga larg. Asaj i duhet shumë rrugë për të bërë deri sa të mbërrijë në sofrat e shqiptarëve. I duhet të çajë dete e oqeane për të ardhur nga Argjentina(!); i duhet të “përballojë” jo pak vështirësi( të llojit mafiozopo-litik) për të ardhur nga Ukraina, nga Rusia, mbase edhe nga Serbia fqinje!
Çasti më detyron të bëj një pyetje tjetër “naive”: Mirë, buka e huaj mungon (jo, nuk mungon por ajo nuk mund të blihet nga shqiptarët e varfëruar deri në shpirt), po buka shqiptare, pse mungon?(!). Mos, vallë gruri “shqiptar” nuk bën bukë të mirë?Jo! Gruri i tokës tonë bën një bukë nga më të mirat bukë të botës. Aroma e saj të deh. Ajo të ngop pa e ngrënë!. Çfarë pyetje bëj dhe unë. Po, ku ka grurë shqiptar? Po bëhet më se një dekadë e gjysmë që toka shqiptare, (toka brenda shtetit shqiptar) nuk prodhon më grurë!. A e dini pse? Sepse, në se ju kujtohet juve, që jeni mbi 40 vjeç, kur erdhën për herë të parë në pushtet (saktësisht pusht-pushtet), këta që janë edhe sot, thanë e çfarë nuk thanë për bukën e punën. Midis parullave joshëse për një jetë të pa jetuar ndonjëherë, u tha se buka mbetet një çështje e së kaluarës për shqiptarët. Madje dhe puna e lodhshme për shqiptarët do ti përkiste të së kaluarës “komuniste”. Si pas tyre, kishte “ardhur” koha që shqiptarët të “bënin”... qejf. Dhe parullat e tyre i materializuan me shkatërrimin total të bujqësisë, bashkë me uzina e fabrika që prodhonin lëndë të para për të. Çdo produkt i nevojës parë, përfshi dhe miellin e bukës nisën të vijnë nga “pelikanët” e përtej detit. Vazhduan me ndërtimin e piramidave që “pillnin” para. Zemrat e qyteteve u pushtuan nga kioskat e “tregtarëve” pa “vizë” e pa licencë. Ndërkohë fushat e prodhimit të grurit mbetën djerr. Shumë shpejt u mbuluan nga ferrat. Ata që i punonin ikën nga “sytë këmbët” për të punuar tokat e botës.(70 për qind prodhimit bujqësor në Greqinë fqinje realizohet nga emigrantët- shumica dërmuese e tyre shqiptarë). Ndërkohë në portet e Shqipërisë vlonte (dhe vazhdon) puna e shkarkimit të miellit e grurit të “bardhë” që vinte (dhe vjen) nëpër mjet një rruge të zezë... Dhe ministri i bujqësisë (dhe i ushqimit të shqiptarëve, të mbetur ende në vatrat e tyre të skamjes) i qeverisë aktuale deklaron pa u turpëruar as pak (çfarë them dhe unë! Ai e ka ngrënë me kohë “turpin me bukë”) se çmimi i bukës, që po rritet në mënyrën më të egër, nuk qenka në dorë të asaj ministrie(që, çdo lloji ministrie mund të jetë por jo ministri bujqësie) dhe as në dorë të qeverisë, sepse gruri dhe mielli vijnë nga jashtë dhe se çmimet e drithërave janë rritur shumë nëpër botë!(?). Po, kjo është e vërtetë. Çmimet e drithërave janë rritur nga monopolistët, prodhues a tregtarë qofshin. Dhe, sipas jush(sipas teje dhe kryeministrit tënd), është krejt normale që edhe monopolistët importues vendës të rrisin çmimin e miellit. Bukë pjekësit dhe shitësit ambulantë të rrisin çmimin e bukës dhe qytetari( si e quan kryeministri qytetarin në dialektin e tij) i thjeshtë e i varfër ose ti nënshtrohet çmimit të diktuar nga katilët ose të ia mbërthejë vetes. Rrugë tjetër nuk i mbetet. Sepse, ju nuk mund të ndërhyni në çmimet e tregut të “lirë”, (në emër të formulës magjike “kërkesë –ofertë” edhe pse bëhet fjalë për bukën e gojës, o derdimenë!). Po, mirë o ministër, pse nuk prodhohet grurë në Shqipëri? Ti, mbasi të dridhesh e përdridhesh (si shumë të tjerë të skotës tënde), me siguri do të thuash se nuk mund ti detyrosh bujqit e mjerë të vendit tënd (që kur lërojnë tokën me parmendë, në njërin krah vejnë gomarin dhe në krahun tjetër vejnë lopën!),të mbjellin doemos grurë. Dhe mund të vazhdosh me retorikën tënde bajate se kostoja e prodhimit të drithërave, bujkut shqiptar i del e lartë. Kjo e fundit mund të jetë e vërtetë se, ti o ministër bashkë me qeverinë tënde dhe jo vetëm ju por dhe ministrat para teje bashkë me qeveritë e tyre, nuk ndërmorët e as paraqitët qoftë dhe formalisht, as një politikë ekonomike të qartë e konkrete në interes të zhvillimit të fshatit e bujqësisë në përgjithësi e të drithërave të bukës në veçanti. Ju, veç e veç (majtas e djathtas) dhe të gjithë së bashku “mbollët” gënjeshtra e mashtrime. Ç’të mbjellësh do të korrësh. Por, për fat të keq të tyre, të korrat e hidhura nga ajo farë e keqe që keni mbjellë ju dhe para ardhësit tuaj (dhe vazhdoni të mbillni ende), po shkojnë në hambarin bosh të fshatarit shqiptar, në xhepat e grisur të qytetarit shqiptar. Ndërsa në xhepat tuaj të pa ngopur shkojnë paratë e pista, aq të pista sa që nuk do të mund ti lani kurrë, sepse ato para kanë mallkimin e një populli të tërë...
Para një realiteti të tillë kur bashkëkombësit e mi përjetojnë një rritje të pa përballueshme të kostos të jetesës, më pushton një dhimbje sfilitëse. Megjithatë varfëria, qoftë dhe në përmasa tragjike, mund të kapërcehet me këmbënguljen e stoicizmin e vetë të varfëruarve. Por në se një popull, veçanërisht kur e ka pushtuar skamja dhe e keqja, mësohet me to dhe pranon ti bëjë pjesë të jetës tij, atëherë kemi të bëjmë me fatkeqësinë më të madhe që i kanoset atij. Thonë se, para 70 e ca vitesh, amerikani Harry Fultz, në shkollën e tij të njohur teknike në Kavajë, bëri një “eksperiment” në përcaktimin e regjimit të ushqimit të nxënësve konviktorë. Eksperimenti konsistoi në pakësimin e theksuar gradual të ushqimit nga e hëna deri të dielën. Nuk pati asnjë reagim nga nxënësit. Mbas përfundimit të “provës” profesori shumëplanësh, më shumë sikur i tha vetes: “Lum ata qeveritarë që do ta qeverisin këtë popull”. Fatkeqësisht historia e më vonshme e popullit tonë e ka vërtetuar “provën” e profesorit të famshëm. Mos, o Zot, në se nuk ka vënë mend ky popull dhe vazhdon të bashkudhëtojë paqësisht me fukarallëkun dhe të keqen e çdo lloji forme qoftë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora