E premte, 26.04.2024, 10:15 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Figura e Nënë Terezës nën penën e autorëve francezë

E merkure, 29.06.2011, 08:05 PM


FIGURA E NËNË TEREZËS NËN PENËN E AUTORËVE FRANCEZË

 

Shkrime të nxjerra nga “Antologjia Pena të arta franceze për Shqiptarët”

 

Nga Fotaq Andrea

 

Frédéric LENOIR

Estelle SAINT-MARTIN

 

Frederik Lenuar, filozof, sociolog, skenarist, shkrimtar, autor i rreth njëzet veprave, drejton aktualisht revistën”Bota e feve”. Estel Sent-Martin, studiuese. Vepra e tyre biografike “Nënë Tereza”, është botuar në Paris më, 1993.

 

NËNË TEREZA

 

Shqiptare pa shtetësi

 

Për të shkuar gjer te origjinat e Nënë Terezës, duhet udhëtuar në kohë e në hapësirë drejt Ballkanit në prag të Luftës së Madhe. Ky rajon është në atë kohë një mozaik në metamorfozë të vazhdueshme, ku gjuhët, racat dhe kufijtë ndeshen sipas lëvizjeve të botës. Ballkani është në shekullin XX epiqendra e tërmeteve të Evropës. Atje ku gjithçka lëviz e ku gjithçka merr flakë.

E ardhshmja Nënë Terezë, Gonxhe (Anjes) Bojaxhiu, lindi në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë, më 27 gusht 1910. Nga gjaku, Anjesa ishte shqiptare. Stërgjyshërit e saj, nga ana e të atit, kanë jetuar në Shkodër, një qytet në veri të Shqipërisë, ku ekziston madje edhe një rrugë Bojaxhiu, me sa duket përkushtuar ndonjë anëtari të largët të familjes.

Kjo origjinë është qytetare, katolike dhe tregtare. Selia, gjyshja, është një zonjë grua që drejton ndërmarrjen familjare. Llazari, i shoqi, merret me administrimin. Emigruan në shekullin XIX në Prizren, një qytet i rëndësishëm maqedon pranë kufirit shqiptar.

Nëna e Anjesës, zbret nga një familje çifligarësh me origjinë nga Novo Sela. Por në fund të shekullit XIX, edhe Bernajt erdhën e u vendosën në qytetin e madh të Prizrenit për të zënë tregtinë.

Në këtë qytet lindën Kolë Bojaxhiu dhe Drane Bernaj, prindërit e Anjesës. Martesa u lidh – siç ishte zakoni i kohës -  dhe u kremtua me lindjen e shekullit të ri. Çifti i ri niset atëherë për në Shkup, rreth njëqind kilometra larg Prizrenit. Kolë Bojaxhiu, ndërmarrës e tregtar e zhvillon shpejt aktivitetin e tij në këtë qytet kryqëzimi e këmbimi mallrash, një nyje e vërtetë tregtare e Ballkanit. I zgjuar e i shkathët, ka aftësinë për të organizuar punët dhe shpejt e sheh veten në krye të mjaft ndërmarrjeve ndërtimore e të produkteve farmaceutike. Kola lidhet më pas me një tregtar venecian, Z. Morten për t’i eksportuar produkte të quajtura koloniale (sheqer, vajra, lëkura, pëlhura…). Udhëton nëpër krejt Evropën. Flet të paktën pesë gjuhë : shqip, serbo-kroatisht, turqisht, italisht e frëngjisht. Kola fare mirë mund të rrinte në qosh të vet e të kënaqej nga suksesi i punëve dhe lulëzimi borgjez. Por ai është para së gjithash një patriot i flaktë, i dhënë pas politikës. Kur turqit pushtuan Shqipërinë në fillim të shekullit XV, miliona shqiptarë, sikurse Bojaxhinjtë u shpërndanë në krejt Perandorinë e gjerë otomane, që shtrihej nga Kaukazi në Sudan dhe nga Danubi në gjirin Persik. Shumë iu kthyen fesë islamike dhe pranuan zakonet e pushtuesit. E megjithatë, pati një bashkësi të fortë patriotike që diti të ruaj në shekuj traditat, gjuhën, fenë e krishterë. Sepse, ndërsa i sunduan egër popujt e vendeve që pushtuan në Ballkan, turqit u lanë nga ana tjetër shtetasve të tyre mundësinë për të ruajtur kulturën. Kjo « tolerancë » otomane u lejoi shumë grupeve etno-gjuhësore të ruanin dhe shpalosnin nacionalizmat e tyre në shekullin XIX ; bënë të shpërthejë perandoria e madhe turke, katandisur në agim të shekullit XX në « njeriun e madh të sëmurë të Evropës », kufomën e të cilit fuqitë e tjera po bëheshin gati ta copëtonin. Më 1912, perandoria humbi territoret e fundit evropiane gjatë kryengritjes së bashkuar të serbëve, grekëve e bullgarëve. Në dehjen e fitores, shqiptarët shpallën pavarësinë e tyre.

Age e Llazari, motra dhe vëllai i madh i Anjesës, morën pjesë në festimet e natës së 28 nëntorit 1912, ku shumë shqiptarë të Shkupit e të rrethinave u dyndën në konakun e Bojaxhinjve dhe kënduan deri në agim nën tingujt e çiftelisë[i] himnet e tyre patriotike. Mirëpo, euforia ra shpejt para pretendimeve të Serbisë që pushtoi Maqedoninë dhe e bëri të pamundur krijimin gjeografik e politik të një shteti shqiptar. Një luftë e re shkundi Ballkanin. Serbë e bullgarë u grinë për kontrollin e Maqedonisë. Ngadhënjyes, serbët ushtrojnë pa mëshirë autoritetin e tyre mbi shumë minoritete. Më 1915, bullgarët, duke përfituar nga Lufta e Parë botërore dhe falë aleancës që bënë me fuqitë e Boshtit, arritën të rimarrin kontrollin. Më pas, serbët, pas konfliktit, e shtinë sërish në dorë këtë territor aq të lakmuar, në kuadrin e Konfederatës jugosllave[ii].

Nënë Tereza lindi në këtë klimë të ethshme e të ashpër betejash politike, kryengritjesh të befasishme dhe shtypjesh, luftërash civile e ushtarake. Konaku prindëror shndërrohet në një daulle oshëtitëse ku shpresat dhe pështjellimet pasojnë njëra-tjetrën për muaj me radhë.

Kështu, bijë e një populli pa shtetësi, Anjesa trashëgoi karakterin e ashpër dhe të guximshëm të stërgjyshërve të saj. Ruan në temperamentin e vet atë anë endacake, atë aftësi ndaj së përkohshmes, që do t’i ndihë më vonë të ndërrojë vend, gjuhë, kulturë. Anjesa u karakterizua nga përvoja e një melting-pot[iii] maqedon. Në kontakt me kulturat dhe fetë e ndryshme, ajo mëson shumë e re respektin ndaj ndryshimit dhe tolerancën.

Ajo nuk do të jetë kurrë e një toke dhe e një vendi. Vijat e horizontit lëvizin pareshtur përreth familjes Bojaxhiu. S’mbetet gjë nga kjo fëmijëri – sikurse një anije nën stuhi që sheh fenerin në breg – veç një pikë e qëndrueshme : familja, bërthama. Ky është sekreti i shqiptares trupvogël. […].

 

 

Baza të shenjta, të pacënueshme

 

Prindërit  e Anjesës nuk janë borgjezë mbërthyer pas rehatisë, shkëputur nga mjerimi, mbyllur prapa dyersh të rënda prej druri. Shumë të varfër të Shkupit e të rrethinave e njohin shtëpinë e Bojaxhinjëve. Asnjë lypës nuk iku ndonjëherë duarbosh që andej. « Çdo ditë, kishim dikë në tryezë për të ngrënë me ne. Në fillim, e vogël, pyesja nënën : « Cili është? » Ma kthente : « Njeri nga tanët, mik, si gjithë miqtë », kujton Nënë Tereza. Kur u rrit, kuptoi se ishin njerëz të varfër, që prindrit i prisnin në shtëpi. Një ditë, Kola i thotë Anjesës : « Bijë, mos prano kurrë një kafshitë, pa e ndarë me të tjerët ». Këto fjalë do bënin që Kalkuta të ishte në embrion të tyre. Kola, tepër bujar, s’ka qejf të bjerë në sy. Llazari kujton se rregullisht ai e shihte të ëmën të arnonte, të lante, të hekuroste tesha e bluza që i fuste me kujdes nëpër trasta. Me të rënë nata, Kola i merrte pakot me ushqime e rroba dhe i vendoste në shkallët e konakëve të varfër.

Markoni, një komshije plakë tetëdhjetë vjeçe, hante drekë e darkë rregullisht tek Bojaxhinjtë. « Ka nevojë për ngrohtësi, dashuri » u kujtonte Kola sa herë fëmijëve. Nënë Tereza kujton gjithashtu se Drania nuk harronte kurrë t’i jepte kafe me raki Markonit, që i kishte aq qejf. Anjesa shpesh shoqëron të ëmën, madje dhe e zëvendëson, për t’i shërbyer Files, një gruaje alkoolike dhe e sëmurë, tërë plagë në trup, apo për t’i ndihur një të veje, që rropatej në punë natë e ditë për të ushqyer gjashtë fëmijë. Dhe kur e veja vdes, jetimët do të rriten me Agen, Llazarin e Anjesën.

Shembujt nuk mungojnë. Mësimdhënës në kuptimin e parë, zhveshur nga ironia, ndërtojnë në mendjen e Bojaxhinjve të vegjël një statujë të brendshme, pa plasaritje. Mikpritja e të varfërve shihet në jetën e tyre si një zakon jetësor e i shenjtë. « Më shumë ndjen gëzim kur jep, sesa kur merr », përsërit pa u lodhur që prej asaj kohe Nënë Tereza, si një jehonë e fjalëve që i thoshte e ëma : « Kur e bën të mirën, bëje si të hedhësh një gur në det ».

Duke skematizuar leximin e jetës së shenjtorëve të Kishës katolike, dallojmë dy trajektore. Ata që, si Shën Tereza e Fëmijës-Juzus apo abati Ars, morën që fëmijë një edukim të krishterë në bllok, duke e ruajtur me përkushtim tërë jetën. Dhe ata që, pasi jetuan një jetë të hapur si  kanatet e dritareve zbuluan a rizbuluan besimin gjatë pjekurisë së tyre, si Shën Agustini apo Shën Fransuai i Asizës. Nënë Tereza është një shembull i shkëlqyer i familjes së parë. Besimi karbonar që prindërit i përcollën asaj, nuk iu largua kurrë. Përtej gjithë pyetjeve, arsyetimeve intelektuale apo filozofike, ajo beson, pa e vënë kurrë ndonjëherë në dyshim ekzistencën e Zotit. Besimi si një siguri e plotë. Për shqiptaren trupvogël, ky besim është ankorimi i të çrrënjosurve, elementi i natyrshëm që merret si vetë uji apo dielli. Anjesa jetoi nën vështrimin e Zotit që prej fëmijërisë dhe kjo siguri nuk iu largua asnjëherë. Tetëdhjetë vjet më vonë, ajo është e prerë : nuk e ka vënë kurrë në dyshim[…].

  

 

SŒUR EMMANUELLE

 

Jeta e Motrës Emanuelë, « rreckambledhësja e Kajros » paraqet alanogji të mahnitshme me atë të Nënë Terezës. Në moshën 20 vjeçare hyn në kongregacionin e Shën-Mërisë së Sionit në Jeruzalem, ku bëhet profesore e letërsisë dhe filozofisë. Në moshën 62 vjeç, zgjedh të jetojë me të varfërit në një bindonvil të Kajros, Zgjeron hap pas hapi veprimtarinë e saj në vende të tjera dhe themelon Shoqatën e Miqve të Motrës Emanuelën që ka ndihmuar e ndihmon dhjetëra mijëra fëmijë në botë. Në moshën 85 vjeçare kthehet në Francë dhe vazhdon parreshtur luftën e saj kundër varfërisë dhe për solidaritet. E dekoruar Komandore e Legjionit të Nderit më 2002, nuk ka humbur as edhe një grimë nga thjeshtësia e dinamizmi i saj si misionare e dashurisë.

 

 

DRITA E SAJ NUK DO SHUHET KURRË

 

Midis atyre që i janë përkushtuar me trup e me shpirt më të varfërve, dy personalitete kanë lënë gjurmë në jetën time : Ati Damieni, apostulli i leprozëve, dhe Nënë Tereza, Nëna e të mënjanuarve. I pari orientoi adoleshencën dhe rininë time, e dyta, jetën time prej murgeshe : i lutesha Zotit të më jepte një pjesë nga fryma që i kishte ndezur ata. Të lija gjithçka, për të jetuar me më të mjerët, si dhe për më të mjerët, me ata që askush s’i do, më dukej si Dashuria e vërtetë.

Përsiatja në veten time fjalët e saj, për shembull kur shpjegonte se ç’nder ishte përkushtimi i atyre që i shërbejnë Krishtit tek anëtarët e tij më të përvuajtur. Sa e thellë kjo fjalë : Nder. Është vetë jehona e Qiellit ku më të fundit do jenë më të parët, ku më të vegjlit do lartohen e më të fuqishmit do përmbysen.

Nënë Tereza më bënte të kuptoja gjithashtu se lutja ishte jo vetëm shpirti i jetës, por edhe burimi i efektshmërisë së saj. A mund të përthyemi nga puna ? Le t’i japim më shumë kohë Zotit dhe do shohim se ngarkesa do jetë më e lehtë : ja mësimi që u jepte motrave Nënë Tereza ! Unë, që aq lehtë mund të bija thjesht në aktivizëm, kisha mjaft nevojë t’i rikthehesha burimit të jetës !

Çka më çudiste po ashtu ishte të shihja drejt kujt anonte zemra e saj : njerëz të braktisur duke vdekur, fëmijë të lënë mes rrugës, njerëz me SIDA, konsideruar si leprozë. Kur u thirr në Egjipt nga peshkopi latin Imzot Egidio Sampieri, ajo dërgoi drejtpërdrejt misionaret e saj në vetë zemrën e Mokatamit, bindovili më i varfër i Kajros. Peshkopi fillimisht u kish caktuar në qytet një apartament të mobiluar në mënyrë modeste. Kur shkova t’u bëj vizitë, i dëgjova tek thoshin : « Duhen hequr patjetër moblat. Nënë Tereza do vijë dhe do jetë e pakënaqur po të shohë tërë këtë luks ». Dhe Imzoti që u përgjigj : « Luks ky ? Disa dollapë, tryeza, karrige e shtroje dhe asgjë më shumë se kaq ! » Por më pas u bind, se kur shkova herën tjetër tek to, nuk kish më asgjë… vetëm rrogoz në shesh, disa stola dhe një dollap i vogël me ca të linjta për secilën nga Motrat.

Nënë Tereza vjen dhe hamë drekë së bashku, tek peshkopi. Ekipi me të cilin po bashkëpunoja atë kohë për mbledhje rrobash, sapo kish përfunduar punimet e para – kopshte fëmijësh, shkolla, dispanceri – , kur na vjen një çek i bukur prej 10 000 dollarësh. Me thënë të drejtën, nuk kishim nevojë. E di sa e vështirë është të gjendet paraja si fillim, për të nisur punën. Ia dhuroj pra këtë çek Nënë Terezës. « Faleminderit Motër Emanuela - më tha - por e mira është që motrat e mia të shkojnë drejt e në bidonvil, aty ku varfëria është më e madhe, për të qenë sa më pranë atyre që vuajnë. Kur do na duhet më pas të ndërtojmë për më të varfrit, Zoti do na ndihmojë. Prandaj mbajeni çekun, se shpejt do kini nevojë për këto 10 000 dollarë ».

Dhe kish të drejtë. Pas ca kohe, ekipi vendosi të ngrejë një fabrikë për të shndërruar gjurmët e vdekjes nga mbeturinat e plehrave ku rrëmonin rreckamanët, në gjurmë jete nëpërmjet kompostimit plehërues. Dhe çeku u përfshi në shpenzime të domosdoshme !

Kur u thirra në Hartum pranë fëmijëve të mjerë, shkova pa humbur kohë në Azilen e Missionaires de la Charité ( Misionareve të Lëmoshës). Mbi një dyshek përtokë, po jepte shpirt një njeri që në çast të fundit më mbërtheu krahun, duke më ngulur sy të errët e me njëfarë ngërçi në fytyrë. E pranoj, që shtanga, ngriva në vend nga frika. Atë çast, vjen një Motër nga të Nënë Terezës.E shoh tek përkulet pranë një të mjere që e kishin marrë mes plehrave, mbushur me krimba. I vë ndër buzë një gotë ujë, duke i drejtuar një buzëqeshje të ngrohtë. Shoh plakën e shkretë të dridhet e tëra nga ajo ngrohtësi…dhe duke më ardhur turp nga frika që ndjeva, u përpoqa t’i përngjasoj, duke u përkulur edhe unë drejt fatkeqit në agoni me buzëqeshjen më të ngrohtë…Më lëroi krahun dhe më ktheu buzëqeshjen. Mësova kështu se dashuria është më e fortë se vdekja !

Disa kohë më pas, në të njëjtën azile, të rinj adoleshentë të fanatizuar kundër Motrave, iu sulën Motër Joanës, drejtueses, për ta goditur rëndë e për ta lënë gjysmë të vdekur. E transportuar në spital, ajo kundërshtoi të jepte emrat e kriminelëve, duke ia kthyer hetuesit me zë të dobët : « Jezusi i ka falur… edhe unë i falë ». Ajo kish trashëguar zemrën e Nënë Terezës !  Kjo, që nga lart Qiellit, mbetet një fener, dritë e të cilit nuk do shuhet kurrë.

 

Albert LONGCHAMP

 

Prift, jezuit, gazetar profesionist në Gjenevë, drejtor dhe kryeredaktor i « Echo Magazine ».

 

 

PORTRETI SHPIRTËROR I NËNË TEREZËS

 

Nënë Tereza është para së gjithash një vështrim. As edhe një dyshim në këtë pikë. Një vështrim, që kujtesa jonë, ushqyer nga fotografi të panumërta të « Shenjtores së Kalkutës » e lidh atë me një fytyrë të vrarë nga lodhja, pastaj nga mosha, por gjithnjë të ndriçuar nga përbrenda, prej nga vërshon ngrohtësi. Një vështrim i ngrohtë për një botë të mjerë. Kështu na shfaqet Nënë Tereza, dhe kjo, shumë më përtej kufijëve të Kishës katolike. Ashtu sikurse vetë populli e kish « kanonizuar » papën e mirë Joanin XXIII shumë më përpara se ai të hynte zyrtarisht në katalogun e të fatlumëve », lumnimi « i posaçëm » i Nënë Terezës nuk shkaktoi kurrfarë dyshimi apo proteste të rrëmbyer.

 

Gjithkush ka përshtypjen se Papa Pavli II, admirues i madh i murgeshës trupvogël shqiptare i detyrohej asaj për atë provë mirënjohjeje në emër të Kishës, në emër të më të varfërve, në emër të njëfarë vizioni për njerëzimin. Frymëzimi i asaj gruaje, që buroi në zemër të Indisë së kastave e të varfërisë së njerëzve që s’prekeshin me dorë, po shpërthen sot në mbarë botën, falë fondacio-neve që morën stafetën e karizmës personale të Nënë Terezës. Misioni që ajo do të kryejë do të jetë i karakterit shpirtëror, karitativ dhe – në një kuptim që duhet saktësuar – politik. Me madhështitë e veta, të pamohueshme, dhe me kufijtë e vet po të pamohueshëm.

 

Si Tereza e Lizjësë

 

Pa mëdyshje, Nënë Tereza, që kur hyri në rishtarinë e murgeshave mësimdhënëse të Shën-Mërisë së Loretës, zgjodhi rrugën e vetëmohimit. Ajo kërkon në këtë drejtim të ndjekë shembullin e Shën Terezës së Lizjësë, prej së cilës mori emrin që më 1931, data e përbetimeve të para të saj. Anjesa zgjodhi Terezën dhe i vë vetes për qëllim të bëhet « një tjetër Terezë », sepse karmelita[iv] « bënte gjëra të zakonshme me një dashuri të jashtëzakontë ». Tereza e Lizjësë është po ashtu drejtuese misionaresh, por ajo kurrë nuk doli nga karmeli i saj normand. Po Motër Tereza, a e ndjen vallë se misioni i saj, edhe pse është në Indi, sikur kërkon ta mbajë mbyllur në rolin e profesores së gjeografisë për vajza nga familje të ngritura ? Atëherë, nuk bën veçse një hap, një hap të vogël drejt botës  “së jashtme”, duke shpënë pikërisht në slumet e Kalkutës vajzat të cilave u jep mësim. Dhe pikërisht aty, fëmijët e rrugës zënë dhe e thërrasin Ma, Nënë, emër që do t’i bashkëngjitet përgjithnjë emrit të Terezës. Të varfrit në njëfarë mënyre e « pagëzuan » këtë murgeshë të re, që ndërgjegjësohet për realitetin shoqëror, duke u thelluar në botën shpirtërore të saj.

Më 1937, ajo kalon sikurse Tereza e Lizjësë një periudhë të vështirë « nate shpirtërore ». Merr mbi vete përgjegjësi në kongregacionin e saj, i pranon, në frymë braktisjeje të vetvetes, siç e kërkon përbetimi i saj bindës, dhe vështrimi – tashmë – e shpie më tej. Ka ardhur në Indi jo për t’i shërbyer një Kishe, që është ende gjerësisht në shërbim të evropianëve, por për të shoqëruar më të varfrit. Duke ndjekur intuitën e vet – zërin e brendshëm, siç thotë ajo – dhe në marrëveshje me hierarkinë vendore dhe superiorët e bashkësisë së saj, Tereza zgjidh ballamarët më 18 gusht 1948. Largohet nga murgeshat e Loretës, përshtat veshjen tradicionale të sarit me pëlhurë të bardhë pambuku dhe shirita blu. Një kryq i vogël e mban të mbërthyer petkun në shpatullën e majtë. Është gati 40 vjeçe, nga të cilat mbi njëzet vjet në jetë fetare. Riniset nga zeroja. Jo nga fryma e shkëputjes, por nga ndjenja e besnikërisë. E besnikërisë për më të varfrit. Dhe e besnikërisë për Zotin, i cili, nëpërmjet tyre e thërret të zotohet për më të rrënuarit.

 

Në shkollën e lutjes

 

Grua veprimi, organizatore e pashembullt, kërkuese, autoritare, me ecje të brishtë, por disi e papajtueshme kur bëhet fjalë për të ardhmen dhe integritetin e veprës së saj madhështore, Nënë Tereza e ruan me fanatizëm të madh rolin e saj si themeluese, duke u përkujdesur për tërë hollësitë e jetës së përditshme. Kur thërret Atin Edouard Le Joly të bëhet dëgjuesi dhe drejtuesi shpirtëror i rishtareve dhe motrave në vitet e para të themelimit të Misionareve të Karitasit, ajo tregohet këmbëngulëse para priftit : « Ju lutem, Atë, mos ndërhyni në punët e shtëpisë. Siç e dini, priftërinj të tjerë kanë dashur që unë të ndryshoja disa gjëra. Për shembull, më thonin se motrat duhet të kenë ventilatorë në sallën e madhe dhe në kishëz. Po unë, nuk dua të kenë ventilatorë. Sepse të varfrit, të cilëve ato do t’u shërbejnë nuk  kanë… » Kur « Nëna » fliste, « Ati » mund të këshillonte, por asnjëherë të komandonte. Siç shkruan me delikatesë Ati Le Joly, ajo i formoi rishtaret e veta « me dorën e saj », duke njohur secila nga afër vëmendjen personale të vetë themelueses.

Për të grupuar, mbështetur, strukturuar kongregacionin që ngre në këmbë, Nënë Tereza predikon e praktikon një jetë lutjeje intensive, por të thjeshtë. Ajo çmon këshillën ungjillike : « Kur lutesh, hyr në dhomën tënde, mbyll portën dhe fol me Atin tënd që është në qiej ». E thirrur më 1980 të flasë përpara priftërinjsh të ardhshëm, ajo nuk ngurron të shprehet me vendosmëri përpara auditorit : « Ju jeni njerëzit e Zotit, njerëzit e lutjes. Lutja duhet të jetë buka juaj e përditshme. Po nuk doni të luteni, më mirë kthehuni në shtëpitë tuaja… »

Më 1976, Nënë Tereza krijoi një degë krejtësisht kontemplantive[v] të Misionareve të Karitasit, Motrat e fjalës. Orari i vendosur nga Themeluesja ka diçka rraskapitëse : të paktën tre orë në ditë lutje më vete, një tjetër lutje në kishëz, dhe përsëri dy orë ungjillim të jashtëm. Bashkësia e parë e këtij lloji u themelua në Bronx të Nju Jorkut. Një tregues i fortë i orientimit që kishin marrë vetë « nxënëset » e Nënë Terezës përgjatë viteve :  prania e tyre në « lagjet » e vështira dhe në situata mjerimi të madh brenda qyteteve të pasura të vendeve më të zhvilluara.

 

Një lidhje gati dashurore me Jezusin

 

E formuar në shkollën tradicionale të lutjes së vazhdueshme, « Nëna » u imponoi gjithashtu motrave të veta zakonin të këndonin lutjen në rrugë e në kohë të lirë. Kritikët mendojnë shpesh, jo pa arsye, se lutja « e thjeshtë » e Nënë Terezës u kthye për motrat e sotme në njëfarë ngacmimi bezdisës të ndërgjegjes. Ato nuk kanë aspak « kohë të lirë », të konsideruar si kohë e humbur apo kohë e marrë, kondrabandë, nga të varfrit, dhe sidomos nga « Jezusi ».

Duhet këmbëngulur këtu në emërtimin « Jezus », i parapëlqyer në mistikën e Nënë Terezës para emrit « Krisht » e « Zot ». Gjë që e bën jezuitin Edouard Le Joly, i cili për njëzet vjet me radhë ishte këshilltari personal i Themelueses së Misionareve të Karitasit, dhe që mbetet një nga interpretuesit e saj më të mirë, të shprehet : « Detyra e Misionareve të Karitasit nuk ka qenë përqendruar tek të varfrit…E vërteta është se Nëna dëgjoi thirrjen e Jezusit në thellësi të shpirtit të saj. Zoti e thirri atë për t’i shërbyer tek të varfrit dhe ajo iu përgjigj : « Ja ku me ke »[vi].

Nënë Tereza e kishte zakon të përsëriste këtë porosi : « Ju nuk mund të doni në përsosmëri tërësisht dy vetë. Por ju mund të doni në përsosuri gjithë njerëzit nëse doni Jezusin brenda atyre të gjithëve. Kjo do të thotë se duhet përqendruar mendja, zemra, jeta dhe veprimtaria te Jezusi, duke e parë atë tek çdo njeri që vuan. »

Pavarësisht nga bujaria që shprehin, këto fjalë shtrojnë një problem që hasin të gjithë ata që i hyjnë një çështjeje humanitare apo karitative. Cili është motivi i thellë i një zotimi të tillë ? A është një nevojë altruiste personale, një shqetësim për tjetrin, apo një shqetësim për vetveten nëpërmjet një angazhimi shoqëror ? Në fe, çështja është edhe më serioze : njeriu që vuan, a është i denjë për t’u dashur pa kurrfarë interesi, thjesht për atë, pa arsye tjetër se është një qenie njerëzore, apo ky njeri u dashka nëpërmjet dashurisë për « vetë Jezusin » ? Përgjigja e Nënë Terezës është këtu konstante. Si Misionare të Karitasit « ne do t’i bëjmë të mundur Jezusit të rrezatojë tek ne, dhe nëpërmjet nesh në dritën e shpirtgjerësisë ».

Lidhja midis murgeshave të Nënë Terezës dhe Jezusit paraqet një karakter pothuaj dashuror. Një gazetari belg që kërkonte të dinte se ç’gjë paraqitej themelore tek Nënë Tereza në drejtim të formimit të murgeshave, ajo iu përgjigj : « Themelorja është të mësohen motrat me një dashuri të thellë, personale me Eukaristinë ; ta gjejnë Jezusin në Sakramentin e Shenjtë ; atëherë, duke dalë, ato do të gjejnë Jezusin tek i afërti i tyre dhe do t’i shërbejnë Atij tek të varfrit »[…].

 

 

Guy GILBERT

 

Gi Zhilber, prift-edukator, i cilësuar si « apostulli i fëmijëve të prapë të rrethinave » në Algjeri, Paris, Faucon, është vënë tërësisht në shërbim të të rinjve që hasin probleme të rënda.

 

PËR TË VARFËRIT GJER NË FUND

 

Sinjali i nisjes së Nënë Terezës në vetëmohimin e saj ishte ai fakt i thjeshtë kur pa një njeri duke dhënë shpirt, ngrënë për së gjalli nga minjtë, dhe kur kundërshtoi të vijonte në udhën e vet.

U nis nga një njeri i vetëm për të shkuar pareshtur tek çdo njeri ; pa thënë asgjë. Dëshmia e saj flakadane ndezi zjarrin në tokë.

Fytyra e saj e mjerë, deri në fund të jetës, shprehte shenjën që mbante përbrenda, pa pyetur kurrë për veten e saj.

Vetë jeta e saj e brendshme vërtetonte dhe gjallëronte veprimin që ndërmerrte : që andej ishte pikënisja. Ishte varfërimtare, për të varfrit gjer në fund. Ungjilli do të lindë Nënë Tereza që, pa kalkulime dhe vetëm mbi luleshqerrat e Ungjillit, do të dëshmojnë se Krishti, në atë që përphet nga minjtë, do të jetë përparësia e jetëve tona.

Për admirim, Nënë Tereza as që pyeste. Por të jetosh në veprim e sipër Dashurinë falas dhe ungjillore do të thotë për çdo të krishterë të qëndrojë në lartësinë e asaj gruaje që iu dha botës nga Zoti si një shenjë madhështore. (Shkruar në një bar të Fontainebleau më 25 qershor 2003 në orën  një të mëngjesit).

 

Grup autorësh, “Nënë Tereza,

Pasqyrime të një shpirti dhuruar më të varfërve”, 2003.



[i] Shqip në tekst.

[ii] Kësisoj, kur lindi Nënë Tereza, Jugosllavia ende nuk ekzistonte; edhe kur do vdesë, ky vend nuk do ekzistojë më. Nga një luftë e Ballkanit, në tjetrën (shënim i autorit).

[iii] Përzierje (racash, gjuhësh, etj.)

[iv] Murgesha e urdhrit të Karmelit.

[v] Përsiatëse, medituese.

[vi] Edouard Le Joly, Nënë Tereza, kumtare e dashurisë së Zotit, Ed. du Seuil, 1985, f. 30. 



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora