E shtune, 27.04.2024, 02:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Dashuri e ndërprerë (III)

E shtune, 25.06.2011, 06:08 PM


DASHURI E NDËRPRERË

 

TREGIM NGA LUAN ÇIPI

 

PJESA E TRETE

 

-Hajde, gëzuar, për vajzën tënde të bukur!

             Pasi rrëkëllyem edhe nga një gotë,  biseda vazhdoi edhe më me ndjenjë:

Lindja e vajzës, vazhdoi tregimin Kola, sikur e zbukuroi edhe më shumë Resmijen. Më kujtohet, në ato ditë, si tani: Ajo ishte me flokë të verdha, një bionde natyrale. Ato flokë të arta i lëshonte të gjata mbi supe, pasi i bënte me onde. Sytë i kishte të kaltër, si deti dhe të shndritshëm, sikur shkreptinin tek përpëliteshin qepallat e stërmëdha... Fytyrën e kishte borë të bardhë, pak të hequr e të zgjatur me tipare të rregullta. Dallohej për trupin e gjatë dhe të hollë. Me që ia dinte vlerën vetes, bënte një tualet të lehtë dhe vishej thjesht, po me shije... Me kalimin e kohës filloi t’i pëlqente më shumë vetja, të ndiqte modën dhe të përpiqej për t’u dukur sa më shumë ndërmjet shoqërisë. Kishte qejf ta vlerësonin dhe t’i bënin lajka. Ato i priste me dashamirësi, pa reaguar te asnjë në mënyrë të diferencuar. Me kalimin e kohës i pëlqenin dhe reagonte dukshëm edhe ndaj komplimenteve

 të burrave lajkatarë e llafazanë dhe mërzitej e hidhërohej, duke shfaqur shenja nervozizmi, kur nuk e vlerësonin dhe nuk i mbiçmonin hiret e saj. Unë indiferent, e ndjeja shpërthimin dhe shqetësimin e pajustifikuar të saj, po nuk bëhesha xheloz ngaqë e desha dhe e besoja verbërisht gjithnjë e më tepër. Dëshpërohesha shumë kur ajo ndihej e nervozuar dhe nuk shkoja më tej.

-Hajde, gëzuar, Kola, bram!  Për kujtimin e atyre viteve të bukur.

-Vërtet vite të bukur, po ç’e do që ishin të paktë. Tani që i kujtoj, jo vetëm që nuk gëzohem, po sepse hidhërohem dhe më shumë, aq sa ndonjëherë, po mos të kisha vajzën e vogël, me siguri do ta kisha... vrarë veten.

-Po, pse, o vëlla, në të mirë e sipër, si erdhi prishja?

-Më duket se e keqja nisi nga Furra e Allçisë që po ndërtohej pranë Fabrikës së Çimentos. Siç e dini për prodhimin e çimentos përdoret në përzierje me gurin argjilën dhe shtufin dhe një sasi gipsi. Si pjese e Fabrikës së Çimentos janë edhe karrierat e nxjerrjes se gurit gips, që është njëkohësisht lënda e parë për prodhimin e allçisë. Kjo, në kohën e nismave “të prodhojmë gjithçka në vend, për të pakësuar importin” lindi mendimin për të prodhuar ne vend edhe allçi. Kjo ishte fare e thjeshte: Duheshin ndërtuar furra te thjeshta me qemer tullash refraktare, për pjekjen e gipsit dhe për prodhim allçie

Kështu, mua si specialistin e vetëm të ndërtimit të qemerëve të furrave, më kishin thërritur për të konstruktuar dhe ndërtuar një furrë pjekjeje për gips, për prodhim allçie, sipas këtij modeli  furi të poçerisë, që ne kemi këtu para nesh.

Aty, te Furra e Allçisë në ndërtim, vinin dendur për konsultë inxhinierë e specialistë të Fabrikës së Çimentos. Me këtë grup erdhi dhe një bregas, një i quajtur Thoma Gjori. Si për çudi, ai tregoi interes të veçantë për mua, sa mësoi që isha burri i Resmijes. Duket se, si pusht i njohur që qe, kishte paramenduar një kurth të rrezikshëm djallëzor. Rasti për ta realizuar atë i kishte mbirë në derë. Resmija, siç të thashë, kish nisur punë në Ofiçinën e Fabrikës së Çimentos, ku drejtues teknik ishte Gjori.  Atij i kishte rënë në sy si bukuria dhe naiviteti i Resmijes dhe lakmonte ta bënte për vete. Thomai, siç mora vesh më vonë dhe e vërtetova në kurrizin tim, ishte me shumë përvojë dhe i rrahur mirë nga jeta si aventurier karriere. Me sa u kuptua, ishte si një dhelpër që vepronte me zgjuarsi dhe dinakëri e guxim, si një feminist i pa skrupull. Mu afrua dhe kërkoi miqësi, sepse lakmonte hiret e

 Resmijes së re e të bukur edhe për të plotësuar zbrazëtitë dhe largësinë që i krijonte gruaja e tij, tani me shenja vjetrimi e në rënie fizike. Pulë bote, ma. Dhe çfarë pule, se?

Me kohë Thomai te ne u bë si i shtëpisë. Filloi të më tregonte, në mirëbesim, për veprimtarinë e tij të shquar si ish pushtetar me përvojë në bregdet dhe për bëmat e tij, si komunist i vjetër, pa lënë mënjanë dështimet dhe pakënaqësitë e veta, kur vendasit aludonin dhe hidhnin ndonjë fjalë deri në Organizatë, se ishte pro Grek.  Me sa duket ishte një taktikë e studiuar me kujdes për të më afruar gjoja në intimitet dhe për të fituar kështu  besimin tim te ai, çka duket se, për natyrën time gjithashtu mirëdashëse dhe naive, e arriti shpejt...Nga ana tjetër, me të afërmit e mi familjare të larguar, për pikëpamjet e papranueshme fetare dhe armiqësia e deklaruar e nënës sime të dashur, rritur dhe edukuar në familje priftërore. mua nuk më ngelej tjetërkush afër zemrës së coptuar nga ky veçim e poshtërim dhe kështu më pëlqenin qoftë dhe shoqërimet e këtij njeriu të shtirur e me përvojë. Ai

 i shpeshtoi vizitat, mandej nisi të sjellë herë pas here edhe dhurata dhe të shprehte kujdes e interesim për gjithë familjen e sidomos për vajzën e vogël. Nisi të qëndronte edhe për dreka e darka, çka unë e justifikoja me atë që ai ishte këtu në qytet i vetëm, se e kishte në fshat familjen e tij. I lavdëronte pa u kursyer gjellët e gatuara nga Resmija dhe pinte e pëlqente shumë verën, që ishte dobësia ime dhe e kisha nxjerrë vet me rrush të zgjedhur vlosh..

 

Duhet të kalonin gati dy vjet që unë, leshkua, larg familjes prindërore dhe njerëzve të afërt, të merrja sinjalet e para për tradhtinë e madhe. Më lajmëroi Bejua, shoku im i vjetër i punës, që ma solli rrotull bisedën, duke më transmetuar llafe të dëgjuara, që duhet ti merrja sadopak parasysh, për ti provuar dhe vërtetuar.

Po prapë dashuria ime e parë, e thellë dhe shumë e sinqertë e mposhti reagimin e menjëhershëm. U bëra si shurdh dhe i verbër dhe asnjë nuk besoja, duket as veten time, veç fjalëve të bukura të sajë. Vazhdoja ta justifikoja dhe ta quaja si engjëllin tim të pafajshëm... Nga Resmija për Thomain vazhdoja të dëgjoja të kundërtën. Ajo e quante atë një njeri të mirë, familjar, që kujdesej si asnjë tjetër për gruan dhe fëmijët e tij dhe që e ndihmonte dhe e lehtësonte për çdo gjë. Madje ajo filloi ta lavdërojë gjithnjë e më shumë për zgjuarsinë, aftësitë tekniko organizative dhe militantizmin e patriotizmin e tij.

Thomai, nga ana e tij e lavdëronte Resmijen duke e quajtur atë model besnikërie dhe virtyti.

Kaloja vërtet çaste deziluzioni dhe pasigurie, aqesa po më vështirej shtëpia, ndaj qëllimisht rrija sa më gjatë në punë dhe nisa të frekuentoj lokalet e natës me pije.

Koha e zgjidhi shpejt dyzimin dhe mos ndërhyrjen time. Probleme të tjera nxori jeta. Vajza po rritej dhe duket se kishte një sëmundje në sytë, që më mori shumë kohë dhe shumë para. Thomaj për këtë dukej i preokupuar më shumë nga të gjithë dhe më rekomandonte me insistim ta çoja vajzën për vizitë te specialistët “e shquar” të Tiranës.

Ashtu bëra. Shkova vet në Tiranë dhe me ditë të tëra u sorollata pafundësisht, sa në një mjek te tjetri…

Kur u ktheva, pas një jave, Resmijen nuk e gjeta në shtëpi. Ajo, pasi kish jetuar gjithë atë javë në një shtëpi me Thomain, kishte shkuar, siç më thanë, po me ndihmën e Thomait, në Berat te vëllezërit e saj, për të ndenjur deri sa të krijoheshin kushtet për të bashkëjetuar për gjithnjë me Thomain.

Kështu ishin bërë planet. Për mua kaq ishte. Ajo nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Siç mora vesh, Thomai kish tentuar ta merrte dhe ta izolonte në bregdet në shtëpinë e vjetër të gjyshave të tij. Vëllezërit e Resmijes e kishin pikasur qëllimin dashakeq, ndërsa gruaja dhe fëmijët e Thomait kishin ndërhyrë me vendosmëri dhe që të gjithë, kishin marrë masa për ta ndaluar këtë aventurë. Për më keq Resmija fatkeqe ngeli në mes të katër rrugëve dhe nervozizmi saj u thellua, derisa fundi  ishte  shtrimi pa shpresë shërimi në Spitalin Psikiatrik të Vlorës.

Ja, kjo është brenga dhe fatkeqësia ime. Kështu u tha Lulja ime. Me sa duket edhe nga që unë nuk i shërbeva aq mirë sa duhej dhe e lashë, pa kujdes, ta mbysnin barërat e këqij dhe rrënjët e fletët t’ia thanin insektet dhe parazitët. Dhe lulja që thahet në rrënjë nuk çel më, ndërpret jetën, siç ndodhi me dashurinë time.

 

Përpunuar 20 qershor 2011



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora