E marte, 12.11.2019, 01:36 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Tri zemra të bashkuara përgjithmonë

E enjte, 09.06.2011, 07:05 PM


Cifti duke vallezuar te lumtur
Cifti duke vallezuar, te lumtur

 

Tri zemra të bashkuara përgjithmonë

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Vetë  fjala zemër përmbledh ngrohtësinë dhe bukurinë njerëzore, pa zemrën askush s’mund të jetojë.  Duke qenë si një pjesë e Diasporës dhe nga shumë bashkatdhetarë dëgjoj  historitë e tyre të  cilat jane nga më të ndryshmet si: të dhimbshme, tragjike, të  suksesshme, të bukura, medoemos këto histori bëhen tepër inspiruese për një krijues.

E tillë është dhe historia e dashurisë së Elisabeta Grecës dhe Eduard Shehut, të cilët dhe pse të martuar dhe me një djalë, nuk kishin mundësi ligjore të jetonin bashkë në New York, ngase bashkëshorti i Elisabetes, Edi ishte pa dokumenta...(ah këto dokumentat jua morën shpirtin shqiptarëve kudo ku janë arratisur…!)

Kishin gati pesë vjet që luftonin, punonin, përpiqeshin për t’u bashkuar.  Ata edhe pse larg njeri-tjetrit dashurinë e kishin më të zjarrtë, më të bukur, sepse brenda dhimbjes së ndarjes edhe pse mund të pikonte herë pas here loti i dashurisë për njeriun e zemrës, bënte që kjo “luftë” dashurie dhe dëshirash t’i forconte dhe më shumë.

Nga ky lot kaq i pastër gati-gati hyjnor iu lindi nje djalë i bukur.  Pranë çiftit erdhi një ëngjëll që komunikonte aq ëmbëlsisht për dashurinë e tyre, ishte ëngjëlli me emrin Kelvin, i pandarë pranë botës së prinderve duke qëndisur peizazhe në dritën e syve të tyre.

            Edhe pse dokumentat i kishin “ndarë” ata nuk u mbyten në dhimbjen e ndarjes, sentimentalizmat, por vazhduan me dinjitet shkollimin dhe edukimin e tyre. 

Kështu Elisabeta mbaroi master në Anglisht dhe sot është një mësuese shembullore e gjuhës angleze në një shkollë të mesme në New York, ajo është integruar me kulturë në botën perëndimore.   Ndërkohë që vazhdonte studimet, ajo punonte me këmbëngulje të plotësonte gjithë dokumentacionin për bashkimin familjar në emigracion, që vetëm ne që jemi jashtë Mëmëdheut tonë të shumëvuajtur mund t’i dimë cfilitjet dhe stropacitjet e letrave.

            E pikërisht në Odisenë e dokumentave, papritur në një ditë të bukur pranvere si vetë zemrat e tyre të dashuruara, Zoti e rregulloi si me dorë ardhjen e bashkëshortit të saj Eduardit.  Atij i ra shorti të vinte me dokumenta të rregullta, me lloto.  Pritja e gjatë e tyre tashmë u kthye në një relike, një  kujtim i përhershëm i dashurisë së tyre të zjarrtë. 

Gezimin e madh të bashkimit të tyre babai i Elisabetës z.Dalip Greca editor i gazetës “Dielli” së bashku me bashkëshorten e tij fisnike znj.Xhemile e ndanë me miqtë, të afërmit dhe shoqërinë e çiftit në një mbrëmje të bukur festive që u organizua në restorantin “Maestro” në Bronx, New York.  Njerëzit vinin grupe-grupe për të uruar familjen Greca dhe zinin vendet në tavolinat shtruar me aq shije dhe elegancë.  Pasi të gjithë kishin zënë vendet, në sallë u lajmërua se do te vinte çifti.

Pjesëmarrësit, të gëzuar u çuan në këmbë për të pritur me duartrokitje ardhjen e Elisabetës, Eduartit dhe djalit të tyre Kelvin. 

            Ishin tri zemra të bashkuara, tri zemra të kapura dorë për dore që po përshëndesnin me buzëqeshje gjithë të pranishmit.  Elisabeta filloi të kërcente si një hyjneshë në krahët e bashkëshortit të saj.  Tek familjarët pashë lotë gëzimi, ku prej tyre dalloheshin qartë lotët e të atit, Dalipit, ishin lot prindi…

Sipas zakonit shqiptar, fjalën e mori babai i cili në përshëndetjen e tij tejet emocionante shprehu gëzimin e papërshkrueshëm të bashkimit të çifit si dhe falënderoi gjithë pjesëmarrësit, të afërmit që kishin ardhur nga shtete të tjera, miqtë e shoqatës “Vatra” shoqërinë amerikane të Elisabetës, Luçia Likollarin, Mexhid Ghaffari, Todd Watkins etj.

Pas fjalës përshëndetëse të gjithë u ngritën në këmbë dhe vallëzuan së bashku nën tingujt e mrekullueshëm të këngës shqiptare.  Më vonë përshëndeti dhe z.Gjon Bucaj, kryetari i shoqatës “Vatra” i cili foli me dashuri për çiftin, duke thënë se historia e tyre është për të bërë roman shkrimtarët…Me humor të hollë tregoi se si e kishte takuar dhe mamanë e Elisabetës, Xhemilen, e cila i kishte lënë mbresa si një grua fisnike dhe e edukuar. 

Të gjithë gëzonin dhe vallëzonin së bashku, nuk mungonin dhe urimet e ngrohta të tyre ku do të veçoja aktoren e mirënjohur të Teatrit të Fierit, znj.Xhulieta Kulla, patriotin zemërzjarrtë, ish të dënuarin politik, z.Niko Kirka, z.Sali Bollati, çiftin Likollari, T.Vila, si dhe znj.Merita Shkupi e cila u shpreh se lajmi i bashkimit të tyre, ishte lajmi më i bukur i muajit.  Mbrëmja u filmua nga TV i mirënjohur Kultura Shqiptare me producent z.Adem Belliu, ndërsa fotot u morën profesionalisht nga z.Dritan Haxhia.

Vallet dhe këngët e bukura shqiptare vazhduan gjer natën vonë per çiftin e mrekullueshem, për nusen dhe dhëndërin i cili dukej sikur kishte ardhur nga qielli dhe ndodhej pranë zemrave më të dashura të tij, ishin tri zemra të bashkuara përgjithmonë.

Cifti Greca Gahari dhe Watkins
Cifti Greca Gahari dhe Watkins

Duke djegur shamine e beqarit
Duke djegur shamine e beqarit

Dr Gjon Bucaj duke pershendetur ciftin dhe familjen e Dalipit
Dr. Gjon Bucaj duke pershendetur ciftin dhe familjen e Dalipit

Duke i kenduar ciftit
Duke i kenduar ciftit

Elisabeta, Kelvini dhe Eduardi
Elisabeta, Kelvini dhe Eduardi

Elisabeta ndrinte duke vallezuar ne kete mbremje
Elisabeta ndrinte duke vallezuar ne kete mbremje

Vellai i Elisabetes duke vallezuar
Vellai i Elisabetes duke vallezuar

Pjesemarresit dhe cifti duke vallezuar
Pjesemarresit dhe cifti duke vallezuar

 

 

Qershor, 2011

Staten Island, New York

Botoi gazeta “Illyria” 7-9 Qershor, NO:2057



(Vota: 21 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT