E premte, 26.04.2024, 07:12 PM (GMT+1)

Editorial

Muharrem Sfarqa: Si erdhëm e si (s)mbetëm në Gjermani

E hene, 28.01.2008, 08:10 PM


Me shqiptarët në Gjermani, mërguar në vitet 60/70 të shekullit të kaluar

SI ERDHËM E SI (S)MBETËM NË GJERMANI

Shkruan: Muharrem Sfarqa

Muharrem Sfarqa
"Në Gjermani erdhëm me trena mallrash e me shpresa të mëdha sa edhe dhimbja, por jo për qëndrim të gjatë dhe aq me pak për një jetë të tërë, siç doli pastaj", - rrëfen Qazim Berisha me qëndrim në Offenbach të Gjermanisë - (vëllai dëshmorit të kombit, Bekim Berishës- ABE-së), njëri nga protagonistët e këtij rrëfimi.

Se valët  e jetës nganjëherë janë shumë të dhimbshme e të panjohura dëshmohet më së miri kur njeriut i bie të dëgjojë  rrëfimet e mërgimtarëve tanë që gjenden në Gjermani, që rrugën e kurbetit e morën në fund të viteve të 60-ta dhe në fillim të të 70-tave. Për të marrë këtë rrugë, të shumtët e kësaj gjenerate, siç dihet ishin të detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike, nga ndjenja e papërspektivës, nga shtypja serbe dhe përgjithësisht nga trysnia e madhe ndaj të të qenit shqiptar. Këtu nuk ka sesi të përjashtohet edhe aspirata dhe synimi për mirëqenie dhe dinjitet të familjes. Sado që, në esencë, arsyet e mërgimit duken të njëjta për të gjithë pjesëtarët e këtij komuniteti, ato nganjëherë ndryshojnë, siç janë të ndryshme edhe fatet e mërgimtarëve gjatë jetës në mërgim, siç janë të ndryshme edhe shkaqet e mbetjes së tyre të gjatë jashtë Kosovës. Mos o zot, ndoshta edhe përjetësisht!

Rrëfimi i parë

Baca Qazim (Berisha) nga fshati Grabovc i Pejës tregon se atyre viteve kur e kishte marrë këtë rrugë nuk kishte menduar se do të qëndronte më gjatë se një vit. Me sa duket, siç thotë vetë ai "unë tërhoqa këmbën zhag" sepse pas meje rrugët e Evropës do t’i marrin të gjithë vëllezërit e mi: Ismeti, Muhameti dhe Enveri në Gjermani, ndërsa Bekimi në Holandë. Siç duket dielli nuk i nxehka të gjithë njësojë, sepse ndërkohë, pas vdekjes së babait, Fazliut, hapën plagë të reja: Vëllai Muhameti vdes nga një aksident në punë, ndërsa tri vjet më vonë edhe vëllai tjetër, Enveri, vdes në një fatkeqësi komunikacioni. Dhimbjes sonë në mërgim do t’i vë kulmin rënia e Bekim Berishës, më 10 gusht 1998. Këtë vit, thotë ai, pres të pensionohem dhe të kthehem në vendlindje pranë motrës së vetme dhe nënës Fahrie, së cilës gjithmonë i jam frikësuar se do të më pyes: ku mbetën djemtë që u nisën pas teje? Një qortim që mund të më shfaqet në ndërgjegje, diçka si faji pa faj, aq tragjik dhe aq gjëmëmadh!

Rrëfimi i dytë

Nazmi Leskovci, nga fshati Mirash i Ferizajt, rrëfen sesi edhe përkundër dëshirës për të ndjekur mësimet në gjimnazin e atëhershëm, nuk i lejohet për shkak të prejardhjes familjare. Babai i tij, Qerimi, deri në vitin 1948, me pushkë në dorë kishte luftuar kundër bandave partizane-çetnike, si pjesëtar i forcave të Ballit. Ndaj mjaftohet të kryejë zanatin tre-vjeçar. Duke e parë se pushteti i atëhershëm po ia mbyllte çdo shteg, detyrohet të marrë rrugën e mërgimit dhe të vendoset në Këln të Gjermanisë. Krahas punës për ekzistencë dhe ndihmë familjes, ai kontribuon edhe për hapjen e klubeve shqiptare dhe bëhet inspirator i aktiviteteve të shumta kombëtare. Sot, kur shikon albumet e fotografive që ngjajnë me dollapë arkivash, gjen aty figurat e shumta patriotike, kombëtare e kulturore të shqiptarëve. Nga udhëheqës politikë e shtetërorë e deri tek dëshmorët, heronjtë, këngëtarët e shkrimtarët shqiptarë. Sipas tij, këto fotografi janë ngushëllimet dhe sadisfaksioni më i madh për jetën në Perëndim. Kthimin në Kosovë gjithmonë e kam pritur me padurim. Ai më ka trokitur në kokë vazhdimisht. Tani kur jam afër pensionit, kam një mbesë të vetme, Adrianën e vogël, të cilën as mund ta lë në Gjermani, as mund ta marrë me vete. Kthimi, si duket, po më bëhet edhe më i dhimbshëm se largimi, si një zemër e ndarë në dysh.

Rrëfimi i tretë

Nga mërgimtarët e rrallë të kësaj gjenerate që do ta kapë ritmin e integrimit ekonomik e shoqëror në mjedisin e ri, është pa dyshim Ali Rrustemi nga fshati Dobrajë e Madhe e Lipjanit. Ai tashti ka firmën e tij, por rrëfen me një sinqeritet e dhembshuri fëmijërore se 40 vjet jetë ia ka falur Gjermanisë, shkaku i një dashurie të çuditshme që kishte për folklorin shqiptar. Drama e tij ndërthurej me pamundësinë e blerjes së një manjetofoni me shirita të gjatë që, siç thotë ai, ishte privilegj për gjeneratën e tij. Në kërkim të tij rruga e shpuri aty ku është edhe tani. Po, si duket, çfarëdo mirëqenie të kesh, jeta në vetmi nuk ka asnjë kuptim. Ndaj edhe Aliu, si shumë të tjerë, përmes firmës ndihmoi shumë shqiptarë dhe aksione të ndryshme për Kosovën.
Jeta ikën shpejt dhe tash kur duhet bërë hesapet njeriu vëren se kthimi në Kosovë është bërë i vështirë për ne, sado që tash nuk ka pengesa e shtrëngesa objektive. Më e vështira është si të merret vendimi. Këtu kam djemtë dhe vajzat me familjet e tyre si edhe shumë nipër e mbesa. Edhe pse i pensionuar, tani Kosova më rri aq afër dhe aq larg, si një dashuri e pashuar dhe mallëngjim që djeg e përvëlon dhe zbutet vetëm në çastet e vizitave të shpeshta, por jo aq sa do të donte njeriu, - përfundon ai.

Janë këto vetëm tri rrëfenja nga drama e madhe e njerëzve tanë në mërgim, mbi supet e të cilëve rëndon pesha e dhimbjes dhe e fatit. Forca e dashurisë për Kosovën shndërrohet në gravitetit të papërballueshëm. Kosova, atdheu i afërt e i largët deri në dhimbje e lot.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora