Kulturë
Tahir Bezhani: Poezi të dhimbjes krenare
E premte, 22.04.2011, 07:56 PM
POEZI TE DHIMBJES KRENARE
Nga Tahir Bezhani
Libri me poezi”Shira dhe ylbere”të autorit Viktor Gjikolaj,të tërheq që nga poezia e parë e librit deri në faqen e fundit nga se lexuesi ndeshet,që në fillim, me fuqinë e fjalës poetike të shprehur me sinqeritet e të nxjerr nga shpirti i tij krijues plot mall njerëzor. Thellësia e ndjenjës emocionale dhe mendimi i shprehur shumedeminsional i këtyre poezive,janë shtyllat kryesore që reflektohen nga poezia e parë”Qëndresa e fajit” e deri në atë të fundit i faqes 73.
Poezitë e këtij libri frymojnë lirshëm,përcjellin mesazhe te rëndësishme njerëzore,komunikojnë dhimbshëm për fate njerëzore,pa ndarë fatin personal të autorit. Ja disa vargje nga poezia e parë:
Dhe zjarri ra në kullën me myshk
Gjuhët e flakës u ngritën në erë
U dogjën stolitë në sëndyq
Dhe krejt reliket me vlerë
Në pirgun e lartë me hi
Ku gjithçka u kall me rrëmbim
Kishte shpëtuar për çudi
Fleta ku shkruhej,faji im”
Janë këto vargjet më emblematike të cilat të rrëmbejnë këndshëm me përmbajtjen meditative poetike. Emocionet e poetit të skalitura përmes metaforës, përputhen plotësisht me karakterin e qëllimin personal e që shpërndahet në rrolin shoqëror që ka arti,në këtë rast,poezia.
Në disa poezi të shkurta,si te poezia “Durimi” autori zbraz fuqishëm katarzën e tij shpirtërore në raport me karakterin e tij personal e shoqëror,ku pasurimi i ndenjës me durimin”E lind një mëngjes” diellor.
Duke trajtuar (lexuar) këtë poezi të përmbledhjes në fjalë,mendoj se pesha këtyre vargjeve reflekton një pejsazh të shpirtit të poetit,apo thënë ndryshe,pasqyron boten e tij poetike. Lexojmë disa vargje:
“ E vonova natën time
Dhe durova në terr
E sulmova me shkëlqime
..... e lindi një mëngjes”
Metaforat poetike të përdorura me shkathtësi që nga momenti i lindjes së poezisë nga shpirti krijues,pjek mendimin për interpretim të sigurt të ecjes neper lartësi në rrugën e filozofisë poetike apo të modernitetit të vargut në poezinë e Viktor Gjikolajt.
Poeti Viktor Gjikolaj,reflekton të jetë poet me ndjenjë shpirtore,i motiveve të gjithanshme me natyrë sociale e shoqërore,erotike,familjare,nostalgjik për vendlindjen si rilindësit në mërgim.
Por i veçantë është edhe ndjenja e atdhedashurisë, pra çështja kombëtare, e cila nuk rri anash në poezinë Viktor Gjikolaj.
Këto motive të ruajtura në embrion të ndjenjave shpirtërore të autorit,here-here shpërthejnë fuqishëm nga se janë të ndërthurura fatet personale dhe ato shoqërore kur arrihet edhe pika universale në artin poetik
Poezia”Fati im” është njëra nga poezitë që argumenton mendimin e shprehur më lartë,njëra ndër poezitë më të bukura në librin “Shira dhe ylbere”.
Poezitë me motive kombëtare,zënë vend meritor në librin e Vikto Gjikolaj,ato janë të skalitura me mjeshtri dhe dhimbje qe prekin qelizat e ndjenjave njerëzore.
Të tilla raste autori i ka përjetuar thellë me rastin e luftës në Kosovë dhe atë dhimbje e nxjerr nga thellësia e tij ,gdhendur mjeshtërisht me intonacionin e dhimbjes shpirtërore
Ja një poezi se si autori e përshkruan një rast eklatant: poezia “Pesha”:
“E pyeten kampionin:
Në cilën garë,
Në cilin vit
Peshën më të rëndë
Keni ngritur?
I shtangur
Shtangisti tha duke qarë:
Me 1999-tën,
Kur ngrita nga dheu
Një foshnje të vrarë....
Ishte
Gjakovar
Gjakovë,maj,2000”
Mendoj se çdo koment në favor të kësaj poezie do të ishte i tepërt nga se poeti Viktor Gjikokaj,shpjegon gjithçka nga thellësia e shpirtit të tij njerëzor.
Në këtë libër gjejmë edhe shumë e shumë poezi tjera që meritojnë vëmendjen e lexuesit,bile do thoja edhe të analizës me koshinencë letrare nga se kanë thesar të pasur për t’i interpretuar e kuptuar sa me mirë.
Të tilla janë poezitë: ”Ka 100 vjet”,”Dhurata”,”Një herë” “Brishtësi”,”Shtëpia e Lazgushit”,”E pash nënën ëndërr”dhe “Episod në 20-vjetorin e rënjës së murit të Berlinit”.
Krejt në fund,duke patur në duar një libër me poezi me vlera të larta,autorin e përgëzoj dhe uroj suksese të reja.