E marte, 02.03.2021, 10:45 PM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Ujëvara

E merkure, 20.04.2011, 06:57 PM


DANIEL GÀZULLI

 

UJËVARA

 

- tregim –

 

            Ajo nuk ka emen. Asht thjeshtë një thyeqafje ujë prej një shkambi në ngjyrë blu në të gjelbër. U ndala aty jo për t’u freskue, po diçka nuk shkonte në makinë e u tremba mos më ndodhte ndonjë difekt ma i madh. Prandaj edhe u ndala. Prisja mos kalonte ndonjeni që merrte vesht diçka ma shumë se unë e më ndihmonte

            Nësa prisja, mendova se nuk do të ishte keq me u freskue pak. Nuk kishte ardhë ende vera, ishte fillim maji, po vapë bante. Kishte dit që të nxehtit po bahej pak i bezdisshëm.

            U ndal një makinë e vjetër, një tip fuoristrade nga ato që i kishim trashëgue para vitit ’90. Zbritën dy burra. Ai ma i riu kishte qenë në timon. Tjetri ishte pasagjer dhe i moshuem. As ua vuni veshin  fjalëve të mia, pse, si dukej, nuk merrte vesht as ai nga makinat mesa unë.

            Ai ma i riu, shoferi po them, shikoi orën dhe tundi kryet. E kishte kuptue qysh nga zhurma e makinës se do të kishte punë. Çoi skafandren dhe se ç’po merrej me një filter.

            Ai tjetri se ç’më dukej si i tronditun. Kushedi ç’hall kishte. Ndoshta ishte i zemruem që po i vonoja. Nuk ishte as i vemendshëm kur fliste me mue. Shikonte diku aty ma nalt, ngultë mbi ujëvarë.

- A dëshiron të freskohesh pak? – se si i thash ashtu kot.

- Kush?! Unë?! – foli i tronditun dhe m’u duk se bani një hap mbrapa – Jo jo, falemnderës …. Jo jo …

Se si më pushtonte edhe mue ajo tronditja e tij. Pse u tremb? Përse iu largue ashtu ujëvarës, sa i thash “a po freskohesh pak?”, e mbuluen djersët. U afrue tek makina dhe dukej se mezi priste që të mbaronte punë shoferi.

Mandej, paritë, m’u afrue krejt pranë dhe filloi të më fliste me zanin që i dridhej, tue më shikue drejt në sy, po tingullin e zanit e kishte sikur fliste me vete.

- Kishim zanë vend nja 200 meter prej këtu, - filloi ai të fliste ndërsa picvrronte sytë pa shikue askund. - Ka qenë krejt e pyllëzueme atëherë. Ishte koha me hangër një kafshatë bukë. Duhej të zbrisja e të mbushja ujë, ja, aty. E kisha radhën unë. Po nuk kisha pasë mundësi me riparue ende një tollumbë që më ishte shqepë e i thash Jakut nëse mund të zbriste ai.

Jaku ishte një shuplakë ma i naltë se unë, kryet në tavan, si i thonë. Kishte dalë në mal dy javë mbas martesës e tash e shoqja priste një fëmijë. Kishte dalë në mal kur vranë ata të ndjekjes dy binjakë në Zekolaj, do ta kesh dëgjue, se nga këto anë je edhe ti, të njoh.

- Po, - i thash – nga këto anë jam.

- Zbriti Jaku, mbushi me ujë gjashtë mataret. Të fundit mbushi të veten, një matare  ndrysh prej të tjerave, krejt e zezë. Para se me u kthye, piu ujë në matare të vet. E kishte çue kryet shumë e po pinte me etje me sy mbyllë, se e vriste dielli. Krisën pushkët. Jaku ra aty, në ujëvarë. Kryet bash ku asht ai pellgu i vogël. U ba batare e madhe. Na ishim tre vetë, e tash që u vra Jaku kishim mbetë dy. Kursa ata ishin jo ma pak se njëzet. Na u detyruem me iu ngjitë malit, s’kishim si me u ba ballë.    

Ka një jetë që mendoi: a thue e vranë plumbat, apo u mbyt kur i ra kryet në pellg të ujët e nuk shkoi kush me e nxjerrë? ..

            Mbas dy javësh lindi Driti. Besoj e njeh. Ai që shkruen në gazeta.

            Shoferi kishte mbarue punë. U drejtue për kah ujëvara të lante duert.

- Jo! … Jo! .. – briti ai tjetri. – Jo! Aty ka gjak! .. – dhe u drodh i gjithi sikur e kishte kapë epilepsia.

Shoferi nxori një shami prej xhepit, fshiu duert sa mundi, dhe pa folë një fjalë u drejtue për në makinë. Mbas tij u nis edhe i moshuemi.

            Si kishte hypë në makinë, m’u drejtue sërishmi mue me sy të skuqun:

- As ti! Mos u laj! … Aty ka gjak! … Gjaku u Jkaut ……

Shoferi, pa shikue as atë e as mue, nisi makinën dhe mbas pak u zhduk në kthesë.

Shikoja ujëvaren. Jo, ika edhe unë shpejt e shpejt në makinë. M’u duk se vërtetë atje rridhte ende gjak.

Sa gjak kishte derdhë Jaku në atë pellg të vogël poshtë Ujëvarës, që skuqte ende mbas kaq vitesh?



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora