E premte, 20.09.2019, 11:07 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Charlize Theron: Një kameleon që mund të të magjepsë, ose të të rrënojë

E diele, 13.01.2008, 06:02 PM


Roli i fundit i interpretuar nga artistja kërkon prej saj shpërfaqjen e dy karakteristikave të saj dhe duket se ia ka dalë me sukses

Pi cigare pa fund, edhe pse duhanpirësit në Los Anxhelos sa vjen e po bëhen një kategori e rrallë. Ky është një nga zakonet e vjetra të Charlize, një nga të fundit e rinisë së hershme, prej të cilëve ajo nuk po heq dot dorë. Si për dreq, edhe personazhi i interpretuar së fundi prej saj është një duhanpirëse nga ato që sapo e fikin e ndezin sërish. Si për ironi, ishte pikërisht dashuria për nikotinën ajo që bëri bashkë Theron me regjisorin e filmit. "Kur u ulëm për kafe, nisëm të bënin rrathë të mëdhenj me tymin e duhanit, e pastaj folëm seriozisht për projektin. Të nesërmen më çoi skenarin dhe pasi e lexova me një frymë vendosa që ta pranoj", rrëfen 32-vjeçarja me sy të gjelbër. Filmi pritet të jetë ndër më interesantët e stinës. Bën fjalë për dëmet psikologjike të pësuara nga ushtarët që luftojnë në Irak, duke ngritur me forcë edhe çështjen e përgjegjësisë morale. Theron luan Emili Sandersin, një detektive policie dhe nënë që rrit e vetme fëmijën e saj. Ajo ndihmon babain e një viktime që kërkon të zbulojë të vërtetën e orëve të fundit të kaluara nga i biri. Regjisorit të filmit i duhej për interpretimin e rolit kryesor një person që të hynte brenda personazhit dhe të ishte një përzierje mes ekstremesh dhe Theron ishte i duhuri për rolin. Ishte një kameleon i vërtetë. Për shumë regjisorë, ajo është njeriu që i shton shumë personazhit që interpreton. Pasi e lexon, diskuton me skenaristin dhe regjisorin, bëhen ndryshime, adaptime dhe roli i afrohet shumë reales. Për të interpretuar Sandersin, Theron-it iu desh që t‘i lyente flokët në ngjyrën e tyre natyrore. Më pas vajti e bleu veshje me çmim të ulët në një supermarket amerikan province. Kur Oliver Stone pa një pjesë të filmit mbeti i befasuar nga vështirësia që pati për të njohur Theronin. Për aktoren afrikanojugore mbetet shumë e rëndësishme faza parapërgatitore e një filmi, puna që bën me personazhin para se t‘i japë atij jetë. "Unë jam mbështetëse e teorisë se aktori po nuk bëri mirë detyrat e shtëpisë do të ngelet në klasë nga publiku. Por edhe kjo duhet bërë me një masë të caktuar, pa u konsumuar tërësisht emocionalisht, sepse mund të të ndodhë që kur të ndodhesh para kamerës të mos kesh më ç‘të thuash". Theron është shumë e ndjeshme ndaj asaj që ndodh në botë, ndaj ngjarjeve, zhvillimeve politike dhe gjithçkaje tjetër. Ka vite që ka mbrujtur një gjykim personal për shumëçka, edhe pse shpesh nuk ka dëshirë që t‘i shprehë hapur mendimet. Por në rolet që ajo përzgjedh, si në rastin e "Vendi verior", apo "Monstra", duket se është mbështetëse e së mirës dhe e kundërshton padrejtësinë në mënyrën e saj. Së fundi ka marrë edhe nënshtetësinë amerikane dhe shpjegon se një nga shkaqet që e nxiti ta bënte një veprim të tillë është se ajo dëshiron të votojë në këtë vend, një vend vendimet e të cilit ndikojnë shumë në fatin e pjesës tjetër të botës. "Gjithsesi, nuk e harroj kurrë që jam thjesht një aktore, por nëse nuk do të isha, me siguri që do të më shihnit të përfshirë në politikë, por për fat jam shumë e dashuruar me zgjedhjen që kam bërë dhe do të vazhdoj të jem për një kohë të gjatë shpresoj", thotë artistja. Para se të luante në filmin e fundit, ajo mendonte se ia kishte arritur të mësonte shumë të vërteta për luftën në Irak, por rrugëtimi me personazhin e saj i hapi sytë për gjëra të cilat nuk e kishte imagjinuar se mund të ishin të vërteta. "Ajo çka është magjepse është kultura e terapisë, e cila është shumë e kultivuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam rritur në Afrikën e Jugut dhe tek ne nuk ekzistojnë gjëra të tilla. Unë kam miq të cilët janë përballur me faktin e divorcit të prindërve të tyre që në moshën 7-vjeçare dhe për këtë më pas kanë kaluar vite të tëra terapie. Në Amerikë të ofrojnë terapi për çdo lloj gjendjeje apo situate që mund të konsiderohet psikologjikisht e rrezikshme". Vetë Theron nuk ka qenë kurrë në ndonjë seancë terapie. Nëse nuk do të kishte qenë aktore, mund t‘i ishte drejtuar edhe ajo, si shumë të tjerë, kolltukut të psikologut. Ajo u rrit në Afrikën e Jugut në vitet e Aparteidit dhe ka kaluar një fëmijëri me trauma dhe shumë dhunë. Aktorja mban mend histori të dhimbshme ekzekutimesh e vrasjesh para syve të saj. I mban mend që nga mosha e njomë 5-vjeçare. Por më e keqja ende nuk kishte ndodhur në jetën e saj, pasi sapo mbushi 10 vjeç, iu desh që të ishte dëshmitare në dramën e vet personale më të rëndë. Ajo asistoi në ekzekutimin që e ëma i bëri të atit, një i alkoolizuar i dhunshëm dhe abuzues. Pas ngjarjes, policia e la të ëmën të lirë, duke e motivuar krimin si vetëmbrojtje. Për shumë nga kolegët e Theron-it, ajo ishte një person ndryshe nga të tjerët. Sipas disave, kur Theron filloi të bënte emër në Hollivud dhe u fut në rrethin e aktorëve bukuroshë, pjesa më e madhe ndjenin një si frikë, si largësi nga aktorja, edhe pse ajo është një nga femrat më të bukura të botës. Që larg dukej se nuk ishte nga ato biondet që mund të kaloje ca kohë të këndshme. Mes filmave, Theron, në njëfarë mënyrë, ka bërë një terapi për të shkuarën e saj. Filmi "Monstra" dhe "Lugina e Elahut", të pasura me material të dhimbshëm, e kanë ndihmuar të njohë të kaluarën e dhimbshme dhe të futet në ato skuta të nënndërgjegjes së saj, në të cilat vetë do ta kishte pasur të pamundur të hynte. "Mishërimi dhe rrëfimi i historisë së personazheve që kam interpretuar, në njëfarë mënyre, më ka shpëtuar nga traumat e së kaluarës. Ndonjëherë mendoj se Zoti ka dashur të më shpëtojë, duke më bërë aktore, pasi vetëm kështu mund të çlirohesha nga fati i keq që më ra për pjesë në fëmijëri". Megjithatë, aktrimi nuk është profesioni që Theron dëshironte të bënte. Që në fëmijëri ishte e pasionuar me idenë se ajo mund të ishte bërë një balerinë e shkëlqyer. Ëndrra mund të ishte realizuar sikur në moshën 18-vjeçare të mos kishte thyer njërin gju. Futja në botën e kinematografisë ishte një rastësi, siç ndodh shpesh në këto raste. E nisi me role të vogla televizive për ta përfunduar me "Oskarin". "Nuk e kam gjetur veten te rolet e para që m‘u ofruan. Ishin dytësorë, të përciptë, sipërfaqësorë dhe më linin bosh. Për më tepër, nuk më duhej aspak punë përgatitore për t‘i realizuar. Më vonë, erdhën edhe ofertat e mëdha, rolet kryesore e të rëndësishme, që më shpëlanë, më dhanë shumë, më mbushën dhe më sollën kënaqësinë që i jep një rol i thellë dhe i vështirë një aktori". Ndryshe nga jeta në vitet e hershme, tani ditët e Theron janë shumë më të qeta e të paqta. Ajo dhe i dashuri i saj aktor jetojnë të lumtur në Malibu. Nuk kanë vënë ende kurorë, por së fundi kanë deklaruar se e konsiderojnë veten burrë e grua. Për sa u përket projekteve të punës, ajo po sheh disa skenarë. Tani është e lirë të zgjedhë dhe të bëjë atë që dëshiron me të vërtetë. Nuk i pëlqen të jetë vazhdimisht e pranishme në ekran, ndaj mendohet mirë para se të thotë "po-në". Po ambicia e saj? "Është jeta ime. Dita ime. Gjithmonë ka qenë kështu. Jeta për të gjithë ne është një dhuratë që na vjen nga qielli. Përpiqem të jem e mirë, e shëndetshme, produktive. Një qenie njerëzore. Më pëlqen të pi ndonjë birrë herë pas here, të qesh dhe të gëzoj jetën. Dua që në shtratin e vdekjes, pohimi i fundit që do të bëj të jetë: po Linda dhe e jetova jetën".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT