Kulturë
Tinka Kurti: Shkela cdo bestytni per puthjen e pare te filmit shqiptar
E diele, 06.01.2008, 02:34 AM
Zenepe Luka - GSh
![]() |
Tinka Kurti |
Ç'do të thotë një lot për Tinka Kurtin?
Eh, pikërisht në këtë datë e këtë orë, unë mbusha 75 vjeçe. Është një surprizë e bukur dhe një ngjarje e rrallë që një përvjetor ta përjetosh në avion, madje duke udhëtuar drejt Stambollit, aq më tepër që unë linda në një "Turqi" të vogël, që quhet Sarajevë.
Ju kujtohet fëmijëria në këto çaste? Çfarë mbani mend më shumë?
Është një det i pafund kujtimesh. Kujtoj parkun, rrugicën me kalldrëm dhe ndjej në çdo çast shtrëngimin e dorës së nënës sime të shtrenjtë. Ai loti që doli papritur më kujton çastet e dhimbshme, portën e shtëpisë, nga e cila dola kur isha vetëm 5 vjeç dhe u riktheva kur mbusha 65 vjeç. Shkova në dhomën për të cilën më kishte folur nëna, hungarezja Elisabetë, e cila pas lindjes kishte dalluar mes yjesh një germë T, dhe për këtë shkak vendosi ta quante vajzën Tinka.
Ndoshta e parandiente se ju do të ishit një prej yjeve të artit shqiptar?
Përsëri një koincidencë. Ndjehem mirë që jeta ime e vështirë dhe e bukur është hedhur në një film dokumentar nga regjisori Esat Teliti, pikërisht me rastin e ditëlindjes, plot 4 vjet më parë. Ma dhuroi me rastin e 71-vjetorit të lindjes. Ishte shumë prekëse, e bukur dhe e paharruar, kur u shfaq në kinema "Milenium". Për 90 minuta ndjeva të kalojë në qenien time jeta ime e vështirë, dashamirësia dhe mirënjohja e miqve që kishin mbushur sallën.
Si ju lindi dëshira për t'u bërë aktore?
Në të vërtetë unë nisa mësimet në Politeknikumin e Tiranës dhe rastësisht përfundova në degën e Dramës, në Lice. Por kjo ëndërr e bukur do të ndërpritej në mes. Vetëm pas tre muajsh shkollë do të më përjashtonin për manifestimin e shfaqjeve liberale dhe asnjëherë nuk e mora diplomën e aktrimit. Por në rastin tim, talenti vulosi diplomën e aktorit. Pjesa më e bukur për mua është Shkodra. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia, atje ku hodhi hapat karriera ime si artiste. Kjo udhë e gjatë, e bukur sa edhe e vështirë, nisi me "Dasmën Shkodrane", kur isha vetëm 16 vjeçe. Për herë të parë do të ngjitesha në një skenë teatri. Në të vërtetë më kishin marrë aty për të kënduar në kor, por regjisori shpejt kuptoi se kishte të bënte me një aktore. Dhe nuk kish gabuar. Hapi i parë do të hidhej me filmin "Tana" dhe më pas jeta ime do t'i kushtohej skenës dhe filmit.
I keni numëruar ndonjëherë rolet që keni luajtur gjithë këto vite?
![]() |
Tinka Kurti ne Guximtaret, 1970 |
Keni role që do t'i konsideronit më të përzemërtat për ju?
Shumë nga artistët e tjerë shprehen se nuk mund t'i ndajnë rolet. Për mua nuk është kështu. Në një jetë kaq të gjatë ka role të mëdhenj dhe të vegjël, kryesorë dhe episodikë. Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes tek "Toka Jonë", nënë Pashakoja tek "Yjet e netëve të gjata", rolin e nënës tek "Gjaku i Arbrit" dhe kështu do të përmendja një varg rolesh deri tek ky i fundit, tek "Streha e të Harruarve" shkruar nga Rruzhdi Pulaha, që u xhirua edhe film para pak muajsh.
Jeni artistja e parë që realizuat puthjen në film. Si e keni përjetuar?
![]() |
Tinka Kurti ne ''Yjet e neteve te gjata'', 1973 |
Për atë kohë thyhet një tabu. Nuk i druheshit kësaj?
Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: "Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?" Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore.