E premte, 26.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Institucionet fetare shqiptare dhe Holokausti

E shtune, 26.01.2008, 02:48 PM


Nga Nikolin Kurti

27 janari, Dita Ndërkombëtare e Kujtesës

Famullia e Kishës Katolike e Tiranës ishte famullia me e rëndësishme e Shqipërisë, për faktin se ishte pjesë e institucioneve qeveritare, parlamentare, juridike, diplomatike, kulturore, ekonomike, financiare, shoqërore etj., që privilegjon kryeqyteti i një shteti. Prej v. 1938 e deri me 1947, kjo famulli drejtohej nga famullitari dekan i saj Dom Shtjefën Kurti. Studimi i qindra e mijëra shkresave, korrespondencave, letrave, buletineve, raporteve etj. të kësaj famullie, të ndodhura në Arshivën e Shtetit, janë të një rëndësie të veçantë për të hulumtuar historinë e kësaj periudhe. Kjo për faktin se brenda 6-7 viteve ndodhën ndryshime dramatike, si rënia e Mbretërisë së Zogut, pushtimi italian, okupimi nazist dhe ardhja në pushtet e fitueseve të luftës II Botërore, çlirimtarët e Tiranës e Shqipërisë të udhëhequr nga PKSH-ja.

Periudha e sipërcituar është dhe periudha e prurjeve më të mëdha të hebrenjve nga vendet fqinje, Evropa Qendrore e vise të tjera të nxehta antisemite për të gjetur strehë e mbrojtje te shqiptarët. Sipas prof. dokt. Shaban Sinani, në studimin e tij “ Në Shqipëri s’ka pasur Holokaust“, janë mbi 2264 hebrenj që kanë hyrë në vendin tonë statikisht para dhe gjatë luftës.

Duke asistuar dosjet e shumta të Fondit “Arqipeshkvia Durrës–Tiranë, Famullia e Kishës Katolike Tiranë“, në D.P.A.SH., u befasova nga disa dokumente zyrtare në të cilat shkruhej se disa hebrenj të ardhur në Tiranë kërkonin nëpërmjet procedurave liturgjike ndërrimin e fesë së tyre hebraike në katolike. Natyrshëm lindën plot pyetje, arsyetime, gjykime, analiza etj. të këtyre fakteve, të cilat kërkonin përgjigje, si p.sh., cili ishte roli i famullisë e drejtuesit të saj Shtjefën Kurti në këtë proces? A ishte Kisha Katolike e Tiranës pjesë e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human të popullit që ajo i shërbente? Pse famullitari i saj Dom Shtjefën Kurti, duke thyer të gjitha afatet procedurale mjaft të ngurta të konvertimit, iu hiqte pasaportën religjioze hebraike hebrenjve duke i pajisur me pasaportë katolike?

Për të gjetur një përgjigje e konkluzion të saktë le të analizojmë disa dokumente autentike të kësaj famullie.

Me shkresën nr. 458/43, dt. 22. VII. 1943, të Zyrës Famullitare të Kishës Katolike Tiranë, të firmosur nga famullitari Don Shtjefën Kurti, drejtuar Zyrës Ordinariate të Arqipeshkvisë Durrës, thuhet: “VENKO VERAH, çifut prej Shkupi, asht përgatitë në mësimin e fesë sonë ma së miri prej Atë Pjetër Meshkalles, edhe nep shejë të mira konvikcioni. Kjo Zyrë Famullitare kërkon leje me e pagzue“. Shërbyesi i asaj Zyre Ordinariate, Famullitari (Don Shtjefën Kurti). Firma.

AQSH, F.131, V. 1943, D 9, fl. 25.

Me po atë datë, 22 korrik 1943, me shkresën nr. 348/43, Curia Archiepiscopalis Durradiensis i përgjigjet Zyrës Famullitare Tiranë: “Mbasi kenka gatue ma së miri e po nepka shejë të mira konvikcioni, në ditën qi t’u duket ma e përshtatshme mundeni me i dhanë Pagëzimin Shejt çifutit prej Shkupit VENKO VERAH. Vincenc Prendushi – Arqipeshkev.

Poshtë kësaj letre lexojmë shënimin: “U muerr ditën 31.7.1943“ dhe më poshtë: “Ditën 3 gusht 1943 , VENKO VERAH kje pagzue e u regjistrue në Librin e të Pagzuemeve me numrin 138”. Të dyja shënimet firmosur Don Shtjefën Kurti (AQSH, F 131, V. 1943, D 9, fl.24).

Siç shihet, kërkesa për leje pagëzimi nga famullia e Tiranës e miratimi nga Arqipeshkvia në Durrës është bërë brenda ditës. Siç kuptohet, ka patur një interesim direkt, personal dhe dërgim dorazi i çuarjes së kërkesës dhe marrjes së përgjigjes pa pritur kohën e gjatë me postë. Pas 10 ditësh, çdo gjë ishte përfunduar dhe VENKO VERAH ishte konvertuar në katolik.

Gjithashtu, me shkresën 324/43, dt. 11. VI. 1943, nga Famullia e Tiranës kërkohet miratimi: “Me marrë Sakramentin e Pagzimit nesër, nata e Rrrshajve, për 5 çifuten të tjerë“. AQSH, F. 131, V. 1943, D 9, fl. 27.

Po kështu, kemi kërkesën me shkresë nr. 565/43, dt. 2 shtatuer 1943, nga Famullia e Tiranës për “Zojushen Olga Nikolic, e bija e Blogota e Danica Kovacevic, lindur në Tandi (U.S.A.), më 22 korrik 1913, ardhur në Tiranë prej Kotorrit për me u ba katolike”. AQSH, F. 131, V. 1943, D 9, fl. 23.

Me shkresën prot. Nr. 192, dt. 19 luglio 1940, kemi Abiura të ARINETA PETERSON, të kryer në prani të Parroco Don Stefano Kurti, e testimoni Rina Palandri, Angelica Moretti. AQSH, F. 131, V. 1940, D 6, fl. 8.

Me shkresën prot. Nr. 601/43, Tiranë 17.8.1943, të Zyrës së Famullisë të Kishës Katolike – Tiranë, dërguar Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvore të Durrësit në Delbenisht, lexojmë: “Z. ABRAM FRIZ, ARMANDO ALFANDARI e RAKELE ALFANDARI, çifuten, duen me u ba katolikë edhe janë përgatitë në Katekizmin Katholik. Zyra Famullitare kërkon lejen prej Asaj Zyre ordinajate Arqipeshkvnore, me muejt me i pagzue. Famullitari Don Shtjefën Kurti”. AQSH, F. 131, V. 1943, D 9, fl. 22.

Padyshim dhe për këtë kërkesë miratimi ka ardhur i menjëhershëm dhe këta hebrenj janë kthyer në katolikë.

Pra, siç demonstruam më lart, një nga mënyrat për të fshehur identitetin hebraik për hebrenjtë e ardhur në Shqipëri u përdor dhe nderimi formal i fesë, ndërrim i cili iu shërbente për të siguruar mbrojtje personale apo të familjes nga përndjekjet e forcave të GESTAPOS. Ungjillëzimi i tyre formal është pranuar me koshiencë të plotë nga meshtari i Famullisë së Tiranës, Don Shtjefën Kurti, i cili shikonte tek kjo skemë konvertimi, urgjente për një ose disa ditë, si të vetmen mundësi që ai kishte në dorë për të kontribuar në mbrojtjen e shpëtimin e tyre. Anashkalimi i procedurave tepër rigoroze të aplikimit në fe katolike, si: pagëzimi, krezmimi, rrëfimi, kungimi, vojimi e bekimi, të cilat duan muaj të tërë, për rastin e çifutëve nga meshtari Shtjefën Kurti ishte i vetmi shans për t’u fshehur identitetin e tyre pa u kuptuar nga strukturat naziste.

Dom Shtjefën Kurti ishte i vetëdijshëm për këto veprime, sepse ai e kishte pësuar vetë, kur i kërcënuar nga organizata terroriste serbe, “Crna Ruka”, “për ta vrarë, ishte arratisur nga Novosela e Epërme e Kosovës, më 31 dhjetor 1930, së bashku me familjarët e tij për në Shqipëri. Dom Shtjefën Kurti e dinte më mirë nga kushdo çdo të thotë gjenocid, sepse më 5 maj 1930, ai në Gjenevë i kishte dorëzuar dokumentin “MEMOIRE“, Eric Drymond, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, mbi persekutimin fizik, moral, kulturor, arsimor e dhunim të drejtave të njeriut etj. të popullsisë shqiptare të Kosovës nga serboshovinistët e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Solidariteti e suportimi i ekzigjencës së hebrenjve, për t’i shpëtuar gjenocidit nazist, i shprehur nga Kisha Katolike, nuk është ekskluzivitet i vetëm i këtij institucioni fetar. Ka fakte të besueshme, si ai i hebreut SIEGFRID SCHVARZ apo i ELIA DAVID KOHEN që kërkuan lënien e fesë së tyre dhe u konvertuan në myslimanë.

Vlerësimi në “Rezolutën e Mirënjohjes” që Kongresi Amerikan miratoi më 17 nëntor 2005, në nderim të popullit shqiptar, i cili nuk lejoi prekjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore thuhet se “kongresmenët amerikanë morën këtë nismë, duke vlerësuar që myslimanët dhe të krishterët shqiptarë e konsideronin çështje të brendshme nderi mbrojtjen e hebrenjve nga holokausti, ku, për fshehjen e identitetit të hebrenjve, ndihmuan pozitivisht e me meritë dhe kleri e faltoret”. 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora