E marte, 18.05.2021, 12:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Artemisa dhe Apoloni presin biletën për në "shtëpi"

E shtune, 19.01.2008, 08:09 PM


Në Muzeun Arkeologjik të Butrintit po bëhet çdo përgatitje për të pritur dy "banorët" e munguar të kësaj shtëpie arkeologjike. Lajmi se fundi i janarit do të shënojë edhe fundin e qëndrimit të shtatoreve të Artemisës dhe Apolonit në Akropolin e Athinës, më shumë se për këto është i një rëndësie të veçantë për ata. As. prof. dr. Dhimitër Çondi, drejtor i këtij muzeu, që tashmë Butrinti e ka të dimensioneve dhe standardeve evropiane, thotë se ka marrë njoftim për riatdhesimin e dy objekteve shumë të kërkuar prej vitesh edhe nga Interpoli dhe se për ekipin që ai drejton është një ngjarje më shumë se arkeologjike, që pas dy javësh shtatorja e Artemisës dhe Apolonit do të zërë vendin që u takon në këtë tempull të lashtësisë së kulturës materiale, të trashëguar prej shekujsh. 31 janari nuk është larg dhe pritet që autoritete të dikasterit të kulturës në qeverinë Karamanlis t‘i dorëzojnë ministrit Pango dy shtatoret e grabitura, që bënë rrugën e trafikimit dhe për disa kohë u ruajtën në Muzeun e Pireut në Greqi.

Ajo që do të ndodhë në fund të janarit është parashkruar më shumë se 7 muaj më parë, kur ministri ynë i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, mori pjesë në majin e vitit të kaluar në forumin ndërkombëtar "Sporti për paqen dhe armëpushimin Olimpik". Aktiviteti i organizuar në Olimpia të Greqisë, me qëllim nxitjen e pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve të lartë shtetërorë për këmbimin e ideve dhe eksperiencave në fushën e kulturës dhe sportit, i hapi rrugë edhe bisedimeve dhe dakordimit për kthimin e objekteve arkeologjike që kanë dalë nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë takimit me homologun e asaj kohe George Vulgaraqis, Pango e njohu homologun grek me kërkesën e MTKRS-së për kthimin sa më parë të dy objekteve arkeologjike të trafikuara për në Greqi gjatë trazirave të ‘97-ës. Duke folur edhe konkretisht, u bisedua për riatdhesimin e shtatores së Apolonit, që daton e shekullit II pas Krishtit dhe shtatorja e Artemisit, e shekullit III para Krishtit. Secila prej tyre ka një histori grabitjeje me emërues të përbashkët ngjarjet e vitit 1997. Shtatorja e Apolonit, e cila, së bashku me atë të Dionisit, zbukuronin Nymfeun romak të Butrintit, është grabitur atë vit nga qyteti antik i Butrintit. Ndërsa Artemisi, zbuluar rastësisht nga fshatarët më 1958-ën në kryeqendrën kaone të Finiqit, kishte udhëtuar nga pika muzeore e qytetit të Sarandës në Butrint, për më shumë siguri. Trupi i Artemisit është i punuar në gur nga atelieja e qytetit të Finiqit, që dallon për shkollën e vet të skulpturës. Një set i tërë punësh që i përket kësaj shkolle janë pjesë e fondit arkeologjik të Butrintit, ku sigurohen kushte shumë më të mira ruajtjeje.

1997-a: Vjedhja e dytë e statujave

Historia e grabitjes së statujave nga Butrinti e Finiqi, është e përsëritur. Fillimisht në vitin 1991, në harkun kohor që ishte edhe si një hark elektrik në ndërrimin e sistemeve. Për së dyti, në vitin 1997, kur keqbërësit nxituan ta kthejnë në burim fitimesh rënien dhe mungesën e shtetit. Atëherë Muzeu i Butrintit do të hapej dhe do të bastisej në mënyrën më ekstreme. Tri statujave me vlerë që ishin marrë prej tij më 1991-shin, do t‘u shtoheshin edhe mjaft të tjera, që u bënë pre e trafiqeve fitimprurëse. Vitet kaluan dhe specialistët e përdorën këtë kohë për të plotësuar dokumentacionet përkatëse për mungesat më të ndjeshme në fondin e trashëgimisë së kulturës sonë materiale. E "certifikatat" e objekteve të vjedhura u bënë pjesë e punës së Interpolit, duke krijuar kështu gjithë hapësirat për gjurmimin, që synon riatdhesimin e tyre.

Bashkëpunimi i suksesshëm ndërshtetëror dhe frytet e vënies së kthimit të këtyre objekteve në vendin e origjinës në objektin e punës së Interpolit, u dukën pas disa vitesh kërkim. Në verën e vitit 2005 u mundësua kthimi nga Greqia në Sarandë, i kokave prej mermeri të Agribës, Herkulianës dhe koka e një fëmije. Të tria skulpturat ishin vjedhur nga muzeu i Butrintit gjatë bastisjes së ndodhur më 1991-shin. Portreti i Herkulianës dhe ai i fëmijës u gjetën në eksponatet e Muzeut Nacional-Arkeologjik të Athinës, ndërsa portreti i Agribës u gjet në Muzeun Arkeologjik të Janinës. Vitit 2005 i përket edhe kthimi i portretit të Livies, e shoqja e Perandorit Oktavian August, e cila pasi u gjet në SHBA, ku ishte shitur, iu dhurua autoriteteve shqiptare nga blerësi i saj dhe gjendet e ekspozuar në muzeun arkeologjik të Butrintit, duke zënë vend në këndin e figurave perandorake.

3 portrete skulpturore erdhën në verë 2005

Me tragetin "Antonios" ishte prerë "bileta" e kthimit në vendin e origjinës të tre portreteve skulpturore, që i munguan prej 14 vitesh Muzeut Arkeologjik të Butrintit.

Tre objektet e rikthyera mbërritën në Portin e qytetit të Sarandës në një ambalazhim special, që garantoi mosdëmtimin gjatë udhëtimit. U riatdhesuan: koka e Agribës, ajo e Herkulianës dhe koka e një fëmije. Sikundër kanë të përbashkët përkatësinë si vepra që i takojnë shekullit I-II pas Krishtit, të tillë kishin edhe "fatin" e tyre. Të tria skulpturat ishin objekte të vjedhura nga Muzeu i Butrintit gjatë bastisjes së ndodhur më 1991-shin. U desh një kohë e gjatë kërkimi dhe negocimi me shtetin fqinj, në nivele ekspertësh e mandej në nivel institucionesh të specializuara për arkeologjinë në të dyja vendet, që të mbërrihej në vendndodhjen e skulpturave të riatdhesuara në korrikun e vitit 2005. Portreti i Herkulianës dhe ai i fëmijës janë gjetur në Glifadhë të Athinës, poshtë krevatit të një emigranti shqiptar, gjatë kontrollit për armëmbajtje pa leje. Rastësisht u zbulua se ai ishte njëherësh edhe trafikant statujash. Ndërsa Agriba u kap duke u shitur në tregun e Janinës, nga një trafikant prej qytetit të Pargës (Greqi). Iu dorëzua drejtorit të Muzeut të Janinës, Kostandin Zahos. Sikurse tregon arkeologu Çondi, Zaho duke zbritur shkallët për të shkuar në fonde me skulpturë në dorë të dorëzuar nga policia, e krahason atë me fotografitë e objekteve të vjedhura në Butrint, çuar nga pala shqiptare dhe pasi bindet që ajo ishte një prej objekteve të listuara, njofton homologët e tij në Sarandë. Ky do të ishte fillimi i një bashkëpunimi të gjatë, ku Zaho do të ndihmonte për zbulimin e dy portreteve të tjera, që gjendeshin në Muzeun Nacional të Athinës dhe dy shtatoreve që pritet të vijnë në Butrint në fund të janarit të këtij viti. Si elementë bindës për arkeologët grekë që i konsideronin ato greke, u përdorën fotot me dhe pa kokë të shtatores së Apolonit. Për një radhë objektesh në kërkim, të zbuluara gjatë gërmimet klandestine në Finiq të bëra para shumë vitesh, vazhdon puna për identifikimin e tyre, duke pasur bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore dhe arkeologjike greke, mbi bazën e ekspertizës profesionale.

Në ato ditë kur u bë dorëzimi zyrtar i objekteve në Muzeun e Butrintit, u nënshkrua edhe një marrëveshje protokolli mes palës greke dhe asaj shqiptare. Ka mbetur në kujtesë se publikut të koncertit që dha atë mbrëmje sopranoja e famshme Inva Mula në Butrint, iu treguan edhe statujat e rikthyera në vendin e origjinës, si një mesazh mbrojtjeje të trashëgimisë kulturore.

Tërë këto vite pas 2005-ës vazhduan procedurat edhe për tre objekte të tjera, të evidentuara, të cilat kthehen pas një gjyqi në Athinë në ngarkim të personave të cilëve u janë gjetur ato. Bashkëpunimi me Interpolin dhe me zyrën përkatëse pranë Ministrisë sonë të Brendshme, e krijuar posaçërisht për ndjekjen e gjurmëve të monumenteve të grabitura, madje edhe të ikonave dhe objekteve të tjera me vlerë, të grabitura në krizën e ‘96-‘97-ës, ku listohen edhe 72 objektet e vjedhura në atë periudhë nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit. Arkeologët thonë se risjelljen e tyre në Shqipëri e lehtëson mjaft edhe fakti që vendi ynë është pjesë e konventave evropiane për kthimin e objekteve të trafikuara në mënyrë të paligjshme jo vetëm në Greqi, por edhe në shtete të tjera.

Objektet që riatdheson më 31 janar

Shtatorja e Artemisit, e grabitur në Butrint është objekt i shekullit III para Krishtit. Ajo është e lartë 125 cm dhe është punuar në gurë. Dhimitër Çondi thotë se autorë të zbulimit të saj, më 1958-ën në Foinike janë fshatarë nga Finiqi i sotëm. Statujës i mungojnë dy krahë, koka dhe pjesa e poshtme e këmbëve. Mban veshur një mantel dhe hemation e dallohen dy rripa të kryqëzuara, karakteristike dalluese e portretit të saj. Artemisi paraqitet në lëvizje dhe ka ngjashmëri me shtatoren me famë botërore të Nikesë së Samothrakës (Greqi), që sot nuk ekziston.

Shtatorja e Apolonit është grabitur në Butrint, shekulli II pas Krishtit. Lartësia e saj është 138 cm dhe është e punuar në mermer. Perëndia Apolon paraqitet e zhveshur, me trupin e mbështetur mbi këmbën e djathtë. Këmba e majtë është e dalë pak më përpara dhe është duke shtypur një zhabë. Koka e Apolonit, duke qenë e shkëputur nga trupi, i ka shpëtuar grabitjes, pasi ka qenë e transportuar së bashku me mjaft skulptura të tjera për ruajtje në fondet e institutit arkeologjik në Tiranë. Sot gjendet e ekspozuar në këndin e Perëndive në Butrint dhe pret t‘i bashkohet trupit që do të riatdhesohet më 31 janar.

Janë ende në kërkim:

- Statujë vajze, e lartë 66.5 cm, e punuar në mermer. Është e shekullit 6-4 para Krishtit
Koka është e ngjitur. Bazamenti i ulët është punuar njësh me trupin. Veshja është një mantel i lidhur lart, me pala, të cilin e ngre me dorën e majtë. Dora e djathtë para gjoksit mban bririn e bollëkut. Në sup dallohen lidhëse.

- Statujë pa kokë (Afërdita), e lartë 125 cm, e punuar në mermer. I përket periudhës klasike, shekulli 6-4 para Krishtit. Mendohet se duhet të ketë pasur kokën e Afërditës. Bazamenti është punuar bashkë me statujën. Dora e djathtë, nga mesi e poshtë, mungon, kurse e majta mungon nga mesi i parakrahut. Pjesa e poshtme e trupit është pothuaj ballore, ajo e sipërmja paraqet një kthim intensiv ndaj formës shoqëruese.

Janë gjetur:

Koka e Asklepit, hyjit të mjekësisë, gjithashtu rrëmbyer në vitin 1991 nga Butrinti. Ajo është gjetur në Itali dhe aktualisht ndodhet në dorën e drejtësisë italiane.

10-12 objekte, nga të cilat 4 relieve funerare, gjenden në muzeun e Luvrit, të marra nga Apolonia dhe Durrësi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora