Kulturë
Eda Zari: Ambasadorja e kulturës lë nënshtetësinë shqiptare
E marte, 22.01.2008, 09:43 PM
Artistja, këngëtarja, kompozitorja, producentja Eda Zari, një ndër ambasadoret e kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare (e nderuar si e tillë në kohën e Presidentit Mejdani) lë nënshtetësinë e vendit ku ajo lindi.
Artistja që prej vitesh jeton në Gjermani duket se është "detyruar" të ndërmarri këtë veprim për shkak të nënshtetësisë gjermane, pasi rregullat e këtij shteti nuk lejojnë edhe një nënshtetësi tjetër. Leja për lënien e shtetësisë shqiptare, Zarit i është dhënë vetëm disa ditë më parë, më 16 janar pas dekretimit të Presidentit Topi.
Në rrugën e Edës...
![]() |
Eda Zari |
Performanca e artistes dhe debutimet e saj kanë zënë vend në festivale dhe skena të ndryshme ndërkombëtare e prestigjioze. I tillë ka qenë prezantimi në Filarmoninë e Kölnit tek Musik Trionale Intern. Festival (që me rolin e saj solist lidh dy stile muzikore me pole të kundërta; atë klasik me jazz-blues), "International Jazz Contest" në Spanjë (Fituese e çmimit-Best femal perfoming), NRW Festival Bonn (Lauruar), pa lënë pa përmendur gjithashtu se Zari është soliste në realizimin e një sërë kolonash zanore të shumë filmave serialë televizivë të stacioneve më prestigjioze gjermane (prezantuar WDR, RTL, ARTE), si dhe këngëtare shoqëruese e siglave publicitare të shumë firmave të njohura industriale, si: Benz Mercedes, Nivea, Seat -Mambo, Maybach, L´Orèal, etj. Nuk mund të lihet pa përmendur CD "Eja" (kolona zanore që prezantonte zyrtarisht pavijonin shqiptar gjatë pesë muajve në Panairin Botëror "EXPO 2000" Hannover/Gjermani) që iu 'sponsorizua' Shqipërisë nga vetë artistja. Ky titull u kompozua, tekstua dhe u interpretua nga Eda Zari në bashkëpunim me Label Mirela Records në Köln dhe "dinastinë" Lela. Zari ka përkrahur dhe ndihmuar iniciativat e shumë institucioneve dhe organizatave internacionale me mision humanitar, duke organizuar koncerte për fëmijët jetimë, për të sëmurët me SIDA, etj.