E shtune, 27.04.2024, 05:27 AM (GMT+1)

Editorial

Akademi përkujtimore në Nurenberg kushtuar presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova

E merkure, 23.01.2008, 07:55 PM


NËNDEGA E LDD-së NË NÜRNBERG NË KOORDINIM  ME DEGËN E SAJ NË GJERMANI MBAJTI AKADEMI PËRKUJTIMORE KUSHTUAR PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Nga Rexhep Elezaj

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS NË KRYE ME DR. IBRAHIM RUGOVËN KA QENË LËVIZJA MË E FUQISHME POLITIKE NË HISTORINË E RE TË KOMBIT SHQIPTAR
 

Franz Mödl
Organizuar nga Nëndega e LDD-së në koordinim me Degën e saj në Gjermani, me 20 janar 2008 në Nürnberg të Gjermanisë në sallën e bukur “Meistersingerhalle” në dyvjetorin e vdekjes u mbajt akademi përkujtimore kushtuar presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në të cilën pranë disa qindra bashkatdhetarë tanë, mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës   Gani Geci, përfaqësuesi i kryetarit të komunës së Nürnbergut  Knut Engelbrecht, pastaj Konsulli i nderit i Konsullatës së Shqipërisë në Munih  Franz Mödl , publicistI dhe njohës i mirë i figurës së dr. Ibrahim Rugovës   Dietrich Willier ,   Hafiz Gagica, anëtar i kryesisë qendrore të LDD-së, dhe kryetar i Degës së LDD-së në Gjermani, Shefqet Dibrani, shkrimtar që kishte ardhur nga Zvicra, Besnik Rama, sekretar i Bashkësisë islame shqiptare në Gjermani, Drita Ivezaj, përfaqësuese e shoqatës humanitare “Nënë Terezë”, Ndrecë Bekaj, kryetar i Bashkësisë Shqiptare Demokristiane në Munih, Idriz Zeqiraj, anëtar i kryesisë së Nëndegës së LDK-së në NRWF, aktivistë të shumtë të çështjes sonë kombëtare, mësuesi i shkollës shqipe Hamzë Halabaku si dhe mysafirë nga qytete të ndryshme të Gjermanisë.
Pas intonimit të himnit kombëtar dhe atij të Kosovës “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, në interpretim të bukur të artistit , Shkodran Tolaj, akademinë e shpalli të hapur moderatorja e manifestimit përkujtimor  Vjollca Hajdari, për t’ia dhënë fjalën më pastaj z. Rexhep Fetahu, kryetar i Nëndegës së LDD-së në Nürnberg, i cili të pranishëmve u dëshiroi mirëseardhje, dhe në veçanti përshëndeti praninë e mysafirëve gjermanë.
Në vazhdim Bekim Zogaj ,  foli për biografinë dhe figurën historike të Dr. Ibrahim Rugovës, aktivitetin e tij intelektual, shkencor, politik dhe kombëtar.
Pastaj nxënës të shkollës shqipe në Nürnberg Bexhet Dërguti, Jeta Halabaku, Ragip Jusufi, recituan vjershën “Lamtumirë President i Dardanisë”, kurse rapsodi popullor Agim Gashi, përcjellë me sharki e tij të vjetër,këndoi elegjinë , “Nderi i kombit President Rugova”, e cila ngriti emocione mallëngjyese tek të pranishmit në sallë.
  Deputeti i Parlamentit të Kosovës Gani Geci, tha se kam nderin e veçantë që këtij tubimi t’ia përcjellë përshëndetjet më të ngrohta të akademik Nexhat Dacit, kryetar i LDD-së.  Me atë rast ai tha se hapat e parë të organizimit të mbrojtjes së pragut të shtëpisë janë ndërmarrë me urdhër të dr.  Rugovës, siç është bërë edhe organizimi i parë për mbrojtjen e Kosovës me dërgimin në Shqipëri në vitin 1991 të komandantëve Sali Çeku, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti për formimin e celulave të para mbrojtëse , dhe këto fakte të historisë sonë më të re nuk ka kush që mund t’i ndryshojë , tha ai.
Në fjalën e tij karakteristike, konsuli i nderit i Konsulatës së Shqipërisë në Mynih, zotëriu Franz Mödl, së pari falënderoi organizatorin që e ka bërë përzgjedhjen e qytetit të Nürnbergut për ta mbajtur këtë akademi përkujtimore për dr. Rugovën, sepse siç tha,kjo i bën nderë të veçantë këtij qyteti, që të përkujton sot me shumë pietet figurën e madhe të “Mahtma Gandit” të Evropës lindore, siç e quajtën dr. Ibrahim Rugovën shumë politikanë botëror. Mjerisht, dr. Rugova nuk e përjetoi ëndrrën e tij, pavarësinë e Kosovës. Foli edhe për padrejtësitë që i janë bërë kombit
Rapsodi popullor Agim Gashi, duke interpretuar elegjinë, “Nderi i kombit President Rugova”
shqiptar në vitin 1913 në Konferencën e ambasadorëve në Londër, duke e copëtuar atë në gjashtë pjesë, si dhe shprehu bindjen e tij se Kosova shpejt do të pavarësohet nga Serbia.
Në elaborim, publicisti Shefqet Dibrani, në veçanti zbërtheu aspektin e mitit për sakrificën e dr. Ibrahim Rugovës në lëvizjen e tij paqesore, duke nënvizuar rolin dhe ndikimin që ka pasur ajo në filozofinë politike dhe kombëtare të tij. 
Idriz Zeqiraj,veprimtar, në fjalën e tij përgëzoi organizatorin për organizimin e akademisë kushtuar presidentit Rugova, duke e vlerësuar atë si një nismë të mirë të dardanëve, për një të djathtë të mirëfilltë, e cila sot i mungon Kosovës.
Në vijim zonja Agnesa Gashi, recitoi një poezi për dr. Ibrahim Rugovën.
Publicisti gjerman dhe njohës i mirë i figurës së presidentit Rugova, Dietrich Willier, në evokimin e tij, ndër të tjera tha se; sot po përkujtojmë mikun e njerëzimit, patriotin, presidentin filozof, Gandin shqiptar, kritikun letrar, politikanin e pazakonshëm, njeriun e paqes, i cili me mençuri të rrallë bindi botën për padrejtësitë që iu bënë popullit të tij, i cili tolerancën dhe forcën e argumentit i kishte armë kryesore për t’i bindur të tjerët për idealet e tij kombëtare, ndaj edhe e kishte fituar besimin e popullit të vetë. Kam qenë dëshmitar i terrorit serb në Kosovë, në njërën, si dhe i urtësisë së
Hafiz Gagica
Ibrahim Rugovës, në anën tjetër, për ta mbrojtur popullin e tij nga dhuna dhe gjakderdhjet, se çka bënte ai për çlirimin e brendshëm të Kosovës, për ndërtimin e strukturave demokratike, udhëheqjes paralele, hapjen e shkollave, të spitaleve, të universitetit, shtëpive-shkolla, etj, me qëllim që t’i ikë dhunës dhe konfliktit me policinë dhe ushtrinë serbe, ngase e dinte mirë se dhuna krijon vetëm dhunë. Për fat të keq, ai vdiq pa e përjetuar pavarësinë e Kosovës, për të cilën bëri aq shumë derisa ishte gjallë. Gurin mineral shumë të çmuar që ma fali në takimin e fundit që kisha me Ibrahim Rugovën, e kam dërguar tek një argjendar në Shtutgart të cilin e ka vënë në zinxhir dhe sot e kësaj dite atë e bartë në qafë gruaja ime e dashur, në shenjë kujtimi për Ibrahim Rugovën.                    
Në fjalën e rastit, kryetari i Degës së LDD-së në Gjermani , Hafiz Gagica, njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të dr.Ibrahim Rugovës,  duke u ndërlidhur në evokimet e tij për jetën dhe veprën e presidentit Rugova, ndër të tjera nënvizoi  faktin se roli i tij në vitet e 80-ta si shkrimtar dhe në fund të atyre viteve kur zgjedhet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes masive të shqiptarëve, si dhe kryetar i Këshillit koordinues të subjekteve politike shqiptare në ish Jugosllavi, bashkë me një varg figurash intelektuale, arritën që për herë të parë në historinë e Kosovës, të ndërtohet dhe zhvillohet një lëvizje e fuqishme politike, LDK.  LDK-ja e cila u pranua nga shumica dërmuese e kosovarëve por edhe e shqiptarëve në përgjithësi, i hapi rrugën Rugovës dhe përkrahësve të tij, që në Evropë dhe SHBA të pranohet si lider nacional dhe të mbështetet si lëvizje politike, duke artikuluar idenë e pavarësisë së Kosovës tek kryetarët dhe parlamentet e vendeve të shumta, te shoqatat me ndikim për të drejtat e njeriut si dhe tek mediat të cilat kanë luajtur rol kyç në informimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës në botë.
Nga distanca e sotme kohore e zhvillimit të ngjarjeve dhe vdekjes së tij të hershme, vijmë në përfundim se Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën, ka qenë Lëvizja më e fuqishme politike në historinë e re të kombit shqiptar. Meritat më të mëdha për këtë ecje të madhe të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë së saj, pa dyshim, i takojnë shqiptarëve në përgjithësi, dhe liderit historik dr. Rugovës, në veçanti, me të cilin pata fatin të bashkëpunoj ngushtë për më shumë se një dekadë, si në planin e vetëmbrojtjes së Kosovës, ashtu edhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës tek qeveritë dhe qendrat e vendosjes politike në Evropë dhe  SHBA.
Artisti i talentuar Shkodran Tolaj, këndoi dhe interpretoi për mrekulli një baladë për dr. Ibrahim Rugovën, interpretimi i të cilit mahniti të pranishmit, të cilët i dhuruan duartrokitje të gjatë frenetike në shenjë admirimi dhe respekti.    
Një letrën përshëndetëse, të cilën kësaj akademie ia kishte dërguar akademik Nexhat Daci, ndër të tjera thuhej:
 “I nderuari kryetar i Degës së LDD-së në Gjermani, z. Hafiz Gagica, të nderuar anëtarë të kryesisë, të respektuar bashkëkombas, jeni tubuar sot për të përkujtuar me nderim të veçantë njeriun e madh të kombit shqiptar, ikonën e shtetit të pavarur të Kosovës, presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili dy vjet më parë u nda fizikisht nga ne. Ishte 21 janari i viti 2006, goditje e rëndë, jo vetëm për institucionet dhe politikën shtetërore të vendit tonë, por mbi të gjitha ishte një goditje e rëndë për popullin shqiptar të Kosovës.
Me shkuarjen në amshim të presidentit Ibrahim Rugova edhe skena politike u varfërua. Përkrahësit e denjë të presidentit Ibrahim Rugova u anashkaluan. Në këtë kohë lindi nevoja e krijimit të një shtëpie tjetër politike e cila do të ruante dhe trashëgonte filozofinë politike të dr. Rugovës. Lindi Lidhja Demokratike e Dardanisë si nevojë e kohës, parti kjo me koncept të qartë, parti e traditës dhe vlerave moderne e cila politikën e vet e mbështet në parimet e filozofisë politike të presidentit Rugova. Pavarësia e Kosovës ka emrin dhe emblemën e presidentit Rugova, pavarësia e Kosovës do shpallet me bekimin e presidentit Rugova, Lavdi jetës dhe veprës së presidentit Ibrahim Rugova. Zoti e bekoftë presidentin Ibrahim Rugova, Zoti e bekoftë LDD-në, Zoti e bekoftë Kosovën”, kryetari i LDD-së, Akademik Nexhat Daci.
Telegrame përshëndetëse akademisë i dërguan edhe ambasadori i Shqipërisë në Gjermani z. Gazmend Turdiu, z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Degës së LDD-së në Suedi, z. Selim Hasanaj, kryetar i Degës së LDD-së në Norvegji dhe z. Mehdi Prushi në emër të Degës së LDD-së në Austri.
Në fund për të pranishmit u shfaq një film i shkurtër dokumentar për biografinë dhe jetën e dr. Ibrahim Rugova, përgatitur nga gazetari  Zejnulla Jakupi.
Në fund duhet theksuar se pjesëmarrja dhe organizimi i kësaj akademie ishte në nivel të mrekullueshëm, si në nivelin përmbajtësor akademik, ashtu dhe atë teknik, gjë për të cilën organizatori mori lëvdata të shumta, në veçanti  Naim Jonuzi  dhe Driton Emini për ndihmesën që dhanë në organizimin dhe mbarëvajtjen e akademisë e cila për shumë kohë do të ngelë në kujtesën e gjithë pjesëmarrësve. Edhe komunikimi me publikun dhe oratorët nga ana e moderatores Vjollca Hajdari ishtë në nivel artistik. 

Komisioni për Informimi i LDD-së në Gjermani



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora