E premte, 26.04.2024, 01:32 PM (GMT+1)

Faleminderit

Engjëll Koliqi: N'altarin e shtetit të Kosovës prin Ibrahim Rugova

E marte, 22.01.2008, 07:32 PM


NË VALLEN E MADHE TË PAVARËSISË QË PO FILLON:

N’ALTARIN E SHTETIT TË KOSOVËS PRIN IBRAHIM RUGOVA

Në dyvjetorin e ndarjes fizike nga ne të Babait dhe Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës – Dr Ibrahim Rugova

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Lecco, 21 janar 2008

Engjell Koliqi
Në këtë periudhë kohore, që në historinë e Kosovës do të jetë e përjetshme, e shkruar me germa ari, të gjithë po përgatitemi – shpirtërisht e fizikisht – për Ditën e Madhe të Pavarësisë. Kjo ditë tashmë është afër. Nuk do të ketë shqiptar që nuk do të kremtojë - secili në mënyrën e vet. Me ne do të kremtojnë edhe shumë të tjerë – të gjithë ata që i njohin vlerat e mirëfillta të lirisë, të paqes, të njerëzisë dhe të demokracisë. Një kremte e madhe dhe e pakrahasueshme do të regjistrohet në historinë e re të Kosovës dhe të Europës.
Siç është bërë tashmë traditë për njerëzimin në përgjithësi, as kremtja jonë e pavarësisë nuk do të kalojë pa lotë e pa dhembje. Mirëpo, edhe në mes lotëve e dhembjeve do të vezullojë krenaria jonë kombëtare. Do t’u këndojmë fuqishëm heronjëve dhe dëshmorëve, që me gjakun e tyre kanë vulosur lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Patjetër që i këndojmë fuqishëm dhe me krenari të bujshme, edhe Babait dhe Presidentit të Parë të Shtetit të Kosovës – Dr Ibrahim Rugovës, që sot dy vjet u nda fizikisht nga ne, por që jeton në zemrat e shqiptarëve sot e përjetemot – deri në amshim.
Sot, kur po përgatitemi për Ditën e Madhe, në dyvjetorin e mbetjes pa babain dhe strategun e Republikës së Kosovës, derisa qajmë për mungesën e Dr Rugovës, me krenari vezulluese ngushllohemi duke përkujtuar veprën e pakontestueshme dhe të pakrahasueshme të Tij, bashkë me strategjinë  karakteristike e specifike të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ishte Ibrahim Rugova, Ai që mbas luftimeve dhe vuajtjeve shumëshekullore që popullit të Kosovës “nuk ia pranonte historia”, me një mjeshtri specifike dhe të pakrahasueshme intelektuale e politike dhe me një përkushtim të pashoq, ia imponoi diplomacisë ndërkombëtare në të gjitha qendrat e vendosjes, prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara e deri në Bashkimin Europian, por edhe vetë historisë, që shumë seriozisht të merren me realitetin kosovar, për të përmbushur përfundimisht aspiratat e popullit të vuajtur nëpër shekuj. Ishte Ibrahim Rugova, Ai i cili vlerat e pakontestueshme dhe traditat e shenjta të kombit tonë i bëri të pashme dhe të pashmangshme në historinë e re të njerëzimit. Ishte Ai personaliteti i parë dhe protagonisti i domethënësisë së realitetit tonë kombëtar, që u personifikua në një konstruktor të paqes së qëndrueshme botërore. Për këtë edhe u krahasua me Gandin dhe u quajt Gandi i Ballkanit.
Ç’është e vërteta, Ibrahim Rugova nuk ishte një lider i moderuar, siç cilësohej publikisht nga qarqe të shumta, por ishte një ekstremist tipik dhe një luftëtar karakteristik i çështjes kombëtare, konform rrethanave historike-politike, që në fund të shekullit të kaluar dhe në filllim të shekullit në vijim, ndërronin me një dinamizëm shumë të përshpejtuar. Ai dinte t’u përshtatej rrethanave dhe të mbante hapin me kohën, që kalonte shumë shpejt. Koha as historia “nuk guxonin të ecnin” pa Ibrahim Rugovën, as pa shqiptarët. Duke shfrytëzuar akreditimin si gazetar në Romë dhe në Selinë e Shenjtë në Vatikan, kam pasë rastin të takohem me shumë liderë botërorë, të vendeve të mëdha europiane dhe të kontinenteve të tjera dhe që të gjithë ma kanë konfirmuar ekstremitetin e Dr Rugovës, i cili nuk ka rrëshqitur as nuk ka lëvizur kurrë, as një milimetër, nga qëndrimi i tij këmbëngulës për njohjen legale e formale të Republikës së Kosovës, nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe vendosmërisht, që të gjithë bashkëbiseduesve ndërkombëtarë, gjithnjë u ka sygjeruar se duhet të pajtohen me realitetin historik të shqiptarëve dhe ta njohin shtetin e Kosovës, vetëm për një fazë kaluese, deri në bashkimin faktik kombëtar.
Dr Ibrahim Rugova ishte i vetmi njeri, veç Papës, të cilit Shenjtëresha Shqiptare – Nëna Tereze – i ishte përkulur dhe ia kishte puthur dorën, dhe atë – publikisht, në praninë e shumë liderëve të vendeve dhe të popujve të të gjitha kontinenteve. Në të vërtetë, në shkurt të vitit 1997, në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit, në Shtëpinë e Bardhë në Washington, Nëna Tereze ishte përkulur para Presidentit Rugova, ia kishte marrë e ia kishte puthur dorën dhe pastaj i ishte drejtuar ish presidentit të SHBA-ve Bill Klintonit, duke i thënë: “Zotni President. Ky është presidenti im dhe i Kosovës – Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!” Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënës Tereze, ndër të tjera i kishte thënë: "Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lire dhe po ndërton demokracinë".

Nuk e kemi lehtë ta madhërojmë Ditën e Madhe të Pavarësisë, që tashmë është shumë afër, pa strategun dhe themeluesin e Shtetit të Kosovës. Zemrat tona do të këndojnë e vallëzojnë nën trysni drithërimash, por do të përmbahemi dhe nuk do t’i zbehim vezullimat karakteristike të Krenarisë Arbërore, sepse sytë tanë do të shohin në ballë të valles festive vetë Presidentin Rugova! I qoftë gjithmonë i lehtë dheu i Kosovës, që aq shumë e dashti! Qoftë gjithmonë lapidar dhe fortesë e lavdisë dhe krenarisë sonë kombëtare, në të gjitha zemrat shqiptare!
 

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi Bëjnë homazhe para varrit të Presidentit të Parë të Kosovës Dr Ibrahim Rugova, në dyvjetorin e kalimit të Tij në amshim



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora