E shtune, 14.12.2019, 01:55 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

70 vitet rok të Çelentanos

E diele, 06.01.2008, 01:16 AM


Shfaqet gjithnjë e më rrallë dhe i pëlqen të meditojë për botën

Jeta e vrullshme, kontradiktore, eksperimentale e thellësisht shpirtërore e një kantautori të pavdekshëm

Adriano Celentano
Kohët e fundit, Çelentano shfaqet në ekran më rrallë dhe flet gjithnjë e më pak. Por thonë se kënaqësia është më afër dhimbjes se sa lumturisë dhe Adriano me këngët e tij ka bërë të qeshin dhe të qajnë mijëra fansa. E kushedi, ndoshta nga kjo vetmi rrjedh një urtësi apologjike, apo këngë të thjeshta dashurie. Me zërin e tij karakteristik, sa të bukur aq edhe ironik, gjithmonë ka kënduar për njerëzit e palumtur e të destinuar të vuajnë gjithë jetën. Nuk është e nevojshme të flasësh për talentet e Çelentanos. Djaloshi i rrugës "Gluck", që veçanërisht shquhet si një njeri i lirë, do të festojë nesër 70-vjetorin e lindjes. Është një rikthim i bujshëm, që meriton dhe kërkon reflektim, sepse nuk janë vetëm 70 vjet jetë. Brenda këtyre 70 viteve janë të paktën 50 vjet muzikë dhe spektakël.

Çelentano, tregoni të vërtetën, kur mendoni për veten në moshën 20-vjeçare, kur çirreshit për të kënduar rock‘n‘roll, ndieni kënaqësi apo diçka tjetër?

Kur më ndodh të shikoj filmime të ndryshme bardhezi në moshë të re, shoh veten dhe them: "Dreq... sa i bukur kam qenë, si nuk e kam vënë re diçka të tillë?" Ajo që më çudit më shumë është se në moshën 70-vjeçare mendoj se kam arritur një farë pjekurie, por kur shoh sërish gjërat që kanë ndodhur rreth 30-40 vjet më parë, vërej se bëj më shumë budallallëqe tani se atëherë. Kështu, i hedh një vështrim kurioz vetes, çuditërisht ndihem i kënaqur dhe e shikoj në monitor atë "person" (veten) si dikë që sapo e kam njohur. E shoh dhe them: "Ej, mos e lëviz kokën. Është e vërtetë, je pak para meje, por jo edhe për shumë kohë; spektakli i ardhshëm që do të bëj në televizion do t‘i lërë të gjithë pa mend!"

Shumë interesante kjo. Ju kujtohet si filloi karriera juaj?

Sigurisht dhe gjithashtu është e nevojshme të theksoj disa gjëra. Ishte 18 maji i 1957-ës, kur Bruno Dosena organizoi festivalin e parë të rokut në Pallatin e Akullit në Milano. Më kishte dëgjuar kur këndoja në Tekla dhe dëshironte me çdo kusht që unë të merrja pjesë, duke qenë se mes shumë këngëtarëve isha i vetmi këngëtar rok. Por, pas ofertës mendova se me çfarë orkestre do të këndoja. I zënë ngushtë nga kjo situatë, vendosa të formoj një grup: në kitarë bas, bateri dhe kitarë ishin vëllezërit Ratti, tre muzikantë të mrekullueshëm, të cilët më bënë menjëherë për vete. Por isha ende i shqetësuar, pasi mungonte pianisti dhe një nga vëllezërit më foli për një farë Enzo Janaci, të cilit i telefonova menjëherë. Ishte i jashtëzakonshëm, e më kryesorja kishte atë çmenduri tipike që kanë mjekët kur gabojnë në një operacion. Nuk e di a vazhdon të jetë ende kështu, por atëherë ishte perfekt. Janaci solli një saksofon dhe kështu grupi i "të çmendurve" u kompletua. Nuk është e vërtetë që morën pjesë edhe Gaber e Tenko, siç pohon ndonjë informacion i gabuar. Gaberin e njoha vetëm një vit më vonë, ndërsa Tenkon pas tre vjetësh. Gjithashtu nuk është e vërtetë që unë atë natë këndova "Mirupafshim do të them". Ajo këngë nuk ekzistonte. Shumë njerëz e kanë ngatërruar festivalin e rokut të 18 majit 1957, me atë të "jukebox", që u zhvillua tre vjet më vonë, organizuar nga Nani Rikordi.

Çfarë nënkuptonte të ishe rockman?

Atë natë në festival ishte edhe Ico Cerutti me kitarë të dytë, miku im i fëmijërisë, i cili ishte zhdukur dhjetë vjet më parë. Ai ishte një rockman tipik dhe i drejtohen pikërisht atij në këngën "Mondo in Mi7", ku pasi do të lexoja në gazetë disa lajme, ndalem dhe them: "Jo, djem, mos u trishtoni kështu. Ico, pse po qan?" - ishte ai dhe së bashku kishim formuar grupin. Ajo ishte një histori rok.

Le të flasim paksa për karrierën tuaj. Edhe pse këndoni shumë këngë melodike, duket se shpirti juaj është i përqendruar gjithmonë te roku. Mund të duket i çuditshëm ky fakt në moshën 70-vjeçare apo jo?

Do të thosha që shpirti im ka lindur ekskluzivisht vetëm për rokun. Në ndryshim nga ata që thonë se roku është një muzikë djallëzore, unë mendoj se është liri, dëshirë për të luajtur, për të qëndruar bashkë, për të qeshur e për të bërë shaka, për të ngritur zërin në mënyrë miqësore edhe kur bëhet fjalë për gjëra serioze. Pra është një muzikë që mbledh së bashku popujt e çdo race. Sigurisht si në çdo gjë, edhe në këtë rast nuk mungojnë edhe ata që spekulojnë mbi çiltërsinë e këtij ritmi për të prezantuar mesazhe lufte. Ashtu siç ndodh në disa zona të Afrikës, ku bukuria e shpirtit të shuar arrin deri në atë pikë sa për të vënë një mitraloz në duart e një fëmije 8 apo 9 vjeç.

Kohë më parë kemi dëgjuar se te ju bashkëjetonin dy shpirtra të kundërt, njëri më revolucionar e rebel dhe tjetri më tradicional e konservator. Thuhej se atëherë cilësoheshit në këtë mënyrë. Është ende kështu?

Mendoj se po. Rebelohem shumë kur njerëzit për të kënaqur interesat e tyre u heqin fëmijëve lodrat, pa menduar për pasojat. Rebelohem me politikën, me të gjitha partitë e liderët, në veçanti me demokratët e socialistët. Po përmend këto pasi janë më përgjegjëse e që nuk kanë menduar kurrë për të ndihmuar vendin. Rebelohem me njerëzit e varfër, që edhe pse kanë një shtëpi, pranojnë të jetojnë në varfëri pa u përpjekur të bëjnë diçka për veten. Rebelohem me ata që besojnë se të jesh modern duhet të fshish gjithçka që ka ndodhur më parë.

Pra, rebelohem kundër atyre që nuk e kuptojnë se kush jemi dhe nga vijmë. Sepse askush nuk është më modern se ai që e ruan dhe nuk e harron të shkuarën.

Kur bëheni pesimist apo optimist në jetë?

Në të vërtetë jam optimist për jetën, gjithçka më duket e bukur me ngjyra. Ndoshta është kjo arsyeja që dua të them, të shkruaj dhe të këndoj atë në të cilën besoj, edhe pse ndonjëherë më duhet të tregoj gjëra të shëmtuara dhe të dhimbshme. Nuk ka rëndësi nëse ai që i dëgjon mund të bjerë në dëshpërim, e rëndësishme është që unë ngelem optimist dhe deri diku edhe utopist. Nuk duhet t‘i braktisim kurrë idetë dhe betejat tona. Duhet t‘i mbrojmë gjithmonë. Pavarësisht masakrave dhe qeverive të padrejta që veprojnë në kurriz të natyrës dhe njeriut, tek unë asnjëherë nuk është shuar shpresa dhe pasioni për jetën. Pavarësisht fjalëve, në fund gjithmonë jam përpjekur të këndoj të njëjtën këngë, atë që kërkon të denoncojë gjithçka që nuk shkon. Ndonjëherë e kam bërë me seriozitet, ndonjëherë me ironi dhe lojë. Por më shpesh e kam bërë me zemërim, sepse kohët e fundit është kjo ndjenja që mbizotëron më shumë.

Tani që jeni pranë 70-ve, si ju duket bota e parë në një këndvështrim special?

Pikëpamja është efektivisht speciale, ndoshta më shumë seç duhet, për të mos e kuptuar gjendjen e sëmundjes në të cilën gjendet planeti. Gjithçka ka ndodhur për faj të Evës dhe Adamit, të cilët nuk ishin të kënaqur me pastërtinë e mrekullueshme e që u ishte dhuruar vetëm atyre. Një kopsht i mrekullueshëm, ku çdo fije bari e çdo fletë gjetheje shkëlqente nga dashuria e tyre, të rrethuar nga urtësia dhe gëzimi i një populli kafshësh, të cilët flisnin gjuhën tonë. Tonet e ndryshme të këtyre qenieve, ende të paprekura nga shuarja, ishin si një këngë melodioze, që përhapej në ajër. Dy të dashuruarit mund të endeshin si e ku të donin dhe me fuqinë e erotizmit të tyre të lindnin bukurinë e popujve të ndryshëm, pa kaluar përmes dhimbjes së lindjes. Mbreti i pyllit, që ishte luani, fliste shpesh me ta. Zëri i tij i vrazhdë e në të njëjtën kohë melodioz ishte si një lloj përzierje mes zërit të bukur e harmonik të Boçelit. U tregonte të rinjve historitë e tyre të dashurisë, të ndryshuara vazhdimisht nga zilia, luftërat dhe tradhtitë. Përralla të mrekullueshme që do të bëheshin realitet nëse do të shkelnin rregullin e vogël që u kishte thënë i zoti i kopshtit.

Është një histori e njohur dhe pak a shumë të gjithë e dimë se si do të përfundojë...

Po. Historitë e zakonshme të pushtetit. Një zvarranik u tha dy të dashuruarve, se nëse do ta hanin atë frut do të bëheshin ata zotët e kopshtit. Dhe ata, duke mos e kuptuar që praktikisht ishin zotë të saj, nuk pritën më, por bënë siç u tha zvarraniku. Kështu dëshironin t‘i përkisnin edhe gjësë së vetme për të cilën nuk kishin nevojë: së keqes.

Një histori e shëmtuar apo jo?

Mallkuar qoftë ligësia që na rrethon. Ndoshta ngushëllohemi me faktin që ka ende shumë njerëz të mirë në botë. Pavarësisht konfuzionit që ka pushtuar botën, duhet të them se jam optimist. Te secili prej nesh jeton e mira dhe e keqja, ashtu siç kemi dy duar, të majtën e të djathtën. Zakonisht, pavarësisht një pakice mëngjërashësh, pjesa më e madhe e popullsisë përdorin dorën e djathtë kur shkruajnë, hanë, pastrojnë, pra gjërat e përditshme. Sigurisht kjo nuk do të thotë se njerëzit që përdorin të majtën, në ndryshim nga ata që përdorin të djathtën, janë të këqij, por se e kanë praktikuar apo ushtruar më shumë këtë të fundit. Fatkeqësisht, nëse një person është i ligë, e keqja është e pranishme si në të majtën ashtu edhe në të djathtën.

Ju keni ndonjë propozim konkret?

Gjëja e parë që duhet bërë është që të ulen përreth një tavoline e të bisedojnë 13+1.

Sipas jush, ky është një propozim konkret? Kush është trembëdhjetë plus njëshi?

Liderët kryesorë të skenës sonë politike, plus një. Unë nuk e di nëse më kujtohen të gjithë, por do t‘i përmend dhe këta janë: Prodi, Berlusconi, D‘Alema, Fassino, Veltroni, Bossi, Fini, Casini, Pecoraro Scanio, Bertinotti, Mastella, Di Pietro, Diliberto dhe Dalai Lama. Si takimi i parë këto mund të mjaftojnë. Më pas, nëse shohim që gjërat përkeqësohen do të thërrasim edhe kinezët, duke qenë se Papa i ka shumë për zemër.

Nëse do të kishit një shkop magjik, kujt do t‘i jepnit prioritet më parë?

Bukurisë mbi gjithçka, sepse nga humbja e saj varet gjendja e keqe e shoqërisë dhe degradimi i koshiencës, e në fund do t‘i jepja prioritet sigurisë. Është absurde që qytetarët të kenë frikë të dalin nga shtëpia.

Jam shumë kureshtar të di nëse propozimi që bëra pak më parë "13+1", do të ishin të gatshëm të harxhonin energjitë e tyre për të hartuar një program, i cili do të ketë si qëllim të vetëm për t‘i mbështetur të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje dhe se cili do të jetë njeriu që do ta udhëheqë.

Sa e rëndësishme ka qenë familja në këto 70 vjet?

Për mua familja është shumë e rëndësishme, sepse nëse ke fatin që nuk të saboton, të mbështet e të inkurajon.

Nëse do ta peshonit jetën tuaj me një kandar, mendoni se keni bërë gabime?

Për t‘iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të sjell ndërmend të gjithë jetën time. Sigurisht mund ta bëj diçka të tillë, por le të bëjmë sikur nuk kam gjetur asnjë të tillë.

Rikthimi

Është një rikthim i bujshëm, që meriton dhe kërkon reflektim, sepse nuk janë vetëm 70 vjet jetë. Brenda këtyre viteve janë të paktën 50 vjet muzikë dhe spektakël

Mallkuar qoftë ligësia që na rrethon. Ndoshta ngushëllohemi me faktin që ka ende shumë njerëz të mirë në tokë. Pavarësisht konfuzionit që ka pushtuar botën, duhet të them se jam optimist. Te secili prej nesh jeton e mira dhe e keqja, ashtu siç kemi dy duar, të majtën e të djathtën

Jam optimist për jetën, gjithçka më duket e bukur me ngjyra. Ndoshta është kjo arsyeja që dua të them, të shkruaj dhe të këndoj atë në të cilën besoj, edhe pse ndonjëherë më duhet të tregoj gjëra të shëmtuara dhe të dhimbshme. Nuk ka rëndësi nëse ai që i dëgjon mund të bjerë në dëshpërim

Rebelohem me ata që besojnë se të jesh modern duhet të fshish gjithçka që ka ndodhur më parë, të cilët nuk e kuptojnë se kush jemi dhe nga vijmë. Sepse askush nuk është më modern se ai që e ruan dhe nuk e harron të shkuarën

Shpirti im ka lindur ekskluzivisht vetëm për rokun. Në ndryshim nga ata që thonë se roku është një muzikë djallëzore, unë mendoj se është liri, dëshirë për të luajtur, për të qëndruar bashkë, për të qeshur e për të bërë shaka, për të ngritur zërin në mënyrë miqësore edhe kur bëhet fjalë për gjëra serioze.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT