Shtesë » Lajme
Nëndega e LDK-së: Mbështetje për dy kandidatura deputetësh
E premte, 10.12.2010, 10:05 PM
MBESHTETJE PER DY KANDIDATURA DEPUTETESH
NJEREZ TE MENDJES DHE TE VEPRIMIT
Më në fund LDK-ja e bëri hapin e duhur, duke nominuar kandidatë për deputetë edhe nga diaspora. Themi, më në fund, sepse hezitimi i deritashëm ka qenë përçmues dhe absurd, duke pasur parasysh masën numerike të mërgimtarëve.
Dy kandidimet e bëra nga radhët e Degës të LDK-së për Gjermani, janë pritur mirë nga mërgimtarët e shumtë, kudo që ata ndodhën.
Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës: Anton Kolaj dhe Hafiz Gagica kanë qenë bashkëpuntorë të afërtë dhe të suksesshëm të Presidentit Rugova, qysh në nismë të viteve `90-a.
Zoti Anton Kolaj, duke qenë Nënkryetar i LDK-së, punoi me përkushtim me bashkëkombasit, për zgjimin e ndjenjave dhe të ndërgjegjës kombëtare për liri dhe pavarësi, madje në rrethanat e një pushtimi të egër serbo-sllav. Ai veproi edhe në sektorin delikat të organizimit ushtarak dhe luftarak, për krijimin e Ministrisë të Mbrojtjes dhe të Shërbimit Informativ të Kosovës. Për gjatë kohë ishte krahu i djathtë i dr. Rugovës.
Zoti Hafiz Gagica jeton dhe vepron në diasporë që nga vitet `80-a. I rrjeshtuar në krah të Jusuf Gërvallës, arriti të mbajë drejtëpeshimin, duke tërhequr pas vetës edhe shumë mërgimtarë, bashkë me të cilët në vitin 1990 themeloi Degën e LDK-së për Gjermani, në të cilën militonin 16 nëndegë dhe qindra aktiva.
I shquar në organizim dhe gjeturi në çdo situatë e rrethanë, zoti Gagica u zgjodh kryetar i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së për diasporë.
Zoti Gagica, sëbashku me heroin Sali Çekaj ishin iniciatorë dhe organizatorë të dërgimit të djemëve të Kosovës për ushtrime ushtarake në Shqipëri. Themelues fondesh dhe grumbullues e dërgues ndihmash materiale për Shqipëri dhe Kosovë.
Gjatë luftës, me rastin e pengmarrjes të Presidentit Rugova, nga policia e Millosheviqit, Dega e LDK-së në Gjermani, përkatësisht, kryetari i saj, Hafiz Gagica, i mori të gjitha kompetencat e LDK-së, e cila, në atë kohë, ishte parti - shtet. Pas lirimit dhe daljes në perëndim të dr. Rugovës, zoti Gagica i kushtoi përkujdesje të veçantë, madje deri në kthimin e Tij në Kosovë.
Koritja e madhe e LDK-së, e cila nuk gjeti një zyrë diplomatike për zotërinjtë Kolaj dhe Gagica, duket se është kuptuar edhe në Prishtinë. Eshtë kohë e reflektimit për kuadrotë që kanë dhënë gjithëçka për LDK-në dhe për vet Kosovën.
Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës, zotërinjtë Anton Kolaj dhe Hafiz Gagica, kanë moral, etikë dhe përgatitjen e duhur intelektuale, për një përfaqësim dinjitoz të mërgatës dhe të Kosovës në përgjithësi. Ata do të jenë zë i fuqishëm, duke bartur përvojen parlamentare të demokracive perëndimore, në veçanti të asaj gjermane.
Për zotërinjtë Anton Kolaj dhe Hafiz Gagica - urojmë fitore dhe suksese në misionin e tyre fisnnik!
NENDEGA E LDK-SE PER RHEINLAND PFALZ
Komisioni për Informim
Kaiserslautern - Gjermani
më 08.12.2010