E premte, 26.04.2024, 08:47 PM (GMT+1)

Editorial

Avni Halimi: Antishteti dhe antikombi

E marte, 03.08.2010, 09:59 PM


Antishteti dhe antikombi

 

Antikombi është luajalisti perfekt i antishtetit. Antishteti e quante bashkëpunëtor, ndërsa shqiptari e quante spiun

 

Nga Avni Halimi

 

Njëzet viteve të fundit Maqedonia po përballet me një antishtet dhe me një antikomb që janë surrogatë të kombinimit të komunizmit dhe UDB-së serbe. Pra, nuk janë dy dukrui, pa dyshim, të shëmtuara, që u lindën dhe që morën hov në këto dy decenie të fundit, por, janë pjellë e “zombit” që i krijoi me aftësi metastazuese. Sistemi pluralist, si në të gjitha shtetet postkomuniste, edhe në Maqedoni do të duhej t’i asgjësonte këto krijesa zombiane. Ndodhi e kundërta. Ato u pozicionuan dhe u barrikaduan edhe më fuqishëm saqë sot janë aktive në të gjitha organizmat, në shumë media dhe institucione kyçe të shoqërisë sonë, ndonëse shumica janë analfabetë apo me përgatitje të dyshimtë shkollore.

Antishteti sot është i mbështetur fund e krye në politikat shekullore serbe dhe që fuqishëm mbahet gjallë përmes serumeve të shërbimeve sekrete serbe. Ky antishtet natë e ditë mendon, vepron dhe frymon me logjikën raciste antishqiptare. Nuk i intereson shteti sa i intereson shtimi i diskriminimit kundër shqiptarëve. Antishteti i Maqedonisë së sotshme, duke qenë aleat historik i Serbisë në njërën anë dhe, në anën tjetër, duke qenë deri në çmendi i kompleksuar nga lashtësia e shqiptarëve autoktonë, në çdo moment është i gatshëm ta shkatërrojë, ta copëtojë e ta zhbëjë Maqedoninë dhe assesi të pranojë se ky shtet është sa i maqedonasëve po aq është edhe i shqiptarëve, nëse jo edhe më shumë.

 

Luajalisti perfekt i antishtetit

 

Në shoqëritë etnikisht të përziera nuk mund të shprehet haptazi urrejtja e një etnie kundër etnisë tjetër, sepse një gjë e tillë do të prodhonte pashmangshmërisht luftë ndëretnike që do të përfundonte me pastrime etnike e më pas edhe me secesion apo ndarje territoresh. Sistemi komunist në shtetet multietnike u përkujdes për këtë efekt: krijimin e antikombit duke iu shmangur luftës ndëretnike. Etnia e cila nuk e duronte parullën “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”, që në konceptin e sotshëm nënkupton “integrohuni, asimilohuni”, nisi të përceptohet si gogol i sistemit sidomos pas lindjes së filozofisë antihumane staliniste e cila e proklamonte disiplinimin absolut të njeriut qoftë edhe përmes asgjësimit fizik. A nuk ishte parullë serbe “shqiptari më i mirë është shqiptari i vdekur”, parullë kjo e përkthyer në maqedonisht “dhoma gazi për shqiptarët”!

Kush është antikombi?! Antikombi është luajalisti perfekt i antishtetit, i cili, më me dëshirë do ta shkatërronte shtetin se sa të miratonte një ligj në të mirë të shqiptarëve të vendit. Për ta evituar luftën e drejtpërdrejtë të shtetit kundër shqiptarëve, u krijua antikombi të cilin pastaj shërbimet sekrete, përmes metodave më antihumane, e klonuan në mijëra kopje! Antikombi e kishte për detyrë që të jetë gjahtar vigjilent i mohuesve të vegjetimit sipas konceptit stalinist. Antishteti e quante bashkëpunëtor, ndërsa shqiptari e quante spiun!

Komuniteti antikomb asnjëherë nuk ka mundur të jetë bashkëpunëtor i antishtetit, por, gjithnjë ka qenë vasal, shërbëtor, pakurrizor, fillimisht me pak pagesë ndërsa më vonë, për shkak të rregullave kanunore që kanë funksionuar në ndërdijen e çdo shqiptari, ky antikomb, i kënaqur nga premtimi i mosdorëzimit apo moszbulimit, ka pranuar të veprojë edhe pa kurrfarë pagese.

Ashtu si gjatë dyzet e pesë viteve, edhe në fillim të shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë para dy decenieve, me pushtetin nisën të udhëheqin po të njëjtit e komunitetit antishtet. Për ta përvetësuar shtetin dhe për t’i ngulfatur aspiratat njerëzore të shqiptarëve, në po të njëjtat pozita prej shërbëtori i vunë të hershmit e komunitetit antikomb. Sot, antikombi nuk është i klonuar, por i shpërfytyruar në antikomb me mjekër, me virtytin e trimit, të heroit, të shpëtimtarit kombëtar, të luftëtarit për të drejtat e kolektivit, të intelektualit të madh,  ndonëse tërësisht me tru të thatë etj. Dhe, të gjitha këta fytyra të shpërfytyruara, çuditërisht, kanë të njëjtën karakteristikë që i dallon lehtësisht si antikomb: nuk e durojnë platformën dhe vizionin kombëtar! Më lehtë e kanë të tradhëtojnë, të asimilohen, të integrohen, sesa për shembull, ta shtrëngojnë maqedonasin për të pranuar një marrëveshje historike me shqiptarin, më lehtë u vjen për shtat pozicioni i vasalit se sa, për shembull, të kërkojnë nga maqedonasi që të heq dorë nga përvetësimi i Maqedonisë. Antikombi më të zbatueshëm e ka urdhërin që ta sektarizojë e ta bëjë përshesh fetar shqiptarinë sesa ta lërë atë me konceptet e veta fetare autoktone e shumë të shëndetshme.

 

Fytyrat e antikombit

 

Këtë antikomb sot e kemi të instaluar gjithandej dhe gjithnjë në funksion të kryerjes së urdhërave për të disiplinuar qoftë edhe me linçime e likuidime staliniste çdo shqiptar që angazhohet për të drejtat e veta të natyrshme. Të padisiplinuarit likuidohen, mbi 300 vrasje të të rinjve shqiptarë që ndodhën gjatë viteve 2002-2005, vrasjet e komandantëve, vrasjet e atyreve që nuk e durojnë veprimin e antishtetit dhe të antikombit, dhe, të gjitha mbeten të pazbuluara, sepse, antikombi shpërblehet me fshirje të gjurmëve, me pazbulim (dhe jo me të mira materiale) dhe për hir të vasalitetit besnik që ka ndaj antishtetit.

Këto ditë në Çeki u demontua tërë ai rrjet i hekurt i antikombit, i cili, falë aftësive për të qenë luajal dhe vasal i shërbimeve sekrete, edhe më tej po qëndronte nëpër instancat më të larta shtetërore e kombëtare. Dikush e quajti skandal, ndërsa bota e civilizuar e duartrokiti komisionin të atjeshëm për lustrim për punën e madhe kombëtare që bëri. Te ne, në Maqedoni, Komisioni për Lustrim është për kot, sa për sy e faqe. Deri më sot nuk u gjet asnjë antikomb! Dhe, vështirë se do të gjendet, sepse antikombi nuk është i çmendur që ta dorëzojë vetveten, për më tepër, gëzon mbrojtjen dhe konfidencialitetin absolut nga antishteti.

Përderisa antishteti mbetet një, antikombi është shpërfytyruar në qindra mbase edhe në mijëra fytyra nga më të shëmtuarat. Asnjëherë nuk na ka interesuar antishteti, sepse ai është e zeza e vetvetes dhe, si i tillë, gjithnjë i eksponohet kalbjes dhe pikjes përdhe, por, gjithnjë na ka interesuar antikombi e cila është e zeza e vetë kombit. Fatkeqësisht, antikombi po riciklohet, po riprodhohet, po shtohet me shumë antikombtha që tashmë po vërehen edhe pa llupë. Janë gjithandej të instaluar dhe të gatshëm për ta luftuar me dinjitet prej spiuni dhe vasali besnik platformën kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë. Punë tjëtër nuk di të bëjë antikombi përveçse t’i japë fuqi antishtetit. Ndërsa që të dy shëmtirat, si “anti” që janë, harrojnë se farë lehtë mund të eliminohen si nga shoqëria ashtu edhe nga shteti. Koha është për ekologji etnike dhe shtetërore. Pa këtë filtrim edhe oksigjeni na bën zarar.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora